Rrustem Mustafa: PDK-ja fituese, me këtë parti bëjmë koalicion

Intervista

Rrustem Mustafa: PDK-ja fituese, me këtë parti bëjmë koalicion

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 20:00
Rrustem Mustafa

Ishte njëri ndër komandant më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tani, për herë të tretë synon të bëhet deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e PDK-së. Rrustem Mustafa “Remi” në një intervistë për KosovaPress thotë se pritjet e qytetarëve në këto zgjedhje janë shumë të mëdha. Është i bindur se vetëm PDK-ja me programin dhe vizionin e saj mund t’ju prijë ndryshime të mëdha me 10 deputet më shumë sesa partia e dytë.

Edhe kësaj radhe, Rrustem Mustafa ka një parashikim interesant për koalicion të mundshëm pas zgjedhjeve.

Për një kohë i keni munguar politikës dhe terrenit. Këto ditë keni takuar shumë qytetarë në llap. Si iu kanë pritur ata?

Rrustem Mustafa: Unë gjatë gjithë kohës kam qenë në kontakt me miqtë dhe qytetarë në Llap. Por, në fushatë, takimet janë më intensive. Jam shumë i lumtur që kudo që shkojë po shoh një mobilizim dhe entuziazëm të madh te qytetarët. Pritjet e tyre janë shumë të mëdha.

Ne duhet të punojmë pandërprerë që mos t’i zhgënjejmë, por t’ua kthejmë shpresën atyre. Kam takuar veteranët e luftës, familje të heronjve, dëshmorëve, martirëve. Kam takuar bujq, profesor të rijnë dhe të reja. Të gjithë e duan Kosovën, një Kosovë ku sundon ligji, me ekonomi të zhvilluar dhe mirëqenie të qytetarëve.

Kush mund t’i realizojë pritjet e tyre, sepse në të kaluarën kemi pas premtime, por nuk janë përmbushur?

Rrustem Mustafa: Durimi i qytetarëve nuk është ai që ka qenë disa vjet më parë dhe kjo është shumë pozitive. Qeverisja e PDK-së, me Kadri Veselin kryeministër ka një program që do të akomodojë kërkesat të qytetarëve. Lufta kundër korrupsionit bashkë me SHBA-në është vetëm njëra nga këto. Legalizimi dhe pajisja e qytetarëve me letrat poseduese është një tjetër premtim që do të ndodhë.

Rritja për 80% e pensioneve dhe shpërndaja falas e barnave për pensionistët me sëmundje kronike do të ndodhë. Bashkatdhetarët nuk do të paguajnë më asnjë cent për Kartonin e Gjelbër kur të hynë në kufi të Kosovës. Këto dhe shumë premtime tjera do të realizohen. Ne do duhet të marrim 10 deputet më shumë sesa partia e dytë.

PDK-ja në këtë fushatë është marrë shumë me luftën kundër korrupsionit dhe me SHBA-në, duke akuzuar të tjerët si antiamerikan? A mendoni se kështu fitoni vota?

Rrustem Mustafa: Kjo fushatë nuk është për vota. Korrupsioni dhe lëndimi i marrëdhënieve me SHBA-të janë rreziqet më të mëdha që i kanosen Kosovës. Lufta kundër korrupsion duhet me qenë e pa kompromis dhe në bashkëveprim me Amerikën. Derisa ne si parti, nesër si Qeveri, si popull duhet të ruajmë dhe zhvillojmë marrëdhëniet me Amerikën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë adresa e vetme e orientimit tonë politik.

Ajo është garantuese e ekzistencës ton si shtet, ajo është që ruan integritetin territorial të Kosovës, ajo është gjithçka për Kosovën. Kushdo që me dije apo pa dije lëndon këto marrëdhënie nuk do të ketë mbështetjen e këtij populli.

Kolegët tuaj të PDK-së janë treguar të ashpër me LDK-në, derisa ju keni qenë më të heshtur. Pse?

Rrustem Mustafa: Unë kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Neve na dallojnë vetëm konceptet politike. Por këto ditë shumë anëtarë të LDK-së dhe partive tjera kanë aderuar në PDK-së në Llap. Ata e kanë kuptuar se është e vetmja PDK që mund të bëjë ndryshimet e mëdha dhe të nevojshme për sfidat që na presin.

Vetëm PDK është partia që ka pas konsistencë në ruajtjen e marrëdhënieve me SHBA-të. Ne në asnjë moment, për asnjë çmim nuk i kemi lënduar këto marrëdhënie, të cilat për qytetarët e Kosovës janë të shenjta. Unë më shumë jam koncentruar në prezantimin e ofertës sonë, se çfarë mund të bëjmë më shumë dhe më mirë për të ndryshuar jetët e qytetarëve. Prandaj unë, nuk humbi asnjë minutë të energjisë sime për të sulmuar kundërshtarët politik.

Në vitin 2014, keni qenë i vetmi që keni parashikuar një koalicion PDK-LDK. Cili është parashikimi për këto zgjedhje?

Rrustem Mustafa: Kosova ka mbetur peng i disa punëve të mëdha, të cilat qeveritë e kaluara nuk kanë mundur t’i përfundojnë. Nuk kemi kohë për të humbur. Kosovës i duhet një koalicion dhe qeveri stabile, e udhëhequr nga PDK me kryeministër Kadri Veseli, për të fituar betejën kundër korrupsionit dhe hap perspektivë zhvillimit ekonomik të Kosovës. Unë besoj se edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ketë një koalicion PDK-LDK, me Kadri Veselin kryeministër. Ky koalicion do të jetë garantues i ndryshimeve të mëdha, të cilave do t’ju prijë PDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat