Ambasadori gjerman: Të rinisë dialogu, por të mos ngutemi me marrëveshje të shpejtë - Bota Sot
Ambasadori gjerman: Të rinisë dialogu, por të mos ngutemi me marrëveshje të shpejtë

Intervista

Ambasadori gjerman: Të rinisë dialogu, por të mos ngutemi me marrëveshje të shpejtë

Më: 24 tetor 2019 Në ora: 22:18
Ambasadori gjerman, Christian Heldt

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, në një intervistë për Express ka folur për zgjedhjet në Kosovë dhe për pritjet që ka nga fituesi, edhe në raport me Serbinë. Heldt ka komentuar negociatat mes LDK’së e Vetëvendosjes. Ai është përgjigjur nëse refuzon të fotografohet në zyrat e VV’së për shkak të flamurit kuq e zi e mungesës së flamurit të Kosovës. Ndonëse SHBA’ja kërkon që të arrihet shpejt një marrëveshje Kosovë – Serbi, ambasadori Heldt thotë se Gjermania nuk dëshiron ta nxit askënd për marrëveshje të ngutshme dhe se do që ajo të zgjidh të gjitha problemet mes Kosovës e Serbisë.

Si i shihni rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë?

Ambasadori Heldt: Tani ne ende po i presim rezultatet finale dhe shpresojmë që numërimi do të përfundojë sa më shpejtë të jetë e arsyeshme për të eliminuar krijimin e legjendave dhe në mënyrë që të gjithë të kenë një pasqyrë më të qartë rreth ravijëzimit të mundshëm të një koalicioni qeverisës. Me përjashtim të problemeve sistematike në zonat e banuara nga komuniteti serb, Misioni Vëzhgues i BE-së ka dhënë një vlerësim pozitiv rreth mbajtjes së zgjedhjeve me mangësi të izoluara. Prandaj e përgëzoj Kosovën, Komisionin Qendror Zgjedhor dhe para së gjithash popullin e këtij vendi për pjesëmarrjen e madhe dhe për procesin e rrjedhshëm në ditën e zgjedhjeve. Kjo është demokraci!

Negociatat mes dy partive, LDK’së dhe Vetëvendosjes, nganjëherë po kanë tensionet e veta. A mund të pres Kosova shumë gjatë për një qeveri të re?

Ambasadori Heldt: Siç thashë, ne të gjithë po i presim rezultatet finale, çfarë mund të ndryshojnë kandidatët kryesor, VV-ja dhe LDK-ja këtu? Jo, mendoj se është gjë e mirë që janë duke u zhvilluar bisedimet e para, por e kuptoj gjithashtu që të gjitha palët duan të respektojnë rregullin kushtetues, i cili e thotë qartë që së pari nevojiten rezultatet finale dhe më pastaj, si hap i dytë Presidenti me obligimin e tij kushtetues, të mandatojë fituesin për të krijuar qeverinë e re. Do të na duhet të tregohemi të durueshëm: Bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës kurrë nuk janë të lehta, posaçërisht kur qëllimi është bashkëpunimi i bazuar në program dhe politika dhe jo në interesa personale. Kjo kërkon kompromise. Prandaj është e natyrshme që ky proces të marrë ca kohë.

Vetëvendosjes para flamurit të Shqipërisë. Si e shihni ju prezencën e flamurit kuq e zi në zyrën e partisë që i fitoi zgjedhjet në Kosovë, sipas rezultateve preliminare?

Ambasadori Heldt: Qëndrimi i qeverisë sime ndaj simboleve të shtetësisë dhe shtetit të Kosovës është i njohur. Unë personalisht mendoj që qytetarët e këtij shteti i kanë të gjitha arsyet për të qenë krenar me to dhe e shoh edhe popullaritetin në rritje për shembull në fushat sportive, duke qenë vetë një adhurues i madh i ekipit kombëtar të futbollit të Kosovës.

Në një takim që ju e keni pasur me z. Albin Kurti në fund të shtatorit, jeni fotografuar me të para selisë së VV’së, por jo brenda. A është flamuri i Shqipërisë arsyeja që ju asnjëherë nuk keni publikuar fotografi nga ndonjë takim formal në zyrat e VV’së?

Ambasadori Heldt: Pse duhet të jetë një fotografi në hyrje të ndërtesës së Lëvizjes Vetëvendosje! më pak e përshtatshme?

Ka pasur gjithmonë dyshime nëse BE dhe SHBA’ja do ta përkrahte fuqishëm një qeveri që do të udhëhiqte z. Kurti për shkak të pikëpamjeve të tij të ditura. Cilat janë pritjet tuaja nga një udhëheqje e Kurtit.

Ambasadori Heldt: Edhe një herë, ka disa hapa të përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës që cilët duhet të ndiqen. Për ata, të cilëve mandej do t’iu jepet besimi i përgjegjësisë qeverisëse, me rëndësi do të jetë që t’i përmbushin pritjet, gjegjësisht shpresat e votuesve. Këto shpresa kanë të bëjnë me hapa konkretë në të gjitha sferat e jetës për ta çuar Kosovën përpara. Ky vend ka aq potencial sa që ka nevojë për dhe e meriton një qeverisje, e cila ia mundson lulëzimin e plotë. Ne të gjithë i kemi të njohura prioritetet e shoqërisë së Kosovës, të cilat i ndajmë ne gjermanët: sundimi i ligjit dhe qasja e barabartë në drejtësi të paanshme për të gjithë qytetarët, zëvendësimi i nepotizmit me punësim në bazë të meritave, sidomos në sektorin publik; arsimi cilësor, përfshirë aftësimin profesional për të krijuar më shumë perspektiva të punësimit, lufta kundër korrupsionit. Do të mund të vazhdoja edhe më. Në fushën e politikës së jashtme, ne si investitorë të Procesit të Berlinit jemi natyrisht të interesuar të nxisim edhe më shumë bashkëpunimin rajonal. Për këtë, pengesa e fundit e madhe në rajon duhet më në fund të kapërcehet, duke e gjetur një zgjidhje të qëndrueshme: raportet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të njëjtën kohë, BE dhe SHBA’ja kërkojnë nga Kosova dhe Serbia t’u kthehen bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshja së më shpejtë. A shihni ndonjë shancë për vonesë me z. Kurti si kryeministër i Kosovës?

Ambasadori Heldt: Qëndrimi gjerman është i qartë dhe unë e kam theksuar atë në raste të ndryshme: Ne argumentojmë dhe mbështesim një marrëveshje përfshirëse dhe të qëndrueshme, ligjërisht të detyrueshme, e cila i zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kontribuon në stabilitetin rajonal. Arritja e një marrëveshjeje të tillë merr kohë dhe ne duam që ajo të arrihet në mënyrë solide ashtu që të zgjidhen të gjitha çështjet njëherë e përgjithmonë. Prandaj ne nuk duam ta nxisim askënd për të nxituar në arritjen e kësaj marrëveshjeje kyçe. Por ne besojmë që është koha e fundit për të rinisur procesin e bisedimeve. Unë besoj fuqishëm që kjo pikësëpari dhe më së shumti është në interes të Kosovës: Një normalizim i njëmendtë më në fund do të mundësonte përqendrimin në sfidat e vërteta për rajonin në tërësi. Prandaj unë kam besim që qeveria e re do të fillojë punën në këtë çështje komplekse që nga dita e parë

Z. Kurti ka thënë se ai do të mbajë tarifën ndaj produkteve serbe derisa Kosova të vë masa reciprociteti ndaj Serbisë. A keni shpresë që Qeveria e re do t’i largojë ato që ju i quani pengesë për dialogun mes Kosovës e Serbisë?

Ambasadori Heldt: Ne duket ta kemi parasysh që të dyja palët i kanë vendosur pengesa një dialogu konstruktiv që pritet nga dy akterë, të cilët betohen për normalizim. Ne padyshim do të vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje palëve për t’iu kthyer bisedimeve serioze dhe konstruktive, pasi që mbarë Europa dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë vërtetë janë të interesuar për ta zgjidhur këtë histori që kurrë nuk po merr fund. Kjo mund të bëhet vetëm në një atmosferë të respektit të ndërsjellë dhe të dyja palët mund të angazhohen për këtë. Për Kosovën kjo do të thotë konkretisht tërheqja nga taksa 100%. Ajo e dëmton bashkëpunimin rajonal për të cilin ne gjermanët jemi veçanërisht të interesuar, ajo e dëmton tregtinë, por edhe ekonominë dhe konsumatorët kosovarë. Shumë është investuar në bashkëpunimin rajonal për të çuar përpara tërë Ballkanin Perëndimor, por para së gjithash dhe më së shumti Kosovën.

Si e keni parë punën e zonjës Mogherini në ndërmjetësimin e dialogut dhe a duhet të jetë Kosova e shqetësuar me zgjedhjen e zoti Joseph Borrell Përfaqësues i Lartë?

Ambasadori Heldt: Pas kontributit të vlefshëm të Përfaqësueses së Lartë në largim, pasardhësi i saj do të ballafaqohet me sfidën e pritjeve të mëdha për të zgjidhur çështjen komplekse të normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë brenda mandatit të tij. Unë në mënyrë të përsëritur e kam theksuar se Bashkimi Europian e mban timonin e këtyre bisedimeve për një arsye të mirë: ai vepron në emër të gjithë familijes europiane. Kjo i jep një rëndësi të veçantë dialogut. Pra edhe Kosova duhet ta shohë emërimin e z. Borel si një mundësi të madhe. Ai do të jetë në fokus të sfidave të mëdha globale për BE-në. Megjithatë ai e ka deklaruar tashmë interesimin e tij të njëmendtë për Kosovën, duke e paralajmëruar vizitën e tij të parë në Prishtinë. Ballkani Perëndimor dhe në veçanëti rinisja e dialogut bën pjesë ndër prioritetet e tij më të larta. Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe ta mirëpret atë në besim dhe me mikpritje të përzemërt, të cilën e ndjenë secili mysafir që vjen këtu.

Z. Borrell së fundi ka thënë se Kosova nuk mund të konsiderohet si shtet i pavarur pa u njohur nga Rusia dhe Kina. Cfarë mund të pres Kosova nga një Përfaqësues i Lartë që jep këso deklarata?

Ambasadori Heldt: Kush jam unë që t’i interpretoj deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të ardhshëm? Ju duhet t’i besoni një njeriu, i cili flet sinqerisht. A e keni parë vërtetë ndërhyrjen e tij të plotë në Parlamentin Europian? Unë e kam parë dhe kam parë një njeri që vërtetë do që të angazhohet. Një njeri, i cili e pranon që nevojitet të bëhet më shumë dhe i thërret të dyja palët për angazhim. Një përfaqësues i lartë i ardhshëm, i cili paralajmëroi që njëri nga destinacionet e tij të para për të vizituar do të jetë Prishtina. Prandaj unë jam i bindur që ai do të jetë i angazhuar si një përfaqësues i vërtetë i interesave europiane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat