Intervistë me Avdullah Hotin: A do t’ia japë LDK-ja Vetëvendosjes postin e kryeministrit?

Intervista

Intervistë me Avdullah Hotin: A do t’ia japë LDK-ja Vetëvendosjes postin e kryeministrit?

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 13:15
Avdullah Hoti

Avdullah Hoti, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës në një intervistë, ka thënë se opozita e sotme do ta qeverisë vendin pas zgjedhjeve.

I pyetur nëse LDK-ja do t’ia lëshojë postin e kryeministrit, Hoti thotë se për këtë do të vendosë partia e tij, por, sipas tij, duhet të bëhet rregull që subjekti më i madh ta udhëheqë qeverinë.

Në intervistën për Express, Hoti ka dhënë detaje se kur LDK-ja do të bëhet me kryesi, kur do ta nominojë kandidatin e saj për kryeministër dhe ndaj kujt kanë vija të kuqe?

Edhe pak ditë kanë mbetur deri në seancën e jashtëzakonshme për shpërndarje të Kuvendit, a ka ende gjasa që vendi të mos shkojë në zgjedhje?

Nuk ka alternativë tjetër për të pasur një qeveri legjitime përveçse përmes zgjedhjeve të reja. Tani më, bazuar në normat kushtetuese, nuk ka as rrugë kushtetuese për të emëruar qeveri nga Kuvendi i Kosovë pa zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet e reja është dashur të mbahen para një viti kur qeveria e PAN-it e humbi legjitimitetin për të qeverisur ngase nuk kishte shumicë në Kuvend. Mungesa e legjitimitetit u reflektua në dështimin e plotë të qeverisë në shumicën e çështjeve, përfshirë këtu dështimin në funksionimin efikas të Kuvendit të Kosovës, me vetëm 18% të agjendës legjislative të realizuar gjatë këtij viti. 

Si e ka parë Lidhja Demokratike e Kosovës reagimin e vendeve të QUINT-it për taksën e dialogun. Ditë më parë në një intervistë dhënë për emisionin Pressing, kreu i LDK-së ka thënë se taksa mbetet në fuqi, nëse partia juaj e udhëheq pushtetin? A ju kanë zmbrapsur nga ai qëndrim këto paralajmërime?

Reagimi i vendeve të QUINT-it reflekton pritjet e partnerëve ndërkombëtarë ndaj qeverisë së re. Sigurisht se ka edhe çështje të tjera të rëndësishme, siç është zhvillimi ekonomik, forcimi i rendit dhe ligjit, luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit, problemet në arsim e shëndetësi dhe çështje të tjera, në të cilat qeveria në largim ka krijuar situatë të vështirë për shkak të politikave ad-hoc, arbitrare dhe të bazuara në interesa të ngushta politike e të grupeve të interesit. Sa i përket taksës dhe dialogut, Kryetari i LDK-së ka qenë mjaft i qartë në prononcimet e tij pas rizgjedhjet në krye të LDK-së.

A do të pranonte LDK-ja që të hynte në koalicion me VV-në e këto të fundit të merrnin pozitën e kryeministrit, nëse në lojë është edhe posti i presidentit që në atë rast do t’i takonte partisë tuaj?

Kemi pasur bashkëpunim produktiv me VV-në gjatë këtyre dy viteve në opozitë në Kuvendin e Kosovës, që përbën bazën për një bashkëpunim më të gjerë në të ardhmen në qeveri. Falë këtij bashkëpunimi, duke krijuar një opozitë të fuqishme e konstruktive, kemi arritur të stopojmë një numër të konsiderueshëm të nismave legjislative të dëmshme për shtetin e Kosovës, mbi të gjitha nismën për ligjin antikushtetues për dialog.

Është e natyrshme që qeveria e ardhshme të udhëhiqet nga opozita e deritashme, sepse vetëm kështu mund të bëhen ndryshime substanciale në modelin e qeverisjes. Megjithatë, çdo formë e formë e bashkëqeverisjes tonë me VV-në do të shqyrtohet dhe vendoset në organet kompetente të LDK-së.

Sa i përket pozitës së Kryeministrit, ne do të kërkojmë besimin e qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje për të udhëhequr me Qeverinë. Duhet të pranohet si rregull i sjelljes që partia më e madhe udhëheq me Qeverinë. E kemi parë rezultatin e qeverisë në largim të koalicionit PAN, ku Kryeministri ishte nga partia e pestë në Kuvend, duke mos pasur mundësi të qojë përpara asnjë politikë të tij. Ka pasur raste kur projektligjet që qeveria i ka sjell në Kuvend për shqyrtim dhe miratim, janë ndryshuar rrënjësisht gjatë shqyrtimeve në komisione parlamentare saqë nuk kanë reflektuar më vullnetin e qeverisë.

Pak ditë më parë keni deklaruar se me VV-në, LDK-ja ka dallime substanciale. Për çka konkretisht keni aluduar kur keni folur për këto dallime dhe a ka mundësi që të njëjtat të bëhen arsye për të mos hyrë në koalicion me partinë e Albin Kurtit?

Ne jemi parti e qendrës së djathtë, ndërkaq VV-ja është parti e qendrës së majtë. Prandaj, natyrshëm kemi dallime në politikat e zhvillimit ekonomik, në politikat social, në arsim e shëndetësi. Por, jam i bindur se mund të gjendet formula për bashkëpunim pasi në temat kyçe besoj se pajtohemi, që janë forcimi i shtetit të pavarur të Kosovës në tërësinë e plotë territoriale, integrimi euro-atlantik, normalizimi dhe forcimi i marrëdhënieve me fqinjët, bashkëpunim të veçantë me Shqipërinë, luftimi i pa kompromis i korrupsionit, eliminimi i nepotizmit njëherë e përgjithmonë dhe tema të tjera nacionale. 

Tash kur të gjitha partitë po flasin për vija të kuqe, LDK-ja a ka të tilla për ndonjë subjekt, si dhe cilin do të preferonit në legjislaturën e ardhshme, vazhdim qëndrimi në opozitë, apo qeverinë por në koalicion me PDK-në e Kadri Veselit?

Ne jemi favorit kryesor në këto zgjedhje. Dhe besoj se do të marrim besimin e qytetarëve për të udhëhequr me vendin. Sa i përket partneriteteve me parti politike për bashkëqeverisje, besoj se opozita e sotme natyrshëm duhet të udhëheq me vendin.

Përvoja jonë në të kaluarën në bashkëqeverisje me PDK-në tregon se kjo parti politike nuk respekton asnjë marrëveshje. Kjo parti në rend të parë i vendos interesat e veta, dhe kurdoherë kur këto interesa të ngushta politike bien ndesh me marrëveshjen për bashkëqeverisje, atëherë gjen arsye për ta shkelur marrëveshjen. Prandaj, e them me binde të plotë se nuk ka nuk ka hapësirë për bashkëpunim me këtë subjekt në qeverinë e ardhshme. Ky subjekt politik duhet të qëndrojë në opozitë dhe të marrë përgjegjësinë për dëmet që i janë bërë vendin në këto dy vite të qeverisjes të PAN-it.

Përveç me VV-në, që tashmë edhe keni filluar takimet, a po planifikoni të njëjtat edhe me ndonjë parti tjetër dhe me cilat subjekte momentalisht është më e afërt LDK-ja e ka shanse për koalicion?

Kryetari Mustafa është duke i takuar disa nga liderët e partive politike. Në përputhje me qëndrimet e njohura të organeve të LDK-së, Kryetari Mustafa do të shqyrtojë formën e bashkëpunimit me ta.

Kur po flasim, dimë që LDK-ja ka kryer procesin e zgjedhjeve të brendshme, ka zgjedhur kryetarin e Këshillin e Përgjithshëm, mirëpo, ende nuk është bërë publike kryesia e re. Kur do të finalizohet dhe a pritet të ketë ndryshime në kryesinë që ka tani LDK-ja?

LDK-ja i ka përfunduar zgjedhjet e brendshme. Është zgjedhur Kryetari i LDK-së dhe Këshilli i Përgjithshëm. Me miratim të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së është rritur numri i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, duke siguruar një gjithë përfshirje në këtë organ shumë të rëndësishëm të LDK-së. Besoj se Kryetari Mustafa shpejt do të propozojë edhe Kryesinë e re të LDK-së.

Në fund, kur do ta finalizoni emrin e kandidatit për kryeministër?

Sapo të shpërndahet Kuvendi i Kosovës më datë 22 gusht, siç jemi dakorduar me të gjitha grupet parlamentare në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, LDK-ja do të nominoi kandidatin për Kryeministër dhe një listë të kandidatëve për deputetë, e cila listë do të jetë e fuqishme në aspektin politik dhe të kompetencës profesionale, akademike e biznesore, si dhe gjithë përfshirëse sa i përket përfaqësimit të LDK-së anekënd Kosovës, grup moshave e përvojës politike dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat