Limaj: Taksa duhet të hiqet kur të pushojnë arsyet

Intervista

Limaj: Taksa duhet të hiqet kur të pushojnë arsyet

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 14:31
Fatmir Limaj

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një personalitet kompetent, që ka përvojë dhe duhet të jetë i pjekur politikisht. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Limaj kandidat për kryeministër nga koalicionit Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë. Limaj thotë se nëse zgjidhet kryeministër ndër prioritetet kryesore të tij do të jenë dialogu me Serbinë, politika e jashtme dhe investimet në bujqësi. Ndërsa, sipas tij, taksa doganore ndaj Serbisë, duhet të hiqet vetëm kur të pushojnë arsyet.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Limaj, ju jeni kandidat i koalicionit Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë për pozitën e kryeministrit në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor. Pse qytetarët duhet të ju votojnë ju për kryeministër?

Fatmir Limaj: Besoj se kryeministri i vendit, siç e sheh sistemi ynë kushtetues, duhet të ketë një personalitet që ka përvojë, të jetë kompetent, i pjekur politikisht. Një njeri i cili di të ndërtojë urat e bashkëpunimit pozitë dhe opozitë, duke marrë parasysh temat që ne na presin në qeverinë e ardhshme.

Është shumë me rendësi të kemi një kryeministër reformator, i cili i identifikon problemet dhe problemet i trajton në partneritet si me pozitën dhe opozitën. Sikurse thash, mbi të gjitha na duhet një kryeministër kompetent, i gatshëm për t’u ballafaquar me sfida. Disa nga temat që kanë me qenë tema kryesore të këtij vendi, t'i trajtojë siç duhet, jo me arrogancë, por në bashkëpunim të ngushtë edhe me forcat opozitare.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë top prioritetet të cilat mëtoni t’i realizoni si i nominuar për postin e kryeministrit?

Fatmir Limaj: Dialogu, politika e jashtme, bujqësia, vazhdimi i stimulimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, diaspora dhe reforma në drejtësi, janë disa nga temat ose do të thosha, me këto pesë prioritete të mia me të cilat besoj se duhet fuqishëm të futet kjo qeveri në mandatin e ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të jeni pjesë e qeverisë së ardhshme, a jeni të gatshëm ta pezulloni taksën ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nëse paraqitet si kusht për vazhdimin e dialogut?

Fatmir Limaj: Qëndrimi ynë është ai që ka qenë gjithmonë. Taksa duhet të hiqet kur të pushojnë arsyet për çka janë futur taksat. Besoj se ka disa arsye ekonomike e politike që Serbia duhet t'i përmbushë për të mundësuar kthimin e një lloj normaliteti të funksionimit mes dy vendeve tona dhe kjo do t'i hapte mundësi zhbllokimit të dialogut, i cili do të shpresojmë se do të na çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale, që brenda e ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Radio Evropa e Lirë: Kur flisni për njohjen e Kosovës nga Serbia, sa mendoni se është e mundshme një gjë e tillë?

Fatmir Limaj: Besoj se Kosova duhet ta demonstrojë gjithë seriozitetin e vet në këtë dialog. Kosova duhet ta ndërtojë një konsensus sa më të gjerë brenda forcave politike. Kosova duhet që me partnerët tanë ndërkombëtarë të demonstrojë vullnetin dhe interesin, nevojën për të pasur këtë marrëveshje.

Unë besoj se është edhe në interesin e Serbisë që sa më shpejtë t'i mbyllim këto çështje. Ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të fillojnë dhe të shohin në ndërtimin e fqinjësisë mes dy vendeve tona, duke i mbyllur temat e hapura, si parakusht për të hapur një perspektivë, edhe të dy vendeve tona, po edhe rajonit në integrimet evropiane, në thithjen e investimeve, në zhvillimin ekonomik ose me mirë të themi që dy vendet tona të kthehemi në zgjidhjen e problemeve edhe ashtu të shumta që i kemi brenda për brenda vendeve tona.

Një marrëveshje Kosovë- Serbi është një marrëveshje e jashtëzakonshme, jo vetëm për rajonin, por për Evropën. Kështu që përfundimisht edhe në këtë pjesë të Evropës do të përmbyllen konfliktet e hapura që na kanë karakterizuar jo me dekada, ndoshta edhe me shekuj.

Radio Evropa e Lirë: Një nga punët e para të qeverisë do të jetë dialogu me Serbinë. A do të negociohet për kufijtë e Kosovës?

Fatmir Limaj: Ajo çka ne shkojmë të negociojmë është njohja e Kosovës dhe ndërtimi i fqinjësisë. Nuk ka temë tjetër Kosova me Serbinë.

Shikoni, me Serbinë kemi negociuar në dy- tri etapa. Me Rambujenë, për të vendosur mes luftës dhe paqes, pastaj kemi negociuar statusin e Kosovës në Vjenë. Tani jemi në pozitë ku me Serbinë duhet të negociohet njohja e ndërsjellë dhe ndërtimi i fqinjësisë. Kjo është tema që ne do të angazhohemi si Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Me cilën parti apo koalicion jeni të gatshëm të bashkëpunoni pas zgjedhjeve?

Fatmir Limaj: Së pari do të varet shumë nga vullneti, se si do të shprehet vullneti i qytetarëve të Kosovës. Dhe e dyta, ne kemi disa pika me të cilat nëse do të kemi një ofertë nga ndonjë parti, kemi disa pika që duhen si parakushte për t'u ndërtuar një partneritet.

Janë katër - pesë pika, për të cilat edhe fola, që janë parakushte që të mund të ndërtohet një partneritet serioz me forcat tjera (politike). Një nga to është edhe ajo pyetja juaj se si do t'i qasemi dialogut me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Në raporte e ndryshme Kosova është cilësuar si një vend që vuan nga krimi dhe korrupsioni. Jeni zotuar se do t’i luftoni këto dukuri, por si do ta bëni këtë?

Fatmir Limaj: Mendoj se aktualisht në Kosovë nuk besoj se ka njeri më kompetent në luftimin e kësaj çështje ose më mirë thënë, të fusë një reformë. Unë jam ithtar i asaj dhe objektivi im është që të mbes në kujtesën e njerëzve si një lloj kryeministri reformator, i cili bën reforma të thella.

Sistemi shtetëror i Kosovës ka nevojë për një reformë të thellë, të tërësishme, jo vetëm në këtë dukuri. Kosova deri më tani ka ndërtuar institucione të cilat kanë kaluar pjesën emergjente. Tranzicioni na ka zgjatur, koha është për fillimin e konsolidimit të shtetit tonë.

Dhe me katër - pesë pika për të cilat po flas, me reforma të thella në këtë drejtim, besoj ne do ta kishim vënë në binar të duhur zhvillim ose konsolidimin e shtetit të Kosovës. Përveç vullnetit, duhet edhe kompetencë në këtë temë.

Përveç kompetencës, duhet edhe një shembull që ju luftoni për drejtësinë. Besoj së unë jam një shembull që jam atakuar shumë në këtë sistem dhe e njoh, e ndjej se çka do të thotë padrejtësia dhe e di se sa është e nevojshme për qytetarët e Kosovës që të mbretërojë drejtësia dhe siguria juridike në çdo cep të Republikës së Kosovës dhe për çdo qytetar të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për korrupsioni dhe krimin e organizuar a konsideroni se kjo është 'sëmundja' më e rëndë që e ka kapur Kosovë?

Fatmir Limaj: Unë besoj se Kosova ka një sëmundje të vet të kësaj fazë, siç e thash kalimi nga tranzicioni në një shtet të konsoliduar dhe kjo dukuri është një nga ato sëmundjet që lëngon Kosova dhe e ka vështirësuar dhe e ka stërzgjatur tranzicionin. E ka vështirësuar konsolidimin e shtetit dhe e ka vështirësuar forcimin e institucioneve funksionale.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, cilat janë pritjet tuaja nga ky proces zgjedhor?

Fatmir Limaj: E rëndësishëm është që njerëzit kanë mundësi edhe një herë që përmes votës së tyre të shprehin vullnetin e drejtimit. Ne kemi pritje dhe besojmë se nëse vlerësohen ofertat nga qytetarët, presim një befasi në këto zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat