Bajqinovci: Populli ka dy alternativa në zgjedhje, Vetëvendosjen ose partitë e Thaçit - Bota Sot
Bajqinovci: Populli ka dy alternativa në zgjedhje, Vetëvendosjen ose partitë e Thaçit

Intervista

Bajqinovci: Populli ka dy alternativa në zgjedhje, Vetëvendosjen ose partitë e Thaçit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 12 maj 2020 Në ora: 10:26
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka thënë se arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë Kurti ka qenë frika e partive tjera nga vendosmëria e VV-së në luftën e kundër korrupsionit.

Bajqinovci beson se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme do t’i ketë 50 deputetë, teksa thotë se në Kosovë janë dy alternativa: Vetëvendosje dhe partitë tjera që udhëhiqen nga presidenti Thaçi.

Teksa është pyetur për një kalim të mundshëm të Vjosa Osmanit në Lëvizjen Vetëvendosje, Bajqinovci nuk beson që do të ndodh kjo sepse nuk sheh arsye që të kjo të ndodh.

“Bota sot”: Z. Bajqinovci, cila mendoni se është arsyeja kryesore që u rrëzua qeveria Kurti dhe a kishte skenar të përgatitur?

Mefail Bajqinovci: Arsyeja kryesore ka qenë frika nga vendosmëria ne luftën kundër korrupsionit. Të gjitha lanësimet tjera publike kanë qenë thjesht justifikime. Suksesi ynë i padiskutueshëm në luftë kundër korrupsionit, krijimi i bazës ligjore për konfiskimin e pasurisë së pa arsyetuar në kuptimin e prejardhjes, përveç se, siç kanë konsideruar këta, e fuqizon politikisht shume VETËVENDOSJE-në, po ashtu edhe mund t'i rrezikonte edhe disa nga krerët politike që e sajuan mocionin. Mos të harrojmë përgjegjësi në instalimin e krimit dhe korrupsionit 20 vjeçar kanë të gjitha partitë, edhe LDK, me të vetmin dallim se LDK nuk ka qenë asnjëherë koka por trupi. Koka është shefi i tyre Hashim Thaçi. E shihni menjëherë doli i nominuari për ministër të drejtësisë nga AAK dhe tha se nuk do te ketë Veting, pra këta e kanë problem vetëm drejtësinë që ne filluam me reforma.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e ministrave të LDK-së në qeverinë Kurti?

Mefail Bajqinovci: Kur themi se LDK ka marrë pjesë në instalimin e korrupsionit në Kosovë, është me rendësi të behet një dallim. Segmentet që kanë përhapur e bashkëpunuar me korrupsion në Kosovë nga kjo parti janë përgjithësisht grupe që e kanë mbajtur udhëheqjen e partisë. Jo edhe struktura të gjera të saj, apo gjenerata politikanësh të tjerë në këtë parti. Ne kemi shpresuar shumë që kjo parti do t'i ndajë rrugët e bashkëpunimit me Thaçin dhe do të orientohet në shndërrimin e saj në një parti që i promovon vlerat e saj burimore politike. Puna e ministrave të LDK në këtë periudhë të shkurtër sipas meje mund të vlerësohet me shenja mjafte pozitive. Mirëpo, LDK, nuk i ndoqi ata. Zgjodhi rrugëtimin me Hashim Thaçin.

“Bota sot”: Si e parashikoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese pas 29 majit?

Mefail Bajqinovci: Gjykata e ka një rast fare të lehtë për ta zgjidhur para vetes. Aq i lehtë është sa më shumë se sa çështjen e ngritur në parashtresën tonë, ajo do të vetëvlerësojë profesionalizimi, kredibilitetin dhe pavarësinë e saj. Pra më shumë Gjykata do të flas për veten se sa për çështjen. Kjo e fundit është tejet e qartë në kuptimin kushtetues: S'ka Qeveri kushtetuese ku fituesi shkon në opozitë pa vullnetin e saj dhe në kundërshtim me atë çfarë ka vendosur populli i Kosovës në zgjedhje. Pra, presim vendim që e ruan Kushtetutën dhe demokracinë.

“Bota sot”: Nëse mbahen zgjedhje të reja këtë vit, a besoni se do arrini 51%?

Mefail Bajqinovci: Ne besojmë se tashmë në Kosove janë krijuar dy alternativa politike të vetmet. Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e vjetra në Kosovë që udhëhiqen nga Hashim Thaçi. Ne besojmë se kjo është arsyeja se pse qytetarët do ta zvogëlojnë nevojën e koalicioneve pas zgjedhjeve sepse ata do ta zgjedhin vetëm një alternativë dhe ajo është LVV. Ju e shihni vet që ne jemi partia me përkrahjen më masive popullore në Kosovë dhe do i kemi 50 deputet në zgjedhjet e reja.

“Bota sot”: Cilat do të jenë vijat e kuqe të Vetëvendosjes për partitë e tjera?

Mefail Bajqinovci: Vijat e kuqe ne i kemi për këdo që është përfshirë apo mund të përfshihet në korrupsion, si dhe me ekipe qeveritare që nuk zotërojnë mjaftueshëm dije, ekspertizë dhe vullnet për ndryshim rrënjësor që e sjell drejtësinë në vend.

“Bota sot”: A mendoni se mund të ndodh një kalim në Vetëvendosje të Vjosa Osmanit?

Mefail Bajqinovci: Nuk besoj në këtë variant dhe madje as nuk shoh arsye që të ndodhë.

“Bota sot”: Njiheni si një ndër deputetët më aktiv të Kuvendit të Kosovës, a mendon se Vetëvendosja do t’ia dalë të jetë opozitë e fortë, nëse arrihet të formohet qeveria Hoti?

Mefail Bajqinovci: Ne nuk jemi mandatuar nga populli i Kosovës për të qenë opozitë, ndaj edhe nuk do të jemi opozitë.

“Bota sot”: A do të ketë rezistencë të VV-së nëse Gjykata Kushtetuese i jep dritë jeshile qeverisë Hoti?

Mefail Bajqinovci: Nuk e di me saktësi sepse duhet diskutim në organet vendimmarrëse të Lëvizjes VETEVENDOSJE, por besoj shumë që ne në çdo rast do të bëjmë veprimet e duhura që ia kthejnë vendit demokracinë, drejtësinë e të mirat e përbashkëta. Lëvizja asnjëherë nuk lëndon interesa të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat