Florian Dushi: Kandidatura e Vjosa Osmanit, garanci për fitoren e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit

Intervista

Florian Dushi: Kandidatura e Vjosa Osmanit, garanci për fitoren e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 shtator 2019 Në ora: 07:59
Florian Dushi

Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalë e para në zgjedhje dhe asnjëherë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidati për deputet nga LDK, Florian Dushi. Pas 10 vitesh anëtar i KQZ-së, Dushi iu fut garës për deputet, derisa jep shumë arsye pse duhet votuar atë. I bindur në fitoren e partisë së tij, ai thotë se e kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve. Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, Dushi thotë se duhet të vazhdojë, pa kushte, duke respektuar plotësisht Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikën e Kosovës.

“Bota sot”: Dhatë dorëheqje nga KQZ për të kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës? Pse vendosët të hyni në këtë garë?

Florian Dushi:Po, pas një periudhe të gjatë të shërbimit si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej afër 10 viteve, në konsultim edhe me lidershipin e LDK-së, kam vendosur që të sprovohem në zgjedhje, pjesë e organizimit të të cilave isha edhe vet për vite me radhë duke konsideruar që ka ardhur momenti që të marrë përgjegjësi të reja dhe të jap kontributin në të mirë të vendit tim.

“Bota sot”: Pse qytetarët duhet ta votojnë Florian Dushin për deputet?

Florian Dushi:Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë të lehtë të përcaktohen për partitë politike dhe për kandidatët poashtu. Pas gjithë këtyre viteve, qytetarët e Kosovës kanë një pasqyrë të qartë se çfarë mund të ofrojë, apo edhe si janë sjellë të zgjedhurit e tyre në periudha të caktuara në qeverisje. Ata njohin madje edhe ata që deri në futjen e tyre në politikë nuk kishin as një vend pune, e pas hyrjes në politikë janë bërë milionerë! Prandaj besoj, se vota për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për kandidatët e saj, e në këtë kuadër, vota për Florian Dushin, është votë, është besim që bazohet në përgatitjen, përvojën dhe ndershmërinë tashmë të dëshmuar për gjatë gjithë këtyre 15 viteve në institucione shtetërore me përgjegjësi të ndryshme, qoftë në Ministrinë e Drejtësisë, në KQZ apo edhe si avokat. 

“Bota sot”: Kush do të të zëvendësojë në KQZ?

Florian Dushi:Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që përfaqësuesi i saj në KQZ të jetë Salih Morina, një kuadër partiak tashmë i dëshmuar në pozita të ndryshme në institucionet e Kosovës.

“Bota sot”: A mendoni se është më mirë që LDK shkon e vetme në zgjedhje apo të bëhej koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje?

Florian Dushi:Lidhja Demokratike e Kosovës ka shqyrtuar me kujdes të gjitha opsionet dhe ofertat për koalicione parazgjedhore. Pas vendimit për të mos hyrë në asnjë lloj partneriteti me PDK-në, opsioni më serioz për ne ka qenë koalicioni parazgjedhor me VV-në. Por duke analizuar të gjitha rrethanat, ofertën e tyre e cila nuk ishte shumë e sinqertë dhe në disproporcion me raportin e forcave të këtyre dy partive politike, LDK ka vendosur që të shkojë e vetme në këto zgjedhje, duke e lënë krejtësisht të hapur mundësinë e një koalicioni qeverisës me VV pas zgjedhjeve.

“Bota sot”: Nëse fiton postin e deputetit do të jesh përfaqësues i popullit. Çfarë do të bësh për qytetarët?

Florian Dushi:Angazhimi im do të jetë i orientuar kryesisht në zbatimin e programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por fokusi im është sundimi i ligjit, duke vlerësuar se, jetësimi i këtij parimi, i sundimit të ligjit, qëndron në themel të të gjitha zhvillimeve pozitive në vend sepse nuk mund të kemi zhvillim ekonomik, arsim më të mirë e as shërbime shëndetësore adekuate pa sigurimin e sundimit të ligjit.

“Bota sot”: A mendoni se LDK do të dalë e para në zgjedhje?

Florian Dushi:Po, me siguri, Programi i LDK-së, lista e kandidatëve të saj, dhe veçanërisht kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Vjosa Osmani, janë garanci e kësaj fitoreje. Qytetarët e Kosovës kudo shprehen por dhe angazhohen për fitoren e LDK-së, të lodhur nga keqqeverisja e PAN-it dhe të shqetësuar për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e fëmijëve të tyre. LDK do të fitojë sepse, në të kaluarën e udhëhequr nga Presidenti Rugova ishte në funksion të ndërtimit të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, ndërsa sot është forca e vetme politike garantuese e këtyre vlerave në Republikën e Kosovës.

“Bota sot”: Cila do të jetë zgjidhja për dialogun me Serbinë, i cili është i pezulluar prej kohësh?

Florian Dushi:Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, pa kushte, duke respektuar plotësisht Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikën e Kosovës. Dialogu duhet të jetë në funksion të relaksimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete fqinje, por që poashtu do t’i shërbente integrimit të plotë të komunitetit serb në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. Dialogu nuk mund dhe nuk guxon të zhvillohet për tema të cilat vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe për çështje të tjera të cilat tashmë janë të rregulluara/mbyllura me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

“Bota sot”: Nëse LDK del e dyta, a do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe do t’i pranojë kushtet e saj për të formuar Qeverinë?

Florian Dushi:LDK do të jetë e para, LDK do t’i fitojë zgjedhjet dhe ne natyrisht që do të mund të diskutojmë pastaj me Vetëvendosjen.Por nuk bëhet fjalë për pranim të njëanshëm dhe të plotëtë kushteve të saj. Një partneritet i vërtet dhe funksional mund të ndërtohet vetëm po që se jemi të sinqertë dhe real në ofertat drejtuar partitë njëra tjetrës sepse ajo çfarë na është ofruar për të ndërtuar si koalicion parazgjedhor ka qenë ofertë jo e sinqertë dhe e dizajnuar për t’u refuzuar.

“Bota sot”: Cilat janë opsionet tjera të LDK-së për bashkëqeverisje, nëse jo me VV?

Florian Dushi:Mendoj që duhet të priten rezultatet e zgjedhjeve pastaj të shohim nëse ka opsione tjera dhe cilat mund të jenë, por ajo që është e qartë deri më tani dhe e vendosur në organet kompetente të LDK-së është se, LDK nuk do të hyjë në asnjë lloj partneriteti qeverisës me PDK-në.

“Bota sot”: A i duhet Kosovës njohja nga Serbia, derisa nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës?

Florian Dushi:Po, por jo domosdoshmërish. Personalisht mendoj që edhe Serbisë i duhet mbyllja e kësaj çështjeje, konkretisht njohja e Kosovës dhe atë për shkak të proceseve euro-integruese në të cilat ajo është futur e që rregullimi i marrëdhënieve me Kosovën është një prej kushteve më të rëndësishme që i janë vënë asaj nga ana e BE-së. Përveç kësaj, Serbia duhet që gjithsesi t’i kërkojë falje Kosovës për krimet me përmasa gjenocidale që ajo ka kryer në Kosovë, por para kësaj ajo duhet të jap përgjigje për fatin e mbi një mijë personave të vrarë e të zhdukur për të cilët akoma nuk kemi ndonjë përgjigje e që Kosovës dhe familjarëve të tyre poiu qëndron si plagë e rëndë edhe njëzet vite pas luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat