Weber: Deri në fund të vitit Kosova dhe Serbia mund të jenë më afër marrëveshjes finale

Intervista

Weber: Deri në fund të vitit Kosova dhe Serbia mund të jenë më afër marrëveshjes finale

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 12:38
Bodo Weber

Eksperti i njohur gjerman për Ballkanin, Bodo Weber në një intervistë për KosovaPress deklaroi se deri në fund të vitit Kosova dhe Serbia mbase mund të jenë më afër një marrëveshjeje përfundimtare.

Weber shtoi nëse e krahasojmë takimin e paralajëmruar të Uashingtonit që pritet të mbahet më 27 qershor me negociatat e mëparshme raundi i ardhshëm i bisedimeve është edhe më i vështirë.

Në intervistën për KosovaPress, Weber thotë se nuk ka agjendë të qartë për takimin e 27 qershorit në Uashington. Ai i referohet deklratave të Grenell që thotë se do të jetë takim i karakterit ekononmik, ndërsa Thaçi paralajmëron një marrëveshje të mundshme përfundimtare, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk është në dijeni se çfarë do të ndodhë vetëm se ka përgatitur një platformë.

Intervista e plotë:

Më 27 qershor, delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë takohen në Shtëpinë e Bardhë për të rifilluar një raund të ri të negociatave të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Cili është mendimi juaj për takimin e 27 qershorit?

Weber: Nëse e krahasojmë këtë takim me negociatat e mëparshme, të cilat ishin gabimisht të udhëhequra dhe krejtësisht jotransparente, nga kryenegociatorja e atëhershme e BE-së, Federika Mogherini, ky raund i ardhshëm i bisedimeve është edhe më i vështirë. Në procesin e bisedimeve të zonjës Mogherini të paktën e dinim përfundimin - negociatat për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse. Dhe pas një viti ne e morëm vesh për agjendën e fshehtë të tre negociatorëve - shkëmbim territoresh. Për takimin e 27 qershorit ne në thelb nuk dimë asgjë, duke filluar me deklaratat kontradiktore të Grenell dhe presidentit Thaçi për agjendën - një marrëveshje në sferën ekonomike apo një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e qeverisë së Kosovës insistojnë që të kemi një platformë negociuese me parime të qarta dhe linja të kuqe, por në të njëjtën kohë insistojnë që ata nuk e dinë se çfarë do të diskutohet në Shtëpinë e Bardhë, por megjithatë kanë rënë dakord të marrin pjesë në negociata të tilla.

Meqenëse takimi i 27 qershorit do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë, a prisni një marrëveshje midis palëve duke pasur parasysh që administrata e presidentit Trump dëshiron që kjo të ndodhë.

Weber: Epo, si përfundimi i vetëm që mbetet për të bërë në lidhje me tërë këtë varg bisedimesh është se takimi para së gjithash është për interesat e zotit Grenell dhe te administratës se Trumpit, kjo tingëllon se qëllimi i tij është të arrihet të nënshkruhet çfarëdo marrëveshje.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka intensifikuar përpjekjet e saj për t'i rikthyer palët në tryezën e bisedimeve. Komisioneri i BE për dialog, Mirosllav Lajçak arriti në Kosovë të martën në një përpjekje për të ringjallur negociatat e ndërmjetësuara nga BE. A do të kenë sukses këto përpjekje për të rikthyer dialogun në Bruksel?

Weber: Ekzistojnë zhvillime pozitive në anën e BE-së kur krahasohen me negociatat katastrofike të tre viteve të fundit. Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Lajçak duket se e ka kuptuar që ai përfaqëson pozicionin e shumicës midis anëtarëve të BE-së, që është kundër shkëmbimit të territoreve, në vend që të privatizojë rolin e tij negociator siç kishte bërë Mogherini. Kështu që ai duket se po punon për një rifillim serioz të negociatave bazuar në atë që duhej të ishte bërë nga pala e BE tre vjet më parë - përcaktimi i kornizës së negociatave, që janë parimet themelore dhe qëllimet e dialogut - të cilat janë të njohura të gjitha pasi që Serbia dhe Kosova pranuan kornizën e dialogut politik në vitin 2012-13, d.m.th. që Serbia pranon realitetin e Kosovës së pavarur brenda kufirit ekzistues, përfshirë një formë të njohjes së ndërsjellë, ndalon së promovuari bllokimin e vendit për anëtarësim në BE, Kombe të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombtare, në këmbim të perspektivës së anëtarësimit në BE, plus integrimin e serbëve të Kosovës në shtetin dhe shoqërinë kosovare nga pala kosovare duke garantuar parakushtet institucionale-ligjore që ata të kenë një jetë normale si qytetarë të barabartë.

Autoritetet e Kosovës nuk treguan ndonjë entuziazëm në lidhje me vizitën e z. Lajçak, megjithatë, janë entuziast për takimin e 27 qershorit. Si mendoni, a do të zhvendosen bisedimet nga Brukseli në Uashington, nëse po, a do të përjashtohet BE-ja nga ky proces?

Weber: Shtetet e Bashkuara kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në dialog, por nuk mund ta udhëheqin atë - pasi nuk ka asgjë për t'i ofruar Serbisë dhe Kosovës afër asaj që BE duhet të ofrojë - nga mbështetja ekonomike dhe bashkëpunimi deri në anëtarësimin në BE. Unë mendoj se bisedimet e përgatitura dhe të bëra në mënyrë të njëanshme të z. Grenell mund të jenë vetëm një shqetësim më i vogël ose më i madh i rolit udheheqes të BE-së. Z. Grenell në intervistën e tij të fundit për mediat kosovare këmbënguli që ai të koordinohej me Berlinin dhe Parisin dhe se ekziston një ndarje e punës midis SHBA dhe BE - edhe pse asnjëra prej kësaj nuk është e vërtetë.

Duke parë zhvillimet e fundit në lidhje me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, duket se marrëdhëniet midis SHBA dhe BE janë në pikën e tyre më të ulët, mbase për shumë dekada. Cili është mendimi juaj për atë që po ndodh këtu?

Weber: Z. Grenell ka identifikuar një ngritje të karrierës personale në çështjen e bisedimeve Kosovë-Serbi, dhe gjeti disa partnerë për këtë përpjekje të shtyrë nga egoja në Beograd, dhe më tepër në Prishtinë. Dhe ai mund të ndjekë këtë agjendë private, dhe si një efekt anësor minon dhe poshtëron BE-në, sepse ai punon për një administratë që nuk qëndron për vlerat liberale-demokratike dhe rendin botëror liberal, për të gjitha ato që administratat e mëparshme të SHBA.-së, Demokratike dhe Republikane, qëndronin, dhe kjo ishte baza që SHBA mbështeti pavarësinë e Kosovës. Kjo është ajo që po ndodh këtu.

Janë dhënë indikacione se Kosova dhe Serbia duan të heqin qafe njëri-tjetrin. Nëse arrihet një marrëveshje paqeje në Uashington, mendoni se BE mund të shihet si një ndërmjetës i dështuar?

Weber: Nuk jam i sigurt se Kosova dhe Serbia me të vërtetë duan të heqin qafe njëri-tjetrin. Të paktën kryenegociatorët nga të dy vendet kanë përfituar mirë nga moszgjidhja, nga vonesa e pafund e marrëveshjeve të dialogut. Siç thashë, nuk shoh që administrata amerikane ka aftësi dhe mirëkuptim për të arritur ndonjë marrëveshje që i afrohet një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, për paqen.

Si e shihni qasjen e Ambasadorit Grenell për dialog, i cili në deklaratat e tij përqendrohet më shumë në çështjet ekonomike dhe marrëdhëniet tregtare. Në fakt, nëse vetëm kjo platformë diskutohet me të vërtetë në tryezën e bisedimeve në Uashington, mendoni se problemet politike midis palëve mbeten të pazgjidhura?

Weber: Nëse z. Grenell flet të vërtetën duke insistuar se kjo do të diskutohet në Uashtington, kjo do të ishte alternativa më e mirë, por unë akoma do të mbetem skeptik çdo marrëveshje e tillë do të kishte substancë të vërtetë përsa i përket zbatueshmërisë. Sepse ajo që kemi mësuar në dialog është se çështjet ekonomike nuk mund të jenë zgjidhje e qëndrueshme pa lëvizur së paku drejt përfundimit të mosmarrëveshjes së statusit.

Si njohës i mirë i zhvillimeve politike në Ballkan, si do të duket fundi i këtij viti në marrëdhëniet Kosovë-Serbi?

Weber: Në skenarin më të mirë që performanca e z. Grenell do të ketë ndikim të vogël shqetësues, ne mund të shohim në mënyrë ideale rifillimin e negociatave të drejtuara nga BE bazuar në një rifillim serioz - që deri në fund të vitit mbase mund të na çojë më pranë një marrëveshje përfundimtare.

Bodo Weber është ekspert i njohur gjerman për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i Lartë i Këshillit të Politikave të Demokratizimit që përqendrohet në Ballkanin Perëndimor, politikën e jashtme dhe të sigurisë gjermane dhe evropiane dhe marrëdhëniet transatlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat