Salihu: Serbia dëshiron Medvegjën pa shqiptarë, por vota për koalicionin tonë do ta parandalojë - Bota Sot
Salihu: Serbia dëshiron Medvegjën pa shqiptarë, por vota për koalicionin tonë do ta parandalojë

Intervista

Salihu: Serbia dëshiron Medvegjën pa shqiptarë, por vota për koalicionin tonë do ta parandalojë

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 10:15
Muharrem Salihu

Veprimtari dhe biznesmeni Muharrem Salihu është bartës i koalicionit “Të gjithë për Medvegjën” për zgjedhjet lokale në Medvegjë që do të mbahen më 8 shtator. Ai në intervistën ekskluzive për INA shpalos qëllimet dhe misionin e tij për Medvegjën, që është një nga vendbanimet shqiptare pranë shuarjes. Salihu thotë se padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Medvegjës ka si synim ti nxjerrë jashtë foltores së kuvendit të kësaj qyteze. Ndërsa në fokus të projekteve të tij janë edhe zhvillimi dhe investimet në këtë komunë.

Pse është vendosmëria e juaj për të marrë mandat për përfaqësimin institucional në Medvegjë?

Salihu: Medvegja është vendlindja ime dhe amaneti i të parëve tanë. Ne jemi dëshmitarë se çka po ndodhë në këtë komunë, e cila është ndër më të varfërat dhe se shumica e banorëve shqiptarë janë shpërngulur për shkak të diskriminimit dhe harresës, por edhe varfërisë. Unë jam i përkushtuar që ta rikthejë shpresën dhe vëmendjen ndaj kësaj treve, e cila dita ditës po shuhet. Nuk kam mundur të rri indiferent ndaj realitetit që ka kapluar këtë vendbanim tonin me fshatrat përreth. Andaj angazhimi im është që padrejtësitë ndaj shqiptarëve ti nxjerrë jashtë foltores së Kuvendit të Medvegjës, dhe ti alarmojmë e shtrojmë në zyrat përkatëse në Bruksel dhe Uashington si dhe në adresa tjera të institucioneve relevante ndërkombëtare.

Cila është oferta e juaj konkrete për medvegjasit, pasi që tashmë ky vend gati se është i boshatisur?

Salihu: Oferta ime konkrete është për drejtësi, barazi dhe fokusi kryzesor në krijimin e vendeve të reja të punës. Synimi im është që të krijohet një klimë e mirë investimi dhe vende të reja pune për të gjithë Medvegjën, pa dallim përkatësie etnike, feje apo ngjyre. Unë kam bërë hapin e parë me hapjen e vendeve të reja të punës, por angazhimi im do të jetë për tërheqjen edhe të investimeve të tjera të reja, sepse Medvegja ka shumë resurse. Një nga prioritet tjera është rikthimi i medvegjasve të shpërngulur në Kosovë, por e gjithë kjo bëhet nëse i krijon siguri, ardhmëri dhe punë në vendin e tyre. Këtë e kam si obligim parësor dhe do të mundohem që deri në frymën e fundit ta realizojë.

Një shqetësim është problemi me pasivizimin e adresave dhe shlyerjen e shqiptarëve nga evidencat zyrtare. Kjo cështje është heshtur me vite si duket, por që ju keni alarmuar. Cili do të jetë angazhimi juaj në këtë drejtim?

Salihu: Politikat serbe kundër shqiptarëve nuk kanë rreshtur asnjëherë dhe ka si qëllim final shpopullimin e territoreve autoktone shqiptare, kryesisht Medvegjës. Vitet e fundit përveç braktisjes së investimeve në territoret shqiptare në Serbi, imponimit të varfërisë, shkeljes së të drejtave qytetare, shteti serb ka mohuar paisjen me leternjoftima dhe pasaportat serbe, duke filluar në këtë mënyrë një përndjekje thellësisht administrative. Vetë shteti serb shkel në mënyrë flagrante dhe të hapur Kushtetutën e Serbisë dhe përmes Ligjit për Vendbanimin (2011), shqiptarëve në Medvegjë po jua fshin nga regjistrat komunal adresat e shtëpive të tyre. Përmes keqinterpretimit të qëllimtë të funksioneve të ligjit, qeveria serbe ka ndërhyrë drejtpërdrejtë duke pasivizuar adresat e vendbanimeve dhe vendqendrimit të shqiptarëve, me qëllim që shqiptarëve autoktonë t’ua bëjë të pamundësuar qëndrimin dhe kthimin në tokat e tyre shekullore. Si rrjedhojë e kësaj politike, vetëm në javët e fundit po fshihen emrat e shqiptarëve nga listat zgjedhore, në mënyrë që rreth 3,000 shqiptarë të pengohen për të votuar në zgjedhjet lokale të 8 shtatorit. Kjo është bërë përmes heqjes së adresave të banimit të shqiptarëve nga regjistrat komunal, si pasojë e së cilës kanë fshirë edhe emrat e tyre nga listat e zgjedhësve. Politika antishqiptare po sjellë dy disavantazhe të mëdha për ne shqiptarët e Medvegjës: po na heq të drejtën kushtetuese pë të votuar; po zvogëlon zyrtarisht numrin e shqiptarëve në trojet autoktone në Medvegjë dhe në komuna e territore të tjera shqiptare në Serbi. Me qe kemi edhe shkelje kushtetutshmerie atëherë komisioni i Venecias duhet të njoftohet fillimisht dhe pastaj instancat tjera.

Si i shihni oponentët e juaj pasi që kemi të bëjmë edhe me një numër të vogël të votave ?

Salihu: Oponentët janë ata që për 20 vite e kanë ofertën e njejtë me të njejtat gjëra që nënkuptojnë “asgjë”. Natyra ime është që të mos merrem me ta, por të fokusohem në ofertën time, e cila është reale dhe një mundësi për të sjellë ndryshimin në Medvegjë. Andaj mendoj se çdo medvegjas kudo që është duhet menduar mirë dhe më 8 shtator të dal në kutitë e votimit. Ta jap kontributin e tij për ndryshimin, sepse përndryshe fati ynë do të jetë fatal. Numri i votuesve pritet të jetë nga 4000 – 5500 në nivel komunal.

A keni bërë ndonjë përpjekje që qytetarët të verifikojnë se a janë apo janë shlyer nga listat e votuesve apo nga adresat e tyre, sepse kanë ngelur edhe pak ditë deri në zgjedhje?

Salihu: Unë kam alarmuar këtë problematikë sepse është tejet shqetësuese dhe një diskriminim i paparë në këtë shekull dhe në këtë kohë ku dikush synon se po promovon demokraci. Shqetësimet e mija ia kam shprehur përfaqësuesve ndërkombëtare siç ishte edhe takimi i rëndësishëm me shefin e OSBE-së, për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Giacomo Bosisio!, ku kam kërkuar që të ndihmohet në kthimin e adresave të pasivizuara të shqiptarëve pa kushte, për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të drejta për të gjithë! Krijimi i një tryeze me ndëmjetsimin e OSBE-së për përcaktimin e kritereve për vendbanimet. Fillimi i regjistrimit dhe identifikimit të të shpërngulurve me dhunë gjatë dhe pas luftës së fundit.
Synimi ynë është për rivendosjen e ekuilibrit demografik, dhe nese shteti nuk pranon të bashkëpunoj, do të organizojmë një regjistrim paralel të popullates shqiptare dhe kjo do të jetë baza për fillimin bisedimeve me ndërmjetësimin e ndërkombtarëve.

Medvegja a ka resurse për tu bërë një rajon i zhvilluar dhe se a keni planifikuar ndonjë master plan, duke promovuar më parë idenë e autostradës Durrës – Prishtinë – Medvegjë – Nish si vazhdimësi e Korridorit 10 ?

Salihu: Medvegja në tërësi është një territor i pasur me ujra termal dhe minerale të çmuara. Një studim i publikuar në vitin 2014 nga Research Phil Fox dhe Dunav Minerale vlerësonte se në Medvegjë ka rreth 547 milionë tonë rezerva ari dhe bakri. Për dekada me radhë Medvegja vijon të jetë nën trysninë e vazhdueshme të Beogradit, i cili periodikisht ndërrmet fushata dëbimi dhe shpërngulje të shqiptarëve nga territori i Medvegjës. Ekziston një plan zhvillimor për një ekonomi të qëndrueshme ,i mbështetur edhe me mjete të nevojshme financiare, por Serbia e pengon vazhdimisht, për faktin se këtë territor e dëshiron pa prezencën e shqiptarëve. Një nga projektet kapitale që duhet të realizohet në këtë rajon është që projekti i autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, që duhet të kalojë nëpër Medvegjë. Shmangia e Medvegjës nga ky projekt me vlera të mëdha ekonomike dhe infrastrukturore është baraz me rrënimin përfundimtar të këtyre trojeve. Në kushtet kur sot Medvegja, Bujanoci dhe Presheva po luftojnë për mbijetesë, kalimi i autostradës nëpër rajonin e Medvegjës mbetet e vetmja mundësi dhe shpresë për të garantuar mbijetesën e bashkëkombasve tanë në këtë hapësirë autoktone shqiptare. (INASalihu: Serbia dëshiron Medvegjën pa shqiptarë, por vota për koalicionin tonë do ta parandalojë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...