Kryeziu: 100 ditëshi i Qeverisë Kurti më i suksesshmi në histori të Kosovës, dialogu Kosovë – Serbi duhet të vazhdoj me vija të kuqe

Intervista

Kryeziu: 100 ditëshi i Qeverisë Kurti më i suksesshmi në histori të Kosovës, dialogu Kosovë – Serbi duhet të vazhdoj me vija të kuqe

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 30 maj 2020 Në ora: 14:10
Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, ku beson se me mbështetjen e Gjermanisë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së të rezultojë me lajme pozitive.

Ai më tutje ka fol edhe për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se Qeveria në detyrë e Kosovës është përkushtuar për një të përgatitur mirë me parime, dhe vija të kuqe.

Gjithashtu, Kryeziu gjatë intervistës është shprehur se 100 ditëshi i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, është më i suksesshmi në historinë e qeverisjes në Kosovë.

Po ashtu, ai ka përmendu se qatë këtij 100 ditëshi të udhëheqjes së vendit nga Kurti, janë marrë afër 200 vendime, ndërsa ka potencuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të sigurojë prova të vazhdueshme për të dëshmuar orientimin strategjik në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Bota sot”: Si e vlerësoni 100-ditëshin e qeverisë në largim?

Taulant Kryeziu: Vlerësoj se 100 ditëshi i Qeverisë Kurti, gjysma nga to në detyrë, është 100 ditëshi më i suksesshëm i qeverisjes në histori të Kosovës, për shumë arsye. Së pari, qeveria Kurti, për dallim nga qeveritë e kaluara, ka ndjekur një qasje të qeverisjes së bazuar në evidencë, qeverisje transparente, dhe me llogaridhënie të lartë.

Së dyti, qeveria Kurti është e ndërtuar mbi dy shtylla kryesore, atë të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të ekonomisë, të cilat reflektohen në vendimet e shumta të ndërmarra përgjatë këtij 100 ditëshi.

Së treti, qeveria Kurti, ka trajtuar me dinjitet dhe transparencë çdo cent të buxhetit të shtetit, kështu duke vërtetuar se respekton secilin qytetar të vendit si kontribuues direkt në buxhet të Republikës së Kosovës dhe duke jap shembull për çdo njërin sesi duhet shpenzuar paraja publike. Mbi të gjitha, vlerësoj se Qeveria Kurti ka menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme pandeminë COVID 19 duke u bërë shembull për rajonin dhe botën. Më konkretisht, gjatë këtij 100 ditëshi, të Qeverisë Kurti, u morëm afër 200 vendime me të cilat zvogëluam kabinetin qeveritar, përgjysmuam pagat për qeverinë, ulëm shpenzimet dhe privilegjet dhe parandaluam keqpërdorimin me paranë publike: 1.4 milion euro në vit do të kursehen pasi ka më pak ministra, zv. ministra, këshilltarë e asistentë, 1.1 milion euro në vit do të kursehen nga përgjysmimi i pagave të qeveritarëve, mbi 300 mijë euro në vit dhe do të kursehen nga heqja e privilegjeve të shumta.

“Bota sot”: Sa ka ndikuar pandemia në integrimin e Kosovës?

Taulant Kryeziu: Përkushtimi, puna dhe dinamika brenda, qeverise nuk është ndalur asnjëherë, kuptohet se Pandemia mund të ketë ndikuar në formën se si janë zhvilluar takimet e rregullta, të raundit të katërt, të organeve të përbashkëta të stabilizim-asociimit Kosovë – BE, të themeluara nga MSA, të cilat takime është dashur të mbahen në formë të video-konferencave (pra jo si takime direket, siç janë mbajtur deri më tani), e rrjedhimisht me kohëzgjatje më të shkurtër dhe me numër më të vogël të pjesëmarrësve. Konkretisht, bëhet fjalë për takimet e këtyre nënkomiteteve: Nënkomitetit për Transport, Mjedis, Energji dhe Zhvillim Rajonal, Nënkomitetit për Tregun e Brendshëm dhe Konkurrencën, Nënkomitetit për Bujqësi dhe Peshkatari, dhe Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri.

Në anën tjetër, mendoj se është me rëndësi të theksoj se BE, në Samitin e Zagrebit, ka konfirmuar përkrahjen për vendet e Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e pandemisë dhe pasojave të Covid-19 duke ofruar fonde të BE-së me shumë totale 3.3 miliardë euro për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përmes fondeve të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA) 38 milionë janë dhënë për tërë vendet e Ballkanit Perëndimor si ndihmë e menjëhershme shëndetësore e siguruar nga fondet aktuale të IPA. Prej kësaj shume Kosova ka përfituar 5 milionë euro si ndihmë për pajisje shëndetësore për Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkaq për rimëkëmbje ekonomike dhe sociale nga 389 milionë euro të tjera do të alokohen nga fondet IPA si ndihmë për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike për tërë vendet e Ballkanit Perëndimor, prej të cilave Kosova do të përfitojë 50 milionë euro. Nga këto: 27 milionë euro do të jenë përkrahje për buxhetin e vendit, 11.4 milionë euro si përkrahje për projektin për mbrojtjen sociale-grupet e margjinalizuara në shoqëri, në bashkëpunim me UNICEF, 5.2 milionë euro do të jenë si ndihmë për grante për të ndihmuar sektorin privat në bashkëpunim me GIZ dhe 6.4 milionë do të jenë rialokime për mundësinë e mobilizimit të shpejtë të fondeve sipas rastit.

Në formë huaje, 750 milionë, do të jepen si ndihmë makrofinanciare për tërë Ballkanin Perëndimor dhe këtu Kosova pritet të përfitojë 100 milionë euro. Kjo shumë është miratuar nga Këshilli Evropian por nevojitet edhe miratimi nga Parlamentit Evropian, dhe pastaj do të negociohet dhe nënshkruhet një memorandum i veçantë ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

“Bota sot”: A mendoni se mungesa e madhe e luftimit të korrupsionit në Kosovë ka ndikuar që të ketë vonesë në procesin e liberalizimit?

Taulant Kryeziu: Vlerësoj se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të sigurojë prova të vazhdueshme për të dëshmuar orientimin e saj strategjik në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Orientimi për zbatim të plotë të parimit të sundimit të ligjit përveç që adreson hezitimet e Shteteve Anëtare në proces të liberalizimit të vizave, përbën reformë themelore për vendin që ka implikime në të gjitha nivelet e shtet-ndërtimit.

Në këtë drejtim Qeveria prej se është formuar në fillim të muajit shkurt veçse ka ndërmarrë hapa konkret që evidentojnë seriozitetin e saj drejt vendosjes së rendit në vend dhe respektimit të parimit të sundimit të ligjit. Duhet përmendur disa nga vendimet me implikime të mëdha në këtë drejtim për t’i dhënë kontekst konsolidimit dhe vizionit të Qeverisë në përkushtimin e saj për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ku ndër kryesoret janë:

• Reduktimi i ministrive në 15

• Vendimi për nisjen e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë

• Shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike të menaxhuara keq

• Suspendimi i zyrtarëve për abuzim të pozitave zyrtare

• Anulimi i tenderëve që prekin shifra qindra mijë euro, e që nuk kanë siguruar miratim buxhetor

• Ndërprerja e kontratave të dyshimta që kanë dëmtuar dukshëm buxhetin e shtetit

• Shfuqizimi i vendimit të Qeverisë së kaluar për dyfishim të pagave për pozitat e larta drejtuese në Qeveri

• Anulimi i procesit të përzgjedhjes së 79 noterëve.

Unë besoj se vendimet e lartpërmendura shërbejnë si një model për të vendosur themel të qëndrueshëm mbi të cilin synojmë ndërtimin dhe forcimin e shtetit tonë. Këto vendime ilustrojnë orientimin strategjik që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të jetësuar vizionin e saj jo vetëm në përmbushje të kritereve për procesin e liberalizimit të vizave por edhe në anëtarësim të plotë në BE.

“Bota sot”: A mund të marrë Kosova liberalizimin e vizave gjatë udhëheqjes së BE-së nga Gjermania?

Taulant Kryeziu: Në maj 2016 Komisioni Evropian ka miratuar rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën duke vlerësuar që Kosova ka zbatuar obligimet e dala nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave. Ndërsa në korrik 2016, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka nxjerrë rekomandim që i'u është drejtuar Komisionit për Liritë Civile të Parlamentit Evropian për të miratuar rekomandimin për heqjen e vizave.

Në raportin e fundit të publikuar në korrik 2018, u konfirmua përmbushja e kritereve. Bazuar në këtë raport, sa i përket kriterit te fundit për luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, të dhënat në këtë fushë janë monitoruar në vazhdimësi nga Sekretariati për Liberalizim të Vizave. Komisioni Parlamentar LIBE me 25 shtator, 2019 e ka mbështetur rinisjen e negociatave teknike me Këshillin për Liberalizimin e Vizave. Pra, Parlamenti Evropian rekomandimin e LIBE-s e ka përkrahur dhe tani hapi tjetër vendimtar në proces do të kërkojë një shumicë të kualifikuar në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Mbështetja e vendeve kyçe të Bashkimit Evropian, pra jo vetëm e Gjermanisë si shteti me peshë brenda BE-se, por edhe e Francës, Holandës dhe vendeve tjera është thelbësore për marrjen e vendimit për të liberalizuar regjimin e vizave me Kosovën. Dua të nënvizoj se kryefjala e qeverisjes sonë është sundimi i ligjit, dhe kjo reflektohet në vendimet e marra përgjatë kësaj kohe duke përfshi këtu anulimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve, themelimin e grupit të ekspertëve për procesin e vettingut, koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, ndër të tjera. Andaj, unë besoj dhe mbes me shpresë që mbështetja e madhe që vjen nga Gjermania për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së të rezultojë me lajme pozitive për qytetaret tanë. Por mos të harrojmë, se në këtë proces vendimmarrja ju takon vendeve anëtarë të BE-se, ajo qe na takon ne si qeveri është puna e pakursyer të cilën e kemi bërë çdo ditë më shumë përkushtim.

“Bota sot”: Është përfol shumë për finalizimin e bisedimeve me Serbinë, cili është mendimi juaj rreth kësaj çështje?

Taulant Kryeziu: Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, por me një dialog të përgatitur mirë me parime, dhe vija të kuqe, kur territore nuk do jetë objekt diskutimi, pra në nuk kemi nevojë për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore.

Kryeministër, është i obliguar sipas Kushtetutës, dhe aktgjykimi të gjykatës kushtetuese, që të udhëheq me procesin dialogut. Në këtë drejtim Kryeministri ka propozuar formatin e ekipit qe udhëhiqet nga Kryeministri Kurti, por ka një përbërje gjithëpërfshirës dhe të balancuar në baza gjinore, me përfshirje të gjithë spektrit politik parlamentarë, pozitë dhe opozitë, po ashtu shoqërisë civile dhe botës akademike.

Për ne është me rendësi që njerëzit e të dy vendeve tona të jenë përfituesit përfundimtar nga ky dialog, ndryshe nga e kaluara. Pra për ne ka rendësi kualiteti marrëveshjes përpara shpejtësisë për të arritur atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat