Nga intervista e fundit me arkitektin e pavarësisë Dr.Rugova: Duhet t’i tregojmë botës se ne dimë dhe mund të mbajmë shtet!

Intervista

Nga intervista e fundit me arkitektin e pavarësisë Dr.Rugova: Duhet t’i tregojmë botës se ne dimë dhe mund të mbajmë shtet!

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 22:36
Nefail Maliqi dhe Ibrahim Rugova

Me rastine 12-vjetorit te pamvaresise se Kosovës po botojmë Intervistën e fundit me Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhene gazetarit te njohur ne Gjenevë Nefail Maliqit, te cilen bisede po e riboton agjencia e lajmeve “Pesheva Jonë”

Z. President, në Forumin e sivjemë Ndërkombëtar të Crans-Montana-s ju prezentuan si President i Kosovës. A mund të na thoni shkurtimisht për fillim të bisedës sonë rreth qëllimit të pjesëmarrjes suaj në këtë samit botëror ?

DR.RUGOVA : Ju, siç e dini, edhe herave tjera kam përcjellur punimet e Forumit të Crans-Montana-s dhe, për dallim nga vitet tjera, ky forum këtë vit ishte edhe jubilar, ishte pra dhjetëvjetori i aktiviteteve të këtij forumi, i cili kishte dhënë kontributin e vet në inaugurimin e proceseve të reja demokratike dhe në zgjerimin e konceptit të saj. Demokraci nuk mund të nënkuptojmë vetëm zgjedhjet, por edhe çështjet ekonomike, kooperimit të jetës sociale,me një fjalë një ndihmesë për rajonin dhe mbarë Evropën Juglindore.

Zoti Rugova, diskutimi i juaj para pjesëmarrësve të samitit nga të pranishmit u mirëprit me duartrokitje frenetike. Mund të na veçoni disa aspekte nga fjalimi juaj ?

DR.RUGOVA : Në seancën e dytë të Forumit të Crans-Montana-s, që iu kushtua kryesisht Kosovës, ku morën pjesë edhe burra shtetesh dhe personalitete tjera të njohura botërore, diksutimi im qe përqëndruar kryesisht në zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rolin e faktorit ndërkombëtar në vënien e paqes në Kosovë me rastin e prezencës së trupave të NATO-s në rajon. Instalimi i trupave të NATO-s dhe i KFOR-it në Kosovë është një lajm i mirë për ardhmërinë e Kosovës, ndërsa administrata civile hap perspektiva të reja. Gjithashtu, u përqëndrova në rindërtimin e Kosovës, rindërtim ky politik, demokratik, ekonomik, social e fizik, sepse, siç e dini, Kosova ka pësuar shkatërrime të mëdha. Çështja tjetër është se, në fazën kalimtare, duhet t’i tregojmë botës se ne dimë dhe mund të mbajmë shtet, të cilën gjë e kemi dëshmuar qe dhjetë vjet.

Zoti Rugova, këtu desha të ndërlidhem, se Ju për gati një dekadë keni kërkuar që Kosova të vihet nën protektorat ndërkombëtar. Kërkesa juaj u realizua, po tash shqiptarët çfarë i pret?

DR.RUGOVA: Prania e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë (në fakt Kosova është vënë nën protektorat ndërkombëtar) ishte një kërkesë e kahershme jo vetëm e institucioneve kosovare por e mbarë popullatës civile për t’u mbrojtur nga një regjim i egër fashist i udhëhequr nga Millosheviqi. Institucionet dhe popullatën e Kosovës tash i pret që të punojnë, që të ndihmojmë të gjithë bashkarisht trupat e NATO-s, OKB-në, të ndihmojnë administratën civile, të organizojmë zgjedhjet e reja dhe të angazhohemi të gjithë bashkërisht të jemi racionalë dhe seriozë në vendosjen e ardhmërisë së Kosovës, të ndihmojmë përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të cilat gjenden në Kosovë për të ndihmuar popullatën e vuajtur kosovare. Angazhimet tona dhe obligimet ndaj faktorit ndërkombëtar në Kosovë duhet të jenë me përgjegjësi duke dëshmuar para tyre se jemi të aftë të mbajmë shtet, duke realizuar kështu në praktikë pavarësinë e Kosovës, sepse kjo është për interesat tona. Do të shtoja se të pranishmëve ua bëra të qartë se pretendimet e insitucioneve kosovare vazhdimisht kanë qenë dhe janë që Kosova të posedojë statusin e shtetit të pavarur, por jo një separatizëm i stilit klasik. Përkundrazi, synimi ynë është Kosova e lirë dhe demokratike e hapur me të gjithë dhe e drejtuar kah Evropa, natyrisht duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përcaktimi nacional, konfesional apo ideologjik. Njoftuam përcaktimet tona për pavarësi, në të cilën rrugë Kosova tashmë ka hyrë, duke i dhënë përparësi rikonstruimit të saj. Sot Ballkani i nxehtë dhe bashkësia ndërkombëtare, sidomos Evropa Juglindore, ka nevojë për demilitarizim total dhe të integrohet në familjen e shoqërive të civilizuar duke respektuar njëri-tjetrin dhe të mbizotërojë toleranca. Në tërësi, do të thoja se, Forumi i sivjemë kishte në fokus Kosovën dhe ardhmërinë e saj.

Sivjet, për herë të parë, Forumi Ndërkombëtar ju ndau shpërblimin e vet jubilar “Çmimi i Fondacionit 1999” për rolin dhe kontributin tuaj për paqe dhe liri të popullit shqiptar të Kosovës. Çfarë domethënie ka shpërblimi i Crans-Montana-s për ju dhe Kosovën, Z. President ?

DR.RUGOVA: Natyrisht ishte një gëzim dhe lajm i mirë për mua personalisht, njëkohësisht edhe një lajm i mirë për popullin e Kosovës, lajm ky i dytë pas atij të vendosjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe kthimit të popullatës kosovare në shtëpitë e veta. Shpërblimi në fjalë i Crans Montana-s kishte edhe vlerën e vet sepse ai i jepet Kosovës në cilësinë e Presidenti të Republikës, që në fakt ka domethënien e vet se bashkësia ndërkombëtare po i afrohet njohjes së vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë dhe në demokraci, i pavarur nga regjimi i diktatorit të Milloshevqit, për ruajtjen e rendit demokratik dhe ruajtjes së institucioneve të shtetit të Kosovës të themeluara nga vitet e 90-ta. Me një fjalë ishte ky një shpërblim shenjë për mirënjohjen e strukuturave të vendit tonë dhe sakrificës së popullit të Kosovës për të jetuar i lirë.

Javëve të fundit, që nga dalja Juaj nga rrethimi serb policor, krahas aktiviteti të dendur në perëndim kishit një sërë kontaktesh edhe me shqiptarët jashtë vendit, sidomos me refugjatët kosovarë. Por, popullata shqiptare ju pret me padurim në Kosovë, kur do të gjendeni në Prishtinë në mesin e popullit ?

DR.RUGOVA: Po, gjithsesi dhe atë shumë shpejt do të gjendem në Prishtinë. Kthimi im në Kosovë tash mund të numërohet me ditë derisa të rregullohen disa probleme të vogla dhe aktiviteti i natyrës teknike dhe të jepet shenja e gjelbërt për të shkuar në Kosovë për rifillimin e organizimit të jetës politike dhe ekonomike në Kosovë. Besoj se, gjatë kësaj jave, do të gjendem në Prishtinë. Kthimi im në Kosovë është vetëm çështje orësh dhe deri tash ky abstenim ka qenë vetëm për shkak të një sërë aktivitetesh ndërkombëtare dhe prezencës në Forumin Ndërkombëtar të Crans-Montana-s në Zvicër, ku isha i ftuar.

Mosprania Juaj në Prishtinë gjatë kohës së vizitës së katër ministrave të vendeve evropiane, sikur ishte pretekst nga disa mediume të ngrisin pluhur dhe të komentohet në mënyra të ndryshme, edhepse Sekretari Britanik, Robin Cook, abstenimin tuaj e arsyetoi me faktin se keni qenë i zënë me aktivitet diplomatik në perëndim. Atëherë, Zoti Rugova, a mendoni se ishte e domosdoshme të ishit në atë kohë në Prishtinë për të pritur ministrat evropianë ?

DR.RUGOVA: Tamam puna për Kosovën, nëse vetëm unë të jem të pres apo të përcjell njerëz, diplomatë. Shyqyr Zotit Kosova ka dhe do të ketë njerëz për këso formalitete. E di se është ndier mungesa, por besoj se sikur ministrat evropianë, ashtu edhe populli shqiptar, më ka kuptuar për shkak të disa obligimeve në perëndim. Edhe Z. Cook është deklaruar mirë për mospraninë time në Prishtinë për shkak të, siç është shprehur, punëve të mia që kisha jashtë vendit. Besoj se mjaft e rëndësishme ishte vizita e ministrave në Kosovë dhe t’i shohë populli, të njoftohen me realitetin kosovar dhe terrorin serb.

Zoti President, kur është fjala rreth aktivitetit tuaj diplomatik në perendim, gjatë qëndrimit treditor këtu në Crans-Montana, sigurisht, zhvilluat takime me personalitete të ndryshme botërore. Kë takuat dhe çfarë biseduat me ta ?

DR.RUGOVA: Punimet e forumit të Crans-Montana-s i përcollëm bashkarisht shumë personalitete botëre, burra shtetesh, përfaqësues të NATO-s, të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, OSBE-së etj. Gjatë këtyre ditëve takova Ambasadorin Amerikan Hill, të dërguarin e presidentit Klinton Jesi Jekson, shefin e diplomacisë zvicerane Diess, Zëdhënësin e Aleancës, Jamie Shea, Presidentin Boshnjak Izetbegoviq, Presidentin Maqedon Gligorov etj. Me të gjithë këta biseduam mbi zhvillimet më të reja në Kosovë, duke i dhënë përkrahje të parezervë riatdhesimit të popullatës shqiptare të dëbuar muajve të fundit me dhunë nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe, rikonstruimit të Kosovës, instalimit të insitucioneve demokratike dhe bashkëpunimit të ardhshëm të Prishtinës zyrtare me vendet fqinje. Edhe më madhështore ishte prania e pozitës dhe opozitës nga Shqipëria në punimet e sivjeme të forumit të Crans-Montana. Kishim një takim vëllazëror me ish-presidentin e Shqipërsë Dr. Sali Berishën, pastaj me ministrin Milo etj. Falënderova Milon për mirëpritjen e mijëra njerëzve tanë në Shqipëri dhe bujarinë e tyre që i ofruan kosovarëve. Njëkohësisht, tash e tutje, do të zhvillojmë një bashkëpunim më të dendur mes Tiranës dhe Prishtinës me krijimin e një klime të re në Kosovë. Natyrisht zhvilluam takime dhe biseda edhe me aktivistë e bashkatdhetarë që veprojnë dhe punojnë përkohësisht në Zvicër.

Zoti President, para pak çastesh kisha një takim me Ambasadorin e SHBA-ve, Z. Hill dhe Z. Shea rreth ardhmërisë së UÇK-së. Ata njëzëri më thanë se liderët e saj paskan pranuar që një pjesë të shndërrohen në parti politike dhe një pjesë tjetër në polici lokale. Si i komentoni këto dhe ku do të jetë nesër UÇK-ja, e cila luajti një rol të pakontestueshëm në stabilitetin e rajonit ?

DR.RUGOVA: Ardhmërinë e UÇK-së e shpjegon qartë edhe marrëveshja e Konferencës së Rambujesë, që ajo të transformohet në një parti dhe në polici kosovare, siç janë prononcuar edhe përfaqësuesi amerikan dhe ai i NATO-s, Z. Hill dhe Z. Shea. Më konkretisht, krah për krah me UÇK-në ka luftuar bashkarisht e mbarë popullata civile me uniformë e pa uniformë kundër agresorit serb. Po e përsëris se transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në forcë në favor të mbrojtjes së Kosovës do të japë mundësi për krijimin e një force poashtu nacionale të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat