Veç nëse ma këpusin dorën, se dora ime kurrë votë PDK-së nuk do t`i japë

Intervista

Veç nëse ma këpusin dorën, se dora ime kurrë votë PDK-së nuk do t`i japë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 12 shtator 2019 Në ora: 08:20
Marigona Geci

Marigona Geci, vajza e ish deputetit të LDK-së Gani Geci, zyrtarisht është kandidate për deputete në kuadër të listës zgjedhore të LDK-së. Ajo në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se synon që të jetë deputetja më e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Marigona Geci, është shprehur se në këto zgjedhje partia e saj pretendon të fitojë deputetë aq sa duhen për të qeverisur në Republikën e Kosovës.

Kandidatja e LDK-së për deputete ka folur edhe për koalicionet pas zgjedhore, ku ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Këshilli i Përgjithshëm ka marr një vendim që të mos ketë koalicion me PDK-në, ndërsa premton se dora e saj vetëm e këputur se përndryshe kurrë votë për PDK-në nuk do të ketë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Bota sot”, vajza e Gani Gecit gjithashtu ka folur edhe për komunikatën numër 59, për të cilën ka thënë se është kompetencë e gjykatave që kanë të bëjnë me luftën, andaj ajo është me shpresë se misteri i komunikatës 59 do të zbardhet nga ata që kanë kompetenca për ta zbardhur.

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi që në zgjedhjet e 6 tetorit të garojë e vetme. Si erdhi deri te ky vendim?

Marigona Geci: Lidhja Demokratike e Kosovës, gjegjësisht organet e larta të partisë Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm kanë vendosur kështu sepse mendojmë dhe besojmë se kemi ekipin më të mirë për t`i fituar zgjedhjet edhe vetëm.

Tentim koalicioni me VV është bërë sepse është menduar se mund të ketë koalicione të natës dhe LDK ka dashur që Kosovën ta shpëtojë nga krimi dhe korrupsioni, qoftë edhe në një koalicion me Vetëvendosjen si parti e majtë, por duke pa që partitë tjera i hynë të vetme garës edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka fuqi dhe kapacitete intelektuale dhe profesionale që shtetin ta ç’kap nga krimi korrupsioni dhe nepotizmi e vetme.

“Bota sot”: LDK në Kuvendin e IX Zgjedhor ka rizgjedhur Isa Mustafën edhe për një mandat në krye të partisë. Si e vlerësoni këtë proces zgjedhor?

Marigona Geci: Unë jam pjesë e Kuvendit IX zgjedhor dhe zgjidhjen e Isa Mustafës të cilin e kam pasur edhe profesor e konsideroj si kompromisin më të mirë të mundshëm të atij Kuvendi, sepse LDK mbeti e bashkuar, por kam pas edhe informacione se Vjosa Osmani do të jetë kandidate për kryeministre.

Zgjidhja e Isa Mustafës ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme dhe ka pas mbështetje time. E përgëzojë profesorin për kalkulimet politike dhe zgjedhjen e duhur.

“Bota sot”: Tashmë ju edhe zyrtarisht e synonin postin e deputetes. Cilat janë synimet tuaja në rast se arrini t’i merrni votat e mjaftueshme?

Marigona Geci: Fillimisht synojë të jem deputetja më e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe synojë ta përfaqësojë gruan e re, nënën e re, siç jam unë tani dhe vajzat e reja dhe gjithë rininë e Kosovës pa harruar prindërit dhe gjyshërit dhe të jem zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës për një Kosovë pa krim, pa korrupsion me arsim të mirëfilltë, me zhvillim ekonomik të tregut të lirë dhe me një drejtësi të ndarë nga pushteti.

“Bota sot”: Përkundër përpjekjeve të mëdha nga LDK dhe Vetëvendosje, nuk arritën të krijojnë një koalicion parazgjedhor? A ekziston mundësia që pas zgjedhjeve të arrihet ky koalicion?

Marigona Geci: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Këshilli i Përgjithshëm ka marr një vendim Jo me PDK-në, pra, kanë votuar vetëm me PDK-në të mos ketë kurrfarë koalicioni as para e as paszgjedhor dhe unë duke e zbatuar ketë vendim, po them vetëm me dorën time të këputur se kurrë votë për PDK unë nuk ka me qit.

Ndërsa, sa i përket Vetëvendosjes, LDK ka pasur një bashkëpunim të mirë parazgjedhor dhe shpresojmë të kemi një fushat bashkëpunimi me ta, që t’i hapet rruga një koalicionit paszgjedhor, por ju mbetët organeve udhëheqëse të LDK-së, Kryesisë dhe Këshillit që të vendosin për hapat e mëtutjeshëm dhe unë do të zbatojë vendimet që do të merr Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, karshi të gjitha partive tjera.

“Bota sot”: Po ju shohim në vazhdimësi në qytete të ndryshme përkrah kandidates për kryeministre, Vjosa Osmanit, si e vlerësoni punën në teren që po bëhen nga subjekti juaj?

Marigona Geci: Çdo ditë jemi në teren për mua është një sfidë e re, dhe unë bashkë me babën tim Gani Gecin dhe familjen time edhe nga ana e burrit tim jemi në mbështetje të fuqishme për kryeministren e ardhshme Vjosa Osmanin, deri më tani atë që e kam pa unë Vjosa Osmani është kryeministrja e pakontestueshme, sepse thjeshtë populli po e donë. Kosovës i duhet një kryeministre si Vjosa Osmani që ka përkrahje ndërkombëtare që i ka dyert e hapura kudo në gjithë botën demokratike.

Andaj, ftojë qytetarët e Kosovë të votojnë LDK-në, sepse vota për partitë tjera është izolimi, vota për LDK-në është mbështetje nga SHBA dhe Evropa.

“Bota sot”: Sa për qind apo sa deputetë pretendoni t’i merrni nga këto zgjedhje të 6 tetorit?

Marigona Geci: Në këto zgjedhje LDK pretendon të fitojë deputetë aq sa duhen për të qeverisur në Republikën e Kosovës.

“Bota sot”: Kosova është përballë disa sfidave tejet të mëdha. Cilat janë pritjet e LDK-së nga këto zgjedhje dhe në rast se del partia e parë, a do të mund t’i finalizojë proceset e rëndësishme?

Marigona Geci: Republika e Kosovës ka shumë procese para vetës dhe LDK si parti e djathtë në gjirin e saj ka akademikë, dhjetëra doktor shkencash, Prof. Dr. te të gjitha fushave, dhe unë mendoj se sa më i shkolluar që të jetë personi aq më dinjitetshëm mbron interesat e popullit të vet.

“Bota sot”: A është e gatshme LDK të udhëheqë me vendin?

Marigona Geci: Po pyet se a janë të gatshëm akademikët, doktorët e shkencave dhe profesorët të udhëheqin me vendin, nëse jo këta kush tjetër do të ishte më i gatshëm, analfabetët që në tre rreshta bëjnë 10 gabime drejtshkrimore.

“Bota sot”: Familja juaj, është atakuar shpesh për shkak të mbështetjes ndaj Presidentit Ibrahim Rugova, mendoni që ka ardhur koha të hidhet dritë mbi rastin e plagosjes së z. Gani Geci (babait tuaj) dhe komunikatës nr. 59?

Marigona Geci: Familja ime nga ana e babës ka qenë në shënjestër të grupeve kriminale si gjatë ashtu edhe pas luftës. Babai i ka shpëtuar disa atentateve falë zotit dhe mbështetjes qe ka pasur nga axhallarët e mi, dhe gjithë farefisi im.

Organet e drejtësisë duhet të jenë të ndara nga politika, unë kam qenë e re kur babai është plagosur, por i mbaj mend të gjitha. Besojmë dhe do të punojmë që organet e drejtësisë do të zbulojnë dhe do të dënojnë akterët e vrasjeve të aktivisteve të LDK-së.

Unë jam ekonomiste, por besoj që Prokuroria e shtetit dhe mekanizmat e saj do t’i qesin para drejtësisë të gjithë ata që kanë plagosur dhe vrarë aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nndërsa sa i përket komunikatës nr. 59 është kompetencë e gjykatave që kanë të bëjnë me luftën dhe shpresojë se misteri i komunikatës 59 do të zbardhet nga ata që kanë kompetenca për ta zbardhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat