Nikollë Shabani: Kosova nuk e ka merituar këtë dridhje politike në kohën e pandemisë globale të Covid-19..!

Intervista

Nikollë Shabani: Kosova nuk e ka merituar këtë dridhje politike në kohën e pandemisë globale të Covid-19..!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 2 maj 2020 Në ora: 08:12
Nikollë Shabanin

Bisedë me Nikollë Shabanin, magjistër i shkencave juridike-Doktorant, aktivist dhe udhëheqës i disa asociacioneve dhe shoqatave shqiptare në diasporë:

Kosova nuk e ka merituar këtë dridhje politike në kohën e pandemisë globale të Covid-19..!

Murtajadhe epidemi të ndryshme e kanë prekur shpeshherë popullin shqiptar, por kur kanë qenë të bashkuar përherë kanë dalë fitues, kështu thotë bashkëbiseduesi ynë nga Ulqini historik, me qëndrim të përkohshëm në Gjermani, në fillim të bisedës për gazetën tonë “Bota Sot”.

Z. Shabani, çfarë mund të na thoni lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, si intelektual shqiptar nga trevat tona etnike Ulqin-Tivar, jashtë dy shteteve shqiptare, por edhe si aktivist i shquar i mërgatës tonë?

N. Shabani: Për fat të keq, situata politike në Kosovë muajt e fundit është jo stabile, dhe kjo për ne shqiptarët që jemi jashtë, përveç se na shqetëson, edhe na dobëson. Me vendosjen e masave kundër Convid-19, partitë politike në Kosovë bënë një akt të pa presedan, sepse në kohë pandemie e kuptuam edhe një herë atë që e harruam viteve të fundit, se në vend që të ishin bashkë në luftimin e kësaj pandemia, ata merren me rrëzim të qeverisë!

Pra, kur gjendja politike nuk shkon mirë në Shqipëri dhe Kosovë, kjo reflektohet negativisht edhe tek ne shqiptarëtqë jetojmë në Pellgun verior të Shkodrës dhe në Mal të Zi, sidomos kur kësaj i shtohet armiqësia ekstreme politike midis tyre, ngase në një atmosferë të tillë ata i harrojnë hallet e vëllezërve të tyre që jetojnë në Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës. Më brengos pa masë fjalori ofendues dhe sharjet banale që i dëgjojmë çdo ditë midis politikanëve në Kosovë, dhe jo vetëm!

Ne, si vëllezër që jemi dhe kudo që jemi, në vendlindje apo në diasporë, Kosovën e kemi parë si shtyllë të nacionalizmit shqiptar, e kemi ndihmuar pa asnjë rezervë qysh në fillim të viteve të 90-ta, por sidomos gjatë kohës së luftës çlirimtare, andaj edhe kemi besuar se ajo do bëhet shtet i fortë dhe demokratik, i cili pas pavarësisë do iu del në krah gjithë shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të saj administrativ!

Z. Shabani, pikërisht gjatë viteve të 90-ta askush nga shqiptarët, në veçanti ne mërgimtarët, nuk kemi imagjinuar ndonjëherë se 20 vite pas çlirimit udhëheqësit politikë tëKosovës do ta katandisin atë në këtë amulli politike !?

N. Shabani: Po, në atë kohë sapo kishim dalë nga regjimi komunist ish jugosllav, nuk kishim informata se çfarë dhune dhe reperkusionesh politike iu kishte bëre regjimi i diktatorit Enver Hoxha vëllezërve tanë në Shqipëri, duke i internuar nëpër llogore të vrasjeve dhe mjerimit, deri në çmenduri. Unë, vetes i shtroj shpesh pyetjen: Si do dukej Kosova po sikur ndonjëra nga partitë e sotshme shqiptare ta kishte administruar atë në kohën e komunizmit ruso-jugosllav?! Besoj shumë se kështu qysh po sjellën sot, Kosovën do ta kishin zhbër-humbur përgjithmonë me logjikën e sotme përçarëse dhe urrejtëse, prandaj asnjë shkrimtari dhe regjisori shqiptar të filmit nuk i kisha preferuar që të bëjë ndonjë film me një regji të këtillë, sepse kishte me qenë një triller i tmerrshëm!

Unë mendoj se duhet bërë të qartë politikanëve shqiptarë, se Kosova  nuk është vetëm e shqiptarëve që jetojnë brenda saj, poashtu as Shqipëria, sepse dy shtetet tona janë gjaku dhe ndërgjegjja jonë e përbashkët kombëtare, janë toka dhe amanet i gjithë shqiptarëve që jetojnë brenda dhe jashtë tyre. Këtë fakt duhet ta dinë edhe parlamentaret në Kosovë dhe Shqipëri, se sovrani i këtyre dy shteteve tona është i mbarë kombi shqiptar, pa dallim, andaj përçarjet dhe sharjet, lufta e paskrupullt për pushtet, grindjet dhe denigrimet ndaj njëri tjetrit nuk janë veti dhe vlera të shqiptarëve!

Më duhet t’iu them, se më ka gësuar shumë vendimi i sotëm i Gjykatës kushtetuese të Kosovës e cila e ka pezulluar dekretin e presidentit Thaçi, për formimin e qeverisë nga mandatari i dytë, ngase kështu e ka evituar rrezikun e trazirave eventuale në Kosovë!

Z. Shabani, çfarë mund të na thoni për epideminë Covid-19, pa i prekur vlerësimet çfarë po shkruajnë këto ditë mediat e përditshme informative?

N. Shabani: Njerëzimi njeh epidemi që e kanë goditur botën në periudha të ndryshme kohore, ndërsa ne shqiptarët si popull i lashtë në rajon, kemi pas rast të jemi dëshmitarë të epidemive të shumta. Edhe në ato kohëra ka pasur metoda kurimi, por ne shqiptarët kemi pasur një metodë të veçantë, e ajo ka qenë nataliteti mbi 5 fëmijë, martesat janë bërë në moshë të re, dhe sikur të kishin qenë asokohe njerëzit “modern” sikur gjeneratat e sodit, ku vajzat martohen në moshë 40 vjeçe dhe burrat mbi 50 vjeç, kishte me qenë pikëpyetje e madhe se a do kishim mbijetuar si popull. Tek ne njihen epidemitë si Murtaja, Tifozi, Kolera, Lia etj.

Z. Shabani, fjala Karantinë a është përdorur edhe më herët tek shqiptaret?

N. Shabani: Nga burime Venedikase fjala Karantinë haset qysh në shekullin XIV, XV dhe XVI, pra në periudhën historike të quajtur „AllbaniaVeneta“, territor i Venedikut shqiptar, nga Gryka e Bunës në Reç, Lisnabor, Obot etj, e deri në bregun e detit Ulqin, Tivar, Ratac, Budvë, Kotorr, në Herzog i Ri, fjalë e cila rrjedh nga Italishtja e që donë të thotë; Cuaranta – 40 ditë, pra ishin 40 ditë izolimi të cilat u bënin për ekuipazhin e anijeve që vinin në këto porte të infektuar. Kishte tri porte, ai i Grykës së Bunës, i Ulqinit dhe i Kotorrit. Në Grykë të Bunës zbarkonin anijet e mëdha dhe të vogla që dërgonin mallra te porti i Reçit, si pikë shpërndarëse deri në Shkodër dhe Lezhë, derisa të infektuarit kuroheshin nën kontrollin e benediktinëve nga Shenkolli dhe Shen-Gjergji, derisa strehimi i tyre bëhej në kishën e Shën Lashit, të cilës sot nuk i dihen themelet. Në Kotorr ku është qyteti i mbretëreshës tonë Ilire, Teutës, në Risan, Karantina qendrore ishte në grykën e vogël të quajtur edhe sot, Gryka e Shkurtë / në gjuhën malazeze: „UšćeŠkurte“. Karantina i parë ishte në Gjirin e Kotorrit në vendin Gjuriqi, sot Kamenari, pranë Bastionës së citadelles së Kotorrit e cila vendoset në shekullin e XVII.

Image
Magistrati shëndetësor në Kotorr/ Qurantena

Z. Shabani, për argumentet historike të ruajtura shqiptare në këto treva ilire do bëjmë një intervistë të veçantë, por çfarë mund të na tregoni për karantinën e Ulqinit?

N. Shabani: Ulqini si një port më i rëndësishmi në këtë rajon bregdetar ilir, ishte ndër të parët që ndërtoi qendrën e Lazaretit, menjëherë pas hapjes së Karantinit, pra Lazaretit të parë në botë që ishte nën Republikën e Dubrovnikut, me 27 Korrik 1377, në ujdhesat pranë Cavtatit. Lazaretet ndërtoheshin pranë qyteteve, por në periferi mundësisht të izoluar. Citadella e Ulqinit në atë kohe kishte dy kisha në shërbim të epidemive të kohës në anën veriore të Shën-Domenikut, dhe mbasi Ulqini u pushtua nga Osmanet me 1571, kjo u shndërrua në xhami dhe mbas kongresit të Berlinit, kur Ulqini iu dha Malit të Zi për 99 vjet në koncesion, kjo kishë shqiptare katolike u shndërrua në Kishë ortodokse Serbo-Malazeze dhe varrezat e shqiptarëve u uzurpuan.

Image
Kisha e Shën Domenikut më pas xhami, ndërsa sot kishë pravosllaveserbo-malazeze në anën veriore të Kalasë.

Në pjesën veriore qëndronin të dyshuarit e infektuar në Karantinë, derisa në anën jugore dhe në Pinjash qëndronin të infektuarit rënd afër kishës së Shën-Rrokut dhe aty ishin varrezat të cilat i dezinfektonin me gëlqere dhe mjete të ndryshme.   

Z. Shabani, a është fjala për shenjtorin Shën Rrok-un, shtegtar nga radhët e françeskanëve, shërues kundër Murtajës/ Kolerës?

N. Shabani: Po, kjo është e sakët. Populli shqiptar këtij shenjtori i ka kushtuar shumë kisha në bregdetin tonë Adriatik, vetëm në pellgun verior të Shkodrës ndodhën disa si kjo në Ulqin, të cilës nuk i dihen themelet, mandej ajo në vendin e quajtur Kufinje, ku fillon rruga për tunel me shkuar në Podgoricë, nga Rataci-Sutomorja, dhe këtë kishë provuan ta uzurpojnë Autoqefalia serbe, por nuk iu shkoi për dore, mandej në Shirok, ku praktikohet ende sot me proçesion të veçantë në ditën e Shën-Rrokut me 16 gusht, zbathur drejt majës së Taraboshit në këtë shtegtim për çdo vit dominon edhe veshja e Zadrimorëve me të kuqen dhe të bardhen e saj.

Derisa në vargmalet Dinarike në Rumin legjendar, në rrafshnaltën e Shestanit, në vendbanimin Çokulier, sot komunë e Tivarit, ndodhet kisha e Shën-Rrokut, ku deri pas luftës u ruajt tradita e tubimeve me gara mbarëkombëtare në ditën e pajtorit, traditë të cilën komunistët malazez e vunë në shënjestër të eliminimit, duke burgosur vite me radhë 3 - 4 ditë para festës meshtarin shqiptar, të birin e vendit Monsinjor Pjeter Perkoliqin, duke ushtruar dhunë ndaj tij, që do çoj në ndërprerje të kësaj tradite, por edhe në asimilim e shumicës shqiptare në atë vend. Duhet sqaruar lexuesit të brezit të ri, se nga Çokulijeri u shpërngulen i terë katundi së bashku me meshtarin e vet për në Zarë, në mars të vitit 1726, ku edhe sot e kemi atje këtë komunitet shqiptar. 

Image
Meshtari Shën Rroku

ShënRroku është një i shenjtnuar i cili jetoi në shekullin -XIII-XIV-të, ai u veçua me bamirësinë e tij, duke shëruar të prekurit nga Murtaja në Rrom, Lombardi dhe më tej, kur në atë kohë në Evropë vdiq një e treta e popullatës së saj (brenda dy vitesh vdiqën në Evropë 20 milion njerëz). Shën-Rroku shpëtoi dhe shëroi shumë të infektuar me bamirësi, shërbim dhe fuqi hyjnore, dhuratë nga Zoti, dhe në fund edhe vetë u sëmua rënd, i cili u largua në pyll për të vdekur atje, por një mrekulli e mbante në jetë, derisa një qen besnik i një zotërie i çonte për çdo ditë bukë, dhe ky i mbijetoi epidemisë. Shpallet shenjtë në mes të vitit 1414 - 1418, dhe, edhe sot Shën-Rroku njihet si shërues i sëmundjeve epidemike nga kolera dhe infektimet tjera.

Me shpresë që Zoti do t’i ndihmojë gjithë të sëmurët e prekur nga „Corona Virusi“ kudo në botë, si dhe shqiptarët t’i shërojë nga “virusi” i politikanëve tanë, të bashkuar rreth një Flamuri, një gjuhe dhe një kombi, uroj ta çojmë përpara atdheun tonë, Shqipërinë bashkuar, dhe që shqiptarët të bëhen faktor kyç në Ballkan dhe Evropë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat