Mehmet Kraja: Ia dolëm ta zmbrapsim një dredhi politike, ku Kosova mund të thyente shtyllën kurrizore - Bota Sot
Mehmet Kraja: Ia dolëm ta zmbrapsim një dredhi politike, ku Kosova mund të thyente shtyllën kurrizore

Intervista

Mehmet Kraja: Ia dolëm ta zmbrapsim një dredhi politike, ku Kosova mund të thyente shtyllën kurrizore

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 30 tetor 2019 Në ora: 07:59
Mehmet Kraja

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Kraja ka deklaruar se Kosova është e përfshirë nga një analfabetizëm funksional i përmasave të frikshme. Në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, Akademik Kraja ka folur mbi krizën morale, politike e kulturore që e ka kapluar vendin. Do të lexoni rreth situatës në të cilën gjendet sot ASHAK. Pse sipas Akademik Krajës është e rëndësishme ideologjia apo se kë përkrah një shkrimtar i cili merr çmimin Nobel. Nga ana tjetër, ai ka potencuar se, skena jonë politike përfundimisht është e korruptuar, tërësisht amorale dhe burim i të gjitha idiotizmave.

“Bota sot”: I nderuar z. Kraja, në çfarë situate ndodhet Akademia e Shkencave dhe cilat kanë qenë, po them kushtimisht kontributet e saj për shtetin e Kosovës? A ka mundur të bëjë diçka e që s’është bërë?

Akademik Mehmet Kraja: Akademia është pjesë e realitetit kosovar, e cila bart mbi vete, përveç tjerash, edhe një stigmë, një si përçmim dhe një kërkesë joreale për të bërë të pamundurën. Pse them të pamundurën? Sepse janë 38 veta me nja 20 profile profesionale (letërsi, studime letrare dhe albanologji; arte pamore dhe muzikë; sociologji, gjeografi, ekonomi, drejtësi, histori, filozofi dhearkeologji; kimi, fizikë, matematikë, mjekësi, inxhinieri, elektroteknikë dhe ndonjë që mund ta kem harruar), prej të cilëve shpesh kërkohet të japin përgjigje në pyetje thelbësore për Kosovën, kryesisht në punët e politikës, të qeverisjes dhe të bisedimeve me Serbinë, në një kohë që Akademia është honorifike dhe anëtarët e saj janë aty për kontribute në fushat përkatëse të shkencës dhe të artit. Përveç kësaj, anëtarët e Akademisë nuk janë ekip unik, janë individualitete me pikëpamje divergjente... Megjithatë, disa gjëra Akademia ka mundur t’i bëjë më mirë, ta zëmë, të mos mbështesë ndarjen e Kosovës, të thotë mendimin e saj për një sërë çështjesh që shqetësojnë njerëzit tanë, veçmas ato që lidhen me shtetin dhe funksionimin e tij, me arsimin, me shëndetësinë, për ndërtimin e “Kosovës së Re” etj. Por ka edhe një gjë: Akademia nuk ka mandat, as forcë ekzekutive për të përmirësuar keqqeverisjen dhe as për të ndaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar, apo për të nxitur integrimet. Gjithashtu, nga Akademia e Kosovës duhet hequr një herë e mirë krahasimin me Akademinë e Serbisë, sepse Akademia e Serbisë është modeli më i keq nga të gjitha akademitë e botës. Ajo ka shkaktuar shumë tragjedi. Më anë tjetër, kam vënë re, tash së fundi, se kritika ndaj Akademisë është e leverdishme në disa institucione, pastaj është një “mbulesë” e mirë për konformizëm, ose për kultivimin e diskursit kritik pa asnjë funksion.

“Bota sot”: Së fundmi, iu nda çmimi Nobel edhe shkrimtarit Peter Handke. Kjo zgjoi reagime të shumta në opinion, veçmas atij shqiptar në tërësi. Pyetja që dua të bëj është; pse qenka e rëndësishme kaq shumë se cilën ideologji apo cilin lider e përkrah një – në këtë rast – shkrimtar? P.sh, shumë herë është përmendur për të keq edhe neglizhenca e Heideggerit për atë çfarë bënë nazistët.

Kraja: Raportet e shkrimtarëve me pushtetet, me diktaturat, me ideologjitë etj., janë diskutime që nuk mbarojnë kurrë. Në rastin e Peter Hankes dua të jem i qartë dhe decidiv: ai e keqpërdori letërsinë, kredon dhe lavdinë që ngre ajo, për tëmbështetur një kriminel lufte, Millosheviqin. Kjo është e para. E dyta, vepra e Handkes (unë e kam lexuar një pjesë të vogël të saj), nuk është shkrimtar, vepra e të cilit arrin t’i bëjë të parëndësishme pikëpamjet e tij politike, siç ndodh me shumë shkrimtarë të botës. Madje, krijohet përshtypja se pikëpamjet e tij skandaloze politike ishin argumenti kryesor që nxiti Komitetin e Nobelit ta vlerësojnë me çmim, në një kohë që ai kurrë dhe kurrë nuk mund të krahasohet me Kunderën, ta zëmë, dhe së paku me një duzinë shkrimtarësh të tjerë të Europës, që ende nuk e kanë marrë këtë çmim. Ndërkaq, siç mund ta keni vërejtur, me këtë rast janë përmendur edhe dy shkrimtarë të tjerë që kanë marrë Nobelin: Sartri dhe Knut Hamsuni. Sartri, kur e refuzoi Nobelin, ishte maoist dhe arsye e tij ishte se paratë e këtij çmimi fitoheshin nga “gjaku i klasës punëtore”! Duhet të jemi të qartë në këtë pikë, sepse spekulimet gjysmë-politike nuk i shërbejnë më askujt. Edhe me shkrimtarin norvegjez Knut Hamsun çështja qëndron ndryshe: Atij vërtet nuk iu mor çmimi, ngase ishte mbështetës i nazizmit, por u ndëshkua aq rëndë nga shteti, sa që më 1952 vdiq në mjerim të thellë, mbasi iu konfiskua pasuria dhe iu ndaluan veprën. Më sa më kujtohet, u rehabilitua plotësisht vetëm më 2008, gjashtëdhjetë vjet pas vdekjes...Dhe tani, sekush del e thotë se akademitë e Kosovës dhe Shqipërisë nuk është dashur të reagojnë me këtë rast. Dhe kush e thotë! Po ai që ndonjë muaj më parë kërkonte që Akademia e Kosovës të reagonte për një fjalim të Gojko Gjogos në Graçanicë!

“Bota sot”: Ju personalisht çfarë qëndrimi keni për sistemin komunist që kaloi për afër 50 vite Shqipëria?

Kraja: Shqipëria dhe Kosova. Vetëm se situata jonë ka qenë shumë specifike: në Shqipëri sundonte një diktaturë e egër, ndërsa Kosovës, për të ruajtur identitetin dhe për të mbajtur gjallë idenë kombëtare, i duhej Shqipëria, çfarëdo që të ishte ajo. Kurse ajo ishte komuniste dhe staliniste. Tani, si mund të ndahej një Shqipëri reale, e përfshirë e tëra nga diktatura, nga një Shqipëri ideale, aq e domosdoshme për secilin kosovar? Në bindjet tona, midis lojalitetit jugosllav me parashenjë të qartë antishqiptare, dhe diktaturës enveriste, shumica e kosovarëve zgjodhën këtë të dytën, për të ruajtur identitetin dhe fytyrën. Ata që zgjodhën të ashtuquajturin liberalizëm jugosllav edhe sot mund t’i shihni rrugëve të Prishtinës dhe t’i lexoni në medie, si kontingjent i përshtatshëm për ta vënë në jetë ndarjen e Kosovën ose për integruar Kosovën në një federatë të re, të ngjashme me atë të ish-Jugosllavisë.

“Bota sot”: Ismajl Kadare, është nominuar disa herë për çmimin Nobel por s’e merr dot. Cili është shkaku, sipas jush?

Kraja: Mendoj se nuk ka shkak të vërtetë, por ka pak konspiracion dhe më shumë shije të anëtarëve të Komitetit të Nobelit, të cilët duket se i zbatojnë me shumë kujdes kriteret e tyre, që nuk iu gjendet filli. Por, në këtë mes, më e rëndësishmja është që Kadare është shkrimtar i mirë.

“Bota sot”: Vendi, që prej kohësh është tërësisht në krizë morali, që ka përfshirë edhe individët, edhe komunitetet, edhe institucionet, edhe shoqërinë civile. Sipas jush, cila është rrugëdalja nga kjo krizë?

Kraja: Krizat zakonisht nuk vinë vetë, nuk janë as të shkëputura nga realiteti aktual dhe historik, nuk janë të shkëputura as nga mentaliteti dhe etnopsikologjia. Falsiteti moral i shoqërive konservative, te ne i shartuar me injorancë, është problemi i parë. Së dyti, falsiteti moral i “modernitetit”, gjithashtu i shartuar me injorancë, është problemi i dytë. Marrë në përgjithësi, them unë, janë nja dhjetë shkaqe që e kanë prodhuar këtë gjendje, por gjithnjë, nga i pari tek i dhjeti, në këtë shkallëzim faktorësh qëndron mungesa e emancipimit, bashkë me ndonjë nën faktor tjetër. Me një fjalë, në rrethanat tona, injoranca prodhon demokraci jofunksionale, injoranca prodhon pushtet të korruptuar, injoranca prodhon krizë morale, injoranca nxjerr në sipërfaqe vese njerëzore të shëmtuara, injoranca është krah i fortë i korrupsionit, e kështu me radhë.

“Bota sot”: A mund të ndikoj feja në këtë drejtim?

Kraja: Feja nuk ka kuptim, nëse nuk e lartëson njeriun dhe nuk e ndan atë nga veset e ulëta. Por te ne feja merret me politikë, nuk merret shpirtrat e bjerrë, pra është e korruptuar në përbërësit e saj themelorë. Morali fetar te ne nuk qëndron mbi pragmatizmin e një shoqërie në krizë vlerash. Ajo që nuk ka kuptim në rrethanat tona, është një shpërpjestim i ndjeshëm ndërmjet shtimit enorm të njerëzve që praktikojnë fenë, në një kohë që shoqëria sharron gjithnjë e më shumë në krizë morale. Kosova kurrë nuk ka pasur kaq shumë besimtarë, veçmas te gjeneratat e reja, por kurrë nuk ka pasur kaq shumë gënjeshtër, hajni, krim, kurvëri dhe çdo gjë tjetër që lidhet me cenimin e vlerave njerëzore. Me një fjalë, feja te ne nuk merret me punët e veta, por me punët që nuk takojnë asaj.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për lexuesin e sotëm?

Kraja: Njerëzit sot lexojnë më shumë se ç’kanë lexuar ndonjëherë, por kjo nuk i ka bërëas më të mirë dhe as më të dijshëm, që domethënëse nuk lexojnë gjërat e duhura. Për shkak të mungesës së emancipimit, për shkak të shkatërrimit të sistemit arsimor, Kosova tashmë është e përfshirë në tërësi nga një analfabetizëm funksional i përmasave të frikshme. Në një shoqëri me mungesa kaq të theksuara emancipuese, të kërkosh lexuesin është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Këtu dua të them edhe një gjë tjetër: kam vënë re se njerëzit mendojnë shpesh se lexuesi është në funksion tëatyre që në një mënyrë e nxjerrin bukën me anë të shkrimit, siç janë shkrimtarët, gazetarët etj. Ky është perceptim i gabuar i leximit. Sa për mua, për punët e mia, askush të mos lexojë asnjë shkronjë! Vetëm se mbetet e paqartë se me çka do ta ushqejnë shpirtin këta njerëz, sepse shpirti nuk ushqehet me kashtë!

“Bota sot”: Në ç’situatë është vendi jonë, z. Kraja? Pra, a mund që, moralisht të dalim para atyre që dhanë jetën e t’iu themi: E bëmë atë për të cilën dhatë jetën?

Kraja: Unë nuk jam politikan, por unë kam përgjegjësi për këtë vend, siç ka çdo qytetar luajal. Përgjegjësia ime konsiston në dy rrafshe kryesore: në krijimin e vlerave dhe vetëdijesimin e audiencës për ato vlera dhe në punën institucionale, ku jam i përfshirë. Nëse të gjithë e shikojmë ku i kemi përgjegjësitë tona, do të dalë shumë qartë se çfarë bëmë dhe çfarë nuk kemi arritur të bëjmë. Kosovën nuk e bëmë shtet ideal dhe kjo është e qartë. Për këtë shumë njerëz akuzojnë klasat politike, të tjerët akuzojnë intelektualët, historinë, trashëgiminë; sekush akuzon mediet e kështu me radhë. Pra, në një mënyrë, jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës të kësaj situate. Unë them jo. Përgjegjësitë duhet të diferencohen. Nuk ka më përgjegjës anonimë, bota nuk e pranon këtë. Nëse ka përfitues të identifikuar të pavarësisë së Kosovës, duhet të ketë edhe përgjegjës të identifikuar. Pra, me një fjalë, ne nuk bëmë atë që duhej, kjo na dhemb të gjithëve, dhe tani kemi ngelur në këtë pikë. Duhet të kërkojmë përgjegjësit dhe t’i ndëshkojmë ata, pra t’i heqim qafe.

“Bota sot”: Nga rilindësit, kush është në preferencat e juaja dhe përse?

-Të gjithë pa përjashtim, por ata që na e lënë trashëgim këtë gjuhë të mrekullueshme, të kultivuar, meritojnë respekt më së shumti.

“Bota sot”Gjatë krijimtarisë suaj, flas në periudhën e hershme, a ka pasur ndonjë shkrimtar apo publicist i huaj që kur e keni lexuar, keni thënë: ah sa do tëdoja të isha si ky? Kush ka qenë modeli juaj në letërsi?

Kraja: Sigurisht që ka pasur modele, secili shkrimtar i ka, por, me kohë, bën përpjekje të lirohesh prej tyre. Tani unë kam një moshë dhe modelet nuk funksionojnë më. Megjithatë, ndonjëherë kam dashur të jem i verbër si Homeri, që ta ndjej kuptimin e fjalëve në palcën e tyre, pa “stoli” tëndijimeve dhe perceptimeve tëjashtme; kurse herë tjetër kam dashur të jem si Dante, të zbres në Ferr dhe t’i gjej atje një numër bashkëkohanikësh të mi, të mbushur smirë dhe të prirë nga shumë ligësi të neveritshme, të cilët më kanë lënduar me shpifje dhe gënjeshtra. Unë nuk kam vrarë asnjeri, ata më kanë vrarë mua shumë herë!

“Bota sot”: Si ju duket veprimtaria kulturore, arsimore dhe shkencore që zhvillohet përreth jush, në seminare ndërkombëtare që organizojnë fakultetet, në konferenca shkencore të instituteve dhe të akademive?

Kraja: Unë nuk jam shkencëtar, jam shkrimtar dhe nuk dua të dal nga ky vokacion. Megjithatë, unë jam pjesë e një realiteti shoqëror dhe kulturor, jam pjesë e një ambienti dhe komuniteti krijues, ku ndonjëherë ndihesh keq, për shkak të përpjekjeve që në punët e shkencës dhe të krijimtarisë artistike të futet kriteri politik ose klanor për matjen e vlerave. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë te ne: PDK-ja i ka shkrimtarët dhe shkencëtarët e vet, LDK-ja gjithashtu. I kanë edhe profesorët, akademikët, piktorët, kompozitorët, publicistët dhe gazetarët. Kjo është për të ardhur keq. Mbi këtë kriter shpesh maten edhe vlerat ose jo vlerat. Më anë tjetër, në fushën e studimeve letrare, bie fjala, ku unë mund të kem më shumë njohje, ka shumë epigonizëm, mungesa metodologjike, ndonjëherë edhe dështime lapidare, sa i përket objektit të studimit. Ta zëmë, do të gjeni jo pak disertacione ose kumtesa e referate, që pretendojnë të jenë kurorë e studimeve letrare, për autorë mediokër, të cilët ta shpifin si shkrimtarë. Studime me defekte serioze do të gjeni edhe në fushën e historisë së letërsisë, ku marrjet në fushën e metodologjisë së studimit dhe të metodës, ani që përpiqen të ambalazhohen si avangarde, paraqiten të vonuara për nja pesë dekada. Por, mbi të gjitha, dëshpërues është fakti se te studimet letrare synohet të bëhen “shpërthime” të panatyrshme: nuk kemi shkrimtarë, ose kemi shumë pak të tillë që mund ta meritojnë këtë atribut, por kemi jashtëzakonisht shumë studiues të letërsisë. Pra, edhe në këtë fushë tashmë është instaluar klientelizmi dhe korrupsioni dhe ndonjë mbrapshti tjetër e kësaj natyre.

“Bota sot”:Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Kraja: Kjo është temë më vete, e cila kërkon një analizë më të plotë. Megjithatë, çfarëdo që të themi për gjendjen aktuale politike në Kosovë, duhet së pari t’i bëjmë një analizë sado të përciptë klasës sonë politike thellësisht jocilësore dhe me një aftësi të çuditshme për të rigjeneruar negativitetet. Nga zgjedhjet e fundit mund të nxirret një përfundim: Skena jonë politike përfundimisht është e korruptuar, tërësisht amorale dhe burim i të gjitha idiotizmave. Një proces zgjedhor që u duk se shkoi mirë, shihni tani se çfarë bëhet për ta përmbysur rezultatin, për ta futur “Nismën” në Parlament dhe për t’i dhënë shkelmin “Vetëvendosjes” në momentin e përshtatshëm, ose për “relativizuar” fuqinë e saj në qeverisje. Pse? Thjeshtë sepse “Vetëvendosjes” ende nuk i është matur “fleksibiliteti” në shitblerjet korruptive. E njëjta gjë ndodhi, kur “Vetëvendosje” e mori qeverisjen në komunën e Prishtinës: iu vërsulen që ta shkatërronin qeverisjen e saj dhe ia dolën. Por çfarë prodhuan? Një qeverisje komunale të dështuar, të cilën nuk e meriton as Ranillugu. Kam frikë se kjo do të ndodhë edhe me qeverinë e Albin Kurtit dhe, që të jem i qartë, kjo nuk ka të bëjë me mbështetjen time eventuale për liderin e “Vetëvendosjes”, por thjeshtë me ndotjen pa karar të skenës sonë politike, e cila, mbi të gjitha, del se është tinëzare dhe djallëzore. Në anën tjetër, klasa jonë politike nuk po arrin të emancipohet në asnjë nga parametrat e saj moralë dhe civilizues: zgjedhjet e radhës e vërtetojnë këtë, të cilat nxorën në sipërfaqe edhe përfaqësues të gjeneratës së re, por të cilët tashmë janë dëshmuar si kleptomanë të rryer: janë ca tridhjetëvjeçarë që duken më “cool” dhe të mahnitin me aftësitë e tyre për të manipuluar audiencën. Hë për hë, kjo është cilësia e tyre e vetme.

“Bota sot”:A është larguar përfundimisht ideja për prekjen e territorit të Kosovës në këmbim të një marrëveshjeje finale me Serbinë, apo ende duhet të kemi frikë?

Kraja: Jo, frikë nuk duhet të kemi, madje duhet të jemi aq të guximshëm, sa të përballemi në çdo rrethanë me njerëz që shesin idealet për kauza personale. Në historinë e Kosovës situata të këtilla ka pasur edhe në të shkuarën dhe njerëzit tanë kanë ditur të japin përgjigjen e duhur. Një situatë e ngjashme e tregtisë me Kosovën ka qenëpas Luftës së Dytë Botërore, më 1945, me mbledhjen e Prizrenit; pastaj në kohën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur klasa e atëhershme politike, e kërcënuar nga Millosheviqi, shiti autonominë e Kosovës për të shpëtuar bythën e vet. Kjo ndodhi edhe më vonë, por nga një palë tjetër, kur u bënë përpjekje të “kontrabandoheshin” marrëveshje politike për pacifizuar Kosovën, gjatë viteve ’90. Por a është vdekur ideja për ndarjen e Kosovës? Them se po, jo për shkak të bindjes së faktorit ndërkombëtar vendimmarrës, por më shumë për shkak të vetëdijesimit dhe qëndrueshmërisë së faktorit të brendshëm: Njerëzit në Kosovë tashmë e kanë kuptuar se marrëveshja finale me Serbinë as është urgjente, as e domosdoshme, së paku jo në atë masë, sa të sakrifikohet integriteti i vendit. Fundja, të gjithë e dinë se kush ishte viktimë dhe kush agresor në luftën e fundit, por edhe gjatë historisë. T’i barazosh viktimën dhe agresorin është sulm i paprecedent mbi vlerat njerëzore dhe mbi një spekulim të këtillë nuk mund të merret Çmimi Nobel për Paqe.

“Bota sot”: Presidenti i vendit Hashim Thaçi, pat deklaruar se disa pjesë në veri i janë dhuruar Kosovës në kohën e Rankoviqit dhe si të tilla mund t`i “kthehen” Serbisë dhe Kosovës t`i kthehet pjesa lindore, Presheva, Bujanovci e Medvegja, çfarë mendimi keni ju, a duhet të ndodhë shkëmbimi i territoreve?

Kraja: Jo, nuk është vërtetë as njëra, as tjetra. Unë për këto gjëra jam shprehur disa herë, madje, të më falë lexuesi për jomodesti, që në fillim të fillimit, kur ende shumë njerëz nuk e kanë pasur të qartë se çfarë po ndodhë. Nuk më duket e arsyeshme t’i përsëris gjërat, sepse kanë qenë shkrime që kanë pasur qarkullim të jashtëzakonshëm dhe besoj se kanë ndikuar për krijimin e opinion lidhur me këtë problematikë. Tani unë jam i qetë dhe disi i lumtur që ia dolëm ta zmbrapsim një dredhi politike të pashembullt, një grackë, në të cilën Kosova mund të thyente jo ndonjërën gjymtyrë, por shtyllën kurrizore.

“Bota sot”: Cili do të jetë roli i ASHAK-ut në këtë drejtim, pra në mbrojtjen e territorit të vendit?

Kraja: ASHAK nuk ka ushtri, as ministri të brendshme ose të jashtme. Në çasti kur të rifillojnë bisedimet me Serbinë, varësisht nga situata, do të dalim me qëndrimin tonë. Do të themelojmë një ekip “mobil”, që ta përcjellë situatën. Ndërkohë, jemi të përqendruar në disa problematika të tjera më urgjente për vendin: arsimi, emigrimi, “Kosova e Re”.

“Bota sot”: Si duhet të jetë marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi sipas jush?

Kraja: Marrëveshje paqësore midis dy shteteve: një agresori që e ka humbur luftën dhe një shteti tjetër, që ka qenë viktimë dhe e ka fituar atë dhe që tani ka të drejtë të kërkojë reparacione, ngjashëm me aleatët dhe Gjermaninënaziste dhe agresore pas Luftës së Dytë Botërore. Historia ofron shembuj me shumicë, mjafton t’i gjeni dhe t’i lexoni ato.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat