Agresivitetin e PDK-së e përjetuam pas luftës, imitimi i VV-së, e vë atë në pozita qesharake

Intervista

Agresivitetin e PDK-së e përjetuam pas luftës, imitimi i VV-së, e vë atë në pozita qesharake

Hava Orana Xhukolli  Nga Hava Orana Xhukolli  Më 22 shkurt 2020 Në ora: 14:04
Lirije Kajtazi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur rreth fillim-qeverisjes së LDK-së bashkë me LVV-në. Ajo ka thënë se për fillim qeverisja po shkon mirë, me një program të harmonizuar. Kajtazi ishte e vetmja deputete e LDK-së që nuk e votoi Glauk Konjufcën për kryeparlamentar dhe thotë se ishte e bindur se Vjosa Osmani do të votohej për atë pozitë. Kajtazi tutje tregon edhe nëse do të kërkojnë shkarkimin e Presidentit të vendit, Hashim Thaçin apo do të presin përfundimin e mandatit. Kajtazi ka folur edhe për taksën dhe reciprocitetin, si dhe PDK-në në opozitë.

“Bota sot”: Cilat i konsideroni si të arriturat më të mëdha në 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës?

Lirije Kajtazi: E arritura më e madhe është ajo me të cilën dua të filloj, Kosova tani më është Shtet Sovran dhe i Pavarur, dhe unë dua që t’i uroj qytetarëve të saj 12 vjet të Pavarësisë. Urime Kosovë! Vendi ynë, duke qenë shtet ka institucionet e saja, ku e fundit është ushtria dhe mendoj se të arritura të mëdha janë institucionet shtetërore. Por Kosova ka shpallur pavarësinë e plotë me mbikëqyrjen e aleatëve ndërkombëtar më 17 Shkurt 2008, klasa politike por edhe të gjithë ata që kanë përgjegjësinë institucione publike e pse jo edhe çdo qytetarë i saj duhej të përpiqet ta zhvillojë vendin që ai të dalë një projekt i drejtë ashtu siç ka vendosur edhe drejtësia ndërkombëtare, të vetëdijshëm se si e tillë i ka kompromiset dhe veta. Fakti se po çalojmë në shumë fusha të cilat po e bëjnë edhe më të vështirë konsolidimin e shtetësisë, një ndër faktorë janë obligimet që ka modeli i Kosovës shtet. Edhe se ka kaluar koha e mbikëqyrjes së pavarësisë, ajo prapë është nën llupë dhe e sfiduar nga ndërhyrjet e politikës dashakeqe të Beogradit përmes njerëzve të saj që janë në institucione të Kosovës të ndihmuar nga Kisha Ortodokse e Serbisë. Intervenimi i NATO-së nuk ka ndërruar mendësinë Serbisë por edhe ka ndikuar keq tek një pjesë e komandantëve të luftës në të kuptuarit e shtet-bërjes duke i lënë në gjendje infantile. E neve na duhet shumë punë për të bërë, në mënyrë që të bëhet njohja e shtetësisë që esenciale në mënyrë që të rrumbullakohet subjektiviteti politik drejtë anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë, posaçërisht në OKB. Në vazhdim si do të kemi sfida të reja ku më të cilat një shteti si ky i yni do t’i vështirësojnë konsolidimin, ku ndër më prioritet do të jenë njohjet e reja, raportet me Serbinë, zhvillimi i qëndrueshëm, punësimi, lëvizja e lirë e qytetarëve, dhe te kuptuarit e demokracisë...goditjet e ulëta politike.

“Bota sot”: A mendoni se Qeveria aktuale, e udhëhequr nga LVV e LDK është ndër qeveritë më të mira që nga shpallja e pavarësisë?

Lirije Kajtazi: Presim një shkëputje nga mendësia e kaluar qeverisëse, nga aferat korruptive, funksionim të shtetit ligjor që gjeneron zhvillim ekonomik dhe bashkë me të edhe punësim dhe hapje të perspektives për gjeneratat e reja. E kur arrihen këto edhe subjektiviteti politik i Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare do të jetë më kredibil. Tani më janë ngopur subjektet politike duke i shkaktuar dëme njëra-tjetrës, e energjitë e tyre duhet bashkuar për t’i tejkaluar çështjet që e rrezikojnë Kosovën dhe stabilitetin e saj. Dhe kjo deri sa nuk është vonë për qytetarët e saj deri sa të mos e duan as Kosovën nga frika se mos e merr shijen e thartë të politikanëve të kqinjë.

“Bota sot”: A do të ketë ndryshime në vend me qeverinë Kurti?

Lirije Kajtazi: Presim të filloj stabilizimi i funksionimit të institucioneve të vendit ku ne si LDK kemi përvojën dhe vullnetin, ku këtë e kemi dëshmuar. Për fillim kjo është qenësore.

“Bota sot”: Si po ecën koalicioni me LVV-në, ndonëse ende është herët?

Lirije Kajtazi: Mirë si fillim, me një program të harmonizuar, pati vështirësitë e veta komponuese.

 “Bota sot”: A është në plan të koalicionit qeverisës shkarkimi i Presidentit Thaçi?

Lirije Kajtazi: Jo, ne presim deri në përfundim të mandatit të Presidentit Thaçi, atëherë kur LDK do ta ofrojë kandidatin e saj si President të ri të vendit.

“Bota sot”: Në qeverinë e fundit ka një përfshirje më të madhe të grave në institucione, si e vlerësoni këtë?

Lirije Kajtazi: Fatmirësisht kjo Qeveri ka numrin më të madh të grave, për aq sa ka substrakt nga Ligji për Zgjedhje, por jo e përmbushur me Ligjin për Barazi Gjinore dhe me potencialet që ka vendi. Çka ka shënuar progres kësaj here është se për herë të parë Kosova ka një kryeparlamentare grua.

“Bota sot”: Ju keni qenë deputetja e vetmja e LDK-së që nuk e keni votuar Glauk Konjufcën për Kryetar Kuvendi, pse e keni bërë një veprim të tillë?

Lirije Kajtazi: Kam rezonuar praktikisht, kam qenë plotësisht e bindur se seancën e radhës do ta votoj zj. Vjosa Osmani në atë pozitë.

“Bota sot”: Sipas juve cili duhet të jetë veprimi i Qeverisë Kurti karshi taksës ndaj Serbisë, e mendoni reciprocitetin si zgjidhje?

Lirije Kajtazi: Mendimin tim rreth dialogut me Serbinë e kam shprehur edhe më herët. Kosova ka bërë gabimet e saja që në fillim të këtë procesi, për faktin se kryeministri i atëhershëm Thaçi ka pranuar të futet në tema të ashtuquajtura teknike e që ishin puro politike, dhe ka anashkaluar temat esenciale, që do jepnin sinjalin se Serbia sot po shkëputet nga e kaluara e saj kriminale, e jo sikurse shprehet Vuçiq se Milloshevic kishte qëllimin e duhur, por ka gabuar taktikën, që në fakt ky tani po e përdorë, e që nuk është gjë tjetër pos vazhdimësi e politikës serbe për zhbërjen e Kosovës.

“Bota sot”: A mendoni se bisedimet me Serbinë duhet të vazhdojnë dhe si duhet të vazhdojnë ato?

Lirije Kajtazi: Ne po i shohim veprimet hegjemone serbe, fushata kundër njohjes se shtetësisë se Kosovës, pengesat në anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë, loja me fatin e të pagjeturve e shumë çështje tjera. Ç’ kuptim kanë marrëveshjet e nënshkruara kur shqiptarët me të hyrë në Serbi arrestohen, dhe jo vetëm kaq, edhe qytetarët serbë lojal ndaj shtetit të Kosovës po arrestohen sapo po kalojnë në Serbi. Kujt i shërbejnë ato?! “Bota sot”: Si e komentoni rolin opozitar të PDK-së karshi opozitës? Lirije Kajtazi: Ne k e m i qenë aty dhe kemi përjetuar agresivitetin e PDK pas luftës, por pas ardhjes në pushtet të saj, PDK merr një trajtë tjetër, ku vendi i lëshohet opozitarizmit agresiv të VV. Mendoj se rikthimi i PDK në opozitarizmin agresiv, ose imitimi i VV, do ta qet atë në pozita qesharake. Tani më vendi ka humbur shumë kohë, thash edhe më lartë se është urgjente marrja me temat që janë prioritet për qytetarët e Kosovës. Mendoj se sikur këtyre proceseve, që nga Rambuje e deri sot, të ju kishte munguar sjellja atdhedashës, shtetformuese e LDK, vendi nuk do të ishte këtu ku është. Prandaj është më së i nevojshëm një opozitarizëm konstruktiv i PDK, pa ndjenjën për t’i kthyer borxhin VV.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat