Ilir Deda paralajmëron listë të përbashkët parazgjedhore LDK-VV-PSD, Mimoza Kusari dhe personalitete tjera

Intervista

Ilir Deda paralajmëron listë të përbashkët parazgjedhore LDK-VV-PSD, Mimoza Kusari dhe personalitete tjera

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 29 korrik 2019 Në ora: 08:03
Ilir Deda

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti Ilir Deda ka folur për zhvillimet politike në vend, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, duke treguar se cilat do të ishin hapat e radhës, të cilat do të duhej të ndiqeshin për të dalë nga situata e krijuar. Ai ka thënë se në shtator do të ketë zgjedhje, dhe sipas tij ato do të duhej t’i fitoj një bllok i ri opozitarë, në mënyrë që PAN-i të shkojë në opozitë.

“Bota sot”: Deputet Deda, nga këndi juaj, prej deputeti thuaj të pavarur, si e shihni situatën aktuale politike në vend, sidomos pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj?

Ilir Deda: Një gjë e cila është ditë që nga qershori, është ajo që vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, kur kontura për mosbesim i mori konturat, dihej që vendi në vjeshtë do të shkojë në zgjedhje. Megjithatë, askush nuk e ka pritur që bash në këtë mënyrë do të bie qeveria. Ajo çka është e qartë se zgjedhje parlamentare do të ketë në muajin shtator, spekulimet tjera të cilat po i lexojmë çdo ditë, janë produkt i mos-prodhimit të lajmeve nga subjektet politike sesa nga realiteti politik.

Realiteti është i tillë që, me përfundimin e subjekteve politike me z. Thaçi, ai do të merr vesh që partitë politike janë për zgjedhje, do të kupton që nuk ka mundësi për të krijuar një shumicë të re parlamentare dhe rrjedhimisht do të shkojmë në shpërndarje të parlamentit dhe mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme.

“Bota sot”: “Alternativa”, shohim çdo ditë lajme që Ilir Deda nuk pajtohen në shumë pika me subjektin e udhëhequr nga Mimoza Kusari, e në të cilën parti bëni pjesë edhe ju, pse po ndodhë kështu?

Ilir Deda: Jo, ju nuk shihni lajme të tilla, ne, unë jam i fokusuar në krijimin e një liste opozitare, gjë që e kam proklamuar tash e dhjet vite, prej që kam marrë pjesë në zgjedhje faktikisht, do të punoj aq sa mundem që të ketë edhe presion të opinionit publik në bashkim të opozitës. Kosova është në gjendje shumë të rëndë politike, ekonomike dhe shoqërore dhe ne nuk guxojmë ta humbin mundësinë e transformimit politik në këtë shtator.

Vitin 2010 nuk ka pasur forca të bashkuara që do ta realizonin një gjë të tillë, në vitin 2014 gjithashtu nuk ka pasur asgjë të tillë, as në 2017, tash, në vitin 2019 duhet që ta kemi një qëllim shumë të qartë, forca politike, individë të cilët nuk kanë qenë të kyçur më parë në politikë, nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje asnjëherë. Të gjithë këta do të mund të bëheshin pjesë e një liste të përbashkët, me një program koheziv qeverisës dhe politik, me të cilët do të fillonim ta transformonim sistemin tonë qeverisës në shtetin tonë, ne nëse nuk e arrijmë këtë gjë kësaj herë, mund ta kemi një qeveri e cila nuk mund të jetë e kënaqshme për opinionin dhe qytetarët.

Për mua, thelbësore kësaj radhe është ndryshimi në Kosovë, politika partiake kurrë nuk ka qenë prioritet imi dhe asnjëherë nuk do të jetë.

“Bota sot”: Në zgjedhjet e ardhshme për të cilat po flasim, a do të ishin pjesë e atij blloku dhe nën siglat e cilit subjekt?

Ilir Deda: Po përderisa po e promovoj një bllok të tillë, sigurisht se do të isha pjesë e atij blloku, çka do të bënë pjesa e Mimozës në “Alternativë”, ai nuk është fokus i imi, gjithashtu është shumë herët të flitet për një gjë të tillë. Pritni të shohim kur do të shpallen zgjedhjet, si do të shkojnë zgjedhjet në LDK, të shohim vullnetin e subjekteve opozitare për unifikim, tjerat janë më pak të rëndësishme.

“Bota sot”: Ju keni qenë vazhdimisht kundër përdorimit të mjeteve jo-demokratike për të zgjidhur çështje që kanë të bëjnë me politikën, e kam fjalën këtu për refuzimin tuaj që të hidhni gaz lotsjellës në parlament për demarkacionin me Malin e Zi. Si mendoni se do të ndalej kësaj radhe Presidenti Thaçi, nëse do të del e vërtet frika e opozitës se Presidenti po tenton të bëj marrëveshje të njëanshme apo “sekrete” me Vuçiqin?

Ilir Deda: Ky është një lloj spini mediatik, i diçkafi që nuk qëndron. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, para një muaji vendosi që vetëm Qeveria e Kosovës mund të bisedojë me Serbinë, ose ta udhëheq dialogun të themi më mirë. Presidenti i Kosovës ka rrol këshillues, unë menjëherë jam prononcuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kam parë si shumë të mirë, deri sot disa herë kam thënë se qeveria e ardhshme do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Z. Thaçi nuk ka hapësirë të përfaqësoj Kosovën në raport me bisedimet me Serbinë, e ka të ndaluar ta bëjë një gjë të tillë dhe nëse e bën një gjë të tillë, ai do të shkarkohet, sepse e shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Bota sot”: A mendoni se vërtet mund ta shkarkoj dikush Presidentin Thaçi? A besoni tek kolegët tuaj deputet se do ta bënin një gjë të tillë?

Ilir Deda: Mua më duket që edhe bashkësia ndërkombëtare flet shumë në respektimin e ligjeve, do ta ndihmonte në këtë drejtim Kosovën që të respektohet sundimi i ligjit dhe Gjykatës Kushtetuese. As ndërkombëtarët më nuk duhet të mendojnë se vetëm me Thaçin duhet me e përfundu dialogun me Serbinë, këtë duhet ta bëjë qeveria e re e pas zgjedhjeve, qeveria e pas shtatorit.

“Bota sot”: Sa jeni optimist se do të ndodhë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duke ia bashkangjitur Kosovën Lindore apo Luginën e Preshevës?

Ilir Deda: Unë prej vitit të kaluar kam treguar që ndarja e Kosovës apo korrigjimi i kufirit, apo shkëmbimi i territorit nuk është zgjidhje, është ide, mendësi e pa-pranueshme. Kjo ideologji është e dalur nga akademia e shkencave të Serbisë. Nuk mund të ndërtohet paqe e qëndrueshme në Ballkan, apo edhe një Kosovë prosperuese duke bërë shkëmbim të territoreve mbi baza etnike. Neve çka na duhet është që në një marrëveshje të ardhshme me Serbinë të sigurojmë që shqiptarët në Luginë i kanë parakushtet për jetë, zhvillim, lidhje me Kosovën dhe mos-diskriminim. Pra, ne duhet që njerëzit në Luginë, por jo vetëm, pasi që shqiptarë në Serbi nuk jetojnë vetëm në Luginë, të jenë qytetarë të barabartë me të drejta të barabarta dhe mundësi prosperuese në vendin e tyre, njëjtë sikurse serbët në Kosovë. Parimin e reciprocitetit duhet ta shtyjmë përpara, por këtë nuk mund ta bëjnë njerëzit të cilët nuk janë të menqur, të cilët mendojnë që dialogu me Serbinë ia mbanë pushtetin. Mos të harrojmë që në i kemi humbur 10 vjetë duke dialoguer me Serbinë, situate e brendshme në Kosovë është përkeqësuar cdo vit, për këtë arsye, është në interesin tonë që të përfundoj ky dialog me një marrëveshje të mirë sa më shpejt, e se a do të ndodhë kjo, nuk mund ta dimë.

“Bota sot”: Si e komentoni trinomin Thaçi-Rama-Vuçiq, në këtë kontekst?

Ilir Deda: Unë kam qenë njëri prej njerëzve më të zëshëm në Kuvend kundër këtij projekti dhe gjithmonë do të jem kundër një projekti të tillë. Neve na duhen parimet udhëheqëse në dialog, SHBA-të janë në një farë forme “fajtore” që e kanë lejuar të ec përpara një budallallëk i tillë, pra i korrigjimit të kufirit. Neve na duhet një proces normal i normalizimit të marrëdhënieve, na duhet që BE dhe SHBA të dalin me një set të parimeve të pa-negociueshme dhe udhëheqëse për këtë dialog, natyrisht kjo nënkupton edhe rezultatin përfundimtar të dialogut e që është njohja.

“Bota sot”: Thatë në fillim se në shtator duhet të ketë zgjedhje, a jeni bindur që do të ketë, a friksoheni nga “manovrat” shpeshherë të pa-parashikueshme të Presidentit Thaçi?

Ilir Deda: Kësaj radhe Presidenti Thaçi nuk ka hapësirë për manovra, ai do ta kuptojë situatën në të cilën ndodhemi.

“Bota sot”: Folët për një rrotacion qeverisës, por nëse shohim në realitet gjërat, nuk duken aq të thjeshta. A besoni në një koalicion VV-LDK-PSD, apo si e mendoni?

Ilir Deda: Unë kur flas për rotacion qeverisës, kësaj i thonë që PAN-i duhet të shkojë në opozitë, sepse rezultatet e qeverisjes kaq të dobët të cilat po i shohim çdo ditë, janë rezultat i logjikës së PAN-it. Unë jam për atë që LDK-VV-PSD, Mimoza e unë dhe individ të tjerë politik të marrin pjesë në zgjedhje me një listë të përbashkët, nëse me të vërtet duam ndryshim, a nëse mendojmë dhe këtu kalkulimi partiak është shumë i pa-rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës. Neve na duhet një program emergjent qeverisës, unë personalisht do të angazhohem maksimalisht që LDK-VV-PSD dhe ne, të dalim bashkë në zgjedhje, se a do të realizohet kjo, sigurisht se nuk varet nga unë.

Ky formacion do të kishte mandate të fuqishëm dhe vizion të qartë qeverisës, do të kishte mbi 50%, ku ne do të kishim mandate të qartë për reforma, zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, ç’kapje të shtetit dhe një dialog parimorë me Serbinë.

“Bota sot”: A besoni se jemi afër liberalizimit të vizave?

Ilir Deda: Bashkimi Evropian e ka humbur një dozë të seriozitetit karshi Republikës së Kosovës, për shkak të mos-përmbushjes së obligimit të sajë për liberalizimin e tyre. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian disa herë e kanë cekë që Kosova i ka përmbushur kushtet, një veprim tjetër i humbjes së kredibilitetit të BE-së ka qenë edhe rroli i znj. Mogherini në raport me dialogun pasi që ajo e ka përkrahur ndarjen e Kosovës. Thash se na pritet të shohim në tetor se çfarë vendimi do të merret për liberalizimin, sepse është mbledhja e ministrave të brendshëm të BE-së.

Sot jemi në një situatë më të volitshme se vitin e kaluar, sepse Gjermania është prononcuar publikishtë se Kosova i ka përmbushur kushtet, një numër i konsiderueshëm anëtarësh po thotë se do ta përkrahim Kosovën në këtë drejtim, ne po presim, unë shpresoj që vizat do të ndodhin në tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat