Atdheu ynë është Europa - Bota Sot
Atdheu ynë është Europa

Intervista

Atdheu ynë është Europa

Alfred Papuçiu Nga Alfred Papuçiu Më 31 tetor 2019 Në ora: 15:15
Prof. Dr. Isuf Kalo

Kisha disa muaj pa e takuar profesor doktor Isuf Kalon, atë korrik të vitit 2009. Vendosa atëhere ti marr një intervistë profesorit, të cilën po ja u paraqes lexuesve të “Bota Sot”. Ajo është aktuale edhe sot për mendimet e shprehura nga Prof. Isuf Kalo. Natyrisht kam shmangur gjithçka ai ka shprehur tashmë tek libri i tij “Blloku” dhe jam përqëndruar tek mendimet e tij si mjek me një përvojë edhe ndërkombëtare.

 E kam njohur qysh në vitet 90-të kur ai punoi pranë klinikës së mikut tonë të përbashkët, Prof. Dr. Jean-Philippe Assal  në Gjenevë, për 6 muaj rresht dhe në fund u largua, duke marrë me vete pajisje për klinikën e diabetologjisë në Tiranë. Ishte një dhuratë e profesor Asalit dhe e Spitalit Kantonal Universitar të Gjenevës për Shqipërinë. Pastaj gjatë viteve e kam takuar shpesh herë Isufin, i cili “ i mban miqtë pranë vetes”. Kemi bashkëpunuar disa herë bashkërisht dhe së fundi për librin e Prof. Jean-Philippe dhe psikologes së nderuar, Anne Lacroix, ish kolege për disa muaj e imja, me titull “Vetëedukimi i pacientëve me sëmundje kronike”. Një botim tepër domethënës që i nderuari Isuf Kalo e redaktoi me tepër profesionalizëm, pas përkthimit tim dhe që e përmend edhe në librin e tij  “Mes ëndrrës europiane dhe realitetit shqiptar”. Një libër voluminoz prej 510 faqesh, ky i fundit, por që lexohet me një frymë për problemet që trajton, sidomos për shëndetësinë, por edhe për të shkruarit thjesht, pa artifica dhe me një gjuhë të kulluar shqipe. Të flasësh për profesor, doktor Isuf Kalon duhen orë të tëra dhe përsëri nuk është e mjaftueshme. Ai ka lindur në Luzat të Tepelenës në vitin 1942. Kreu Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë më 1964. Është specializuar në disa vende të Europës për Diabetologji. Ai është një nga pionierët dhe novatorët e shquar të këtij specialiteti në Shqipëri. Miku ynë Jean-Philippe  që nuk don ta quaj akoma profesor, por thjesht shok, më ka folur disa herë për kulturën e gjërë të Isufit dhe për ndihmesën që ai ka dhënë edhe për diabetologjinë europiane. Së fundi, ai më dhuroi edhe një libër në anglisht, frut i bashkëpunimit të tij me Isuf Kalon.


Alfred Papuçiu: Ju keni përmendur në librin tuaj profesor Jean-Philippe Assal, i cili është dhe një nga pionierët e edukimit terapeutik të pacientëve. Kohët e fundit unë kam biseduar me të në shtëpinë e tij dhe ai ishte i shqetësuar lidhur me përqindjen e pacientëve që vuajnë nga diabett në Shqipëri. Këtë e ka theksuar edhe në bisedë që ka bërë me ju. Tani, çfarë prisni ju nga profesor Assali, pra si mund të ndihmojë ai nëpërmjet Fondacionit të tij, apo edhe Diaspora shqiptare si mund të kontribuojë në këtë drejtim? Pasi më duket se kjo Diasporë është lënë pak pas dore, jo vetëm nga autoritetet shëndetësore në Shqipëri, por edhe nga Instituti i Diasporës. Cdonjeri mund të ndihmojë dhe mund të japë diçka. Të kujtojmë se si është shprehur Nënë Tereza, sikur çdonjeri të kontribuojë dhe një pikë Oqeani pak e nga pak mbushet.

Image

Shqiptari europian dhe danez, Isuf Kalo, për disa vjet ka drejtuar Katedrën dhe shërbimin e sëmundjeve endokrine dhe metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe Spitalin Qëndror të Tiranës. Është “Doktor i Shkencave Mjekësore”, “Profesor” dhe “Punonjës i Shquar” i shkencës shqiptare. Në vitin 1991, pas një konkursi midis disa dhjetra mjekëve nga vende të ndryshme të botës, doli i pari dhe u punësua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në krye të programit të saj europian për sëmundjen e diabetit dhe më vonë deri në vitin 1995, si drejtues i sistemeve shëndetësore në Europë. Prof. Aswal, ish drejtor i Byrosë Rajonale të OMS-sit në Kopenhagë më ka folur me respekt për punën shëmbullore të Isufit. Ai është themelues i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore në Shqipëri. Në një njëjtën kohë është bashkëpunëtor i OMS-it për problemet e diabetologjisë dhe cilësisë të institucioneve shëndetësore europiane dhe botërore. Prof. Kalo është konsulent shëndetësor i Bankës Botërore. Ka qënë këshilltar i jashtëm  i ministrit të shëndetësisë të Kosovës. Është autor i një sërë veprash e botimesh në shtypin mjekësor dhe të përditshëm shqiptar dhe atë të huaj. Njëkohësisht ai është edhe anëtar nderi në disa shoqata mjekësore ndërkombëtare dhe europiane. Në 27 korrik 2009 në takimin tonë të përbashkët në Lozanë, ai më dhuroi librin “Mes ëndrrës europiane dhe realitetit shqiptar” me shënimin: “Alfredit, me mirënjohje për bashkëpunimin tonë prej vitesh. Miqësisht. Isufi”.

Duke marrë shkas nga ky libër tepër domethënës dhe udhërrëfyes për shëndetësinë shqiptare, mendova që të realizoj  një intervistë ekskluzive që edhe sot është aktuale. Libri përmban ndër të tjera parathënien e Akademikut Besim Elezi, i cili ndër të tjera shprehet: “Në dallim nga frazeologjitë retorike të tipit të plenumeve, parlamenteve e mitingjeve, lexuesi do të shijojë në këto shkrime një stil elegant e të këndshëm. Kjo e kthen leximin e këtij libri dhe në një kënaqësi estetike. Nëpër rreshta gjithnjë do të lexoni, përveç reales së përditshme edhe shpresën e besimin që ëndrrat mund të bëhen realitet”.

Me një lexim të shpejtë të librit “Mes ëndrrës europiane dhe realitetit shqiptar” vëren se autori cek tema tepër të rëndësishme jo vetëm për mjekësinë shqiptare, por edhe për gjithë opinionin tonë publik. Të bëjnë përshtypje sidomos shkrimet e tij me tituj: “Në kërkim të cilësisë”, “Mjekësia, paraja, tregu: Qua va dis?”, Dallëndyshe të reja në fundvitin e mjekësisë sonë”, “Gabimet ‘e bardha’ dhe rreziqet e zeza të mjekësisë”, “Ta ndihmojmë shëndetësinë që të na ndihmojë”, “Obeziteti dhe dhjamosja”, “Letër profesorit tim”, “T’u jepet pacientëve zë, mbështetje dhe rol si partner”, “Ushqehemi keq”, “Refleksion” etj etj.

Kur punonte në “Pavionin 5” të Spitalit në Tiranë, nisi lidhja e tij me OBSH-në, ku Shqipëria kishte aderuar qysh në krijimin e saj. Kur profesor  Assal u dërgua nga OBSH-ja për të parë gjendjen e diabetit në Shqipëri, ai me t’u kthyer bëri një raport pozitiv dhe akoma e kujton me mall atë udhëtim të tij në Shqipëri që nga Veriu në Jug. Federata Botërore e Diabetit, në Kongresin e Uashingtonit, e shpalli Shqipërinë vendin me diabet më të suksesshëm, me mjete minimale.

Alfred Papuçiu: Jam këtu me profesor doktor Isuf Kalon, i cili na ka dhuruar librin “Mes ëndrrës europiane dhe realitetit shqiptar”. Është një libër voluminoz. Aty ka dhënë mendimet e tij profesori, edhe Akademiku Besim Elezi, Qemal Dika, shkrimtarja Miranda Haxhia dhe bashkëkombas të tjerë. Tani profesori mund të na thotë diçka mbi veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme si mjek, fillimisht në Shqipëri, pastaj në Byronë Rajonale të OBSH-së në Kopenhagë.

Isuf Kalo:
Kjo duhet të ishte një intervistë shumë e gjatë sepse unë kam një stazh prej mëse 45 vitesh në shëndetësi. Kam filluar punën si mjek i thjeshtë, si specialist në fushën e diabetit dhe endokrinologjisë dhe jam specializuar jashtë shtetit. Jam një nga krijuesit e këtij shërbimi në Shqipëri. Më pas kam qënë pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, drejtues i Katedrës së Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë në Spitalin Qëndror Universitar të Tiranës. Më vonë u punësova nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për degën e Europës, pikërisht për të drejtuar një program europian për sëmundjen e diabetit. Ky program u bë shkas që të niset edhe një program tjetër, si model për cilësinë e kujdesit shëndetësor. Ky ka qënë një nga programet më të suksesëshme të OBSH-së. Dhe nga ky zuri fill që u zhvillua më tej lëvizja për përmirësimin e cilësisë të kujdesit shëndetësor dhe gjithë sistemit shëndetësor dhe unë u bëra drejtues i këtij programi për Europën, deri sa dola në pension zyrtarisht sipas OBSH-së. Dhe atëhere isha para dilemës nëse do rrija në Kopenhagë, me nipërit dhe mbesat e mija, apo të kthehesha në Tiranë. Për fat të mirë m’u dha mundësia në Shqipëri që të hapja një qendër të re kombëtare, një institut të ri, të cilësisë, të sigurisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore. Kjo ishte një nga ëndrrat e mija, sepse këtë veprimtari e kisha nisur në vende të tjera të Europës, kur drejtoja një program në Kopenhagë. Me këtë ëndërr, mendoja që të vendosen në sistemin shëndetësor në Shqipëri disa mekanizma të munguara të këtij sistemi, siç janë ajo e standarteve, e matjes, e performancës së sistemit shëndetësor dhe treguesve të ndryshëm të produktivitetit të tij. Këto edhe lidhur me sektorë të tjerë që kanë të bëjnë me krijimin e shembujve të cilësisë, të praktikës më të mirë, udhërrëfyese se si duhet të ofrohen këto tek klinikat. Gjithashtu edhe për evidencën shkencore për të investiguar se cilat metoda janë më të mira dhe një lëvizje të re për të vendosur pacientët në qendër të sistemit shëndetësor. Është bërë për pacientët, si dhe për qytetarët në përgjithësi, por aktualisht ai duket sikur është pronë e “bluzave të bardha”, duke qënë pa llogaridhënie, në një mirëbesim nga popullata, dijnë të bëjnë atë që u është besuar të bëjnë. Kemi krijuar modelet e para të udhërrëfyesve të praktikës të klinikës së mirë. Pra që t’i themi mjekut jo të bëjë ashtu siç di ai, dhe aq sa di dhe aq sa mundet, por ashtu si duhet në të vërtetë dhe në mënyrën e duhur. Kjo duhet të jetë e shkruar që atij t’i kërkohet llogari dhe të ballafaqohet ajo që është bërë me atë që duhej bërë. Kjo është një lëvizje vërtetë e fuqishme dhe i kemi motivuar pacientët që të bashkohen. Kemi mundësi që edhe ata të edukohen, të njohin të drejtat e tyre, të luajnë rol sidomos në menaxhimin e sëmundjeve kronike. Sepse ata nuk mund të presin çdo gjë nga doktorët. Ata shumë herë duhet të marrin në dorë fatin e tyre. Për këtë arsye ata duhen ndihmuar dhe jo në mënyrë filantropike por institucionale, të programuar, duke bashkëpunuar me qendra të specializuara, si në Gjenevë, me profesor Jean-Philippe Assal, mik i vjetër i yni dhe i Alfred Papuçiut. Alfredi na ka ndihmuar që të përkthejmë një sërë dokumentash të rëndësishme, të tilla si për fuqizimin e rolit të pacientëve në sistemin tonë shëndetësor.

Alfred Papuçiu: Ju keni shkruar, siç përmenda edhe më parë librin shumë të vlefshëm me titull: “Mes ëndrrës europiane dhe realitetit shqiptar”. Këtu flisni për përvojën tuaj. Por çfarë doni të shprehni me botimin e këtij libri lexuesve shqiptarë, por edhe kolegëve shqiptarë dhe të huaj?

Isuf Kalo:
C’është e vërteta ky libër është një përmbledhje shkrimesh të cilët janë bërë në mënyrë spontane, sa herë unë kam patur ndonjë problem. Ai është një mozaik problemesh të cilat unë i kam shprehur në shtypin apo TV shqiptar. Një nga elementët për të ndryshuar sistemin shëndetësor, është që të përgatisësh ambientin për kulturën e cilësisë, që qytetarët të dijnë çfarë të kërkojnë apo çfarë bëhet gjetkë, si dhe të dijnë gjendjen e vërtetë të gjërave.Unë ka guxuar që të jem nga të parët “bluza të bardha” që flas të vërtetën e sistemit qytetarëve të mij, pa ndjenjë ndrojtje, pa ndjenjë turpi apo frike dhe pa patur qëllim të keq të denigroj apo të dënoj njeri. Unë jam nisur nga mendimi se po nuk u tha e vërteta jashtë, sistemi shëndetësor është shumë i mbyllur dhe njerëzit nuk kuptojnë se ç’bëhet brenda tij dhe është e domosdoshme që një njeri të flasë të vërtetën, e cila fshihet si për inerci, traditë që është bërë që njerëzit nuk duhet t’i dijnë se ç’ndodh brenda për brenda.

Alfred Papuçiu: Pra idetë e hedhura nga ju u vunë në jetë.

Isuf Kalo:
Nuk është se u vunë në jetë sepse i thashë unë. Nuk besoj që ta kem patur këtë meritë. Por vete koha i evoluoi. Ndoshta unë kam luajtur rol si katalizator, shpejtues. Shumë gjëra kanë lëvizur në drejtim pozitiv, apo vazhdojnë të lëvizin akoma. Pra libri “Mes ëndrrës europiane dhe realitetit shqiptar” nuk është një libër ankese as denoncimi, është një libër shprese. Në të theksohet se ne kemi kurajon të njohim vehten, por njëkohësisht duhet të krijojmë vizionin se ku duam të shkojmë. Libri në titull përmban ëndrrën time që është e bukur, e gjithë ëndrra e shqiptarëve që të kemi një shëndetësi europiane. Jemi akoma shumë larg prej saj. Hapi i parë fillon me njohjen e së vërtetës. Të qartësojmë se ku duam të shkojmë. Në libër unë shprehem me sinqeritet se kjo ëndërr që unë solla me vehte dhe për të cilën unë jam mobilizuar dhe kam ende entuziazëm dhe besim dhe që është bërë e shumë bashkëpunëtorëve të mi, të cilët tanimë i kanë hyrë kësaj lëvizje, e cila është e pandalëshme. Ajo është lëvizje e vete kohës, pasi reformimi i sistemit shëndetësor po ndodh në gjithë botën, jo vetëm tek ne. Unë kam evidentuar edhe pengesat, të cilat shumë herë janë subjektive, janë pengesa të mentalitetit, të atyre që bllokojnë lëvizjen përpara. Ka nga ata që ose janë mësuar për inerci ose janë mirë në gjendjen që janë aktualisht, e presin jo me simpati këtë shtysë, këtë denoncim, këtë zbulim, apo ekspozim përpara publikut. Ata e ndjejnë veten sikur po denigrohen apo po humbasin vlerat. Kjo natyrisht krijon rezistencë. Gjëja më e dhimshme për mua ka qënë ajo rezistencë e heshtur, por shumë mirë e organizuar, nga një grup njerëzish të cilët nuk duan të ndryshojnë. Nuk duan sepse nuk duan, por më shumë se nuk dijnë, apo sepse edhe cënohen, ose keqkuptohen. Pra ka shumë arsye. Qëndrimi im me ta ka qënë gjithmonë pozitiv, gjithëpërfshirës, transparent, jo denigrues, siç e theksova edhe më sipër. Asnjë sulm nuk është personal. Bindja ime është se çdo situatë e krijuar nuk është faji i një personi, por është rezultat i një sistemi. Thelbi i librit tim kërkon ndryshim të sistemit. Ajo që them edhe në parathënie që shëndetësinë duhet t’ja kthejmë qytetarit. Shëndetësia nuk është e “bluzave të bardha”. Ato paguhen nga qytetarët. Kur them qytetarët kam mendimin se ne duhet të jemi gjithmonë superaktivë se kush janë nevojat e qytetarëve dhe të jemi të gatshëm t’i plotësojmë në kohë kërkesat e tyre. Pra kur them qytetarë kuptoj që ata duhet të kenë një rol, të jenë bashkëpunëtorë.


Isuf Kalo: Jean-Philippe Assal  është një personalitet i madh në fushën e Diabetologjisë. Për mua është fat që jam miqësuar me të prej pothuajse 25 vitesh. Kemi bashkëpunuar në shumë fusha me të. Unë mund të them pa hezitim se ai është një njeri me intuitë, është novator, me vizion. Ai është befasues në shumë praktika. Profesor Assal ka hapur fusha të reja në drejtim të deakademizimit të shëndetësisë. Shëndetësia nuk bëhet pa të sëmurët. Ata janë kryesorët. Ai m’a ka qartësuar këtë gjë: një mjekësi që funksionon pa llogaritur dhe pa i patur pacientët partnerë është diçka qesharake. Fati e ka sjellë që ne kemi bashkëpunuar me profesorin e nderuar në gjithë botën, si dhe në disa projekte për përmirësimin e diabetologjisë në Shqipëri, të vetëaftësimit të pacientëve për ta marrë vete në dorë sëmundjen e tyre. Shumë nga ish-bashkëpunëtorët e mi, që janë drejtues, në fillim janë trajnuar si unë vete i pari dhe kolegë të mij, në klinikën e tij. Kemi marrë pjesë në shumë seminare të përbashkëta, në Grimentz të Zvicrës. Ai e ka përmendur disa herë bashkëpunimin tonë si të frytshëm për të dy palët. Ai, përveç se është shkencëtar i madh, është një mik i veçantë, krijues i Fondacionit të Formimit të shqiptarëve këtu në Zvicër. Ka qënë vërtetë fat për neve. Unë ende vazhdoj të mbaj kontakte me të. Ai është një burim i pashtershëm idesh, vizionesh dhe mendoj se në çdo takim me të unë marr diçka të vyer. Natyrisht, diabetologjia shqiptare, është edhe ajo në tranzicion. Shëndetësia jonë është e përfshirë në problematikën e transformimit, riadaptimit në kushtet e ekonomisë së tregut, të marrëdhënieve të reja që janë krijuar me shoqërinë. Unë me dhembje them se nuk e gjeta më të përparuar se ç’e lashë, ndonëse mundësitë kanë egzistuar, pasi nuk ka munguar numri i mjekëve, apo mjetet. Mua më duket se mungon pak shpirti i novacionit, i reformimit. Ka një plogështi si specialitet, në krahasim me vrullin që ka qënë në një epokë të caktuar.Praktikisht, diabetologjia jonë ka sot një paradoks. Ne kemi mjete shumë më të mira mjekuese, diagnostikuese, harxhojmë gati dhjetëfish më shumë financiarisht për diabetin në Shqipëri dhe kemi patur rezultate më keq se më përpara. Kemi po atë numër pacientësh, si 20 vite më parë, në një kohë që numri i tyre shtohet. Them që këtu ka një faktor subjektiv dhe faktorë të tjerë: nuk është vështirë të pengosh një gjë, në vend që ta bësh të përparojë.

Alfred Papuçiu: Cila është arsyeja që është në rritje përqindja e pacientëve që vuajnë nga diabeti në Shqipëri? Natyrisht kjo është një sëmundje e shekullit, pasi e shohim edhe në vende të tjera të industrializuara.

Isuf Kalo:
Në Shqipëri pritet që të rritet numri i tyre. Faktikisht ne ende s’kemi statistika që të dëshmojnë se është rritur numri i diabetikëve. Këtë e them me dhimbje sepse fuqia diagnostikuese është e ulët. Unë nuk e drejtoj më atë sektor. Por ka disa faktorë që do krijojnë një “bum” në Diabetologji. E para e punës është se ka një “bum kalorik”, sepse ai që quhet “fenomen i koka-kolës”, si rezultat i asaj se tregu i lire ka sjellë lloj-lloj ushqimesh që mungonin më përpara, çokollata, pije. Në çdo pesë hapa ka një restorant. Të gjitha llojet e çokollatave dhe pijeve të huaja që më parë “ëndërroheshin” janë në treg dhe njerëzit janë akoma të babëzitur t’i provojnë. Shqipëria ka patur një lakmi apo uri për ushqim, duke filluar nga bananet dhe çokollatat, tek pijet freskuese shumëllojëshe etj. Të gjitha këto kanë krijuar një superkalori. Është fakt se ne kemi një rritje të obezitetit. Faktori i dytë është urbanizimi i shpejtë i popullatës, pasi ne kemi patur pjesën më të madhe të saj në fshat. Popullata është urbanizuar, pasi ose ka ikur jashtë shtetit, apo është përqëndruar në qytetet kryesore. Dihet se në fshat nuk ka diabet apo obezitet, pasi atje veprimtaria fizike është kryesorja. E treta është një reduktim shumë i ndjeshëm i veprimtarisë fizike, sepse u zhduk ecja në këmbë dhe ngarja e biçikletës. Mania për të patur makinë, apo ngjitja në apartamente vetëm me ashensor dhe jo përdorimi i shkallëve të zakonëshme, por vetëm shkallëve elektrike në dyqane, ka reduktuar ndjeshëm zakonet e mëparëshme. Televizioni i mban njerëzit të mbërthyer pas karriges. Pra ka një bum kalorik tek njerëzit, që hanë më shumë dhe “djegin” shumë më pak. Ndërkohë ka një fenomen real që është plakja e popullatës. Në fakt dhe diabeti është më tepër sëmundje e të moshuarve, kryesisht sëmundje e gjeriartrisë (shënimin im: spitale për të moshuarit). Pas moshës 60 vjeçare, diabeti është pesë herë më i shpeshtë se tek njerëzit para kësaj moshe. Së fundi do të thosha se jo më pak i rëndësishëm është fakti i dukurisë së “stresit”, pasi shoqëria është kompetitive. Pasi njerëzit ndodhen para beftit, pasigurisë, para konkurencës, apo shumë konflikte familjare me karakter ekonomik ndikojnë negativisht në këtë drejtim. Faktikisht, stresi është faktor që nuk krijon diabet por e nxit atë. Të gjithë këta faktorë, po t’i mbledhim sëbashku nxjerrin si konkluzion se janë tipike të një shoqërie moderne, nga të cilat ne kemi qënë të mbrojtur prej primitivitetit dhe jo prej ndonjë platforme profilaktike të tyre. Ne hanim bukë të zezë, apo ecnim me biçikletë, si edhe në këmbë. Kishim popullatë kryesisht të re në moshë. Kishim më pas strese pasi çdo gjë ishte e siguruar në varfëri, pasi nuk kishe perspektivë tjetër. Pra ishim disi të mbrojtur nga faktorë primitivë. Tani ne jemi një shoqëri moderne, gjë do apo s’do na ekspozon në rreziqe diabetogjene, të cilat do të duan shumë më tepër mund për t’i përballuar, duke filluar nga edukimi i fëmijëve, pasi po rritet obeziteti i fëmijëve. Ka një “agresion” të ushqimeve në shkolla, me çokollata, dhe me “fast-fude”, akullore. Nëse i sheh fëmijët, në shkolla ata harxhojnë më tepër lekë, njëmijë fish më tepër se më parë, me ushqime. Apo qëndrojnë të ngulur sytë tek televizioni ose lojrave elektronike, pra nuk lëvizin. Pra nga ana tjetër moshimi është një element pozitiv që njerèezit jetojnë tani më gjatë, por kjo ka një faturë që lidhet me Diabetin.

Alfred Papuçiu: Dua të ngre dhe një problem tjetër me ju profesor. Shumë mjekë tanë kanë shkuar për specializim jashtë shtetit, ose dhe studentë që kanë studjuar në Francë, Gjermani, në Zvicër dhe gjetiu në Europë apo SHBA. Shumë prej tyre nuk janë kthyer në Shqipëri. Juve jeni një nga prekursorët e kundër rrymës, pasi punuat për vite të tëra në Danimarkë, u kthyet në Shqipëri, për të dhënë përvojën tuaj. Si mendoni ju, ata nuk kthehen pasi nuk kanë mbështetje nga shteti, apo ka arsye të tjera? A nuk duhet të japin dhe këta ndihmesën e tyre për zhvillimin e mjekësisë shqiptare?

Isuf Kalo:
Alfred i nderuar, sot duhet të jemi realistë. Sot ka një treg. Tregu i punës nuk është si më parë, pasi bota gjithnjë e më tepër po globalizohet. Kufijtë midis shteteve sa vjen e më tepër po humbasin kuptimin e tyre. Ne jemi dëshmitarë të integrimeve. Shembull domethënës në këtë drejtim është Europa e Bashkuar. Ne në Europë duam të shkojmë po kështu si është ravijëzuar ajo. Vetë integrimi ka sjellë që tregu i punës të globalizohet. Dhe nuk ka shumë rëndësi, nëse njeriu është nacionalist apo internacionalist. Sot intelektualët sa vjen e më shumë janë thesari i botës, jo patjetër i fshatit ose i qytetit, i bashkësisë që i ka lindur ose edukuar. Kjo është një zgjedhje që gjithseicili do ta bëjë me ndërgjegjen e tij, apo pasionin e tij: një zgjedhje që i ka të dyja, mundet të krijosh më shumë hapësirë. Në rast se ti vjen tek vendi yt atje je më i njohur dhe ka shumë faktorë si tek ne ku egziston faktori i solidaritetit midis njeri tjetrit. E dyta, siç përmenda më sipër është edhe zgjedhja individuale. Sot nuk pritet më nga shteti, pasi është gabim që të mendohet se ai rregullon gjithçka. Ky është një vendim vetiak. Unë kur u vendosa atje, danezi më dha të drejtën të qëndroja në Danimarkë. Por unë vendosa të kthehem në Shqipëri, pasi atë që ëndërroja nuk do ta bëja dot në Danimarkë. Pra unë i krijova hapësira vetes. Natyrisht kjo zgjedhje ka me vete dhe një sakrificë. Bashkëshorten time, për shembull, nuk e mora dot me vehte disa kohë. Kjo është një faturë që ti duhet ta paguash. Këtu nuk është as meritë e shtetit dhe as faj i tij. Unë nuk mendoj që një intelektual që punon në një vend tjetër, duhet paragjykuar pse nuk kthehet në Shqipëri, nëse ai punon, prodhon, boton, nderohet nga njerëzit. Ne jemi universalë. Mjeku edhe indianin dhe kinezin e mjekon. Për mua në profesion nuk duhet të ketë dallim. Unë mendoj se nuk është kjo kryesorja. Kryesorja është vokacioni që ka individi. Ai e ndjen se vendi i tij të krijon hapësirë dhe mund të japë produktivitet më të madh. Por kjo ndodh edhe jashtë. Le të themi se pasi njerëzit bëhen të famshëm jashtë, Shqipëria mburret me ta. Ta zemë, çmimi Nobël që mori Ferit Murati, ai nuk do ta kishte bërë atë punë po të ishte në Kosovë, apo Shqipëri apo Maqedoni. Fakti që e bëri zbulimin, ne krenohemi me të, jo se u ndihmua nga Shqipëria apo se kishte genin shqiptar. Ishte mjedisi i punës që të jep ty fuqi. Unë për shembull në OBSH drejtova një program,  të cilin me njerëz të tillë që ishte mjedisi i punës që më mundësoi të realizoja atë. Cdo njeri do ta zgjedhë këtë mjedis. Nuk duhet të paragjykohet. Unë nuk mendoj që një njeri duhet të kthehet në Shqipëri, pasi nuk e ka atdheun me vehte. Unë kur isha në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, kishim një kusht. Ti ke qënë vete diplomat dhe funksionar ndërkombëtar. Po u bëre ekspert ndërkombëtar duhet ta harrosh vendin tënd, pasi ti tani je i të gjithëve. Dhe unë u thashë me shaka. Këtë unë e interpretoj: t’i dua vendet e tjera njëlloj si vendin tim. Pra nuk është arsyeja që ti duke dashur të tjerët e ke mohuar tëndin. Ti mund të duash dhe të tjerët po aq sa don veten. Rëndësi ka mos e duash më pak tënden. Dashuria nuk matet me faktin se njerëzit u kthyen në vendin e tyre apo jo. Unë e dua Shqipërinë më tepër, pasi u ktheva. Por është një fakt. Pavarësisht nga fasada, nga retorikat, një punëtor i rëmdomtë, gjen hapësira të bëjë një punë dhe të paguhet mirë jashtë. Një intelektual duhet të konkurojë shumë herë më tepër. Janë disa paragjykime të fshehta. Nga ana tjetër është e drejtë edhe ajo që rikthimi në Shqipëri, nuk është e thënë që do pritet me krahë të hapura. Unë e përmend në librin tim që kam pasë kundërvënie, nga ana që i prisja dhe nuk i prisja, kundërvënie nga ata që i dua dhe më duan, sepse janë idetë dhe ndryshimi që unë sjell. Pra nuk është e thënë që çdonjeri që kthehet në Shqipëri do pritet me lule. Edhe në Shqipëri duhet të konkurojnë. Nganjëherë është më vështirë pasi jashtë shtetit ka disa rregulla. Për shembull, unë mora një post në OBSH në Kopenhagë dhe konkurova me 80 vetë. Pastaj mbetëm vetëm 20, pastaj 6 dhe në fund mbetëm 2. Dhe pastaj unë u zgjodha. Unë nuk mendoj se kjo mënyrë seleksionimi funksionon në Shqipëri. Nuk funksionojnë gjithmonë vlerat në Shqipëri. Ka mundësi që njeriu të kthehet në Shqipëri dhe të çgënjehet, ose të nënpërdoret, të keqpërdoret. Të gjithë njerëzit nuk duhet ta fajësojnë shtetin. Sepse nuk bëhet asgjë nga shteti. As pengesat që të shkojnë jashtë nuk bëhen nga shteti. Kjo duhet gjetur tek natyra njerëzore, konkurenca. Tregu ka konkurencë. Në të ti vete duhet të gjesh mënyrën se si duhet të shitesh, si të depërtosh, si të krijosh aleanca, të shmangësh armiqësitë. Dhe kjo është edhe brenda shtetit, por jashtë të paragjykojnë. Në Shqipëri, të paragjykojnë se ti ke ardhur të shesësh mend nga jashtë. Ose të thonë se ti nuk e njeh Shqipërinë. Jashtë të thonë se ti nuk je për këtu se ke ardhur nga Shqipëria. Cdo njeri duhet t’i bëjë vete llogaritë. Pra e përsëris, nuk duhet të përzihet shteti në këtë gjë. Natyrisht, shteti është mirë të ketë një platformë, që të dijë ku i ka njerëzit, të mund t’i potencializojë vlerat e tyre, aq sa mundet; të mund t’i shfrytëzojë kur ka nevojë për ekspertiza. Por duhet thënë se vete shteti nuk ua siguron dot të njëjtën hapësirë pune, kushte pune, apo laboratori dhe trajtim njësoj si jashtë. Pra ai që vendos të marrë një hap në këtë drejtim, duhet të gjykojë vete të mirat dhe mangësitë e veprimit të tij. Nuk është kusht që të kthehesh në Shqipëri. Nga ana tjetër, një njeri që ka vendosur të jetojë në një vend tjetër, mirë është që në kohën e sotme të globalizuar, të bëjë llogaritë që ikja nga vendi është një farë divorci. Është një zgjedhje e tij. Ti nuk mund të jetosh me dy gra njëkohësisht. Njërën duhet ta lësh, që të krijosh familje me tjetrën. Pra çështja mendoj unë shtrohet që të nisësh një jetë të re. Është një vendim që e merr ti. Por ti nuk do të thuash që unë do vazhdoj ta kem këtë grua, por më pëlqen edhe kjo gruaja tjetër, s’dua ta harroj dhe këtë tjetrën. Do një zgjedhje. Nëse emigranti ka ikur në Kanada, me pëlqimin e tij dhe vajti të bëhet qytetar kanadez, sa më shpejt që të integrohet atje, aq më mirë është për të, për fëmijët e tij. Ajo qe zgjedhja e tij. Nuk humbet gjë pse vajte atje. Por emocionet, nostalgjia e tij, malli, kjo është çështje tjetër. Ai le të mbetet gjithmonë mik dhe po pati mundësi, le të ndihmojë që nga Kanadaja. Por ama, detyrimet do t’i ketë tek aleanca e re. Pasi ti nuk mund t’i dërgosh fshehurazi para gruas me të cilën je ndarë, në një kohë që ke një grua tjetër të re dhe ke filluar një jetë të re. Kjo ndarje më dysh të lë pa u bërë askush. Dhe shqiptarët dhe shteti nuk duhet t’u bëjnë presion emigrantëve: “çfarë bëni ju për vendin?”. Ata bëjnë për vendin aq sa kanë mundësi. Bëjnë në radhë të parë për veten. Do integrohen njëherë në Zvicër, do të bëhen qytetarë zviceranë. Dhe po qe se dikush është i zoti dhe bëhet deputet në Zvicër, ta dish që të do dhe Shqipëria.

Alfred Papuçiu: Janë mbi 700 mijë zviceranë që janë vendosur jashtë shtetit, jo vetëm në Amerikë, në Australi dhe vendet europiane. Ata cilësohen si ambasadorë të Zvicrës. Nuk e di a vlereësohen në të njëjtën mënyrë edhe shqiptarët jashtë shtetit, Diaspora shqiptare. Janë 200 mijë shqiptarë në Zvicër, dhe vetëm në Gjenevë 8000 vetë. Si mendoni: çfarë duhet të bëjë jo vetëm shteti shqiptar, por edhe Instituti i Diasporës, ambasadat tona, Misionet tona?

Isuf Kalo
: Me Institutin e Diasporës është në favor të shtetit të dijë se ku i ka banorët e vet, si i ka, çfarë bëjnë, t’i mbajë gjallë potencialisht ndjenjat e tyre për vendin, kulturën. Kultura është një gjë që nuk duhet të harrohet. Të ndryshosh vendin e punës është tjetër gjë, dhe të ndryshosh kulturën është diçka tjetër. Të mbash gjuhën është një thesar. Në këto elementë, mund të ndihmohet dhe mundësitë janë. Nga ana tjetër, po të marrin shembull Amerikën. Nuk gjen në Amerikë që të thuhet se “filani është italian”. Ka më nacionalistë se gjermanët? Kizingeri nuk thotë se jam gjerman. Thotë jam amerikan. Klintoni me origjinë irlandeze, origjina është harruar. Ata janë martuar me vendin e ri dhe integrohen aty. Të shkosh në Amerikë dhe të thuash se “unë jam gjerman, irlandez, kinez” nuk është më. Dhe kjo ka qënë forca e Amerikës, që solli Obamën, Klintonin. Le të marrim edhe shembullin e ish-sekretares së shtetit amerikan, Madëlenë Ollbrajt. Ajo nuk është se e mohon origjinën e saj çeke, por nuk e bën si çeke, sillet dhe quhet si amerikane. Janë ambasadorë, por nuk zgjidhen si ambasadorë. Këshilla ime ndaj emigrantëve është: në radhë të parë të integrohen sa më shumë në vendin ku janë, në martesën e re që kanë bërë. Pa harruar emocionalisht dhe shpirtërisht, ose nga ana kulturore vendin e tyre. Por jo presion nga vendi, “pse bëni këtë dhe nuk bëni këtë”. Kjo është një gjë personale që nëse ata nuk e ndjejnë, s’ka pse t’ua kërkosh”. Nëse ti ke pasaportë zvicerane, je qytetar zviceran. Ne nuk mund ta mbajmë shqiptarizmën duke bërë folklor shqiptar në Zvicër. Sot mund t’i hypësh avionit dhe të shkosh në Shqipëri dhe je përsëri në kontakt me vendin. Sot kanë vdekur kufijtë. Kjo që po ndodh sot është integrim gjeografik, shpirtëror. Ajo që do dallojë forcën është kultura. Por edhe kultura ka të bëjë me qytetarinë. Nuk mendoj se është në dëm të Shqipërisë. Njoh një intelektual shqiptar që është në Spanjë dhe merret me “nanoteknologjinë”. Në Shqipëri nuk ka nanoteknologji dhe ai nuk mund ta bjerë atë prej andej. Vonbrown që bëri bombën atomike e realizoi atë duke shpënë planet në Amerikë. Vonbrown kishte ëndërrën e tij të çonte njeriun në Hënë. Nuk e bënte dot në Gjermani e çoi në Amerikë. Dhe atje kur dha intervistën, foli anglisht, nuk foli gjermanisht. Unë them se duhet të hiqen emocionet. Tani jemi qytetarë shqiptarë, jemi qytetarë europianë, jemi qytetarë të botës, jemi qytetarë të të gjithëve. Dhe unë mendoj se sa më shumë njerëzit të zhvillohen në vendin që kanë, për zgjedhjen që kanë bërë. Nuk është zgjedhje e keqe të jesh në Shqipëri. Unë për veten time them se Shqipëria është vend shumë dinamik. Unë shkoj në Danimarkë dhe nuk shoh asnjë ndryshim. Cdo muaj që iki në Shqipëri shoh ndryshime.

Alfred Papuçiu: Si mendoni që është figura e Ismail Kadaresë për Kombin shqiptar?

Isuf Kalo:
Kadareja rastësisht është shqiptar. Mund të ishte italian, ose francez. Ai është një gjeni. Gjenitë kanë lindur në vende të ndryshme, pa ndonjë lidhje me pasurinë shpirtërore apo kulturore të një populli. Kadareja është një eksepsion (veçanti), është shumë më tepër se sa mesatarja e Shqipërisë, apo e letërsisë shqipe. Ai është një njeri jo vetëm me talent të madh, por dhe me produktivitet të madh. Në radhë të parë ai është artist i madh. Kështu do parë figura e Ismailit. Një artist i madh ai ai në rrezatimin që lëshon i hap rrugë dhe lirisë, demokracisë, sfidon dhe diktaturën, di të mbijetojë, krijon shumë mesazhe që janë në funksion të kësaj. Kryesorja është se është talent i madh. Po të mos ishte si i tillë, ç’rëndësi do të kishte se çfarë miqësirash apo armiqësirash do të kishte Ismaili, çfarë qëndrimi mbajti ndaj situatës, çfarë tha një ditë apo një tjetër. Rëndësi ka që Ismail Kadareja është i madh në krahasim me të mëdhenjtë. Ai është në një elite artistike. Ai ka disa vlera që ata që e njohin e cilësojnë të një race të veçantë. Aleksandër Moisiu për shembull qëlloi që ka një gen shqiptar por nuk është shprehje e vitalitetit të popullit shqiptar aktrimi i tij. Kadareja është një fenomen.

Alfred Papuçiu: Ai njihet më shumë se çdo president i çdo vendi të botës.

Isuf Kalo:
Kadareja është Kadare, si institucion më vehte. Të mos mendojmë se u sulmua Kadareja, u sulmua dhe Shqipëria. E mori çmimin Nobël Kadareja dhe e mori Shqipëria. Ai po e mori atë e merr vetë. Shqipëria është fatlume që e ka. Nuk e bën dot Shqipëria Kadarenë dhe ai vete nuk e ndryshon dot Shqipërinë në mënyrën që donte ai të ishte. Është pak si nëna. Nëna që ka bërë Kadarenë, nuk është gjeniale. Por është nëna e Ismailit. Unë mendoj se sulmet ndaj Kadaresë bëhen nga ata njerëz që duan të bëhen të dukshëm.

Alfred Papuçiu: Profesor Isufi, ju falenderoj nga zemra, për këtë intervistë tepër interesante dhe me vlera njohëse për lexuesit tanë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat