Zgjedhja e Presidentit të ri, pjesë e marrëveshjes politike LVV-LDK - Bota Sot
Zgjedhja e Presidentit të ri, pjesë e marrëveshjes politike LVV-LDK

Intervista

Zgjedhja e Presidentit të ri, pjesë e marrëveshjes politike LVV-LDK

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 12 nëntor 2019 Në ora: 08:19

Deputeti Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka shpjeguar se si erdhi deri të fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Selmanaj  ka dhenë mendim për Albin Kurtin si kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

Sipas tij, Kurti kryeministër është një test interesant për Kosovën.

Po ashtu, Selmanaj ka thënë se zgjedhja e Presidentit të ri duhet të jetë pjesë e marrëveshjes politike ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes.

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur më rezultatet e Komisionit Qendror të zgjedhjeve të 6 tetorit?

Driton Selmanaj: Relativisht. Kam pasur bindjen që LDK do të dilte fituese e këtyre zgjedhjeve. Megjithatë qytetarët vendosën ndryshe dhe neve nuk na mbetët gjë tjetër pos ta pranojmë verdiktin e tyre. Nga ana tjetër ne si LDK duhet t`i analizojmë me kujdes të gjitha shkaqet që na penguan që ne të dilnim fitues absolut të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

“Bota sot”: Në këto zgjedhje shumë deputetë kanë mbetur jashtë Kuvendit,pse mendoni se erdhi tek kjo? Cilët nga depuetët janë “dënuar” nga votuesit. Atyre që s`iu dëgjua zëri asnjëherë apo ata shpenzuan aq shumë dhe bënë keqpërdorime të shumta.

Driton Selmanaj: Vështirë është të gjendet një përgjigje e saktë për pyetjen se si votojnë qytetarët e Kosovës. Jo rrallë herë ka ndodhur që pikërisht deputetët që kanë punuar më së shumti janë ndëshkuar, kurse ata që madje nuk kanë folur asnjëherë janë rivotuar prapë. Kjo cështje duhet analizuar nga shumë këndvështrime. Megjithatë, përfundimi mund të jetë se Kosova ende ndodhet në fazat e saja të hershme të zhvillimit dhe emancipimit politik dhe shoqëror. Oferta dhe kërkesa ende nuk kanë korelacion të drejtë dhe objektiv.

“Bota sot”: Nisma dhe AKR nuk ka kaluar as pragun zgjedhor,pse mendon se ndodhi kjo?

Driton Selmanaj: Këto subjekte politike janë ndëshkuar për shkak se janë bërë pjesë e një kulture tejet abuzive qeverisëse gjatë mandatit të kaluar qeverisës. Akrobacionet e tyre politike vetëm për një hise në pushtet dhe me pas arbitrariteti në menaxhimin e ministrive nga këto dy subjekte, kanë dëshmuar se rënia e përkrahjes popullore ishte e pa alternativë. Element tjetër i ndëshkimit ishte edhe kriza identitare politike e tyre. Këto dy subjekte asnjëherë nuk kanë arritur të konsolidojnë subjektivitetin e tyre programor dhe ideologjik brenda skenës sonë politike.

“Bota sot”: A mendoni se është zvarritur procesi i formimit të koalicionit në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes?

Driton Selmanaj: Mendoj se është në kuadër të afateve ligjore dhe kushtetuese për formimin e institucioneve qendrore. Në ketë fazë më mirë është që të qartësohen të gjitha dilemat dhe dallimet eventuale mes dy subjekteve sesa të ketë nguti në marrëveshje dhe me pas të paraqiten probleme në zbatimin e asaj marrëveshjeje.

“Bota sot”: Po Ideja e 12 ministrive në Qeverinë e ardhshme të Kosovës mendoni se mund të behët kjo dhe si?

Driton Selmanaj: Kjo ide tashmë ka marrë edhe formën e saj strukturore. Republika e Kosovës me qeverisjen VV-LDK nuk do ketë më shumë se 12 ministri dhe jo më shumë se nga 2 zv. ministra për secilën ministri. Gjithashtu do shuhen të gjitha pozitat e koordinatorëve nacional si dhe do rishikohet edhe numri i madh i agjencive të pavarura. Kjo do behët me fuzionimin e shumë ministrive dhe shuarjen e disa prej tyre.

“Bota sot”: Si e shihni Albin Kurtin si kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

Driton Selmanaj: Është një test interesant për Kosovën. Duhet pak kohë për të dhenë vlerësime objektive. E gjithë karriera politike e z. Kurti ka qenë e fokusuar në anti establishment, tash është tejet interesante për ta parë se si në fakt ai do sillet si pushtetar. Ka shumë pikëpyetje por duhet ti japim kohë dhe me pas ti vlerësojmë sjelljet dhe veprimet e tija politike.

“Bota sot”: Po një koalicion që pritet edhe të behet si e shihni ju. Mendoni se ky koalicion do te sjellë shpresë të qytetaret e dëshpëruar.

Driton Selmanaj: Vota plebishitare e qytetarëve të Kosovës për subjektet politike VV dhe LDK ka qenë sinjali shumë i qartë se në cilat adresa populli sheh shpresën për perspektivë më të mirë. Tani topi është në anën tonë dhe ne duhet të sillemi përgjegjshëm në arritjen e marrëveshjes për qeverisjen e vendit dhe më pas ti përvishemi punës për të përmirësuar ambientin politik dhe social në vend. Jemi të vetëdijshëm që para vetës kemi shumë punë për të bërë. Qeveria e fundit e ka lenë Kosovën në një gjendje të katandisur në çdo segment të saj. Prandaj është imediate që Kosova ta ketë një qeveri dinamike dhe tejët të përgjegjshme në menaxhimin e shtetit dhe më theks të veçantë të parasë publike.

“Bota sot”: Po përflitet për një marrëveshje të dy partive për çështjen e presidentit, mendoni se një çështje kaq madhore të diskutohet ende pa u formuar Qeveria. A e shihni në të ardhmen Isa Mustafen president të vendit.

Driton Selmanaj: Është koha e fundit që subjektet politike të draftojnë marrëveshje politike në raporte mirëbesimi dhe më pas zbatimi i plotë i tyre. VV dhe LDK duhet të mendojnë jo vetëm për një marrëveshje politike për një mandat qeverisës, sepse vetëm në atë formë arrihet zhvillimi socio-ekonomik i vendit dhe vendosen bazat e rëndësishme të shtetit të së drejtës.

Marrëveshja politike për qeverisje të përbashkët nënkupton që të përfshijë edhe çështjet dhe tematikat që do shtrohen gjatë këtij mandatI qeverisës. Zgjedhja e Presidentit të ri të vendit domosdoshmërish është njëra nga to.

“Bota sot”: Mos liberalizimi i vizave për Kosovën? Mendoni se qeveria në ardhje do të mund të bëjë diçka në këtë drejtim. A mund të kemi lëvizje pozitive?

Driton Selmanaj: Mendoj se vullneti i shprehur nga LDK dhe VV për angazhim të fuqishëm në sektorin e sundimit të ligjit, do rezultojë më hapa konkret pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rezultatet pozitive në ketë drejtim do përkthehen në heqje të rezervave tek disa vendet e BE-së për të penguar qytetarët e Kosovës në levizjën e lirë në zonën Shëngen.

 “Bota sot”: Mendoni se bisedimet më Serinë duhet të vazhdojnë edhe përkundër të gjithave.

Driton Selmanaj: Dialogu më Serbinë është i pa alternativë, por kjo assesi nuk nënkupton që Republika jonë të cenohet qoftë në territor apo të preket unitariteti i shtetit. Reciprociteti i plotë duhet të jetë udhërrëfyes i vetëm deri në njohjen e plotë të shtetit të Kosovës nga Republika e Serbisë.

“Bota sot”:  Ish kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar që taksa ndaj mallrave serbe të mos hiqet në asnjë mënyrë,si e vlerësoni këtë?

Driton Selmanaj: Reciprociteti i plotë i jep përgjigje edhe çështjes se tarifës.

”Bota sot”: A mendoni se LDK-ja ka fituar në zgjedhjet pikërisht më premtimin se nuk do të bëjë koalicion me asnjëherë më PDK-në.

Driton Selmanaj: Lidhja Demokratike e Kosovës brenda strukturave të saj duhet të bëjë analizën gjithëpërfshirëse të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme. LDK ka qenë e bindur që do fitojë këto zgjedhje për shkak se ka ofruar një program konkurrues dhe që i përgjigjet nevojave të qytetareve të Kosovës. Po ashtu lista për deputet ka qenë nder listat më të mira që janë ofruar në garën zgjedhore. Përkundër kësaj qytetarët e Kosovës nuk na e dhanë besimin e plotë neve, dhe tani është në anën e LDK-se për të vlerësuar se ku kemi gabuar!

Lajmi me pozitiv për Kosovën është se pas 12 vitesh PDK po largohet nga pushteti dhe më ketë do filloj çlirimi i plotë i Republikës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat