Esat Geci tregon ngjarjen e vitit 2000: Nëse Presidentit i mungon një thua, do të vdesim të gjithë këtu

Intervista

Esat Geci tregon ngjarjen e vitit 2000: Nëse Presidentit i mungon një thua, do të vdesim të gjithë këtu

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 1 janar 2020 Në ora: 18:38
Esat Geci në veturen e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova/ Foto: Bota sot

Në një rrëfim ekskluziv për “Bota sot”, vëllezërit Geci nga Llausha e Skenderajt kanë folur për herë të parë në detaje për njohjet e tyre me familjen e Presidentit Rugova. Në këtë rrëfim të gjatë, për herë të parë do të mësoni se cili ishte momenti i parë i takimit të Vëllezërve Geci me Dr. Rugovën, si i krijuan ata raportet aq të afërta sa në një periudhë, Esat Geci ishte thuajse 24/7 afër Presidentit. Mësoni po ashtu, se cili është kujtimi më i mirë i vëllezërve Geci, trashëgimi e punës me Presidentin Rugova.

“Bota sot”: Njiheni si familjet më patriotike e kontribut dhënëse në çlirimin por edhe në shtet ndërtimin e Kosovës, së pari në luftë duke pasur rrol të rëndësishëm në Drenicë, por edhe në shtet ndërtim, duke i qëndruar afër Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, në kohërat më të vështira. Si jeni njohur me LDK-në por edhe me Dr. Ibrahim Rugovën në fillim?

Fadil Geci: Nuk e di sa korrekte është të flasësh për vete, këtë do të duhej ta thoshin historianët, por me që më pyetët, sigurisht se duhet t’ua them versionin tonë. Në historinë e re të kombit tonë, sa herë që përmendet Drenica, doemos duhet të lidhet me familjen Geci, me vëllezërit Geci. Luftën me Turqinë kemi qenë të parët, familja jonë ka filluar të I rrëzojë sarajet e turqve e që kemi pasur pasoja edhe në atë kohë. Luftën me Serbinë e parë, pastaj me Serbinë e dytë, këtë të fundit. Ne nuk e kemi pa kurrë interesin personal, por atë nacional e kombëtarë. Kur gjithçka u rrënua, kur filloi Lidhja Demokratike, kur doli në sipërfaqe me intelektualët në krye me Ibrahim Rugovën, si organizim politik. Ne menduam se tani shqiptaria është në duar të shëndosha, në duar të intelektualëve dhe e njihnim Ibrahim Rugovën si të pastër, që familjen e Rugovës, babën e gjyshin ia kanë pre Serbia në të njëjtën datë kur na kanë pre edhe neve babagjyshin, Halil Bajraktarin, i ka rënë 7 janar 1945, ka qenë si festë Bozhiqi. E kemi ditë çfarë familje ka, çfarë intelektualësh ka rreth veti, pra kemi vendosur që si vëllezër t`i bashkohemi projektit politik të Rugovës. Mua si vëlla i dytë më ka rënë fati, isha me fakultet, juridikun e kisha të kryer dhe u përshtatsha që të filloj rrugën pas Dr. Ibrahim Rugovës dhe Lidhjen Demokratike. Pra, njëra ndër arsyet me të forta që iu jemi bashkuar idealit të Dr. Ibrahim Rugova, ka qenë historia e njëjtë që e kemi pasur, përfundimi si të masakruar gjyshit tonë, dhe babait e gjyshit të Rugovës, në të njëjtën ditë, në të njëjtin aksion. Ajo lidhje e asaj kohe, ka qenë lidhje kombëtare e shpirtërore me njerëzit më të mirë në çdo aspekt, që ka pasur kombi në atë kohë, i kemi afruar të gjithë. Këtu, në Drenicë, bazat e para të LDK-së kanë qenë nga ne, nga unë personalisht, tash po dëgjoj edhe fjalë secili që flet thotë unë kam qenë i pari, unë nuk kam qenë i vetëm, kam qenë unë bashkë me Hamëz Jasharin. Kemi pas shkuar në Prishtinë tek institute albanologjik, kemi pas marrë programin, kemi bisedua, i kemi mobilizua intelektualët. I kemi thënë në Prishtinë se ne jemi përcaktua, jemi përgatit dhe duam të fillojmë e punën, duam ti marrim detyrat, çfarëdo detyra që na besohen jemi të gatshëm ti marrim. Kemi filluar e kemi marrë programin, e kemi shpërnda tek të gjitha shtresat. Ne kemi qenë të përndjekur edhe prej komunizimit, por me rastin e këtij organizimi kemi dashtë të i ofrojmë të gjitha shtresat, edhe ata që kanë qenë komunizëm, që kanë dalë prej burgut, nacionalistat, u pat bë një kombinim me i ofru të gjithë shqiptarët afër vetit, a e dini pse, I patëm ofrua edhe UDB-shët, ata që na patën rreh për Serbinë e Jugosllavinë i patëm ofru, kanë ardhë në zyrë të unë disa njerëz që kanë pasur rrolin e UDB-ashit, Drenica e din e kanë thënë që prej sotit ne jemi këtu për t’ju informu që fëmijët tanë po na pyesin a jeni me Ibrahim Rugovën apo jeni me MIilosheviqin, ne ju kemi thënë se jemi me Ibrahimin, ata na kanë thënë, çka kemi bërë deri sot mos na e falni, por tash e tutje nëse keni nevojë për ndihmën tonë, jemi të gatshëm në atë drejtim. Për mua ka qenë pak e rëndë me i pas ata afër, por kam shku, kam pyet profesorin Fehmi Agani, kam qenë i afërt me profën, ai shumë herë nuk më ka lënë me gabu, ka thënë se edhe ata duhet t`i angazhojmë, duhet të ecim përpara të gjitha shtresat.

Image
Vetura e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova/ Foto: Bota sot

“Bota sot”: Rugova në Drenicë është përceptu si më paqësorë, për dallim prej juve si familje që keni qenë të pushkës e të luftës. Si keni arritur të krijoni bindjen që Dr. Rugova ishte i duhuri që të rreshtoheni pas tij?

Fadil Geci: E thash edhe më lartë, faktori kryesorë ka qenë familja. Nëse ai ka qenë origjinal trashëgimtar i asaj, s`ka kah del ai, nëse është tradhtarë, del tradhtarë. Ai i ka pasur të gjitha këto faktorë, ai së pari ka qenë I shkolluar, e dyta ka qenë ajo që rreth parës nuk është sjellë kurrë, nuk ka pasur asnjë nevojë që të ruhet në atë aspekt, s`ka qenë lakmitarë, në shpirt të tij ka qenë vetëm interesi nacional, në shpirt timin nuk kam pasur kurrë asnjëherë asnjë mëdyshje në Dr. Ibrahim Rugovën, gjithçka që Rugova ka thënë për mua ka qenë e pranuar bllakno, i kam provuar edhe tjerët në skenën politike, sepse doni ti afronim edhe disa tanët, ka qenë Adem Demaçi, Luljeta Pula, Rexhep Qosja në fillimet e para po flas, por I kam pa që nuk kanë qenë të vendosur, sot kanë thënë se duhet me luftë e nesër me paqe, e kanë ndërruar stilin varësisht me kë kanë ndenjur, nuk kanë qenë stabil, për dallim prej Rugovës I cili ka qenë i pa lëkundur, kurrë, asnjë moment nuk kam dyshu në Rugovën, kam pasur raste kur kanë ardh njerëz rreth shtëpisë kanë gjuajtur me automat me na frikësu duke thënë se a po e sheh që e keni jaran Rugovën e ai po e “tradhton” kombin, ne kurrë nuk kemi dyshua, asnjë sekondë nuk jam hamendur. E kam ditë që nëse ka diçka, diku ndonjë shpëtim ky popull, atë e ka prej Rugovës, prej rrugës e prej miqve të tij. Ne kemi qenë njerëzit më të afërt në momentet më të vështira të Dr. Rugovës, pushka e para ka qenë e jona, Rugova nuk e ka eliminuar pushkën si mundësi, por thënë se duhet të ruhemi se është herët, armikun duhet ta gjejmë në momentin kur është më i pa përshtatshëm për të. A e kemi dëshmi se kur ishte Rusia më së ngushti, a erdhi momenti kur Rusia ishte më se dobëti e u çliruam, Bill Clintonin e kemi dëgjuar të gjithë duke iu drejtuar me gisht kah Rugova e duke na treguar se ky ka qenë arsyeja pse kemi ndërhyrë.

Ne kemi qenë të vendor për Rugovën, nuk na kanë interesuar, a ka qenë Bujar Bukoshi tradhtarë, atë e gjykon historia, ne nuk jemi dalë kurrë jashtë kësaj vije, e as unë si jurist. Përgjegjësi kanë të gjithë ata që kanë thënë se kemi me e luftuar shtetin e Kosovës sikur serbët, nëse ka diku prokurorë ata duhet të merren me këtë punë, pse kanë thënë ashtu, kanë thënë gjatë luftës e pas luftës, shqiptarë. A është shqiptarë ai që duhet të vritet Fehmi Agani e Ibrahim Rugova? Ata që kanë thënë se duhet të vritet Agani, Rugova e Mark Krasniqi, ata kanë bërë komunikata për shqiptarët, unë mendoj që me ia bë analizat e AND-së mirë, ka pasur këtu të përzier në një kohë sepse shqiptari i vërtetë nuk e thotë një gjë të tillë. Kreun e akadamisë me e vra, kryetarin e shtetit, ai që i thotë këto gjëra, duhet t’i shikohet gjeneza.

“Bota sot”: Cili ka qenë komenti i Rugovës pas aksioneve tuaja kundër policisë e ushtrisë serbe, e që nuk kanë qenë të rralla?

Fadil Geci: Ai e ka pasur të qartë idenë e tij se dikush është i interesuar edhe të na fusë në luftë civile, ai e ka ditur se një grup po e vret një grup tjetër, ka vrarë bashkëpunëtorë të Rugovës. Kjo kategori që po I bënë këto veprime nuk e ka për qëllim shtetin e Kosovës, nuk guxojmë të fillojmë luftë civile mes veti, ne duhet të ecim të bashku. Porosia e tij ka qenë ruanu djem, shkoni nëpër grupe, mos dilni natën, nuk duhet me i kthyer pushkën mes veti, këtë e do Serbia, ne duhet të dalim në cak, e caku jonë është që të fitohet e të njihet pavarësia e Kosovës nga fuqitë e mëdha e me miqësi të përhershme të SHBA-ve, këtë e keni dëgjuar në çdo konferencë, Zoti e bekoftë Kosovën dhe Amerikën, kjo ka qenë e gjithë porosia e Rugovës, janë të shenjta ato lidhje që na I ka lënë Rugova. Ne si familje jemi krenarë që sot ata gojëligë na kanë akuzuar se jemi jarana të Ibrahim Rugovës, kjo neve na e bënë nderën më të madhe.

Image
Esat Geci në veturen e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova/ Foto: Bota sot

“Bota sot”: Sa e keni pasur të vështirë t`i shtrini strukturat e LDK-së në Drenicë?

Fadil Geci: Në Drenicë ka qenë në fillim 95% LDK, deri në luftë, nuk ka pasur tjetër deri në 97-98, ka pasur tjera parti fshatare, individuale, por jo tjetër organizim. Vetëm një bashkësi locale nëse ndalemi e shohim, sepse e kam incizimin çfarë organizimi ka qenë, kanë njerëzit më të mirë të atij rrethi, të impluikuar, ka qenë ajka e atij vendi të gjithë në LDK, tash, sot asi njerëz nuk mundesh me gjetë në nivel të Kosovës, është degradua e gjitha, nuk e di pse. Dikur, lufta me serb ka qenë pa interesa, nuk kemi pasur përfitime. Degën e Skenderajt e kemi mbajtur me të gjitha, nga 100 veta në dite i kemi mbajtur, vëllezërit Geci e kanë bërë këtë, ne kemi pasur rrol edhe politik e edhe ushtarak, historianët duhet të merren me këtë gjë, të gjithë vëllezërit Geci e kanë pasur rrolin më të madh se tjetri, përkundër presioneve të mëdha, nganjëherë ka qenë thuaja e gjithë Kosova është në kurriz tonin.

“Bota sot”: A keni pasur ndonjëherë, apo kur e keni pasur presionin më të madhë? Cka keni menduar, a keni thënë qoftë ndër vete ndonjëherë mjaftë më, le të jetojmë pa presion?

Fadil Geci: Asnjë të vetëm moment nuk ka pasur, asnjë sekondë. Një herë na patë thirrur Rifat Jashari, sepse kam thënë se vetëm Rifat Jasharit i përgjigjem me bisedua me të, as djemve të ri të Jasharajve, vetëm Rifatit. Më ka thënë, daj bre po kemi telashe, përkrahja juaj për Rugovën po na sjell telashe, iu kam përgjigjur se vetëm në atë pikë jam i pathyeshëm, vetëm nëse mbetem, askujt nuk i them hajde pas meje, pas luftës më janë vrarë gjashtë bashkëpunëtorë, e sa të plaguar, e asnjë sekond nuk jam hamend që të tërhiqem, sigurisht se jam ruajt, sot unë e barti revolen, pse duhet ta barti revolen sot në liri, pse më duhet me shqiptarë revolja, më duhet sepse ka shqiptarë faqezi. Për ta mësuar të vërtetën mbi Drenicën, së pari duhet të shkohet te familja Jashari, pastaj tek ne, vëllezërit Geci.

“Bota sot”: Vwllai juaj na tregoi pak a shumë për fillet tuaja me LDK-në dhe Rugovën, por si u vendos që pikërisht ju të jeni truproja personale e Presidentit Rugova?

Esat Geci: Pra siç e tha edhe vëllai Fadili ne me LDK kemi qenë gjithmonë dhe kontaktet me Presidentin Rugova Fadili ka qenë në degën e LDK-së ne Skenderaj nga themelimi, kurse vëllai i madh Halili ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe vëllai Ganiu ka qenë në Forumin Rinor të LDK-së në Skenderaj. Dhe kontaktet e familjes time me Presidentin Rugova kanë qenë të mira nga themelimi i LDK-së në vitin 1989. E kur Presidenti Rugova veç kishte vendosur të kthehet prej Italie vëllai i madh Halili kishte kontaktuar me Rugovën dhe Adnan Merovcin dhe e kishin informuar që do të vinë në Kosovë dhe nga Halili kishin kërkuar që dikush nga ne vëllezërit të jemi afër tij sepse situata e pasluftës ishte e rënda. Ne si vllezer u ulëm dhe morëm vendim që pasi që Presidenti kishte kërkuar ndihmë dhe dikush prej neve duhet të shkojë, diskutuam të gjithë vëllezërit dhe morëm vendim që unë të jem ai. Unë personalisht për herë të parë Ibrahim Rugovën e kam takuar pas ardhjes nga Italia, ishte shumë i qetë, , pavarësisht rrethanave që Kosova ishte e djegur çdo cep i Kosovës ai ishte shumë i lumtur sepse forcat e NATO-s ishin duke kontrolluar territorin e Kosovës. Në vitin 1999, pas përfundimit të luftës unë kam filluar punën te Presidenti Rugova, po sa më ka parë më ka thirrur në mbiemër Geci, Nga dita e parë nuk iu kam ndarë kurrë deri në ditën e fundit të jetës së tij. Aty së pari jam takuar me Adnan Merovcin, me mua ka qenë edhe Bashkim Geci, Afrim Geci dhe i ndjeri Besim Dajaku, i cili në atentat në vitin 2001 është vrarë bashkë me gazetarin Bekim Kastratin dhe plagosjen e vëllait tim Ganiut. Prej atij momenti kemi qenë të pa ndashëm me Presidentin Rugova, çdo rrugë që ka marrë Presidenti ne kemi qenë gjithmonë afër tij, kemi qenë gati si familje ose si femijët e tij,

Image
Vetura e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova/ Foto: Bota sot

“Bota sot”: A ka pasur ndonjëherë raste kur dikush ka mundur me pyes Rugovën se pse ju ka afrua juve, pse bash juve e kësi gjërash?

Esat Geci: Kur kemi hy ne aty nuk ka pasur dilingji. Kundërshtarët politik ndoshta, por ne si familje u njiheshim edhe me herët me Presidentin Rugova dhe stafin e tij të afërt. .Rugova ka qenë një njeri që nuk është marrë shumë me fjalë, ka qenë njeri që i ka ecur proceset përpara.

“Bota sot”: Keni pasur jo rrallë raste kur jeta e Presidentit por edhe e juaja ka qenë në rrezik. Si i keni kaluar këto situate?

Esat Geci: Ne si vëllezër gjithnjë kemi pasur informacione që na kanë ardhur, ruaju aty, e ruaju këtu. Një ndër rastet ka qenë, kur dolëm kundër dhunës që ndodhte në ato kohëra, një farë marshi prej sheshit “Skenderbe” gati deri tek katedralja ku është sot, rrugës duke shkuar ka qenë një skenarë shumë i përgatitur ku na futën në mes, ku kemi ndërhy. Disa prej njerëzve që u përzien në atë tollovi që ishin të Drenicës unë i njihja, s`po i përmendi me emra, por në të ardhmen do të përmenden. Iu drejtova me emër: Nëse veç një thua i mungon Ibrahim Rugovës, ti do të kesh punë me familjen Geci. Ishte krijuar një tollovi e madhe, gati na ndanë, na e larguan gati njëri prej tjetrit, me dhunë kemi dalë me vështirësi të madhe prej asaj tollovie, ne si staf e kemi ndalu një kombi-bus ku në të e kemi hipur Presidentin, edhe sot nuk e di kush ka qene pronar i atij automjeti. Pronari e ka vozitur deri në Velani sepse ishte e pamundur ndryshe, ai ka vozitur vetë me vullnet dhe me kujtohet një fjalë që na ka thënë më me qejf vdes me Presidentin Rugova dhe me ju, se sa me jetua me dikë që ju sulmon juve.

Pastaj ka qenë rasti kur është hedhë bomba në shtëpinë e Presidentit, pastaj ka qenë eksplozivi tek kontinjeri i mbeturinave afër “Sllovenia Sportit”, kur po shkonim në takim me Solanën. Bile më kujtohet kur Rugova na tregoi se ku do shkonim, sepse agjendat zakonisht nuk i bënim publike për shkak të sigurisë së Presidentit, shumicën e rasteve shkonim pa pritur. Kur ndodhi shpërthimi kemi qenë 3 automjete, në të parin kanë qenë kolegët Xhevat Dajaku, Ukshin Haliti, Fadil Selimi, Bajram Krasniqi, Labinot Krasniqi dhe Linda Moriqi të cilët e kaluan kontenierin, pastaj ka qenë vetura e Presidenti ku në të ndodheshin Presidenti, Skender Hyseni, Elez Nikqi dhe Qefser Baholli dhe ne veturën mbrapa isha une Esat Geci, Faton Krasniqi, Faruk Ajvazi, Afrim Geci, Bashkim Geci dhe me ne ishte profesori Muhamet Hamiti. Shkalla e blinduar e automjetet të Presidentit ka qenë aq e lartë, sa rrallë kush e ka ditur një gjë të tillë edhe brenda stafit nuk e kanë ditur të gjithë, ai ka ardhur i specializuar për Presidentin Rugova direkt prej Amerike. Ne kemi shpëtuar falë zotit, eksplozivi ka shpërthyer bash pranë dritares së Presidentit, automjetet tona nuk kanë qenë të blinduara, na ka qua në ajër 2-3 metra, unë kam kërcyer prej makinës para se me ra në tokë makina, kam vrapua direkt tek Presidenti për të parë gjendjen e tij, aty ka qenë Elez Nikqi, Skender Hyseni. Në atë moment kam bërtit Presidenti a është mirë tri katër herë të njëjten fjalë, mu përgjigj Elezi apo Qefseri po po shpëtuam ju a shpëtuat. Vlen të theksohet se pasi që na goditi eksplozivi ne të gjithë i morëm armët e gjata e të shkurtra dhe i bllokuam të dy korsitë e rrugës. Nuk shkoi gjatë erdhën policia e UNMIKUT dhe KFORI. Më pas na erdhi edhe automjeti tjetër i blinduar dhe në mënyrë të sigurt u futem aty për të shkuar në kuvend, ku sot është Presidenca. Çka ka qenë e veçantë, ajo se Presidenti pasi na ka pyetur të gjithëve a jeni mirë, duke u ngjitur shkallëve më tha që sa herë vjen Solana, kështu bëhet, vlen të theksohet se Presidenti Rugova ishte duke shkuar në takim me Solanen. Me kujtohet mirë ku Presidenti Rugova na tha nëse nuk ndjeheni të sigurt dikush prej ju, jeni të lirë sepse keni familje. Në atë moment unë iu drejtova i thash: President se unë veç i vdekur, se i gjallë nuk të lë, pastaj më tha: Esat, për ty e di por, po flas për atë që nuk e ndihet mire, sepse disa prej kolegëve nuk e kishin përjetua luftën, për dallim prej meje dhe disa tjerëve që e kishim përjetuar luftën dhe për krisma nuk u mërziteshim. Në atë rast ka qenë i shqetësuar, sepse Kosova kishte përfunduar luftën, por kjo vinte nga kundërshtarët politik. Më kujtohet edhe rasti në vitin 2000, në Klinë të Begut, ishin zgjedhje lokale dhe ne ishim të përgatitur sepse e dinim situatën, po atë ditë që në arritëm në Klinë për fushatë ende pa dalë nga vetura kishin hedhur një bombë në popullatë ku ishin plagosur dy fëmijë dhe një i rritur. Ne duke dalë nga automjeti, në radiolidhje na treguan se ka ndodhë bomba. Kam shkua vetë, personalisht të kryetari dhe i kam thënë prit se ka ndodh kështu le ta shohim situatën, tekstualisht më tha: Hapeni derën sepse une ketu kam ardhur per popullin tim dhe per se gjalli nuk ka kush qe mund te me ndaloj ti drejtohem kesaj mase dhe keti populli tim te mrekullushem dhe na tha hape deren e makines dhe doli nga makina dhe shkuam drej ne bin ku derisa e perfundoi fjalimin Presidenti ishte i rrethuar ne te gjitha anet. Keto raste Presidenti Rugova I ka përjetuar shumë rëndë pasi që po ndodhnin mes shqiptarëve, atë e lëndonin shumë këto, por Rugova nuk ka qenë asnjëherë hakmarrës, gjithnjë ka kërkua që të mos u kthehet me të njëjtën monedhë.

“Bota sot”: Nga kush jeni rrezikuar më shumë, apo është kanosur Presidenti Rugova?

Esat Geci: Nga kush tjetër pos nga kundërshtaret politik dhe disa hiena dhe njerëz te ardhur nga mali. Shumë herë kur kemi pasur dalje, në vitet e para të pas luftës, çdo herë që unë mungoja të jem afër Presidentit, apo edhe Besimi, Bshkimi, Afrimi, ku pas vrasjes se Besimit erdhi vëllai i tij Xhevati, kur s`kemi qenë ne aty gjithmonë nga përcjellja e afërt e Presidentit të tanishëm Thaçi, ka pasur sharje, fyerje, por kur unë isha aty, ato nuk kanë ekzistuar. Një rast kur unë nuk isha mirë me shëndet, mungova dhe kishin pasur telashe të mëdha me ata persona, kur shkova iu drejtova njeriut më të afërt të Presidentit të tanishëm duke i thënë se këtu jemi me punë, ti e ke punën tënde unë timen. Sa unë të jem gjallë afër Presidentit Rugova, ti përveç meje nuk ke punë me askënd tjetër. Të gjithë ata më kanë njohur, ua kam ditur luftën, kanë mundur t`i tregojnë për luftë në Prishtinë e jo neve që I kemi njohur per trimnin e tyre. Ata e kanë pasur të qartë se kur është puna te Presidenti Rugova veq mundemi me vdek të gjithë se tjetër zgjidhje nuk ka pasur. Duke e falëderuar Zotin, Presidenti Rugova ka shpëtuar prej dorës së shqiptarëve, e vdekja i erdhi prej një sëmundjeje të rëndë.

“Bota sot”: Ju jeni edhe pronarë i një trashëgimie të cilën e keni si kujtim nga Presidenti Rugova, e keni makinën me të cilën ka udhëtuar Presidenti, si ju ka mbetur ajo makinë juve dhe sa ju bënë krenarë që e keni?

Esat Geci: Makinën FORD (xhip) e kam që nga koha sa Presidenti Rugova ka qenë gjallë, në vitet 99-2000 LDK-ja dhe Presidenti Rugova nuk ka pasur makina, e kemi pasur një audi A6 e tipit të vjetër edhe nëse nuk gaboj e kemi pasur një Opel më duket. Gradualisht e bëmë një Llancia e cila ishte e blinduar, pastaj u mbajtën zgjedhjet lokale e nacionale ku I blenë 2 makina amerikane FORD njërën prej të cilave sot unë e posedoj, njëra nuk e di ku është, e të cilat kanë qenë në emër të LDK-së. Diku kah viti 2005, kur institucionet e Kosovës u forcuan, i morëm makinat zyrtare e këto FORD-at i hoqën prej përdorimit. Më patën pyetur nëse më pëlqen me e marrë këtë që e kam sot, sigurisht se e kam pranuar me kënaqësi sepse ishte makinë me të cilën kishim vozitur,në vitet më të rënda. Vazhdon të jetë e tillë siç ka qenë gjithmonë, as nuk kam dal me të kurrë as asgjë, e ruaj si kujtim nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova./Vijon në numrin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat