Bodo Weber: Thaçi nuk ka synime të ndershme në dialog - Bota Sot
Bodo Weber: Thaçi nuk ka synime të ndershme në dialog

Intervista

Bodo Weber: Thaçi nuk ka synime të ndershme në dialog

Më: 28 maj 2020 Në ora: 10:47
Bodo Weber

Eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber ka thënë se politikat e administratës së sotme amerikane – edhe në Kosovë – për fat të keq nuk i shërbejnë më kësaj politike tradicionale amerikane të jashtme dhe të sigurisë.

Weber në një intervistë për  Deutsche Welle po ashtu ka thënë presidenti i Kosovës, HashimThaçi, me deklaratën e tij se nuk është i gatshëm të zhvillojë bisedime me të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, por me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, nënvizon edhe një herë se ai nuk ka synime të ndershme në dialogun me Vuçiçin.

Deutsche Welle: Ministri i Jashtëm Federal dhe homologu i tij francez botuan javën e kaluar një artikull të përbashkët në shtypin e Kosovës dhe të Serbisë. A janë tani kushtet më të favorshme për vazhdimin e dialogut në krahasim me një vit më parë, kur dështoi samiti i Ballkanit Perëndimor, në Zyrën e Kancelares?

Bodo Weber: Së pari, nuk do të thoja që mini-samiti në Zyrën e Kancelares dështoi në prill të vitit të kaluar. Ai ishte i suksesshëm në dy mënyra: Së pari, sepse ua mori procesin nga dora atyre faktorëve politikë në perëndim që preferonin këmbimin e territoreve, dhe së dyti, ai bëri bashkë Parisin dhe Berlinin. Rrethanat e sotme janë edhe më të mira, edhe më disfavorizuese. Janë më të mira, sepse derisa iku zonja Mogherini dhe ekipi i saj, nisma e rrezikshme për shkëmbime territoresh vinte nga majat e institucioneve të BE-së në Bruksel. Ky minim i parimeve evropiane në negociatat Kosovë-Serbi, që vinte direkt nga BE-ja tashmë i përket së kaluarës që kur u emërua Mirosllav Lajçaku  si i Dërguar Special – edhe pse pasardhësi i Mogherinit, Borrell, për fat të keq, nuk ka dëshmuar ende se është një pasuri në rrugën e një marrëveshje përfundimtare të qëndrueshme. Por rrethanat janë edhe përkeqësuar, sepse tani përpjekjet e aktorëve qëndrorë, si Berlini, nuk sabotohen më nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, por nga një i dërguar special i Trump-it, (Richard Grenell, shën. i red.) dhe se disa aktorë të rëndësishëm të politikës i shfrytëzojnë për qëllimet e tyre këto veprime të administratës së Trumpit, të cilat janë të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës si shtet i pavarur, demokratik dhe brenda kufijve ekzistues.

DW: Kur ju thoni që Borrell fatkeqësisht nuk ka provuar të jetë një pasuri në rrugën e një marrëveshjeje përfundimtare të qëndrueshme, për çfarë e keni fjalën konkretisht?

Bodo Weber: Për refuzimin e vazhdueshëm të Borrellit për t’u pozicionuar qartë në drejtim të një zgjidhjeje evropiane për një marrëveshje përfundimtare, d.m.th. kundër çdo ndryshimi kufijsh ose shkëmbimi territoresh, gjë që në në intervistën e tij më të fundit çoi në formulime keqkuptuese që lanë një përshtypje të gabuar në Kosovë dhe rajon, sikur ai ose BE-ja ishin të hapur  për një marrëveshje për shkëmbime territoresh – çka nuk është e vërtetë.

DW: Ju i quani veprimet e administratës Trump “të rrezikshme”. Vetë kosovarët janë të ndarë në këtë çështje. Shumë syresh kanë më shumë besim te SHBA-ja se te BE-ja. E kanë gabim?

Bodo Weber: Nëse politikanët në Kosovë sot ankohen se e kanë humbur besimin te BE-ja, dhe kanë parasysh ish-përfaqësuesen e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini, ata kanë plotësisht të drejtë. Por, nga ana tjetër, ishin vendet e BE-së, me në krye Gjermaninë, që e kundërshtuan marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve në vitin 2018-19 – në fillim kundrejt zonjës Mogherini dhe më pas kundrejt administratës së Trumpit. Veprimet e tij, zoti Grenell nga njëra anë pengojnë përpjekjet e aktorëve të BE-së, nga ana tjetër, ai vijon me formatin e Mogherinit, negociata të fshehta me të dy presidentët. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe e shumicës së vendeve të BE-së për pavarësinë, në vitin 2008, nuk erdhi nga ndonjë simpati e veçantë për shqiptarët e Kosovës, por në shërbim të mbrojtjes së rendit  liberal botëror.

Politikat e administratës së sotme amerikane – edhe në Kosovë – për fat të keq nuk i shërbejnë më kësaj politike tradicionale amerikane të jashtme dhe të sigurisë. Por unë jam i sigurt që aktorët politikë në Kosovë, të cilët sot pohojnë publikisht se i besojnë më shumë SHBA-së, janë fare mirë të vetëdijshëm për këtë.

DW: Nëse është kështu, si duhet kuptuar refuzimi i vazhdueshëm i presidentit të Kosovës, HashimThaçi, për negociata me pjesëmarrje të BE-së?

Bodo Weber: Me deklaratën e tij se nuk është i gatshëm të zhvillojë bisedime me të dërguarin special të BE-së, Lajçak, por me Merkel dhe Macron, Presidenti Thaçi nënvizon edhe një herë se ai nuk ka synime të ndershme në dialogun me Vuçiçin. Së pari, nuk e vendos Presidenti Thaçi se kush do të udhëheqë negociatat e BE-së.  Pra, nëse Presidenti Thaçi nuk dëshiron të negociojë me BE-në për shkak të Z. Lajçak, ai duhet të refuzojë edhe të negociojë me Merkel dhe Macron – por  ai nuk guxon ta thotë këtë. Së dyti, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi se është kryeministri, e jo Presidenti, ai që udhëheq negociatat, kështu që Thaçi nuk është aspak i paanshëm në këtë çështje.  Së fundi, është interesante që zoti Thaçi nuk dëshiron të negociojë me z. Lajçak, sepse ai vjen nga një vend i BE-së, që nuk e njeh Kosovën  – i njëjti Lajçak, i cili ishte zyrtari i parë i Brukselit që u pozicionua qartë kundër shkëmbimit të territoreve, ndërsa z. Grenell dhe administrata amerikane vazhdimisht e shmangin pozicionimin e qartë kundër shkëmbimit të territoreve.

DW: Si do të vijojë dialogu tash e tutje? Gjermania dhe Franca po bëjnë presion, por as Kosova dhe as Serbia nuk duken se janë të përgatitura për një dialog.

Bodo Weber: E vërtetë, si Kosova, e cila është në krizë qeveritare, ashtu edhe Serbia, e cila është në prag të zgjedhjeve parlamentare, nuk janë të gatshme të kthehen menjëherë në tryezën e bisedimeve. Por unë nuk e kuptova thirrjen e dy ministrave të jashtëm tekstualisht që palët të kthehen shpejt në tryezën e bisedimeve. Artikulli i tyre synonte të mbështeste rolin udhëheqës të BE-së dhe veprimet e përbashkëta franko-gjermane, në pritje të zgjidhjes së Gjykatës Kushtetuese për qeverinë e Kosovës. Artikulli ishte kryesisht një paralajmërim dhe refuzim i çdo përpjekjeje pas verës dhe para zgjedhjeve presidenciale, për të realizuar me dhunë një marrëveshje të shkëmbimit të territoreve. Paralajmërimi për “pseudo-zgjidhje të shpejta” por të rrezikshme dhe shpjegimi se përse nevojitet një marrëveshje e përgjithshme dhe qëndrueshme përbëjnë mbështetje të fuqishme të pretendimit të BE-së për të udhëhequr dialogun. Kjo mbështetje e përforcon edhe një here tezën, se me gjithë dobësimin e besimit te BE-ja,në këto tri vitet e fundit, zgjidhja e konfliktit me Serbinë, në rrethanat aktuale të politikës globale, mund të bëhet vetëm nën drejtimin e BE-së.

DW: Ju keni shkruar dikur në një artikull, se beteja e fundit e kancelares Merkel do të jetë Ballkani.. A mendoni se ajo do t’ia dalë në këtë betejë?

Bodo Weber: Unë jam i sigurt, se brenda mandatit të saj të mbetur, ajo do të jetë në gjendje ta largojë njëherë e përgjithmonë nga tryeza opsionin e rrezikshëm  e të gabuar të një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh. Është më e vështirë të parashikohet se a do të nënshkruhet  një marrëveshje gjatë mandatit të saj. Por më e rëndësishme se marrëveshja është rifillimi i negociatave mbi bazën e  e kornizës fillestare të negociatave në kuadër të dialogut politik të vitit 2013. Ato  do t’i hapin rrugën një marrëveshjeje paqësore vërtet gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bodo Weber është studiues (Senior Associate) në Këshillin e Politikës së Demokratizimit në Berlin, “Democratization Policy Council” (DPC).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat