Haradinaj: Me Tahir Zemajn kemi pasur bashkëpunim, thyerjet kanë qenë nga ata që kurrë nuk kanë qenë në luftë

Intervista

Haradinaj: Me Tahir Zemajn kemi pasur bashkëpunim, thyerjet kanë qenë nga ata që kurrë nuk kanë qenë në luftë

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 14 dhjetor 2019 Në ora: 08:12
Gazetari i gazetës "Bota sot", Kushtrim Maliqi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur gjatë për zhvillimet e fundit në vend, mandatin dy vjeçar si kryeministër, koalicionin e ardhshëm, raportet me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Rama etj.

Haradinaj, për herë të parë ka folur lidhur me granatën e dërguar në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Zvicër në vitin 2002,  si dhe për raportet me kolonel Tahir Zemajn gjatë luftës.

“Bota sot”: Ka gati 6 muaj që keni dhënë dorëheqje, çka po punoni në kryeministri sot, çka ju lejon ligji?

Haradinaj: Kujdestaria e qeverisë vazhdon, kryesisht janë tema të cilat lidhen me zbatim, do të thotë ato që janë të dakorduara e që duhet të zbatohen, duhet ta ruajmë zbatueshmërinë, duhet të mos ndalet qeverisja në çdo fushë të jetës. Nuk mundemi me hartua ligje, me marrë vendime të natyrës ligjore të reja për shkak se nuk ka edhe parlament.

“Bota sot”: Duke e pas parasysh situatën e krijuar pas zgjedhjeve, kemi disa muaj pa qeveri. A i keni rënë “pishman” që keni dhënë dorëheqje, duke e parë vendin në këtë gjendje?

Haradinaj: Jo, jo, unë kam dhënë dorëheqje në parimin që kryetari i qeverisë nuk mundet me qenë objekt hetimi prej hetuesve të jashtëm, ndërkombëtarë, sepse lëndohet sovraniteti dhe nuk kam guxuar me e çu kryeministrin para hetuesve. Ky është një parim që vlen gjithë, në çdo situatë kisha dhënë dorëheqje.

Image

“Bota sot”: Nga kundërshtarët tuaj politik, qeveria juaj konsiderohet si më e dobëta që nga paslufta. Pse mendoni se e konsiderojnë të tillë?

Haradinaj: Është e natyrshme që ata ta kenë një mendim kritik, kanë të drejtë në mendimin e tyre. Në fakt, kjo ka qenë qeveria më e efektshme që ka pasur ndonjëherë Kosova në historinë e saj. Mund t`i marrim disa ngjarje për ta ilustruar këtë, si shembull e kemi fituar pavarësinë energjetike, e kemi përmbyll proceset e resurseve natyrore si Trepçën, tani ajo është Kosovë, s`ka aty palë tjetër, kemi kryer ushtrinë e vendit, kemi zbatu rendin dhe ligjin në veri të vendit e gjëra të ngjashme.

“Bota sot”: Keni qenë ndër kryeministrat më të afërt me popullin, keni komunikuar me gjuhën e popullit. Pse nuk arritët në zgjedhje ta bindni popullin se jeni i duhuri të vazhdoni të udhëhequr me vendin?

Haradinaj: Kam qenë i dëmtuar në kandidaturë sepse unë kam dhënë dorëheqje për shkak të një procesi ligjorë, përkundër kësaj dhe e kam kundërshtuar fuqishëm vendorët dhe ndërkombëtarët, megjithatë, populli i Kosovës më ka dhënë 100 mijë vota, që për mua është një e arritur e madhe, për rrethanat në të cilat është arritur kjo, them se është e arritura më e madhe e mundshme.

“Bota sot”: A jeni penduar që i keni marrë në listë të dalët nga “Vetëvendosje”, pra ata të PSD-së, a mendoni se ju kanë dëmtuar?

Haradinaj: Jo, jo, unë kam respekt për njerëzit e PSD-së, kanë qenë shumë korrekt në formimin e ushtrisë, për qëndrimin ndaj taksës, në refuzimin e ndarjes së Kosovës. Kam respekt për ta dhe nuk mendoj ashtu, nuk mendoj se na kanë dëmtuar.

“Bota sot”: Ju pamë se jeni nënshkruar si deputet në legjislaturën e shtatë me radhë, më parë keni thënë se nuk do të jeni deputet. Çfarë realisht do të veproni?

Haradinaj: Po, po, unë nuk do të jem deputet në këtë legjislaturë. Sapo të krijohen rrethanat procedural që të jap dorëheqje do ta bëjë, sepse më është sugjerua që së pari të bëjë regjistrimin, që simbolikisht të pranoj rezultatin, e pastaj të shkojmë tutje me dorëheqje.

“Bota sot”: Keni thënë se do të merreni me partinë më shumë, a keni ndonjë plan konkret?

Haradinaj: Kam shumë punë nëpër Kosovë me partinë, me Kosovën. Politika nuk ndodhë vetëm me diskutimet në parlament. Unë jam kryetarë i AAK-së dhe kam punë të mëdha për të bërë, kjo është edhe arsyeja pse nuk do të shkoj në parlament.

“Bota sot”: Fituesit e zgjedhjeve LDK dhe VV nuk po mund të merren vesh për qeverinë e ardhshme. Përkundër pengesave që i kanë apo dallimeve, a besoni se do t`ia dalin të arrijnë një marrëveshje për të udhëhequr me vendin?

Haradinaj: Është e logjikshme që ata të arrijnë ndonjë marrëveshje, pra nuk është diçka e pazakontë një marrëveshje politike e përbashkët. Nuk jemi pjesë e diskutimeve, nuk e dimë se çka po ndodhë, por është e logjikshme dhe e nevojshme që të arrihet një marrëveshje. Nuk ka kuptim që të shtyhet pa kufi marrëveshja.

Image

“Bota sot”: Nëse nuk arrijnë marrëveshje LDK dhe VV, a e keni menduar të jeni pjesë e qeverisë në një apo në një formë tjetër?

Haradinaj: Ne nuk jemi pjesë e asnjë diskutimi, as bilateral e as trepalësh. Jemi total jashtë çdo negociate, jemi parti opozitare, nuk i kemi fituar zgjedhjet, ato i ka fituar VV dhe LDK dhe ata duhet ti ndërtojnë institucionet, për çka shpresoj që ti arrijnë në një afat sa më optimal.

“Bota sot”: Kemi parë ulje e ngritje në raportet tuaja me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Sot, si i keni raportet me ta?

Haradinaj: Një komunikim formal e takime bilaterale skam me Presidentin Thaçi, por bisedojmë kohë pas kohe nëpër takime, apo ngjarje të ndryshme, në ndërkohë me Edi Ramën nuk kam komunikim qe një kohë të gjatë.

“Bota sot”: Në fillim kur e themeluat qeverinë, kur u takuat me Radojciqin, ku pastaj u akuzuat shumë për një fotografi që qarkullonte. Ditë më parë, Xhelal Sveçla, një personalitet i rëndësishëm nga Vetëvendosje u takua me Marko Gjuriqin. Si i komentoni këto dy situata?

Haradinaj: Shiko, janë dy situata. E para kur takon dikë që është qytetarë serb të Republikës së Kosovës, e në anën tjetër janë takimet me persona nga Beogradi. Këta të parët janë të Kosovës, janë ashtu siç janë, janë të Kosovës, në anën tjetër kur e takon Gjuriqin, e ke takuar Serbinë. Është një dallim në këtë rast, sido që të jetë Aleanca ka qenë gjithmonë pro dialogut, prej që ekziston Aleanca, i kemi dhënë përkrahje dialogut me Serbinë, kuptohet një dialogu me koncept, unë s`kam pranuar një dialog në tavolinë me veriun për ndarje, kam punuar kundër atij dialogu duke e involvuar në dialog kancelaren Gjermane dhe SHBA-të. Sjellja e VV-së është pak e pakuptimshme kaq shpejt, ndoshta ka qenë e panevojshme nga ana e tyre, nuk po them se VV nuk duhet të jetë përkrahëse e dialogut, por ai duhet ta ketë një koncept se si duhet të ndodhë.

“Bota sot”: Ambasada e Amerikës ditë më parë e pati një deklaratë ku tha se ndarja e Kosovës, si temë i takon të kaluarës, ju keni qenë gardiani kryesorë që e ka kundërshtuar një ide të tillë. Pasuesi juaj në detyrën e kryeministrit, Albin Kurti a besoni se do të t’ia dalë t`i rezistojë presionit, nëse i kërkohet një gjë e tillë në të ardhmen?

Haradinaj: Unë nuk besoj që Kurti do ta ketë presionin e njëjtë, ose kushdo që do të jetë kryeministër i ardhshëm, as për ndarje e as për taksën. Këto janë harxhuar me qeverinë Haradinaj.

“Bota sot”: Çka do të ndodhë, si do të silleni nëse hiqet taksa, a do të protestoni?

Haradinaj: Është gabim shumë i madh, ju e shihni presionin e madh të presidentit serb Vuçiq, e kemi dëgjuar zëra të tjerë nga Serbia të cilët po e mohojnë krimin të cilin e ka bë në Kosovë, e ti me ia heqë taksën, kjo s`ka kuptim. Apeloj tek z. Kurti e znj. Osmani që të mos e bëjnë një gjë të tillë, dikush që do ta mohojë ekzistencën, ti mohon edhe varret, e ne me ia heq taksën, është e pa kuptimtë. Nuk kam arsye me paralajmërua se si do të sillemi në rast të heqjes së taksës, por, kam të drejtë t`i kërkoj atyre që kanë marrë besimin e popullit që të mos e bëjnë këtë. Nuk është një Serbi që po vetëdijesohet, po kërkon falje, por është një Serbi që po vazhdon me ofendua Kosovën, me mohu, me i grithë plagët e kaluarës, pra i kisha apeluar vendimmarrësve të ardhshëm që taksën të mos e heqin deri në njohje.

“Bota sot”: Njëra ndër projektet më të rëndësishme dhe më të mëdha tuaja në qeverinë tuaj, ka qenë autostrada e Dukagjinit e cila po kundërshtohet fuqishëm nga LDK dhe VV. Pse po ndodhë kjo dhe a mendoni se mund t`ia dalin ta ndalin këtë projekt?

Haradinaj: Nuk do të thosha se është ndonjë kundërshtim i fuqishëm, është retorikë kundërshtuese. Unë pres që këta me kuptua që ai është interes i të gjithë qytetarëve të Kosovës, infrastruktura është arterie për ekonominë, një arterie e rëndësishme ekonomike do të ishte autostrada e Dukagjinit që do të lidhte Istogun, Pejën, Deçanin Gjakovën, Rahovecin, Prizrenin, pra do të ishte një arterie shumë e rëndësishme. Ai projekt ekziston tash e 50 vjet, ka qenë e paraparë një harkore, autostradë unazë që e lidhë Kosovën, është e pakuptimtë me e kundërshtu, nuk është njëjtë zgjerimi i rrugës me autostradën. Ne nuk guxojmë të besojmë se zgjerimi i rrugëve mes vendbanimeve e zëvendëson autostradën, pasi që në të kundërtën, bota nuk do të kishte bërë autostrada, por vetëm do t`i zgjeronte ato që i ka. Këta mund ta vonojnë mbase, por ajo do të ndodhë, sepse edhe këta sot nuk janë të përjetshëm, do të vijë një qeveri që e kryen atë punë.

“Bota sot”: Mosgatishmëria juaj për t’i prirë bisedimeve me Serbinë sa keni qenë kryeministër, me sa duket i ka dëshpëruar qytetarët e vendit, pasi që kanë besuar në qëndrimet tuaja të pa lëkundura. A mendoni se edhe kjo ju ka dëmtuar në zgjedhje?

Haradinaj: Jo, unë kam pasur një strategji timen me e dështua bisedimet, skam dashur me I marrë me i udhëheq bisedimet, por me i dështu. Bisedimet kanë qenë nën protokollin e znj. Mogherini e cila e ka lejuar diskutimin për ndarje. Strategjia ime ka qenë me ia heq prej dore kësaj, e me ia kaluar Amerikës. Ju kujtohet në dhjetorë të 2017, ajo pati refuzuar konferencën me mua, pasi që unë pata kërkuar edhe Amerikën në tavolinë, e pastaj për ta kaluar dialogun tek Gjermania e cila ishte kundër ndarjes. Pra kushdo që lexon pak veprimet e mia kronologjikisht, e ka të qartë se kam tregu sukses, jam tregu më i suksesshëm se sa ka qenë e mundur. Mundem të gjithëve me ju thënë se pikërisht atë që e kam synuar, e kemi arritur. Amerika është pjesë e diskutimit, ja kemi heq nga dora Mogherinit, ja kemi kalu Merkelit. Nëse kjo nuk është e mirë për Kosovën, atëherë nuk e di çka është e mira.

“Bota sot”: Ditë më parë keni thënë se për Ballkanin kurrë nuk duhet të thuhet se nuk do të ketë luftë. A besoni vërtet se do të ketë luftë apo si?

Haradinaj: Unë kam thënë edhe diçka, ne do të punojmë që kurrë të mos ndodhë lufta, duhet të jetë e mençme që kurrë të mos ndodhë lufta, nuk guxojmë të nxisim as shkaktojmë as provokojmë luftë, por duhet të punojmë çdo ditë që të jemi të zotë që të mbrohemi. Atë po e bëjmë intensivisht. Unë sot kur po e jap këtë intervistë do ta vizitoj ushtrinë tonë zyrtarisht. Po punojmë në aftësimin tonë, mund t`ju them pa asnjë dilemë se kapacitetet e sigurisë së Kosovës janë në rritje e sipër, po flasim për kapacitetet operative, të cilat janë deri në nivel të mbrojtjes, si në polici, ushtri apo të inteligjencës, që janë kapacitete të rritura, nuk e kam një Kosovë bash shkel e shko.

“Bota sot”: Ditë më parë jeni intervistuar për vëllaun tuajtë vrarë pas luftës nga vrasës të pa njohur deri sot. Keni thënë se është vrarë nga qarqe jo-shqiptare për të nxitur vëlla-vrasjen. Cka mund të thoni rrethë kësaj?

Haradinaj: Pas bartjes së lëndëve nga autoritetet e EULEXIT tek vendorët, të gjitha rastet e rënda që kanë ndodhë pas luftës, tani janë tek vendorët. Unë i kam shkruar një letër kryeprokurorit të shtetit atëherë dhe i kam kërkuar zbardhjen e rastit, por jo vetëm të vëllait tim, skam dashur të bëjë kërkesë familjare, e kisha bërë këtë nëse kisha folur vetëm si qytetarë, por si i zgjedhur i popullit, kam qenë i detyruar që të flas në emër të popullit që të zbardhen të gjitha rastet. Nëse ju kujtohet, unë me të marrur të detyrës, kam kërkuar me u interesu rreth tyre, këta i kanë riaktivizuar të gjitha lëndët e vrasjeve të caktuara të çfarëdo natyre, përfshirë edhe atë të vëllait tim. Për tu çuditur është që rastin e vrasjes së vëllait tim, e ka pasur një rus, pra merreni me mend se çfarë trajtimi na është bërë neve. Pra lënda e Enver Haradinajt ka qenë e besuar tek një rus, një rus e ka mbajtur atë, tani merreni me mend a ka qenë mirë apo keq. Unë kam dal me një deklaratë si familjarë sepse jam palë e dëmtuar, kanë mund ata të vijnë këtu, por jo, kam shkuar unë dhe i kam respektuar. Të gjithë duhet të japin informata, të gjithë ata që dinë më shumë.

“Bota sot”: Unë vij prej Preshevës, kemi dëshirë me e quajt Kosovë Lindore. Para marrjes së detyrës, bashkë kemi biseduar se do të bëni çmos që qytetarët e asaj ane do t’i pajisni me dokumentacion të Kosovës. Çka ju ka ndalë në këtë aspekt që ta realizoni premtimin?

Haradinaj: Ne kemi bërë diçka, i kem lehtësuar procedurat e brendshme për tu pajisur, ekziston një procedurë më e lehtë për të ardhur deri tek dokumentet identifikuese, por nuk kemi ndërmarrë një akt me të cilin në paketë e kryen këtë punë, por kemi punuar që në kuadër të aparatit shtetërorë të gjinden zgjidhje në bazë të ligjeve në fuqi që të mos i vonojmë, apo të mos i mohohet e drejta, mirë është që të ardhmen me e përmbyllë këtë me një ligj, por besoj që do të arrijmë deri aty, besoj.

“Bota sot”: Kohë më parë, policia zvicerane e ka shpallur fajtorë personin i cili qëndron prapa dërgesës së një lënde shpërthyese në redaksinë e “Bota sot” në Cyrih të Zvicrës. Pse nuk e keni përkrahë asnjëherë vendimin e drejtësisë zvicerane publikisht? Personit në fjalë iu janë zbuluarfotografi me ju. A keni ndonjë lidhje me të?

Haradinaj: Zakonisht, e keni vërejtur unë nuk i komentoj proceset gjyqësore, bëjë kujdes. Normal që e përshëndesim vendimin e cilësdo gjykatë e cila dënon dikë që bënë ndonjë vepër kriminale , kushdo që është ai, qoftë edhe i Aleancës apo i PDK. Nëse e ka bërë një vepër të jashtë ligjshme, qoftë në bazë të ligjeve të Kosovës apo të Zvicrës. Unë kam respekt për gjyqësinë zvicerane, e përshëndesim atë vendim pa dyshim.

“Bota sot”: Në Dukagjin, përveç juve, njëri ndër komandantëve tjerë të zotë ka qenë edhe Tahir Zemaj. Pronari i “Bota sot”, mbanë mend një kujtim nga një takim me të ndjerin Zemaj, kur i ka thënë se Ramush Haradinaj është trim dhe se me të ka pasur një rast kur kanë qenë afër arritjes së marrëveshjes për bashkëpunim, por që ka ndërhyrë Hashim Thaçi dhe ju ka prishë. A qëndron kjo, cili ka qenë dikur dhe sot mendimi juaj për Tahir Zemajn?

Haradinaj: Nuk ka qenë e lehtë as për mua e as për Zemajn, ai ka ardhur i rekrutuar prej strukturave të ish-qeverisë në ekzil, d.m.th ata e kanë rekrutuar për të ardhur në luftë. Gjatë luftës kemi qenë kolegë, e kemi pasur një bashkëpunim të caktuar, një respekt të ndërsjellë. Nuk mund të gjykoj tash z. Zemaj në tërësi për jetën e tij, por në një periudhë të caktuar të bashkëpunimit tonë ka funksionuar, ta zëmë rastin e betejës së Loxhës si dhe në disa raste tjera, ai e ka dhënë kontributin e tij si çdo bashkëluftuar I yni. Ne kemi pasur bashkëpunim me të gjithë në terren, nuk ka pasur fort dallime me thënë të drejtën. Ti ke mund të jesh I rekrutuar prej LPK-së, qeverisë në ekzil, prej kujtdo qoftë, por kur ka ardhë koha në front, me pushkë është dashur të drejtohesh kundër Serbisë. Nuk ka pasur dallim në substancë, kanë qenë më shumë disa formalitete atje lartë që kanë ekzistu se sa te ne në terren. Ta zëmë në terren, si Ramushi si Tahiri, kur ka rënë granata është dashur të I bëhet qare vetes e të luftojmë. Pra nuk ka pasur realisht thyerje, më shumë kanë qenë diku tjetër thyerjet, ndoshta te ata që nuk kanë qenë në luftë, pasi që kur hy në luftë, në luftë, më i afërt kam qenë unë për Tahirin se kushdo tjetër. Është dashur të mbështetemi në njëri tjetrin, pra ka qenë normale që kemi pasur një komunikim, bashkëpunim. Ne nuk jemi rritur njësoj me Tahirin, por thyerje nuk kemi pasur që na kanë penguar në zhvillimin e luftës.

“Bota sot”: Disa herë jeni deklaruar se e keni pasur një simpati për Enver Hoxhën, sot cka mendoni për diktatorin Enver Hoxha?

Haradinaj: Po, familjarisht e kemi dashur Enver Hoxhën, kemi qenë në gjendje të vdesim për Enver Hoxhën, e kemi dashtë me zemër. Ka qenë idol i yni, ne jemi prej familjeve që nuk e kemi dashur as Titën e le më Milloshin, kemi qenë disidentat, axha, baca Smajl në 80-tën ka ra në burg, në Pozharevc i ka bërë mbi 10 vite burg.

“Bota sot”: Sot, çka mendoni për Enver Hoxhën?

Haradinaj: Eh kjo që thash më larg ka ndryshuar prej viteve të 90-ta, unë e kam vizitu për herë të parë Shqipërinë në vitin 1990. Kur e kam pa atje Shqipërinë shumë keq, të varfër, ushtrinë e rënë për tokë, njerëzit e Shqipërisë lypshin me ikë, atëherë u pata zhgënjyer në socializëm që ka qenë atëherë por edhe në lidership të tyre. Vetvetiu jam betuar se kurrë nuk do të jem i majtë për faktin se e kam parë se sa keq ta bien punën. Ata që kanë jetuar në Shqipëri e kanë vuajtur atë gjendje, edhe me pas shku prej Kosove në Shqipëri, ndoshta ishe pajtuar, por unë kur kam ardhur prej perëndimi, prej Zvicre dhe e kam parë se si ai regjim shqiptarin e ka lënë 200 vite prapa, kuptohet se jam dëshpëruar dhe jam betuar se nuk do ta përkrahi të majtën. Unë jam i djathë sepse e majta e ka varfëruar, e ka lënë pa kurrgjë dhe e ka dobësuar.

“Bota sot”: Jeni nga i njëjti rajon i Kosovës, nga Dukagjini. Si e njihni familjen Mazrekaj atje në Dukagjin, në aspektin kombëtarë?

Haradinaj: Janë familje e shquar, të respektuar, patriot. Shiqo, nuk ka qenë e lehtë me i mbijetu të gjitha kohërave, shqiptarët herët kanë filluar, kurrë nuk janë ndalë të gjithë në mënyrën e vet. Nuk do të thotë që të gjithë t’i takojnë një organizate, një grupimi, por të gjithë kanë bërë punë në mënyrën e vetë. Unë kur kam pasur rastin me punua me presidentin Rugova, kemi hapur biseda, kemi biseduar plot tema, ndoshta më shumë se sa i kemi pasur mundësitë, edhe ai e ka pasur të qartë që është e rëndësishme me i afrua krahët e kombit, për temat e interesit nacional. Ne duhet të jetojmë në pluralizëm, nuk guxojmë me i humb energjitë tona, energjitë e shqiptarëve duhet u kundërshtuar, është më mirë ti afrojmë ato në dobi të interesave të vendit, se sa me ia humb fuqinë. Duke i dobësuar plot krah, nuk fiton shqiptari, mbesim duke u marrë me veten, të tjerët ecin para nesh, ndërsa duke i ftuar të gjithë për të dhënë secili pjesën e vetë, ne forcohemi si shqiptarë e si Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat