Adem Salihaj: Haradinaj dhe Thaçi duhet përgjigjen për cenimin e bazës kushtetuese të shtetit - Bota Sot
Adem Salihaj: Haradinaj dhe Thaçi duhet përgjigjen për cenimin e bazës kushtetuese të shtetit

Intervista

Adem Salihaj: Haradinaj dhe Thaçi duhet përgjigjen për cenimin e bazës kushtetuese të shtetit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 shtator 2019 Në ora: 08:01
Adem Salihaj

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj ka thënë se, kjo parti i ka gjasat e mëdha që të dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, sepse ofron më shumë se cilado parti tjetër.

Ai ka thënë se LDK-ja, ofron kulturë në qeverisje, përkushtim për shtetndërtim, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe ruajtjen e mbrojtjen e kufijve të shtetit.

Të gjitha këto sipas Salihaj, janë trashëgimi rugoviane, andaj edhe LDK-ja i ofron elektoratit më shumë se cilado parti tjetër.

“Bota sot” : Z.Salihaj së pari ju urojë për nominimin që të garoni për deputet në listën e LDK. Na thoni cili është dallimi i garës elektorale tani me zgjedhjet e më hershme që keni garuar?

Adem Salihaj: Ju faleminderit! Gara e tashme ka ndryshuar mjaft shumë. Janë katër subjekte që garojnë për vendin e parë, lufta është më interesante, ndërsa shanset janë me dallime të vogla.

“Bota sot”: Kush është LDK sot dhe si është disponimi i brendshëm, pas kandidimit të zonjës Vjosa Osmani?

Adem Salihaj: Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë një kthesë të brendshme, jo vetëm në nominim të figurave, por edhe në koncept. LDK ka ndryshuar shumë nga zgjedhjet e kaluara, jo vetëm që e ka nominuar Vjosën për kryeministre, por e ka një qëndrim të qartë për përjashtimin e PDK-së nga çfarëdo koalicioni para apo pas zgjedhjeve. Po ashtu, ka një përafrim për koalicion me Vetëvendosjen, gjë që ka të bëjë sërish me konceptin dhe vizionin për të ardhmen e Kosovës. Pra, kthesa është e madhe.

“Bota sot”: Sa janë gjasat që LDK të jetë e para? Dhe a keni program e vizion qeverisës apo akoma po ju mban në piedestal emri i Presidentit Rugova?

Adem Salihaj: Lidhja Demokratike e Kosovës i ka gjasat e mëdha që të dalë e para, sepse ofron më shumë se cilado parti tjetër. Ofron kulturë në qeverisje, përkushtim për shtet ndërtim, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ofron ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve të shtetit, pra të gjitha këto si trashëgimi rugoviane. Ne i ofrojmë elektoratit më shumë se cilado parti tjetër.

“Bota sot” : Çka sipas jush janë veprimet urgjente që duhet ndërmarr qeveria e LDK-së, nëse vjen në pushtet?

Adem Salihaj: Sipas mendimit tim, çështje me përparësi absolute janë dy: bisedimet me Serbinë dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Nëse LDK-ja bën kthesë në këto dy çështje, para së gjithash stabilizohet Kosova, por edhe rriten shanset edhe për të gjitha aspektet tjera, që lidhen me zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë e të tjera.

“Bota sot” : Cilat diga të institucioneve po çalojnë, dhe nga kush janë të kapura?

Adem Salihaj: Të gjitha institucionet e Kosovës janë të kapura, përfshirë presidencën, qeverinë, ministritë, prokuroritë, gjykatat, agjencitë dhe ndërmarrjet publike. Pra çdo segment pa përjashtim. Lufta kundër krimit dhe kapjes së shtetit duhet të jetë e fuqishme dhe e pamëshirshme, sepse vetëm kështu mund të kemi shtet të vërtetë, në të cilin sundon rendi dhe ligji.

“Bota sot”: A do të hapën dosjet e vrasjeve politike, kur edhe ju vet i keni takuar listës së likuidimit?

Adem Salihaj: PDK-me strukturat e saja kriminale, siç janë SHIK-u dhe klane të ndryshme, por edhe struktura kriminale të partive tjera, që kanë dalë nga brumi i njëjtë me PDK-në, kanë kryer vrasje të shumta të veprimtarëve të LDK-së. Deri më tash nuk janë zbardhur pothuajse fare këto krime të renda. Tash, nëse do të kemi shtet të vërtetë ligjor, do të zbulohen dhe gjykohen këto krime. Duhet të presim.

“Bota sot”: Kosova po zbrazet, a keni adresë përgjegjësie pasi edhe LDK është bashkëfajtore me PDK?

Adem Salihaj: Qytetarët e Kosovës janë dëshpëruar me të gjitha qeverisjet e deritashme, të vetmen zgjidhje e shohin te ikja. Nuk do të jetë lehtë ta kthejmë besimin dhe shpresën, na duhet shumë punë dhe mund për ta ndryshuar këtë.

"Bota sot": Cilat janë dëmet e qeverisë Haradinaj në planin e politikave të jashtme duke u fokusuar edhe ne ç ‘njohjet dhe a ka shanse që të paktën të rigjenerohet Ministria e Punëve të jashtme që ka degraduar plotësisht?

Adem Salihaj: Qeveria e fundit e PAN-it ne krye me Ramush Haradinajn e ka sjellë Kosovën para rrezikut të shpërbërjes, duke rrezikuar edhe vetë ekzistencën e saj si shtet. Si pasojë e vënies ne pyetje të vetë statusit shtetëror të saj. Si pasojë, filloi procesi i çnjohjeje, ndërsa qeveria Haradinaj, u tregua e paaftë që ta ndalë këtë proces. Këto pasoja i shkaktoi Thaçi si president, me autorizimin e plotë të Ramush Haradinajt si kryeministër, i cili, nga ana e tij, e shpalli veten të pa aftë për t'u ballafaquar me Serbinë, në procesin e bisedimeve. Kurse sa i përket Ministrisë së Punëve të Jashtme, ajo duhet të riorganizohet nga qeveria e ardhshme.

“Bota sot”: A do të kërkoni llogaridhënie, për dëmin që ja ka bërë shtetësisë së Kosovës parasë publike qeveria Haradinaj?

Adem Salihaj: Haradinaj dhe Thaçi duhet të përgjigjen, sepse e kanë cenuar bazën kushtetuese të shtetësisë së Kosovës, madje e kanë kthyer procesin e shtetësisë mbrapa. Përveç kësaj, me rrugë ligjore, duhet t'u konfiskohet gjithë pasuria e vjedhur, ndërsa hajnat duhet të përgjigjen para ligjit.

“Bota sot”: A keni vija të kuqe për bashkëqeverisje, dhe a ka mundësi që prapë të qeverisni me PDK-në, pasi që dihet se oponent të juaj politikë kanë dashuri ‘romantike’ me PDK-në?

Adem Salihaj: Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, si organi më i lartë në mes dy kuvendeve, ka marrë vendim të qartë, se nuk do të ketë asnjë lloj koalicioni me PDK-në, as para, e as pas zgjedhjeve. Ky vendim është marrë në bazë të kërkesës së elektoratit të LDK-së, dhe presionit të vazhdueshëm ndaj organeve të saj. Edhe unë dhe disa nga ne, kemi bërë presion , që të pamundësohet çfarëdo koalicioni me PDK-në. Koalicionet me PDK-në e kanë dëmtuar shumë LDK-në, kështu që kjo nuk duhet të përsëritët më. Unë kam qenë, dhe mbetëm kundërshtari më i madh i çfarëdo koalicioni me PDK-në.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...