Topalli: Më e madhe është gjasa që Kadri Veseli të aderoj në Vetëvendosje, se sa unë të kthehem atje - Bota Sot
Topalli: Më e madhe është gjasa që Kadri Veseli të aderoj në Vetëvendosje, se sa unë të kthehem atje

Intervista

Topalli: Më e madhe është gjasa që Kadri Veseli të aderoj në Vetëvendosje, se sa unë të kthehem atje

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 shtator 2019 Në ora: 07:59
Faton Topalli

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ish-deputeti i PSD-së Faton Topalli, ka thënë se kapja e shtetit është zhvilluar si një proces 20 vjeçar, në të cilin dy partitë kryesore që kanë qeverisur më së gjati vendin, kush më shumë e kush më pak, herë të ndara, e më shumë së bashku në koalicione, ka hisen e vet të përgjegjësisë.

Ai konsideron se të kapur, janë shumica e institucioneve, si atyre të varura ashtu edhe atyre të pavarura. Sipas Topallit, në Kosovë nuk kemi asnjë segment të shtetit, në të cilin nuk kanë futur njerëzit e saj njëra apo tjetra parti.

“Bota sot” Cili është disponimi brenda koalicionit tuaj në përgjithësi, por edhe brenda PSD në veçanti, tash kur jemi vetëm një muaj larg ditës së zgjedhjeve?

Faton Topalli: Ne kemi raporte shumë të mira me AAK partnerin tonë të koalicionit. Ky raport i mirë, madje po vërtetohet vazhdimit gjatë punës në terren, koordinimit dhe bashkëpunimit të përgjithshëm në të gjitha nivelet. PSD-ja përbëhet nga një mori aktivistësh me përvojë të gjatë politike profesionale dhe organizative. Kjo i jep vlerë të veçantë koalicionit dhe është një përparësi e madhe edhe gjatë fushatës zgjedhore. Ne jemi shumë optimist dhe po angazhohemi maksimalisht që t’i realizojmë qëllimet tona.

“Bota sot” A besoni se do të keni numrin e njëjtë të deputetëve edhe në legjislaturën e ardhshme?

Faton Topalli:Ne jemi duke u angazhuar maksimalisht që të kemi të paktën 10 deri në 12 deputet për këtë legjislaturë.

“Bota sot”: Cili do të ishte partneri i preferuar pas zgjedhorë, me të cilin mendoni se partia juaj do të qeveris nesër Republikën e Kosovës?

Faton Topalli: Duke pasur parasysh që pas përfundimit të zgjedhjeve Qeveria e ardhshme e Kosovës do të ballafaqohet me një varg sfidash siç është dialogu, por edhe rritja e zhvillimit ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, punësimi i të rinjve dhe krijimi i perspektivave të reja për ta, barazia gjinore dhe reforma e skemave sociale, nevojitet një mbështetje e gjerë parlamentare. Unë do të doja që gjitha këto sfida t’i arrijmë së bashku me LDK, AAK, AKR dhe Nismën Socialdemokrate.

“Bota sot”: Po qarkullojnë lajme se PSD, është në krizë të brendshme dhe ka oponent që mendohet se do të rikthehen në VV pas koalicionit që keni bërë me AAK-në, si i komentoni këto zëra?

Faton Topalli: Kjo nuk është e vërtetë , sepse PSD nuk ka asnjë krizë të brendshme, përkundrazi përshkohet nga një frymë e lartë e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Kundërshtarët tonë politik janë jashtë partisë, dhe jo brenda saj. Sigurisht që ata, duke pas parasysh potencialin e PSD, do të donin të ndodhte kjo, por shohin ëndrra në pikë të ditës. Sa i përket rikthimit në LVV është lakuar tek “Bota Sot” emri im dhe kjo nuk është e vërtetë. Më e madhe është gjasa që Kadri Veseli të aderoj në LVV, nëse i shohim praktika e deritashme të aderimit, se sa unë të kthehem në Vetëvendosje. Në akt kjo do t’i bënte mirë Kadri Veselit sepse do të lirohej nga mëkatet, siç u lirua Isa Mustafa e disa kolegë të Veselit që Aderuan më herët LVV, por mua do të më bënte mëkatar. Pra më mjafton mëkati që guxova të mendoj ndryshe nga Albin Kurti.

“Bota sot”: Nëse do të ketë në legjislaturën e ardhshme ndonjë iniciativë serioze për shkarkimin e Presidentit Thaçi, a do ta përkrahnit?

Faton Topalli: Po.

“Bota sot”: Në legjislaturën e ardhshme, nëse vini në qeveri, a do të vazhdoni të hiqni dorë nga udhëheqja e dialogut me Serbinë siç ka bërë Haradinaj gjatë qeverisjes së tij, duke e lënë dialogun në dorë të Presidentit Thaçi?

Faton Topalli: Ne jemi të interesuar dhe gatshëm të marrim pjesë në dialog sepse konsiderojmë që vetëm duke marr pjesë mund të kemi ndikimin që pretendojmë. Dialogu është interes i Kosovës dhe ne dëshirojmë ta përfaqësojmë këtë interes. Kitë e kemi dëshmuar edhe në legjislaturën e kaluar duke u treguar të gatshëm për ta udhëhequr dialogun.

“Bota sot”: Cilat diga të institucioneve po çalojnë dhe nga kush janë të kapura?

Faton Topalli: Kapja e shtetit është zhvilluar si një proces 20 vjeçar në të cilin dy partitë kryesore që kanë qeverisur më së gjati vendin, kush më shumë e kush më pak, herë të ndara, e më shumë së bashku në koalicione, ka hisen e vet të përgjegjësisë. Të kapur janë shumica e institucioneve , si atyre të varura ashtu edhe atyre të pavarura. Nuk kemi asnjë segment të shtetit, në të cilin nuk ka futur njerëzit e saj njëra apo tjetra parti.

“Bota sot” : Çka duhet të depolitizohet në Kosovë?

Faton Topalli: Në Kosovë duhet të depolitizohet e gjithë administrata, bordet e pavarura, gjyqësia, prokuroria dhe policia. Ndarja e pushteteve për shkak të kapjes së shtetit është vetëm formale. Depolitizimi kërkon ndërtimin e mekanizmave që pamundësojnë politizimin dhe kjo bëhet me vullnet politik i cili mjerisht mungoi deri më tani.

“Bota sot”: Kryeministri Haradinaj bashkë me ju ka protestuar kundër demarkacionit me Malin e Zi, ai thotë se marrëveshja me Malin e Zi për ta “korrigjuar” korrigjimin e kufirit, por deri sot nuk është rikthyer as Çakorri e as Kulla. A do ti bëni presion në këtë drejtim?

Faton Topalli: Ne si PSD nuk e kemi votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës marrëveshjen me Malin e Zi. Pra qëndrimi ynë është i qartë. Pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj Kuvendi ka votuar për pushimin e mandatit të tij. Mbetet që pas zgjedhjeve Kryeministri i ri Ramush Haradinaj ta vazhdoj aty ku e ka lënë çështjen e Kufirit me Malin e zi. Ne nuk ka nevojë t’i bëjmë presion sepse korrigjimi i kufirit me Malin e Zi është edhe vullnet por edhe qëllim që ai ia ka përcaktuar vetvetes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...