Arban Abrashi: Të gjitha sondazhet e nxjerrin LDK-në fituese bindëse në këto zgjedhje - Bota Sot
Arban Abrashi: Të gjitha sondazhet e nxjerrin LDK-në fituese bindëse në këto zgjedhje

Intervista

Arban Abrashi: Të gjitha sondazhet e nxjerrin LDK-në fituese bindëse në këto zgjedhje

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 2 tetor 2019 Në ora: 08:12
Arban Abrashi

Sekretari Organizativ dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arban Abrashi, ka thënë se është koha për rotacion politik në Kosovë, e që qeveria e ardhshme të jetë e drejtuar nga LDK-ja.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Abrashi ka thënë se me përkrahjen qytetare tashmë është e qartë se LDK-ja do të jetë fituese në zgjedhje. Sipas tij, LDK është duke punuar intensivisht që fitorja të jetë më e thellë, sepse i nevojitet përkrahja qytetare për reforma rrënjësore në vend.

“Bota sot”: Z. Abrashi kanë mbetur edhe pak ditë deri në përmbylljen e fushatës zgjedhore, a mund të na jepni një vlerësim të përgjithshëm rreth përkrahjes që po e merrni si LDK bashkë me kandidaten për kryeministre Vjosa Osmani në terren?

Arban Abrashi: Lidhja Demokratike e Kosovës po rikthehet fuqishëm me përkrahje të gjerë qytetare. Tubimet tona publike me qytetarë, por edhe ato që nuk i bëjmë publike në media tregojnë për një masivizim të partisë. Ky entuziazëm dhe kjo përkrahje qytetare nuk është parë që nga koha e Presidentit Rugova. Aktualisht ne jemi afër qytetarëve për t’ju shpjeguar Programin tonë fitues në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Bota sot”: A keni bërë si LDK ndonjë sondazh, ku realisht gjendet partia juaj në raport me elektoratin?

Arban Abrashi: Në të gjitha sondazhet tona e pavarura por edhe sondazhet e oponentëve tanë politikë e nxjerrin LDK-në fituese bindëse në këto zgjedhje. Ne po punojmë intensivisht që fitorja të jetë më e thellë sepse na duhet përkrahje e madhe qytetare për reforma të thella në të gjithë sektorët. Programi ynë politik, përbëhet prej pesë shtyllave, të cilat janë bazamenti i zhvillimit të një shteti demokratik, ku të rinjtë shohin perspektivën në vendin e tyre

“Bota sot”: A ka mbetur hapësirë bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje, duke marrë për bazë akuzat e ndërsjella nëpër tubime të ndryshme me qytetarë?

Arban Abrashi: Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur disa orientime tona, të cilat janë në fuqi. Në bazë të përkrahjes qytetare po shihet që opozita e kaluar do të jetë qeveria e ardhshme me Vjosa Osmanin kryeministre. Mendoj që është koha për një rotacion politik në Kosovë, pasi që vullneti i qytetarëve është për ndryshim.

“Bota sot”: Në një situatë hipotetike, ku VV del e para në zgjedhje dhe LDK e dyta, a do ta pranonit Albin Kurtin si kryeministër, për arritjen e një koalicioni pas zgjedhor?

Arban Abrashi: Përkrahja qytetare që po merr LDK-ja dhe kandidatja jonë për kryeministre dëshmon qartë se LDK-ja është bindshëm partia e parë dhe këtë tashmë e pranojnë edhe oponentët politik dhe si rezultat i kësaj qeveria e ardhshme do të drejtohet nga LDK-ja. Gjatë dy viteve të të bërit opozitë në Kuvend, ne kemi pasur një bashkëpunim të mirë me Vetëvendosjen, dhe nuk besoj që ka asnjë problem që ne të qeverisim të bashku.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për luftën “anti-korrupsion” të PDK-së, sa ka sinqeritet në të?

Arban Abrashi: Fushata e PDK-së për mendimin tim është paradoksale. Nuk mund ta luftojmë korrupsionin ata që identifikohen me këtë dukuri negative. Ne i kemi dëshmitarë qytetarët e Kosovës se kush është i zhytur thellë në korrupsion dhe kur qeveris me duar të pastra. Mendoj që qytetarët e Kosovës tashmë e kanë pjekurinë e mjaftueshme politike për të bërë dallimin e madh.

“Bota sot”: Çka do të ndodhë me liberalizimin e vizave gjatë qeverisjes së LDK-së, kur dihet se pikërisht krimi dhe korrupsioni u bën shkak që kjo të mos ndodhte ndonëse premtimet nuk munguar?

Arban Abrashi: LDK-ja angazhohet që Republika e Kosovës të mbajë orientim të qartë gjeostrategjik properëndimor, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e BE-së. Brenda vitit të parë qeverisës, LDK do të ndërtojë ura komunikimi të shëndosha me bashkësinë ndërkombëtare, të cilat në kthim do të sjellin liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Relacionet bilaterale me shtetet e BE-së, si dhe relacionet e shëndosha me Brukselin, që LDK i ka në thelb të filozofisë së saj politike, do të lehtësojnë këtë liberalizim.

“Bota sot”: Si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë Mustafa, keni shënuar disa suksese me të cilat vazhdoni të përmendeni, në rast se LDK i fiton zgjedhjet a synoni të jeni sërish ministër i këtij dikasteri apo keni pretendime të tjera?

Arban Abrashi: Unë jam kandidat për deputetë dhe jam duke e kërkuar besimin e anëtarësisë dhe qytetarëve. Me punën time kam dëshmuar se mund të arrijë rezultate të matshme. Jam i përkushtuar jashtëzakonisht që besimin e qytetarëve ta përkthej në punë të mira për qytetarët. Çdo detyrë që ma ka caktuar partia e kam kryer me nderë dhe me përkushtim maksimal. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

“Bota sot”: A ka LDK ndonjë plan konkret në programin e saj për rritjen e pensioneve apo përmirësimin e skemave sociale?

Arban Abrashi: Reforma e përgjithshme e sistemit pensional dhe e mbrojtjes sociale, nënkupton ndryshime e rimodelime pozitive në skemat pensionale, qëndrueshmëri më të madhe financiare dhe zgjerim e mbrojtje sociale. Konkretisht, kjo reformë përfshinë krijimin e Fondit për Mbrojtje Sociale, i cili do të garantojë pensionin kontributiv, pensionin invalidor, pensionin familjar, pensione të parakohshme për kategori të caktuara, mbrojtjen prindërore, shtesa për fëmijët, mbrojtjen nga papunësia, përkrahje për personat me nevoja të veçanta, si dhe trajtim të veçantë të të larguarve nga puna gjatë viteve ‘90.

“Bota sot”: Si e keni paraparë çështjen e ndërtimit të më shumë çerdheve publike në programin tuaj, sa i përket kujdesit parashkollor?

Arban Abrashi: Vizioni i LDK-së është që çdo familjeje e çdo banori t’i mundësohet qasja në kujdesin parashkollor, për të gjitha foshnjat mbi moshën 1-vjeçare. Për këtë, në Qeverinë e ardhshme do të nisë Programi Nacional i Kujdesit Parashkollor, me qëllim të investimit në çerdhe dhe zgjerim të kapaciteteve në shkolla aktuale për transformim eventual të tyre.

“Bota sot”: Keni qenë kandidat për të parin e komunës së Prishtinës, a e synoni ende këtë post për zgjedhjet e ardhshme?

Arban Abrashi: Kur jam caktuar kandidat për Prishtinën, për shumëkënd ka qenë një mision i pamundur. Me ofertën time konkrete dhe me përkrahjen qytetare e kam përmbysur rezultatin në favor timin dhe të LDK-së. Në kutitë e votimit fitorja ka qenë e imja. Por rezultati atëbotë u devijua dhe gjykata nuk pranoj rinumërimin e votave. Kishte ndërhyrje të pastër në sistemin e drejtësisë, nëpërmes përkrahjes politike që kundërkandidati im i ofroi qeverisë. Kjo çështje i përket të kaluarës. Prishtina nuk meriton një qeverisje qysh e kemi tani. Besoj që i kam dëshmitarë gjithë qytetarët e Prishtinës. Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme lokale në Prishtinë, besoj se ato do t'i fitojë Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa kandidati do të jetë vendim i partisë, të cilin unë do ta respektojë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...