Hamiti: LDK-ja e Rugovës kërkon besimin e qytetarëve për ta rimëkëmbur shtetin e katandisur nga të padijëshmit

Intervista

Hamiti: LDK-ja e Rugovës kërkon besimin e qytetarëve për ta rimëkëmbur shtetin e katandisur nga të padijëshmit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 tetor 2019 Në ora: 22:33
Kandidati i LDK-së për deputet Muhamet Hamiti

Kandidati i LDK-së për deputet Muhamet Hamiti, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po e kërkon besimin e qytetarëve për ta rimëkëmbur “shtetin e katandisur keq nga një klasë politike e padijshme”.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish-zëdhënësi i Presidentit Rugova dhe ish-ambasadori i Kosovës në Britani, ka thënë se përkrahjen për LDK-në, po e shohin edhe kundërshtarët politikë.

Ai ka thënë se me Qeverinë e drejtuar nga LDK-ja fitojnë të gjithë, madje edhe rivalët politikë.

Profesori universitar ka përjashtuar çdo mundësi të koalicionit paszgjedhor me PDK-në, të cilën e ka akuzuar për instalim të korrupsionit në vend.

Ndërsa, për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se çdo gjë varet nga rezultatet e zgjedhjeve. Mirëpo, sipas Hamitit, Albin Kurti nuk mund të jetë kryeministër, edhe nëse partia e tij del e para në zgjedhje, derisa VV-ja, siç ka thënë ai, mund të jetë partner i vogël i LDK-së në Qeveri.

Image
Muhamet Hamiti

Bota sot: Z.Hamiti, a mund të na tregoni pse iu rikthyet politikës dhe iu futët garës për deputet të LDK-së?

Hamiti: U riktheva në politikë, sepse Kosova i ka sot punët më keq se në vitin 2008, kur e shpalli pavarësinë, ndërsa unë shkova me detyrën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Londër. U ktheva në punën time si profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës më 2012. Në ndërkohë, jeta shoqërore është degraduar, vlerat njerëzore e kulturore janë nëpërkëmbur, ekonomia e Kosovës është rrënuar. Pozita ndërkombëtare e vendit është dobësuar. E gjithë kjo për fajin e klasës politike që në vitet e fundit e kapi shtetin për interesat e veta.

Kam ushtruar detyra të rëndësishme si zyrtar i shtetit, i emëruar zëdhënës i Presidentit Rugova, këshilltar i Rugovës e i Presidentit Sejdiu. Poashtu, ambasador i parë i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, siç e thashë.

Tash po e kërkoj votën e qytetarëve për të marrë detyrë me zgjedhje, jo emërim, për t’u bërë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Prandaj, e kërkoj votën për LDK-në, për partinë shtetformuese, për familjen politike të vlerave njerëzore e kombëtare, dhe për vete si kandidat i kësaj partie historike për ta bërë Kosovën të jetueshme për njerëzit e saj të mire, sot e përherë.

“Lidhja jonë (LDK) është e fortë e nuk shprishet, sepse bazohet në besim”, ka thënë shumë herë Presidenti Rugova.

Me besimin e qytetarëve do ta kem fuqinë për ta çuar zërin e tyre në Kuvend, zotimin për shtet ku sundon ligji e mbretërojnë dija, puna e nderi: për arsim më të mirë, për shëndetësi në shërbim të qytetarëve, për afirmim të kulturës autentike, për ekonomi të zhvilluar. Për Kosovën me integrime shqiptare e evropiane, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bota sot: Nga situata në terren, si e vlerësoni përkrahjen që po e merrni si LDK? A është zgjuar elektorati i kësaj partie?

Hamiti: Përkrahja për LDK-në është në rritje graduale, siç po duket. Elektorati i LDK-së, por edhe njerëzit që kanë votuar më parë për LDK-në dhe për arsye të ndryshme kanë rrëshqitur prej saj, tash po kthehen. Po ashtu, edhe të pavendosurit, një trup elektoral i vlerësueshëm, duket se kësaj here do të gjejnë te LDK-ja partinë që realizon pritjet e tyre për ndryshim të gjendjes së keqe në Kosovë, për mungesë të perspektivës, shkaku i Qeverisjes së keqe të PDK-së, AAK-së, Nismas, e copave të tjera të vogla partiake që përbënë koalicionin PAN, i cili po gërmon në themelet e shtetit të Kosovës, me rrezikun për ta rrënuar projektin më të madh të kombit në 100 vjetët e fundit, shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Ibrahim Rugovës, prijësit historik e burrështetasit të parë të Republikës së Kosovës, e kërkon sot besimin e qytetarëve për ta rimëkëmbur shtetin e katandisur keq nga një klasë politike e padijshme. Kjo klasë ka sunduar, nuk ka qeverisur në të vërtetë, siç e do rendi në një vend demokratik.

Bota sot: Në bazë të rezultateve në terren dhe sondazheve online, ku gjendet LDK-ja në raport me partitë tjera?

Hamiti: Përkrahjen për LDK-në po e ndiejmë ne kandidatët për deputetë në punën në terren anekënd Kosovës. Këtë përkrahje po e shohin edhe kundërshtarët tanë politikë. Me Qeverinë e drejtuar nga LDK-ja fiton populli i Kosovës, fitojnë të gjithë, madje edhe rivalët tanë politikë, të cilët, duke mbetur në opozitë për një kohë, ndërsa ne rimëkëmbim shtetin, do të kenë kohë të korrigjojnë veten dhe eventualisht, nëse vijnë një ditë në pushtet, ta qeverisin Kosovën demokratike dhe të konsoliduar, së brendshmi e së jashtmi, me ekonomi të zhvilluar e sovranitet të jashtëm të përmbyllur, kur të jemi integruar në sistemin ndërkombëtar.

Sa për sondazhet online, nuk na bëjnë përshtypje ato, sepse nuk janë tregues i besimit dhe mbështetjes së popullit për LDK-në. Mediat sociale te ne – si kudo - janë keqpërdorur për të shtrembëruar realitetin.

Bota sot: Pse LDK-ja mund t’i fitojë këto zgjedhje me kandidaten për kryeministre Vjosa Osmanin?

Hamiti: Lidhja Demokratike ka programin më të mirë elektoral, i cili do të kthehet në program qeverisës, listën më të mirë të kandidatëve për deputetë, me njerëz të mirë e të dijshëm, profesionistë të dëshmuar në fushat me interes për jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit, por edhe kandidaten më të mirë për kryeministre, Vjosa Osmanin, që ka energjinë, përvojën politike, mbi të gjitha cilësitë politike për të drejtuar Qeverinë e vendit në këtë kohë vendimtare për Kosovën.

Bota sot: Cilën parti e shihni më ideale për bashkëpunim rreth një koalicioni paszgjedhor?

Hamiti: Ne nuk kemi parakontratë për koalicion me asnjë parti. Duam të dalim të parët për të pasur mundësinë që ta drejtojmë Qeverinë me programin e LDK-së si strumbullar të saj. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, siç e dini, ka përjashtuar mundësinë e koalicionit qeverisës me PDK-në, e cila është treguar partner i pabesë në raport me ne. Veç kësaj, PDK-ja është shembëlltyrë e sistemit korruptiv që është instaluar në Kosovë.

Koalicion ideal nuk ka në asnjë vend. Me Vetëvendosjen kemi dallime të mëdha konceptuale. Është parti e majtë, me elemente të esktremit të majtë, ndërsa ne jemi parti e qendrës së djathtë. Koalicioni me VV-në është i mundshëm, por jo i paevitueshëm. Çdo gjë do të varet nga rezultatet që do të marrim ne, por edhe partitë e tjera ‘të mëdha’, të cilat s’janë edhe aq të mëdha, në të vërtetë.

Bota sot: Nëse LDK-ja del parti e dytë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje del e para, a do ta pranojë LDK-ja Albin Kurtin kryeministër?

Hamiti: Albini kryeministër? Kjo është punë që s’bëhet. Në rastin më të mirë VV-ja mund të jetë partner i vogël (junior partner) në Qeveri me LDK-në. VV-ja, që ka probleme esenciale me ekzistencën e Republikës së Kosovës, mbasi e sheh projekt kalimtar, madje përbuz atributet e shtetësisë së saj (flamurin, ta zëmë), nuk mund t’i prijë Qeverisë së Kosovës. Duhet të mësohen të qeverisin fillimisht.

Bota sot: Cili do të jetë vendimi i parë i LDK-së nëse formon Qeverinë e re të Kosovës?

Hamiti: Nuk e di cili do të jetë vendimi i parë i Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga LDK-ja, por e di që do të ketë nevojë për shumë vendime të shpejta për të sanuar dëmet që ka bërë Qeveria Haradinaj. Poashtu, edhe dëmet që ka bërë Presidenti Hashim Thaçi me aventurën e tij për ndryshim kufijsh të Kosovës në kuadër të dialogut për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë. Qeveria e re e Kosovës do ta drejtojë këtë dialog me Serbinë, dialog shtet me shtet, i cili siguron njohje të Kosovës, paprekshmëri të tërësisë tokësore të vendit, por edhe unitaritet sa i përket organizimit të brendshëm pushtetor. S’do të ketë pushtet të tretë – Asociacion të Komunave me ingjerenca ekzekutive.

Bota sot: Si e komentoni publikimin e disa mesazheve në media, ku pretendohet se Vjosa Osmani, të ketë lëshuar akuza ndaj nënkryetarëve të LDK-së Lutfi Hazirit e Agim Veliut?

Hamiti: Kjo është pjesë e fushatës së përbaltjes së LDK-së, të prijësve të saj, dhe kandidates sonë për kryeministre, Vjosa Osmanit, që po fiton mendjet dhe zemrat e qytetarëve të vendit.

Bota sot: Nëse LDK-ja arrin të formojë Qeverinë e re, a synoni të jeni në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës?

Hamiti: Siç e thashë në fillim të kësaj interviste, unë kam pasur detyra të rëndësishme shtetërore me emërime. Tash dua të bëhem deputet, përfaqësues i popullit në Kuvend, me besimin dhe votën e qytetarëve. Ky është synimi im.

Bota sot: Çka mendoni për “tentimin” e PDK-së që në fushatë të përfshijë edhe Amerikën, ndonëse kjo e fundit mohoi se përkrah ndonjë subjekt a kandidat politik në zgjedhje?

Hamiti: Kjo është përpjekje e marrë e PDK-së për të mashtruar popullin e Kosovës gjoja për pro-amerikanizmin e tyre, dhe sidomos (shihe ti!) për gjoja përkrahjen e SHBA-ve ndaj një partie të tillë. SHBA-ja nuk merr anë në zhvillimet politike këtu. Eskperimenti i PDK-së me këtë protagonist problematik amerikan dëshmon për gjendjen e dëshpërimit që ka kapluar këtë parti, që është bërë shembëlltyrë e kapjes së shtetit, e korrupsionit. Cinizëm i rëndë është të pretendosh se ai që ka bërë korrupsionin do ta luftojë atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat