Sinani: PDK është konsumuar, duhet të shkojë në opozitë - Bota Sot
Sinani: PDK është konsumuar, duhet të shkojë në opozitë

Intervista

Sinani: PDK është konsumuar, duhet të shkojë në opozitë

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 21 shtator 2019 Në ora: 19:10
Resul Sinani

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidati për deputet nga radhët e Koalicionit AAK-PSD, Resul Sinani, ka thënë se pa angazhimin e figurave të reja, skena politike në Kosovë nuk do të ndryshojë edhe për një kohë të gjatë. Sinani, ka deklaruar se pas largimit nga Nisma Socialdemokrate, AAK është destinacioni i fundit politik për të. Po ashtu, ai është shprehur se PDK-ja duhet të shkojë në opozitë sepse në këto momente nuk ka çfarë të japë më tepër për vendin.

“Bota sot”: Resul, kush janë arsyet që ju bëri t’i futeni politikës?

Resul Sinani: Secili njeri në një moment të caktuar mund ta vlerësojë se duhet të angazhohet në politikë në mënyrë që të japë kontributin e tij aktiv për të mirën e vendit dhe të qytetarëve. Kam konsideruar që ka ardhur ai moment dhe prandaj e kam marrë këtë vendim për të hyrë në politikë. Në Kosovë prej dy dekadash, e besa mund të them prej tri dekadash, klasa politike është duke u ricikluar duke mos lejuar përtëritjen e saj. E, nëse nuk angazhohen figura dhe personalitete të reja nuk do të ndryshojë edhe për disa dekada të tjera, prandaj unë jam angazhuar duke u ofruar si një nga qytetarët e këtij vendi i cili mund të japë kontributin e tij në këtë proces. Mirëpo, nuk mjafton vetëm kjo, qytetari jonë duhet të përkrahë ato personalitete në mënyrë që dalëngadalë të krijohet një klasë e re politike. Në të kundërtën, do të vazhdohet me avazin e vjetër!

“Bota sot”: E filluat karrierën tënde në partinë Nisma, pastaj vazhduat në AAK. Ndërrimi partive disi mund të shihet jo serioze megjithëse s’jeni as i pari e as i fundit. A mund të jetë AAK-ja destinacioni fundit? Çfarë kërkoni ju nga një subjekt politik që, ta bëj Resul Sinanin të qëndroj në atë subjekt dhe se a e keni gjetë në AAK, atë çfarë kërkonit?

Resul Sinani: Varet se si e kuptoni seriozitetin. Nëse e kuptoni seriozitetin se pasi të hyni në një parti të bëheni si gjithë të tjerët, atëherë keni të drejtë ju. Mirëpo, nëse e kuptoni seriozitetin se ju pavarësisht se në cilën parti aderoni e ruani origjinalitetin tuaj, personalitetin tuaj, integritetin moral e intelektual, ndershmërinë dhe përkushtimin atëherë e keni gabim. Prandaj unë jam po ai, por me një përvojë dhe një mësim të marrë nga ai angazhim. Për sa i takon AAK-së si destinacion i fundit, mendoj se po, AAK është destinacioni im i fundit politik. Kurse, lidhur me ambientin nuk mund të jap ndonjë vlerësim sepse është shumë herët, por për sa i takon përshtypjeve të para, konsideroj se AAK është një ambient në të cilin mund të zhvillohem dhe të kontribuoj politikisht dhe që aty mund t’i shërbej vendit dhe të mbroj e avancoj interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Bota sot”: Meqë jeni në një parti, kryetar i së cilës ka qenë kryeministër në qeverinë e mëparshme, cili është opinioni juaj për punën qëështë bërë?

Resul Sinani: Pavarësisht shumë të metave dhe shumë kritikave, për mua bilanci i qeverisë dhe sidomos kryeministrit Haradinaj është pozitiv. Janë shumë vendime të cilat janë marrë e të cilat efektin do ta japin në vitet në vijim. Të mos harrojmë krijimin e Ushtrisë, taksën 100%, ruajtjen e sovranitetit të vendit, ndërprerjen e dialogut që veç po na dëmtonte e po na shkaktonte probleme, zgjidhjen për Trepçën, ligjin për pagat, kompetencat e komunave për menaxhimin me pronat komunale, ligji për kryeqytetin, e shumë vendime të tjera që janë ndërmarrë nga kryeministri Haradinaj janë mëritë ekskluziv e tij. Prandaj, konsideroj që ato punë të cilat janë përfunduar, shumë të tjera të cilat janë filluar dhe janë duke vazhduar e bëjnë të domosdoshme që t’i vazhdohet mandati kryeministrit Haradinaj, në mënyrë që të realizohet koncepti 100% Kosovë për të cilin ka nevojë vendi. Tek pretendentët tjerë për kryeministër nuk kam besim se mund t’i qojnë përpara shumë procese të cilat e presin vendin.

“Bota sot”: Cili ka qenë mendimi juaj për taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës? Të kujtoj që, partitë e koalicionit, shpesh herë, janë deklaruar se taksa duhet të hiqet për shkak se prish raportet me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Shkurt: cili është qëndrimi juaj për këtë situatë?

Resul Sinani: Ne prej gati dy dekadash kemi jetuar me absurdin që të ushqehemi dhe të blejmë produkte prej armikut tonë, prej atij i cili në luftën e fundit na i vrau e masakroi njerëzit dhe e na i shkatërroi pronat e shtetin. Taksa, na ka kthyer dinjitetin të gjithëve, taksa na ka kthyer besimin tek vetja dhe tek shteti e përfaqësuesit e tij. Sigurisht që nuk jam për taksa por jam për liri të të bërit biznes dhe të heqjes së të gjitha barrierave me vendet fqinje dhe me vendet tjera, por kjo nuk mund të ndodh me Serbinë e cila nuk na njeh dhe mohon ekzistencën tonë. Prandaj, qasja se taksa duhet të jetë deri në njohje është e drejtë dhe duhet të luftohet për të. Për sa i takon prishjes së raporteve me SHBA dhe BE, më shumë është përdorur për t’i bërë presion kryeministrit Haradinaj dhe për ta frikësuar popullin, sepse populli jonë e vlerëson me të drejtë si të shenjtë miqësinë me këto shtete mike, se sa që është e vërtetë. Konsideroj se koha e dëshmoi që nuk është e vërtetë ndërsa e ardhmja po ashtu do ta vërtetojë se marrëdhëniet tona me SHBA dhe BE nuk do të prishen për shkak të taksës, pavarësisht mospajtimeve!

“Bota sot”: Si janë pritshmëritë e juaja në zgjedhjet e 6 tetorit?

Resul Sinani: Pritjet e mia janë që Koalicioni AAK-PSD t’i fitojë zgjedhjet. Po ashtu pres që votuesit të më japin mbështetjen e cila do të më dërgonte në parlament. Mirëpo, për mua më e rëndësishme është që jam pjesë e fitores së koalicionit tonë pavarësisht pozicionit tim, sepse e konsideroj se fitorja e Koalicionit AAK-PSD është shumë e rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Qytetarët konsideroj se çdo ditë e më shumë po e kuptojnë dhe po e ndiejnë të nevojshme fitoren e konceptit të kryeministrit Haradinaj për 100% Kosovë, 100% Shtet.

“Bota sot”: Si në të kaluarën, besoj që as kësaj here, nuk do të ketë parti që do ta fitoj shumicën. Së paku kështu shihet. Pra, në këtë kuptim, koalicioni paszgjedhor është i pashmangshëm. Jo të partisë, por në këndvështrimin tuaj, kush nga partitë do të mund të jetë bashkëpuntor me AAK/PSD-në për një qeveri të re?

Resul Sinani: Qeveria e ardhshme duhet të jetë një qeveri e fortë dhe që do të guxojë të krijojë dhe të marrë vendime të rëndësishme. Prandaj, për këtë lloj qeveria kryeministri Haradinaj është personi më i dëshmuar dhe më i përshtatshëm. Fitorja e Koalicionit AAK-PSD do të garantonte se vendi do të ketë një qeveri të tillë. Konsideroj se për shumë arsye, duke filluar nga modeli qeverisës e deri tek konsumimi i saj, PDK-ja duhet të shkojë në opozitë sepse në këto momente nuk ka çfarë të japë më tepër për vendin. Ndërsa, në qeverinë e ardhshme Haradinaj i shoh të përfshirë të gjithë të tjerët varësisht fuqisë së tyre politike, në mënyrë që, siç e thash pak më sipër, të kemi një qeveri të fortë dhe që guxon të krijojë dhe të marrë vendime të rëndësishme.

“Bota sot”: Cili do të jetë kontributi juaj në rast se qytetarët ua japin besimin?

Resul Sinani: Kësaj pyetje po i përgjigjem në një mënyrë paksa të tërthortë. Në gazetari, profesion që e kam ushtruar për gati dy dekada e që tashmë nuk e ushtroj, por nga i cili nuk jam shkëputur sepse tashmë si profesor universiteti jap kontributin tim në krijimin e gazetarëve të rinj, kemi një kod etik i cili mbështetet mbi disa parime të shenjta. Prej tyre, ajo që është thelbësore është të kuptuarit drejt dhe të shërbyerit vetëm të interesit të publikun. Unë si njeri që prej dy dekadash i jam përmbajtur dhe jam përkushtuar për këtë parim, nëse më jepet besimi nga votuesit, edhe si përfaqësues i tyre në Parlamentin e Kosovës do të mbroj gjithmonë dhe në çdo rrethanë vetëm interesin e publikut që në këtë rast është interesi i përgjithshëm i shtetit dhe qytetarit të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...