Lluka: AKR, e gatshme të shkojë vet në zgjedhje

Intervista

Lluka: AKR, e gatshme të shkojë vet në zgjedhje

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 2 gusht 2019 Në ora: 19:47
Valdrin Lluka

Në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Bota sot”, Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), ka thënë se vendimi i dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për të ishte i papritur. Ai ka potencuar se, sa më parë duhet të mbahen zgjedhjet që të mos mbeten projektet peng. Po ashtu, Lluka tha se AKR-ja gjithmonë është e gatshme të veprojë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi.

“Bota sot”: Kosova ka pasuri të mjaftueshme nëntokësore, sa është punuar në mandatin tuaj për minierat?

Valdrin Lluka: Një ndër arritjet ka qenë që Trepça të bëhet një ndërmarrje, shoqëri aksionare , me asete të qarta, ku 80% pronar është Qeveria 40% punëtorët. Ajo është një arritje mjaftë e madhe, mirëpo arritja më e madhe do të ishte sikurse të arrijmë që Trepçën ta kthejmë në një situatë ndryshe të zhvillimeve dhe të përpunimit dhe kjo me qëllim të bëhet vetëm me thirrjen e kapitalit të huaj privat të futjes së saj në Trepçë. Një gjë të tillë duke e shikuar në mundësi të bashkëpunimit me Bankën Botërore, kemi nisur një bashkëpunim sa i përket zhvillimit të Trepçës. Mirëpo, nga ana tjetër Kosova i ka edhe 11 zona me interes të veçantë që janë investime në fushën e minierave dhe mineraleve, pra kryesisht të pasura me plumb, zink, nikel dhe krom. Kjo pjesë e investimit në 11 zona është planifikuar të zhvillohet përmes ligjit të investimeve strategjike, tashmë si rezultat i aktiviteteve tona promovuese që i kemi qenë në Kanadë në Turqi dhe disa vende tjera, diku rreth katër kompani kanë aplikuar për disa zona në Kosovë, diku rreth 5-6 zona dhe janë në pritje për t’u trajtuar si investitor strategjik. Situata politike e vështirëson pak, por kushdo që vjen si Qeveri e ka mundësinë që menjëherë t’i trajtojë ato aplikacione dhe ta shohë mundësinë se sa mund t’i thithë investime përmes saj. Ne e dimë që ligji për investime strategjike parasheh 30 milionë euro është minimumi i shumës për investim, në ato zona me interes të veçantë, që do të thotë se nëse 5 zona aktivizohen, rreth 150 milionë investime mund të priten nën sektorin e minierave me shumë pak mund dhe kohë, pra mund të realizohen shumë shpejt.

“Bota sot”: Çka tash me “Telekomin e Kosovës”, pas vendimit të fundit Qeverisë?

Valdrin Lluka: Me Telekomin e Kosovës e kemi gjendjen kështu, Telekomi i Kosovës ka nevojë për ndihmë financiare për t’i paguar implementimin e kodit 383, licencën e telefonisë dhe çka është shumë me rëndësi mirëmbajtjen e sistemit. Për të gjitha këto është një kërkesë rreth 9.7 milionë euro për garancion shtetëror dhe këtë garancion shtetëror ne jemi në fazën finale, interesi jonë si shtet është ta garantojmë një kredi komerciale që e merr Telekomi duke ndihmuar t’i paguajë ato, sepse aktivizimi me pagesën e mirëmbajtjes do të përmirësohet shërbimi, nuk do të kemi probleme siç kemi sot,për shembull me thirrje telefonike, pastaj pagimin e licencës, normalisht zgjatja e licencës 15 vite si dhe pjesa tjetër janë edhe shpenzimet tjera për implementimin e kodit 383, ku momentin që implementohet tërësisht të hyrat nga 383-shi janë mjaftë të mëdha, sepse tani i merr Monako nga Telekomi dhe atëherë kthimi në këtë investim është shumë i shpejtë. Por po ashtu e rëndësishme është, që tashmë kanë filluar proceduarat, pra janë përzgjedhur edhe kompania që e përgatit terrenin për privatizim të Telekomit si dhe përzgjedhja e ekspertëve të huaj. Të gjitha këto, fillojnë shumë shpejt në muajin gusht dhe pastaj me shpresë që të fillojmë brenda 6 muajve ku përfundon ristrukturimi rriten kursimet dhe do të ketë fitime Telekomi dhe pastaj shkon me privatizim me një vlerë shumë më të lartë se sa që ka vlerë aktuale.

“Bota sot”: Sa jeni kujdesur ju si ministër në këtë mandat për Telekomin?

Valdrin Lluka: Unë mendoj se një ndër temat që jam marrë më së shumti ka qenë Telekomi, kam qenë edhe kritikë kohë pas kohe sidomos në kohën e punësimeve, ka pasur punësime të ndryshme që nuk jam pajtuar me ato për arsye se Telekomi vetëm është i mbipopulluar, kam pasur raste kur kam marrë për shkarkim të anëtarit të bordit që ka punësuar katër anëtarë të familjes, siç e dimë rastin vetë kam qenë iniciues i shkarkimit që nuk është rast që është parë në Kosovë më herët, pra po flasim 20 vite të kaluara as një rast asnjëherë nuk është shkarkuar ndonjë anëtar i Bordit, unë i kam pasur dy raste të tilla edhe me Bordin e Ibër Lepencit, për shkak të shkeljeve të rregullave, jo për diçka personale apo diçka tjetër. Pastaj i kam ndihmuar në vazhdimësi Telekomit në procesin e garantimit të kredisë, çfarë do ndihme që ka pasur nevojë duke e përfshirë kërkesën me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim për dhënien e një grandi që ndihmon për ristrukturim dhe proces të privatizimit. Pra të gjitha këto kanë qenë aktivitete të miat që kam punuar intensivisht për t’i realizuar. Tashmë jemi në kohën kur gjithashtu duhet ta hapim procesin e privatizimit një gjë që e kam pak si sfidë, për momentin për arsyeje se jo gjithë deputetët janë të pajtimit që duhet të privatizohet Telekomi, dhe unë mendoj ndryshe përarsye se Kosova duhet të qëndrojë aksionare e Telekomit të paktën 25% , preferenca ime është 49%, pjesa e menaxhuar 51% duhet të privatizohet, për arsye se ka mundësi të privatizuar dhe menaxhimi privat do të na sjellë përfitime më shumë edhe neve si shtet.

“Bota sot”: Z. Lluka si e keni pritur dorëheqjen e Haradinajt nga posti i kryeministrit?

Valdrin Lluka: Dorëheqja e kryeministrit ka qenë surprizë, pak a shumë të gjitha partitë politike kanë qenë në pritje se do të ketë zgjedhje në pranverën e ardhshme ka qenë e pritshme një iniciativë e tillë, mirëpo dorëheqja e kryeministrit në formën si i ka dhënë dorëheqje ka qenë shumë e papritur sepse normalisht nuk ka qenë e pritshme as ftesa e kryeministrit për intervistë në Hagë, një gjë që është jashtëzakonisht keq për vendin tonë për kryeministrin, është një dëm i madh për vlerat e UÇK-së. Po jemi ku jemi, është një Gjykatë që vetë e kemi votuar, prandaj duhet ta respektojmë atë pjesë.

“Bota sot”: A mendoni që ka qenë arsyeja e vetme e dorëheqjes thirrja për t’u intervistuar?

Valdrin Lluka: Unë mendoj që arsyeja e dorëheqjes ka qenë Gjykata, por është influencuar nga situata politike në vend, në vazhdimësi ka pasur presion nga opozita, për rrëzimin e Qeverisë, gjithashtu ka pasur edhe deputet të pozitës që kanë filluar atë temë për zgjedhjet e reja.

“Bota sot”: Presidenti ka thirrur takim me partitë për të diskutuar për gjendjen aktuale politike në vend. A do t’i përgjigjeni ftesës dhe çka prisni nga ky takim?

Valdrin Lluka: Normalisht, AKR-ja gjithmonë është e gatshme të veprojësipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, unë mendoj që edhe AKR-ja pa problem do t’i përgjigjet ftesës dhe do t’i koordinojë aktivitetet me të gjitha partitë që të kemi zgjedhje sa më shpejt dhe sa më të mira, pasi qytetarët të mos e ndjejnë me muaj të tanë hapësira apo vakuumin qeveritar në vend , me rëndësi është që në Qeveri mos të krijojmë një vakum ku nuk mund të mirren vendime. Unë shpresoj shumë shpejt kërkesa e kryeministrit tek Gjykata Kushtetuese të ketë përgjigje sa më të shpejt që të mos e lejojnë një Qeveri pa të drejtë vendimmarrje. Prandaj, unë besoj që Gjykata Kushtetuese duke u bazuar edhe në ekspeiriencat e qeverive të kaluara që kanë pasur mosbesimin e Parlamentit. Unë mendoj edhe në këtë rast duhet të vazhdojë të marrë vendime, të gjitha vendimet që i lejohen brenda. Kjo mund të zgjas për një kohë të gjatë, ne jemi dëshmitarë që në Kosovë është dashur 3 deri në 6 muaj për formimin e Qeverisë. Pra, nëse flasim për vendimet e kësaj Qeverie kjo do të thotë se edhe nëse shkojmë në zgjedhje në muajin Shtator apo Tetor, jepja edhe 3 muaj Qeverisë për formim, po flasim deri në Shkurt me pas një 6 mujorësh që nuk merret asnjë vendim dhe kjo është absolutisht humbje jashtëzakonisht e madhe.

“Bota sot”: Sipas jush, më mirë të shkoni në zgjedhje si parti e vetme apo në koalicion parazgjedhor?

Valdrin Lluka: Momentalisht, mendimi jonë është të shkojmë të vetëm në zgjedhje. Ne besojmë se jemi të përgatitur, kemi pasur 4 Ministri në dispozicion që na kanë ndihmuar me punën dhe sinqeritetin, projektet tona që i kemi bërë janë zhvillimore në vend , mendoj që neve na jep një hapësirë në zgjedhjet e ardhshme, por kjo nuk do të thotë që është e vetmja formë, ne jemi të hapur edhe për bashkëpunime të ndryshme, siç kemi qenë edhe në mandatet e kaluara dhe si të tillë AKR-ja nuk paraqet vija të kuqe me as një parti, por preferenca jonë është të shkojmë të vetëm, dhe pastaj ta shohim pas zgjedhjeve.

“Bota sot”: A mendoni se do ta kaloni pragun?

Valdrin Lluka: Unë mendoj se pragu nuk është dilemë aspak, nuk është pragu ndonjë problem për shumë arsyeje, menaxhimi të institucioneve që kemi pasur dhe punën e mirë që e kemi bërë do të vlerësohet nga qytetarët, ne në fakt do të tentojmë më shumë se për të kaluar pragun, 7- 10-%.

“Bota sot”: Çka do të ndodh me taksën pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj dhe si ka ndikuar kjo taksë në Zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Valdrin Lluka: Unë mendoj që taksa ka pasur efekt pozitiv sa i përket zhvillimeve të brendshme por shumë negativ për zhvillimet e jashtme, tash jemi me një udhëkryq. Mendoj se vendosja e taksës i ka ndihmuar prodhuesit vendor, shumë prodhues vendorë tregojnë për rritjen që e kanë pasur duke i eliminuar disa prej produkteve serbe, duke shpresuar se kjo i ka vetëdijesuar edhe qytetarët e Kosovës sa i përket konsumit të produkteve serbe . Ne sot kur po flasim 500 milionë euro e kemi pasur importin nga Serbia, kurse tash gati një vit të kësaj takse, mendoj që edhe qytetarët janë vetëdijesuar më shumë, dhe nëse hiqet taksa prapë produktet serbe do të kenë probleme për shitje në Kosovë, për arsye se tash është krijuar një trend mjaft “Okay” sa i përket konsumeve të produkteve vendore karshi atyre serbe. Prapëseprapë ne e dimë që kemi pasur sfida me akter ndërkombëtar sa i përket taksës, por prapëseprapë interesi jonë shtetëror ka qenë që kjo taksë të mbahet për arsyeje se kanë kaluar shumë e shumë vite kur Kosova ka qenë bashkëpunues i mirë me Bashkimin Evropian dhe me Serbinë, kurse Serbia na ka bërë probleme të ndryshme duke lobuar për tërheqje të njohjeve duke lobuar për mos anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare , duke krijuar në vazhdimësi pengesa të ndryshme siç është në sektorin energjetik dhe kjo nuk mund të vazhdojë kështu, një partneritet i mirë kërkon bashkëpunim të mirë nga të dyja palët dhe jo njëra palë, nuk funksionon ashtu./fund

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat