"Të dekriminalizohet skena politike e Kosovës"

Intervista

"Të dekriminalizohet skena politike e Kosovës"

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 08:35
Jusuf Buxhovi

Profesori dhe historiani i njohur në Kosovë dhe rajon, Jusuf Buxhovi, në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve Ibna flet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, rolin e faktorit ndërkombëtarë në këtë drejtim si dhe rolin e partive politike në këtë shtet.

Në këtë intervistë Buxhovi thekson se, Marrëveshja me Beogradin si pikënisje duhet të ketë njohjen reciproke shtetërore. Ai kundërshton idetë për ndarje që mund ta cenojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të hapin kutinë e pandorës në rajonin e Ballkanit. Kur flet për partitë politike ai thekson se, dekriminalizimi i tyre mund të arrihet vetëm përmes Gjykatës Speciale.

IBNA: A ka gjasa në ardhmen e afërtë të arrihet pajtimi mes shqiptarëve dhe Serbëve?

Duhet bërë dallimi midis pajtimit historik midis shqiptarëve dhe serbëve me atë midis shtetit të Kosovës dhe të Serbisë si shtet. Ky “ngatërrim” i qëllimshëm ka prodhuar mjegull politike në relacionet Beograd-Tiranë-Prishtinë, që zu të përdoret për interesa të Beogadit dhe të Tiranës, ngaqë ajo hapi pështjet e “Shqipërisë së Madhe” në njërën anë dhe “Serbisë së Madhe” në tjetrën anë, si “receta” për zgjidhjen e problemeve rajonale, që për kurban duhet ta ketë shtetin e Kosovës, të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Që të ndalet ky pazar dhe, mbi të gjitha, që të mos lejohet hapja e kutisë së pandorës në Ballkan, fokusimi politik duhet të përqendrohet te normalizii i marrëdhënieve shtetërore Kosovë-Serbi si parakusht i normalizuimit të raporteve të mëtutjeshme si shtete të barabarta. Çdo bisedë tjetër, jashtë kësaj formule, është e paparanueshme, e dëmshme, dhe çon ujë në hambarin e Beogradit!

IBNA: Cili do jetë i europianëve dhe ShBA-ve në këtë drejtim?

SHBA-të dhe Europianët, që janë edhe “kumbarë” të shtetit të Kosovës si interes gjeopolitik dhe gjeostratigjik i tyre, nuk mund të dalin jashë kontekstit të realitetit shtetëror, meqë kjo krizën ballkanike e kthen te pika zero, ku implikohet Rusia dhe faktorët tjerë, të cilët SHBA-ja dhe NATO-tashmë i ka nxjerrë nga loja. Se është kështu, pra kërkohet formula e shtetit të Kosovës dhe njohjes reciproke me Serbinë, këtë tashmë e tregoi edhe Uashingtoni, edhe Gjermania me Britaninë e Madhe si vende drejtuese të BE-së. SHBA-ja, madje, ishte ndër të parat, që ua ndali udhën manipulimeve të Thaçit dhe Vuçiqit gjoja se “marrëveshja” kishte bekimin amerikan, kur presidenti Trump theksoi sovranitetin shtetëtëror të Kosovës si pikënisje e çfardo marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.

IBNA: A mund të involvohet edhe Shqipëria në arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë?

Shqipëria nuk mund të involvohet në marrëveshje mbi konceptin e Ramës, që shteti i Kosovës të sakrifikohet në emër të “bashkimti” me Shqipërinë, që disa komuna t’i bashkohen Shqipërisë e të tjerat Serbisë. Po e ritheksoj edhe një herë: Tirana duhet të mbështesë sovranitetin shtetëror të Kosovës, pa u përzi në pazaret me Beogradin. Tirana zyrtare duhet ta dijë se formula e bashkimit kombëtar, që po përdoret me folklorizëm, duhet të zëvendësohet me unionin e mundshëm të dy shteteve shqiptare në Ballkan, si shprehje e vullnetit demokratik të të dy shteteve dhe në përputhje me interesat e BE-së, SHBA-ve dhe NATO-s dhe assesi ndryshe.

IBNA: Si i vlerësoni rolin e partive shqiptare në Kosovë ? Cili është rezultati i tyre gjatë mandateve qeverisëse?

Partitë politike në Kosovë,nga shpallja e pavarësisë e deri sot, nuk e kanë pasë parasysh rrumbullaksimin e procesit të shtetndërtimit, por intresat personale të grupeve të caktuara brenda tyre, Partitë politike në Kosovë, me ndonjë përjashtim të vogël, janë parti despotike, feude të ndërtuara mbi baza kriminale,që pushtetin e kanë kthyer në mjet për vjeljen e shtetit. Kjo po shihet edhe me cirkun e fundit politik, të mbështetur mbi skenarët mashtrimtarë që zgjedhjet e ardhshme të shfrytëzohen për riciklimin e strukturave të njëjta poltike, që për fat të keq, erdhën në pushtet me metoda kriminale dhe për këtë patën edhe përkrahjen e një pjese të mirë të faktorit ndërkombëtar, që për interesa të veta (përfitime të mëdha matieriale), edhe më tutje ruan partneritetin me strukurat kriminale.

IBNA: A kemi alternative serioze opozitare në Kosovë?

Problemi më i madh është se në Kosovë, partitë politike të lidhura me krimin e organizuar, që janë kthyer në zhvatës të shtetit, nuk kanë alternativë. LDK dhe ËË, ndonëse në opozitë, edhe më tutje, ruajnë feude kriminale brenda për brenda që kanë ndikim të madh dhe nuk lejojnë ndonjë zgjidhje radikale, siç deklarojnë disa nga liderët e tyre. E vetmja zgjidhje është që faktori ndërkombëtar (SHBA-ja dhe BE-ja) të ndikojnë krijimin e një qeverie teknike me mandat 2 deri 4 vjeçar, të ketë veting gjyqësor, e mbi të gjitha të krijohet një kod i ri zgjedhor, që parandalon që në garat zgjedhore të futen kriminelet dhe gjithë ata që vazhdojnë të kenë punë me gjykatat. Në këtë drejtim, rol të rëndësishëm, për t’u dekriminalizuar skena politike, duhet të ketë Gjykata Speciale me nxjerrjen para drejtësisë të dyshuarve për krime, e që drejtojnë skenën politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat