Karroca ime në Parlament, do të dëshmojë për krimet monstruoze të kryera nga SHIK-u

Intervista

Karroca ime në Parlament, do të dëshmojë për krimet monstruoze të kryera nga SHIK-u

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 shtator 2019 Në ora: 07:58
Fetah Rudi

Veprimtari dhe kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ka thënë se pa zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së, Kosova nuk do të ecë përpara.

Rudi në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se PDK-ja është e keqja më e madhe për Kosovën, dhe si e tillë ajo vendin e ka në opozitë. Madje, sipas tij, disa anëtarë të kësaj partie e kanë vendin edhe në burg, duke nisur nga Kadri Veseli, për krimet të cilat ai pretendon se i ka kryer kjo parti.

Ai në këtë intervistë ka vlerësuar se edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duhet të jap përgjegjësi për veprimet e anëtarëve të saj. Ndërsa, ka theksuar se SHIK-u është organizatori kryesor i vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së.

Kandidati i LDK-së për deputet gjithashtu ka folur edhe për gjasat e mundshme që Vjosa Osmani të vije në krye të qeverisë së ardhshme, për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje e AAK-në, për gjendjen reale në terren, si dhe shumë çështje tjera.

“Bota sot”: Cila është arsyeja z. Rudi e kandidimit tuaj për deputet të LDK-së?

Fetah Rudi: Unë kam qenë vazhdimisht i interesuar që të garoj për deputet të Parlamentit të Kosovës, që të vazhdojë të jap kontributin tim për shtetformimin e Kosovës, kontribut të cilin u munduan të ma ndalin kriminelët shqiptarë më 15 dhjetor të vitit 2000. Pas dështimit që në dy pale zgjedhjet e kaluara të përfshihem në listën e LDK-së, kësaj radhe mu dha mundësia. Arsyeja pse kandidova dhe pse duhet të jem deputet i Kuvendit të Kosovës është se është se do të jem deputet që do ta ngriti zërin për të gjithë qytetarët e Kosovës për të gjitha çështjet që ata i preokupojnë. Po ashtu, do të jem një zë i fuqishëm dhe do ta ngriti zërin për vrasjet politike, vrasje të cilat janë heshtur, e që nuk duhet të heshtën, pasi janë plaga më e rëndë për Kosovën. Gjithashtu, do të jem një zë i fuqishëm edhe i personave me aftësi të kufizuara, kategori kjo e anashkaluar nga shoqëria kosovare, zëri i të cilëve ka munguar në Kuvendin e Kosovës.

“Bota sot”: z. Rudi, si po pritet te qytetarët fushata elektorale e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe cila është gjendja reale në terren këto ditë?

Fetah Rudi: Fushata elektorale po pritet shumë mirë, dhe është një vullnet i madh për fitoren e madhe të LDK-së me 6 tetor. LDK-ja si partia më e madhe në Kosovë, e gëzon një mbështetje të madhe nga elektorati në Kosovë, por kandidimi i zonjës, Vjosa Osmani për kryeministre, e ka rritur edhe më shumë mbështetjen për LDK-në.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet e LDK-së nga zgjedhjet e 6 tetorit, dhe a besoni në fitoren e partisë suaj?

Fetah Rudi: Po, patjetër që LDK pret fitore dhe do të arrij fitoren me 6 tetor 2019. Me kandidimin e Vjosës, po duket se është zgjuar nga gjumi edhe ajo pjesë e elektoratit të LDK-së, e cila deri më tani nuk ka qenë shumë aktive, kështu që presim fitore me 6 tetor. Poashtu, edhe kandidatura ime është pritur mjaftë mirë nga elektorati i LDK-së anë e mbanë Kosovës, ku shihet një mbështetje shumë e madhe, dhe jam i sigurt se do të jem deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Bota sot”: Kush mendoni se i vrau dhe i plagosi bashkëpunëtorët e Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova?

Fetah Rudi: Po për këtë disa herë kam folur në deklarimet e mia publike. E kam thënë dhe e them prapë se këto vrasje i ka bërë organizata kriminale e quajtur SHIK, e cila ka vepruar nën ombrellën e PDK-së dhe njerëzve të PDK-së.

“Bota sot”: Mendoni se ka ardhur koha që të zbardhen këto krime, e sidomos ato që janë kryer ndaj zyrtarëve të LDK-së?

Fetah Rudi: Besoj që këto vrasje është dashur të zbardhen deri tani, por janë penguar nga ata që edhe i kanë bërë këto vrasje e që gjenden në institucionet kryesore në Kosovë. Besoj që tash duhet të zbardhen këto vrasje, pasi janë plaga më e rëndë që ende e vuan Kosova. Pa zbardhjen e vrasjeve politike, Kosova nuk do të ecë përpara. Premtoj që do të jem zë i fuqishëm në Kuvend, dhe do të kërkojë zbulimin e vrasjeve politike që kanë ndodhur gjatë luftës e pasluftës në Kosovë.

“Bota sot”: Nëse do t’i fitonit votat e mjaftueshme për tu bërë deputet, premtoni se do të kërkoni llogari për 200 zyrtarët e vrarë të LDK-së?

Fetah Rudi: Besoj fuqishëm që do të jem në parlament dhe do të kërkoj llogari për vrasjen e mbi 200 zyrtarëve të LDK-së. Kemi shpresë edhe tek Gjykata Speciale që do të zbulojë vrasjet politike dhe atentatin tim, pasi deri më tani të gjitha instancat tjera kanë dështuar, duke përfshirë drejtësinë kosovare, edhe atë ndërkombëtare. Karroca ime në Parlamentin e Kosovës, do të dëshmojë për krimet monstruoze të kryera nga SHIK-u ndaj oponentëve politikë, konkretisht zyrtarëve të LDK-së.

“Bota sot”: Kthehemi tek zgjedhjet e 6 tetorit. Çfarë e dallon kandidaten e LDK-së për kryeministre prej kandidatëve të tjerë për kryeministër?

Fetah Rudi: Ajo çka e dallon së pari LDK-në nga partitë tjera është pastërtia e saj dhe mbështetja dhe besimi që e ka nga qytetarët e Kosovës. LDK-ja është ajo e cila gjithmonë u ka prirë proceseve të rëndësishme për Kosovën, dhe vetëm ajo di si t’i qojë përpara. Kryeministrja jonë e ardhshme, Vjosa Osmani në të gjitha aspektet dallon nga kandidatët tjerë që janë në garë. Vjosa ka dëshmuar se është e pa luhatur në qëndrimet e saj. Vjosa Osmani ka prapa një ekip fituese dhe LDK ka një listë me kandidatë për deputetë që padyshim, do ia sjellin fitoren me 6 tetor.

“Bota sot”: Ju për herë të parë i keni hyrë garës për deputet. Sa jeni optimist që do t’ia arrini këtij qëllimi?

Fetah Rudi: Po do të ia arrij qëllimit me u bë deputet, pasi si e thash edhe me lartë e kam një mbështetje të madhe nga elektorati i LDK-së dhe i qytetarëve anë e mbanë Kosovës, duke mos përjashtuar edhe përkrahjen nga anëtarë të subjekteve tjera politike që kanë shprehur gatishmërinë që vota e tyre të shkojë për mua. Po ashtu kandidatura ime është mirëprit mirë nga të gjithë qytetarët në Malishevë, dhe në gjithë Kosovën.

“Bota sot”: Në opinion ditëve të fundit, nga analistët si dhe nga partitë rivale, kanë shprehur skepticizëm se Osmani do të ketë fuqi për t’i çuar përpara proceset e vështira meqë do të jetë e varur nga Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu. Cili është vlerësimi juaj?

Fetah Rudi: Vjosa Osmani do të ketë mundësi që të gjitha proceset t’i qoj përpara pa u penguar nga askush, pasi Vjosa e ka kushtetutën dhe ligjin. Po ashtu, ne jemi dëshmitar se edhe Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, janë në mbështetje të madhe për Vjosa Osmanin. Me kandidimin e Vjosa Osmanit, si duket dikujt jashtë LDK-së që ka dashtë ta shoh LDK-në të përçarë dhe të ndarë iu ka prish qejfi dhe plani. Me 6 tetor, do jemi dëshmitar të fitores së madhe të LDK-së.

“Bota sot”: A është e gatshme Lidhja Demokratike e Kosovës të udhëheqë me vendin?

Fetah Rudi: Lidhja Demokratike e Kosovës, ka qenë gatshme çdo herë që ta udhëheqë vendin. LDK e ka udhëhequr Kosovën në kohërat më të vështira, e do ta udhëheqë edhe tani në situatën e rëndë në të cilën e kanë katandisur komandantët e PAN-it. Besoj fuqishëm që me Vjosa Osmanin kryeministre, dhe ekipin e shkëlqyeshëm të LDK-së, Kosova do të kthehet në rrugën e duhur, nga të cilët ka degraduar keq nën udhëheqjen e komandantëve.

“Bota sot”: Dihet se fituesi i zgjedhjeve e ka të pamundur ta formoj Qeverinë pa koalicion pas zgjedhor me ndonjërën nga partitë politike, LDK ka përjashtuar PDK-në si opsion për të bashkë qeverisur. Çfarë mendoni ju z. Rudi, sa do të mund t`i përmbaheni këtij vendimi e njëkohësisht edhe kërkesës së qytetarëve për vijë të kuqe PDK-së?

Fetah Rudi: Po tash në Kosovë, dihet se vetëm një parti nuk mundet ta formojë qeverinë vetëm, nëse nuk fiton 50% të votave. Por, sa i përket koalicionit me PDK-në, tashmë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, ka marr vendim se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më asnjëherë. Poashtu, edhe kandidatja jonë për kryeministre, Vjosa Osmani vazhdimisht e ka bërë të ditur qëndrimin e LDK-së, që kurrë nuk do të ketë koalicion me PDK-në. PDK-ja është e keqja më e madhe për Kosovën dhe si e tillë ajo vendin e ka në opozitë. E disa anëtarë të saj, e kanë vendin edhe ne burg për krimet të cilat i kanë kryer, duke nisur nga Kadri Veseli i cili duhet të japë përgjegjësi për gjitha krimet e organizatës kriminale, SHIK.

“Bota sot”: Si e shihni ju një koalicion të LDK-së me AAK-në, kur dihet se AAK përkatësisht përfaqësues të saj përflitet se janë të përfshirë në vrasjet e zyrtarëve të LDK-së në Dukagjin?

Fetah Rudi: Sa i përket koalicionit me AAK-në, është Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ai i cili do të vendos pas zgjedhjeve. Por, unë nuk do ta votoj kurrë një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. PDK-ja me SHIK-un janë organizatorët kryesorë të vrasjeve të anëtarëve të LDK-së. Në fillim, të gjithë këta, si nga PDK, AAK e NISMA kanë qenë bashkë në PDK. Por, është e vërtetë se as AAK-ja nuk qëndron larg PDK-së. Edhe AAK-ja duhet të jap përgjegjësi për veprimet e anëtarëve të saj. Por, e përsëris, SHIK-u është organizatori kryesor i vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së. Madje në mandatin e fundit, këto parti i vërtetuan vetë dyshimet se janë të përfshira në vrasje, duke tentuar ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, e cila do të hetoj vrasjet politike. Kjo është dëshmi se PAN-in e ka kap frika nga dënimi i rëndë nga Gjykata Speciale për vrasjen e burrave më të mirë të LDK-së.

“Bota sot”: Çfarë mendoni për një koalicion të LDK-së me Vetëvendosjen?

Fetah Rudi: Për momentin, LDK dhe kandidatja jonë për kryeministre, Vjosa Osmani, e ka bërë të ditur qëndrimin se Lëvizja Vetëvendosje shihet si opsioni më i mirë për bashkëqeverisje. Edhe unë pajtohem me këtë, por në fund, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Këshilli i Përgjithshëm do të vendos për hapat e mëtutjeshëm dhe partnerin e koalicionit. Konsideroj se Vetëvendosje është më e mira nga të gjitha të këqijat. Por, unë e përsëris, vetëm një koalicion me PDK-në nuk do ta votoj kurrë dhe besoj fuqishëm se me 6 tetor, LDK-ja do ta dërgojë në opozitë PDK-në, e cila është promotorë e të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat