‘Shkëmbimi territorial’, Bashkurti: Projekti Vuçiç-Thaçi-Rama, një kërcënim serioz për Kosovën - Bota Sot
‘Shkëmbimi territorial’, Bashkurti: Projekti Vuçiç-Thaçi-Rama, një kërcënim serioz për Kosovën

Intervista

‘Shkëmbimi territorial’, Bashkurti: Projekti Vuçiç-Thaçi-Rama, një kërcënim serioz për Kosovën

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 18:31
Thaçi, Rama, Vuçiq

Zhvillimet e fundit në Shqipëri, në Kosovë apo dhe më gjerë kanë vendosur në dilemë shumë parime të demokracisë dhe vlerave shoqërore kombëtare. Flasim këtu për krizën politike në Shqipëri, përplasja e qeverisë me shoqërinë civile në betejën e humbur për Teatrin Kombëtar, pastaj ndalemi në shtetin e Kosovës, i cili gjithashtu po kalon një krizë politike dhe një tranzicion qeverish. Por si po ndikojnë të gjitha këto ngjarje të brendshme politike dhe ekonomike në diplomacinë dhe marrëdhëniet me jashtë të këtyre vendeve? Për këto dhe shumë dilema të tjera aktuale shqiptare, ballkanike dhe globale, vjen në një analizë të hollësishme për ‘Konfident’ presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Lisen Bashkurti. Ai është shprehur për vendet ballkanike dhe mbi të gjitha për Shqipërinë se "Nuk ka dhe nuk mund të ketë diplomaci të sukseshme nën një qeverisje të dobët".

 Mbi dilemat aktuale shqiptare, ballkanike dhe globale

Image
Prof. Lisen Bashkurti

Z. Bashkurti, Shqipëria ndodhet në një gjendje të vështirë si politike ashtu dhe ekonomike, po ndryshon sadopak forma e të bërit diplomaci nga qeveria Rama në këtë periudhë delikate?

Diplomacia shqiptare në vitet e fundit është në një situatë të dobët. Ajo reflekton në një masë të konsiderueshme të gjithë dobësitë e qeverisjes së vendit, duke përfshirë edhe gjëndjen e rëndë ekonomike, sociale dhe krizën e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Kjo është e kuptueshme. Diplomacia është pjesë integrale e politikave publike dhe nuk mund të ekzistojë e shkëputur prej ndikimit të tyre.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë diplomaci të sukseshme nën një qeverisje të dobët. Nuk ka dhe nuk mund të ketë diplomaci efikase në kushtet e një ekonomie të dobët. Nuk mund të ketë shkëlqim të diplomacisë kur vendi përballet me krizën sociale, duke përfshirë emigracionin e jashtëzakonshëm. Dhe, së fundi, nuk ka sesi të kemi diplomaci të respektuar në botë përsa kohë imazhi ndërkombëtar i vendit po shkon keq dhe më keq dhe reputacioni i tij ndërkombëtar është ndër më të ultit në rajon, Evropë dhe botë.        

Si e gjykoni qëndrimin e Kosovës ndaj ndërkombëtarëve kohët e fundit, nisur dhe nga kriza politike që po kalon vendi?

Kosova po përjeton një situatë të vështirë politike, diplomatike, institucionale, ekonomike dhe sociale. Madje, edhe mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të fund majit 2020 për krijimin e Qeverisë Hoti, vendi duket se do ri-futet në një cikël të ri krize shumë më komplekse. Epiqendra e krizës është hapja e dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Palët politike dhe aktorë të ndryshëm politik në Kosovë kanë qasje të ndryshme si për hapjen e negociatave, ashtu edhe për përmbajtjen e tyre. Në parim, të gjithë në Kosovë janë pro negociatave, si rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Polemika politike është e lidhur së pari me procedurat e hapjes së këtyre negociatave dhe, së dyti, me përmbajtjen e tyre.  

Lidhur me procedurën për celjen e negociatave, tre qeveritë e fundit në Kosovë kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për celjen e negociatave. AAK dhe z. Haradinaj aplikuan tarifën 100 përqind të mallrave Serbe, si kundër reagim për celjen e negociatave. Kjo bllokoi celjen e negociatave. VV dhe z. Kurti hoqën tarifën e qeverisë Haradinaj dhe vendosën masën e reciprocitetit, edhe kjo sërish si reagim për celjen e negociatave. Edhe kjo masë vijoi të mbante të bllokuara hapjen e negociatave me Serbinë. LDK dhe Qeveria Hoti po ndjekin qasjen e heqjes së të gjitha barrierave të të dy qeverive paraardhëse, si të tarifës së Z.Haradinaj, ashtu edhe atë të reciprocitetit, të z. Kurti, me qëllim celjen e negociatave me Serbinë. Në qendër të gjithë këtij pështjellimi qëndron Presidentit Thaci, i cili që në krye të herës ka qënë dhe mbetet për heqjen e cdo barriere që, sipas qasjes së tij dhe të Serbisë, por jo vetëm, pengon celjen e negociatave.

Lidhur me përmbajtjen e negociatave polemika politike në Kosovë është edhe më e thellë. Në epiqëndër të polemikës qëndron qasja ndaj territorialitetit të shtetit të Kosovës. Krizën e ka provokuar Presidenti Thaci, i cili ka mbështetur tezën Serbe të Vuçiç, në bashkëpunim edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Rama për ‘shkëmbimin territorial’, që në thelb ka të bëjë me copëtimin e Kosovës.

Fatmirësisht ky opsion është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e faktorit politik në Kosovë, si VV, LDK, AAK, NISMA, nga opinioni publik, media, shoqëria civile, akademikët si dhe faktorë të fuqishëm ndërkombëtar si BE, Gjermani, Francë, Britani, vendet e Ballkanit Perëndimorë, fqinjët rreth Kosovës e Serbisë si dhe personalitete të shquara të diplomacisë Shqiptare, Evropiane dhe Amerikane. Projekti Vucic-Thaci-Rama dhe hijena të tjera gjeopolitike dhe diplomatike mbas tij duket të jetë varrosur, po ideja mbetet gjallë, si një kërcënim serioz për shtetin e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në Ballkan dhe Evropë.            

Si mendoni se do jetë ecuria e dialogut Serbi-Kosovë, ndërkohë që kjo e fundit ka paqëndrueshmëri politike të brendshme?

Për mendimin tim ecuria e dialogut Serbi-Kosovë është tërësisht e paqartë. Në rafshin kosovar, kriza e re politike do të tensionojë dhe polarizojë akoma më shumë klimën politike dhe institucionale në Kosovë. Polemika për çeljen e negociatave dhe përmbajtjen e tyre do thellohet akoma më tej. Mundësia për mbështetje politike të gjërë të procesit dhe përmbajtjes së negociatave duket se nuk do të ndodhë edhe për disa kohë. Klima e acaruar politike, polarizimi i skajshëm dhe mungesa e bazës së gjërë politike në mbështetje të negociatave dhe përmbajtjes së tyre janë pengesa serioze të brendshme në Kosovë.  

Në rafshin ndërkombëtar ka gjithashtu disa situata politike e diplomatike aspak të qarta, madje mund të thuhet të turbullta. Hapjen e negocatave e mbështesin të gjithë, në të gjithë hapësirat gjeopolitike dhe në të gjitha nivelet. Debatet, polemikat dhe mospërputhjet lidhen me projektin e lançuar për shkëmbimet territoriale, çka nënkupton copëtimin e Kosovës. Në BE dhe në Evropë ka dy alternativa në qasje me përmbajtjen e negociatave Serbi-Kosovë. Politika e jashtme dhe diplomacia e BE, sikundër qasja individuale e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, shteteve të Rajonit është kundër opsionit të ‘shkembimit territorial’, opsion ky i inicuar nga Serbia, i nxitur nga Rusia dhe i mbështetur nga liderët lokal, Thaci dhe Rama. Në Shtëpinë e Bardhë, gjithashtu, paqartësitë janë të dukshme. Ka deklarime e qëndrime kontraverse, që kanë nisur në mënyrë të vecantë mbas emërimit të Richard Grenellit si i ngarkuar special për dialogun Serbi-Kosovë nga Presidenti Trump.

Shqetësimi më serioz vjen nga mospërputhjet midis BE e Fuqive Evropiane dhe Shtëpisë së Bardhë lidhur me përmbajtjen përfundimtare të marrëveshjes Serbi-Kosovë për normalizimin e marrëdhënieve. Ka një diskordancë midis Evropës dhe SHBA, në mënyrën sesi po elaborohen idetë e përmbajtjes së marrëveshjes së pritshme si dhe shpejtësisë së arritjes së saj.

Duke pasur parasysh se Kosova është projekt Euro-Atlantik është e domodoshme që midis Evropës dhe SHBA të ketë mirëkuptim të plotë për këtë projekt deri në përfundimin e tij. Mospërputhjet që vërehen midis Evropës dhe SHBA e shndërrojnë Kosovën nga një projekt unik Euro-Atlantik në një ‘sandvic’ midis tyre. Ky pozicion është i palakmueshëm për Kosovën, por shumë i dëshirueshëm për Serbinë dhe Rusinë. Është në strategjinë e Rusisë dhe të Serbisë që të përqajnë unitetit Euro-Atlantik në përgjithësi dhe për Kosovën në vecanti. Nëse përqarja midis Evropës dhe SHBA do të ndodhte atëherë dialogu Kosovë-Serbi do të shndërrohej nga një proces unik Euro-Atlantik ndërmjetësimi, në një proces të dyzuar paralel ndërmjet tyre. Ndërmjetësimi paralel dhe jo i unifikuar midis Evropës dhe ShBA do e zvarriste për një kohë të paparishikuar marrëveshjen përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës dhe padyshim do e komplikonte përmbajtjen e saj. Faktorët lokalë në Kosovë dhe Shqipëri lypet t’i qëndrojnë kërkesës për bashkëpunim unik Euro-Atlantik deri në fund të projektit të Kosovës dhe kurrësesi të mbajnë qasje të dyzuar midis tyre.                 

Hapja e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe pranimi i kësaj të fundit në NATO, mendoni se do të sjellin ndryshime në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor?

Të dy projektet, NATO dhe BE prodhojnë në Ballkanin Perëndimorë paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillimin ekonomik e social. NATO dhe BE nuk janë projekte kompetitive ndërmjet tyre, por komplementare. NATO dhe BE i bashkojnë vlerat e tyre universale. Ato gjithçka i bashkon. Asgjë parimore nuk i ndan. Kjo sepse siguria dhe ekonomia shkojnë bashkë. Asnjëra nuk bën pa tjetrën për një kohë të gjatë. Mbi këto dy shina është vënë Ballkani Perëndimorë. Për Ballkanin Perëndimorë nuk ka pasur kurrë kohë kaq të mira, pikërisht nga prania dhe ndikimi i NATO dhe BE. Në Ballkanin Perëndimorë nuk kanë qënë kurrë më larg dhe më të dobët se sot faktorët gjeopolitikë jashtë Euro-Atlantik.

Çdo hap avancues i zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimorë shton vlerat e paqes, stabilitetit, sigurisë dhe demokracisë, mban larg kërcënimet dhe rreziqet e jashtme. Sikundër cdo hap i zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor rrit mundësitë për konsolidim të demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe social për qytetarët e tij, mban larg investimet e fragmentuara dhe të dyshimta nga jashtë. Të dy organizatat, NATO dhe BE ngushtojnë vakumet që tentojnë të shfrytëzojnë fuqitë jashtë Euro-Atlantike për interesat e tyre gjeopolitike dhe ekonomike rajonale dhe globale.

Është pozitiv fakti se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimorë janë pro integrimit në BE. Sikundër nuk është aspak pozitiv fakti që Serbia i është larguar pozicionit ‘neutral strategjikisht’, të deklaruar përpara një dekade, dhe po mendon, po sillet dhe vepron si ‘Kalë Troje’ i Rusisë në aspektin strategjik. Ndonëse shanset për sukses strategjik Serbo-Rus në Ballkanin Perëndimorë janë të pakta dhe po dobësohen gjithnjë e më shumë, sërish loja Serbo-Ruse ngelet problem i hapur për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.                 

Pandemia Covid-19, ka sprapsur shumë ekonomi të fuqishme dhe të zhvilluara të botës. Pritet ndonjë ndryshim i rolit të superfuqive botërore në sistemin ndërkombëtar?

Nuk ka dyshim se krizat e mëdha, sic është edhe Covid-19 krijojnë tronditje të fuqishme. Tronditjet e fuqishme shkaktojnë tektonika politike publike në gjitha vendet dhe në të tëra nivelet. Por lypet të mbajmë parasysh se Covid-19 ishte krizë shëndetsore dhe goditi kryesisht një fushë të caktuar, impaktoi disa vende e hapësira dhe jo mbarë botën si dhe kishte një valë kohore të kufizuar në pak muaj dhe jo afatgjatë. Mendoj se këto limite të krizës së Covid-19 do sjellin ndryshime në qasjen ndaj shëndetësisë dhe mjekësisë si shërbim dhe si shkencë. Do sjellë, gjithashtu edhe ndryshime në fushat e ndërlidhura me shëndetsinë dhe mjekësinë si arsimi, shkenca, mjedisi, kushtet dhe standartet e jetës, shërbimet e diversifikuara, sjelljet njerëzore, protokollet biznesore etj.  Mundet gjithashtu të ndryshojë aspekte të vecanta në marrëdhëniet ndërkombëtare.  

Por, sistemet botërore ndryshojnë nga krizat e gjithanshme, që përfshijnë gjithë hapësirën globale në tërësi dhe shtrihen në një kohë relativisht të gjatë. Krizat komplekse shumëdimensionale, mbarë botërore dhe për një kohë të gjatë janë ato që imponojnë ndryshime në sistemet ndërkombëtare. Kjo, duke iu referuar historisë së sistemeve ndërkombëtare deri më sot. Covid-19 nuk ishte krizë e tillë. Prandaj, mendoj se do sjellë ndryshime në fusha të vecanta, në aspekte të marrëdhënieve ndërkombëtyare të lidhura me këto fusha, por nuk do krijojë transformime të sistemit ndërkombëtar në tërësi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat