Kosova ka nevojë për reciprocitet politik ndaj Serbisë

Intervista

Kosova ka nevojë për reciprocitet politik ndaj Serbisë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 28 shkurt 2020 Në ora: 08:37
Rexhep Selimi

Deputeti dhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” si asnjëherë më parë ka treguar për vrasjet politike në Kosovë dhe kujt ia ka borxh zbardhjen e tyre. Ai po ashtu ka treguar se Kosova është e gatshme të heq taksen ndaj Serbisë dhe vendosjen e masës se reciprocitetit.

Selimi po ashtu ka thënë se dialogu më Serbinë duhet të rifilloj, por t`i qaset në mënyrë serioze raporteve më Serbinë, raportet të cilat mbështetën në mbrojtjen e Kushtetutës dhe rendit kushtetues dhe sovranitetin e integritetit territorial, në mbrojtje të interesave të shtetit dhe qytetareve të Republikës së Kosovës kundrejt Serbisë.

Ai po ashtu ka treguar se kush duhet të këtë frikë nga Gjykata Speciale dhe ndaj kujt mund të jenë ngritur aktakuzat.

“Bota sot”: Tashmë jeni në pozitën Shef i Grupit Parlamentar të vetëvendosjes, si e vlerësoni këtë?

Rexhep Selimi: Unë ketë detyrë e marr si përgjegjësi dhe si besim nga Lëvizja për ta udhëhequr grupin parlamentar në një moment shumë të rëndësishëm ku grupi parlamentar do të jetë një portë fort e rëndësishme në mos kryesorja e ligjërimit të projektit politik të partnerëve të koalicionit. Duke ditur që jemi grupi më i madh parlamentar i cili përveç që është grupi më i madh parlamentar tashmë nuk jemi opozitë dhe shpesh herë po duhet t”ia rikujtojmë vetvetes tash jemi mazhorancë që ti kryejmë detyrat tonë në përputhje të mandatit dhe në përputhje më besimin që na kanë dhënë qytetarët.

 “Bota sot”: Mendoni se Kosova është e gatshme për rifillimin e dialogut me Serbinë. Po ashtu edhe heqja e taksë dhe vendosja e reciprocitetit?.

Rexhep Selimi: Asnjëherë më e gatshme s’ka qenë Kosova t`i qaset në mënyrë serioze raporteve me Serbinë, raporte të cilat mbështeten në mbrojtjen e Kushtetutës dhe rendit kushtetues dhe sovranitetin dhe integritetit territorial në mbrojtje të interesave të shtetit dhe qytetareve të Republikës se Kosovës kundrejt Serbisë, gjë që nuk ka ndodhur më herët kështu, sepse të gjitha raportet bisedimet dhe negociatat më Serbinë janë bërë në shkelje të rendit kushtetues dhe shkelje të interesave të qytetareve të Republikës së Kosovës. Prandaj, tash e tutje Kosova është e gatshme sepse në krye e ka një qeveri e cila e merr ketë përgjegjësi më seriozitetin dhe përkushtimin më të madhe në mbrojtjen e interesave shtetërore kombëtare. Në kuadër të veprimeve ne kemi pasur qëndrimet tona politike të njëjta siç kemi edhe sot sa i përket raporteve politike tregtare por edhe ekonomike me Serbinë. Që nga viti 2012 kur Kosova aplikoi një 45 ditësh nga Ministria e Tregtisë për reciprocitet dhe ai vendim është shfuqizuar më nismën e grupit parlamentar të PDK-së atëherë që ka qenë një rezolutë për heqjen e mesës se reciprocitetit dhe që nga atëherë ne kemi qëndrimet e njëjta për raportet me Serbinë. Mendojmë që taksa ndaj Serbisë ka qenë një masë më shumë tregtare se sa ekonomike ose politike sido që të jetë ne taksen nuk kemi nevojë ta heqim para se ta zëvendësojmë atë me masa reciprociteti.

Nuk besoj që SHBA të cilat janë udhërrëfyesi jonë në aprovimin e vlerave civilizuese do të kërkojë që ne të jemi inferior ndaj Serbisë, sepse mos reciprociteti ndaj Serbisë nënkupton inferioritet ndaj saj në cili do aspekt. Reciprocitetin si vlerë e kemi mësuar edhe nga vetë SHBA-të si vlerë për mbrojtje të sovranitetit prandaj kjo nuk është shumë e definuar nga kundërshtarët e heqjes së takes 100% dhe nuk është se taksa nuk ka pasur efekt, ka pasur efektin e saj pozitiv dhe ka qenë e mirë në atë kohë kundrejt Serbisë por kjo duhet të shkoj më tutje. Kosova ka nevojë për reciprocitet politik ndaj Serbisë e më pas edhe reciprocitet ekonomik e tregtar.

“Bota sot”: Pas bërjes kryeministër i vendit, Albin Kurti ka pasur kritika se ka pësuar një ndryshim të madh. Mendoni se janë vetëm akuza të opozitës apo thjesht ka ndryshuar Kurti?

Rexhep Selimi: Albin Kurti ka marrë përgjegjësi dhe kjo është e ndryshmja prej se ka qenë në opozitë por ka marr përgjegjësi dhe po sillet kundrejt përgjegjësive që ka marr. As ideja e Bashkimit Kombëtar nuk ka ndryshuar dhe as që e kemi ndërmend të ndryshojmë e as për raport më Serbinë nuk kemi ndryshuar sepse ne mendojmë se një raport dinjitoz me Serbinë dhe një shtet i fortë i Kosovë është ndoshta rruga e vetme që na qon drejt asaj të drejtës se shqiptarëve për të jetuar bashkë. Parakusht për Bashkimin kombëtar është forcimi i shtetit të Kosovës gjë që të tjerët para nesh e kanë pasur në retoriken e tyre bashkimin kombëtar por ketë bashkim kanë dashur ta mbështesin në ndarje të Kosovës ose ne vazhdimësi në dobësim të Kosovës. Bashkimi Kombëtar nuk ndodh dhe nuk do të ndodh duke dobësuar Kosovën, ne duhet ta ruajmë Kosovën si shtet për të shkuar edhe një hap tutje. Prandaj Albin Kurti nuk ka ndryshuar në këtë mes dhe çdo gjë që dikujt i duket si ndryshim duhet ta kuptoj si avancim drejt qëllimeve tona.

“Bota sot”: Gjykata Speciale është shumë afër aktakuzave të para, si e shihni këtë veprim dhe sipas jush, sa mund të jetë numri i aktakuzave, pasi ka shumë pretendime se mund të shkoj deri 100 ky numër?

Rexhep Selimi: Unë nuk mund ta di sa aktakuza do të ketë, por është e kuptueshme se do të këtë. Që nga momenti i votimit të kësaj gjykatë në gushtit të vitit 2015 në Parlamentin e Kosovës ku kjo gjykatë është kthyer është bërë pjesë e ligjeve dhe pjesë e Kushtetutës se Kosovës është dashur të dihet se gjykatat formohen për të ngritur aktakuza aq me tepër kur kjo gjykatë ka pasur target dhe është e kuptueshme që tash po përballemi mË zhvillimet dhe rrjedhojën e atij veprimi. Kushdo që ka menduar se ta votoj gjykatën dhe mos të këtë aktakuza kundër UÇK-së ose na kanë gënjyer atëherë ose po na gënjejnë sot. Që nga momenti kur është votuar është ditur se do të këtë aktakuza ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe kjo është e kuptueshme dhe e pritshme. Ne, qëndrimin tonë politik për Gjykatën Speciale e kemi të njëjtin që kemi pasur edhe atëherë si një padrejtësi ndaj luftës së UÇK-së. Prandaj sot ne po shohim rrjedhën e atij veprimi të 2015 të atyre deputetëve dhe asaj legjislature e cila ka votuar për këtë gjykatë dhe në kushtet e tanishme është normale që të këtë aktakuza se sa do të këtë nuk e di dhe kush do të akuzohen nuk e di. Unë jam njeri nder të intervsituarit e kësaj gjykate si i dyshuar bashkë më kolegët e mi të Shtabit të përgjithshëm.

Unë jam pyetur kryesisht në kuadër të përgjegjësive të mija që kam pasur gjatë luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Bota sot”: Çfarë pritni të ndodh në Kosovë, pas këtyre aktakuzave dhe arrestimeve të para që mund të ndodhin, a do të ketë tensionim?

Rexhep Selimi: Kushdo që mendon se duhet të protestohet është dashur të protestohet në 2015. Të gjithë ata që kanë heshtur atëherë duhet të heshtin edhe tani sepse më e mundshme ka qenë të protestohet atëherë kur ishte votuar ky ligj në Parlamentin e Kosovës sesa tash kur ngritën aktakuzat. Ne kohen kur është votuar gjykata kemi pasur të bëjmë më Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kurse tani në këtë kohë kemi të bëjmë më pjesëtarët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë kemi pasur të bëjmë më tërësinë dhe tani kemi të bëjmë me veçantinë, dhe kushdo që nuk ka protestuar për tërësinë më pak ka arsye të protestoj për veçantinë.

“Bota sot”: Nëse ndodh arrestimi i emrave të lartë të UÇK-së, a duhet me protestua kundër Gjykatës Speciale, kur dihet mirë se ishin po krerët e UÇK-së që kanë bërë presion derisa është formuar Specialja?

Rexhep Selimi: Nuk do të dëshiroja që askush si pjesëtar i UÇK-së të akuzohej apo gjykohej nga cila do gjykatë për punën që e ka kryer dhe nëse do të ishte nevoja ne do të ishte mirë të kishim gjykata vendore dhe kështu do të dinim njëherë e mirë vlerën e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës prej kujtdo që ka abuzuar më këtë emër qoftë gjatë apo pas luftës por ketë nuk mund ta them nga ky pozicion.

“Bota sot”: Tash, pas formimit të Qeverisë me në krye Albin Kurtin, çfarë do të ndodh me sistemin e drejtësisë, a do të jetë më vegël e dikujt prej pushtetarëve, apo do të marr vendime komfor ligjit edhe nëse preket apo dënohet dikush prej emrave të mëdhenj në Kosovë?

Rexhep Selimi: Gjithçka që është e mundshme dhe në kompetencë në dorën se Qeverisë dhe kryeministrit Kurti për ta kthyer drejtësinë në kahjen e duhur për ta kthyer drejtësinë në dorë të ligjit dhe për ta hequr nga kapja do ta bëjmë më përkushtimin më të madh. E dimë që ky do të jetë një proces i gjatë dhe nuk do të jetë punë e një vjetori apo një mandati sepse duke pasur parasysh punën 20 vjeçare por sido që të jetë do të behet maksimumi dhe gjithçka që është në kompetencën e qeverisë për ta kthyer ligjin në zbatim. Ne e kuptojmë se na presin sfida të madhe por tek e fundit për të sfiduar jemi këtu.

“Bota sot”: Sa do të mund të arrijë verifikimin e pasurisë së paligjshme për politikanët dhe të gjithë milionerët e pasluftës dhe a do të ketë guxim për konfiskim të asaj pasurie nëse është e paligjshme?

Rexhep Selimi: Se shpejti do të kemi në parlamentin e Kosovës Ligjin për pasurinë e Pajustifikueshme jo vetëm të paligjshme, por në këtë drejtim do të ju përgjigjet Ministrja e Drejtësisë Alblena Haxhiu e cila edhe ka planin e saj për ketë.

 

“Bota sot”: Dihet se shumë zyrtarë të lartë të LDK-së janë vrarë pasluftës. Tash LDK-ja është në koalicion me LVV-në, partinë tuaj, sa do të arrini që bashke me LDK-në të i zbardhni këto vrasje që kanë ndodhur të zyrtarëve të LDK-së, por edhe vrasjet tjera të pjesëtarëve të UÇK-së por edhe ato që deri më tani kanë mbetur enigmë?

Rexhep Selimi: Presim bashkëpunimin e kujtdo për çfarëdo informacioni e sidomos nga LDK-ja që përkundrejt të kaluarës tash e tutje të bashkëpunojmë që mos të këtë asnjë vrasje të pazbuluar . E dimë që do të jetë pak e vështirë por sido që të jetë të bashkëpunojmë më të gjithë faktorët që vrasjet politike mos ta mbajnë me peng opinionin e Kosovës dhe ti zgjidhnin njëherë e përgjithmonë qoftë ne emër të drejtësisë qoftë emër të dhimbjen se familjeve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat