Mushkolaj: Haradinaj zgjodhi të rrëzonte veten, dorëheqjen e veshi me petkun e patriotizmit

Intervista

Mushkolaj: Haradinaj zgjodhi të rrëzonte veten, dorëheqjen e veshi me petkun e patriotizmit

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 14:41
Imer Mushkolaj

Analisti Imer Mushkolaj ka qenë i ftuari i radhës në intervistën “45/45” në KosovaPress ku përballë gazetares Teuta F. Gashi diskutoi për shumë çështje të aktualitetit politik kosovar.

Dorëheqja e Ramush Haradinajt si kryeministër ka ndryshuar tërësisht skenën dhe situatën politike në Kosovë. Për Mushkolajn, ky veprim ishte një kalkulim i mençur nga ana e kreut të AAK-së.

Sipas tij, vet deklaratat e kryeministrit janë kontradiktore, pasi Haradinaj dha dorëheqje për të mos shkuar në Hagë si përfaqësues institucional se do të dëmtonte Kosovën, ndërsa në të njëjtën kohë u shpreh se do të kandidonte sërish për kryeministër.

Analisti thotë se Haradinaj zgjodhi të rrëzonte veten para se këtë ta bënin partitë opozitare në Kuvend me një mocion mosbesimi që për të ishte një iniciativë shumë serioze.

Mushkolaj u shpreh se Haradinaj dorëheqjen e veshi me petkun patriotik në mënyrë që kryeministri në largim të mbahet mend se u largua për t’iu përgjigjur Speciales në Hagë dhe jo për shkak të keqqeverisjes.

Mushkolaj: Do të ishte ndryshe nëse Haradinaj do rrëzohej me mocion mosbesimi

“Unë kam përshtypjen se kryeministri zgjodhi ta rrëzojë veten para se ta rrëzojnë të tjerët, mos të harrojmë se ishte një iniciativë goxha serioze, më serioze sesa të gjitha herët e kaluara gjatë mandatit të tij qeverisës, që të ngrihej një mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës dhe të rrëzohej kjo qeveri. Ky ishte plani i partive politike dhe në këtë mënyrë kryeministri mendoi dhe atë edhe e zbatoi që të japë dorëheqje, të veshë këtë dorëheqje të tij me petkun patriotik që të mund të ndikonte tek militantët e tij dhe të partisë së tij dhe në anën tjetër edhe t’i shmanget mocionit të mosbesimit. Do të ishte ndryshe po të rrëzohej me mocion mosbesimi për shkak se më tepër do t’i mbahej mend keqqeverisja e tij, ndryshe prej tash kur dha dorëheqje edhe që deshëm e s’deshëm ju sjell njerëzve ndërmend që ai dha dorëheqje për të shkuar në Hagë dhe për të dhënë një intervistë atje”, deklaroi Mushkolaj.

Analisti i njohur politik e quajti kalkulim të mençur dorëheqjen e Haradinajt. Sipas tij, kreu i AAK-së po përpiqet të përfitojë nga kjo situatë gjë që e bën të njëjtë me liderët e tjerë.

E kur jemi të ngjashmëria, Mushkolaj tha se Haradinaj ka qenë i njëjtë si të tjerët edhe në qeverisje, pavarësisht se tentoi të shfaqej sikur ishte ndryshe dhe se ishte në atë pozitë për të marrë vendime të mëdha për vendin .

Mushkolaj: Haradinaj po përpiqet të përfitojë politikisht nga kjo situatë

“Është një kalkulim i mençur i tij pavarësisht se nuk besoj se do të shitet në opinion, por ishte një kalkulim i mençur në kuptimin e thjeshtë që politikisht po përpiqet të përfitojë edhe nuk është se dallon nga liderët e tjerë të partive politike ose institucionale kur përdorin situata të tilla, momente të tilla, për të përfituar poenë politikë, njësoj veproj edhe Haradinaj që nuk ka dalluar as në qeverisje, as në mënyrën se si e ka udhëheq vendin gati 2 vite nga liderët e tjerë, pavarësisht se e thashë, propaganda ishte e tillë se është ndryshe se po merr vendime të mëdha etj, etj., por qeverisja është ajo që është askush nuk mund ta fshehë këtë qeverisje, është ajo qe e kemi parë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në njëfarë forme të paktën pjesa kritike e shoqërisë ka kërkuar që kjo qeverisje të përfundojë sa më shpejtë, por Haradinaj ka kalkuluar në mënyrë të mençur në aspektin e përfiti meve personale gjithmonë e them, por po ashtu ka lënë mbrapa edhe një sfidë për këdo që do të vijë në postin e kryeministrit duke nisur prej taksës dhe duke vazhduar edhe me dialogun”, tha ai

Mushkolaj theksoi se ftesa për në Hagë për figura të rëndësishme politike mund të mbërrijnë edhe në të ardhmen dhe qytetarët të detyrohen sërish t’i drejtohen kutive të votimit.

Por, sipas tij, kjo pasiguri nuk duhet të lejojë që vendi të mos ketë qeveri dhe Kosova të mos ketë institucione legjitime të cilat rrjedhin nga zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat