Sejdiu: Presidenti Thaçi, “msit” i qeverisë Hoti - Bota Sot
Sejdiu: Presidenti Thaçi, “msit” i qeverisë Hoti

Intervista

Sejdiu: Presidenti Thaçi, “msit” i qeverisë Hoti

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 29 qershor 2020 Në ora: 12:18
Korab Sejdiu

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur rreth zhvillimeve politike ditëve dhe muajve të fundit në vend, ndonëse ai vet ishte larg skenës politike.

Ai ka treguar se për momentin nuk do të rikthehet në politikë dhe se është fokusuar në profesionin e tij, teksa tregon se tërthorazi është munduar të kontribuoj pozitivisht.

Teksa ka thënë se beson që qeveria Kurti do mbahen mend si një qeveri me suksese të theksuara drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve, dhe veçanërisht në vendosjen një shteti të së drejtës, të njëjtin mendim nuk e ka për qeverinë Hoti, për të cilën thotë se nuk do mund të funksionojë për shkak të varësisë nga Lista Serbe.

“Bota sot”: Si e vlerësoni ish qeverinë Kurti?

Korab Sejdiu: Si një person i cili ka punuar shumë për realizimin e qeverisë së kaluar VV-LDK, unë natyrisht që ndjehem si shumica e qytetarëve të Kosovës, pra i zhgënjyer me rrjedhën e rrethanave që ndërprenë shumë herët jetëgjatësinë e asaj qeverie.  Besoj se ne të gjithë kemi qenë të bindur se kabineti i ministrave në qeverinë Kurti ishte i jashtëzakonshëm, dhe menjëherë pothuajse të gjithë filluan të tregojnë rezultate të prekshme, pavarësisht ballafaqimit me pandeminë COVID-19.  Ishte shumë fatkeqe që rrethanat u zhvilluan në atë mënyrë, që përfunduan jetën e një qeverie që besoj do të mbahej në mend si një qeveri me suksese të theksuara drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve, dhe veçanërisht në vendosjen një shteti të së drejtës. 

“Bota sot”: Çka prisni nga qeveria Hoti dhe sa mendoni se do të zgjas kjo qeveri?

Korab Sejdiu: Thënë të drejtën, edhe sa isha deputet, unë kam kundërshtuar qeverinë Haradinaj për po të njëjtën arsye që nuk mund të jam me shpresë për qeverinë Hoti, e ai është fakti se që të dyja janë peng i Listës Serbe, një kancer të implantuar nga Vuçiqi vetëm për të minuar shtetësinë e Kosovës.  Unë jam besimtar i plotë se të vetmet qeveri legjitime në Kosovë mund të jenë ato që ngërthejnë në vete dhe përfaqësojnë shumicën shqiptare.  Në të kundërtën, këto qeveri që i kemi parë janë qeveri në këmbë xhami, dhe pa legjitimitet të plotë, pavarësisht numrave në Kuvend. 

“Bota sot”: A shihni ndikim të presidentit Thaçi në qeverinë Hoti?

Korab Sejdiu: Edhe nga vet deklarimet e deputetëve, u pa se Presidenti Thaçi ka ndikim dhe në një far mënyre ishte mësit i kësaj qeverie, duke ia bërë ata numrat e fundit që i nevojiteshin – dhe kjo si cenim serioz i mandatit që ka si President.  Pra, është vështirë të mendohet për këtë qeveri duke e eliminuar Thaçin nga formula, sepse ishte pikërisht ai që krijoi rrethanat që kjo qeveri të formohet. 

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha dritë të gjelbër dekretit të presidentit Thaçi, me ç’rast i hapi rrugë formimit të qeverisë Hoti?

Korab Sejdiu: Është pamundur që të diskutohet një çështje e ndërlikuar si ajo e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit Thaçi, në një përgjigje të shkurtë sepse kërkon analizë të thellë juridike-kushtetuese.  Çka mund të them është se Gjykata Kushtetuese lëngon dukshëm nga mungesa e kredibilitetit në këto rastet me implikime politike.  Rrjedhimisht, edhe aktgjykimi në fjalë, edhe pse shumë faqësh, ka mungesë serioze të arsyetimit juridik për të mbështetur të gjeturat e gjykatës.  Kur i shtohet kësaj edhe mungesa e kredibilitetit nga e kaluara, i tërë rezultati len shumë për të dëshiruar, në tentativën e gjykatës për të legjitimuar diçka që është shumë vështirë e legjitimueshme.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e emisarit të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, z. Richard Grenell?

Korab Sejdiu: Z. Grenell është një diplomat i pazakontë, që i përket një administrate poashtu të pazakontë amerikane.  Besoj se gjatë punës së tij, është parë mungesë serioze e njohurive për rajonin, e në veçanti për Kosovën dhe Serbinë, si dhe historinë tonë të hidhur nën okupimin Serb.  Rrjedhimisht, edhe tentativat e tij për të arritur rezultate të shpejta janë pak sa naive.  Besoj se duhet të kemi shumë kujdes, ne si Kosovë, por edhe më gjerë si shqiptarë, që të mos bëhemi mish për top në një betejë politike BE-SHBA për Ballkanin, e aq më pak, të bëhemi material propagandues për fushatë zgjedhore me ndonjë marrëveshje të shpejtë, por pa shpresë për zbatim apo edhe me keq, që mund të shkaktojë probleme serioze afatgjate për tërë rajonin. 

“Bota sot”: Pse nuk garuat për deputet në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar?

Korab Sejdiu: Kyçjen time në politikë e kam parë si një mundësi që ti shërbej vendit dhe të kontribuoj në përmirësimin e jetës së qytetarëve.  Pas kryerjes së një mandati mjaft të suksesshëm, unë veç e pashë që gjërat edhe ndoshta nuk po shkojnë në drejtimin e duhur, dhe nuk pashë më mundësi që të kam ndikim pozitiv, pavarësisht qëllimit tim kontributdhënës dhe vullnetit të mirë.  Dhe me gjasë ashtu edhe doli, pasi që po shihet tashmë, që kemi një skenë politike shumë të trazuar dhe pothuajse tërësisht jofunksionale.  Për më tepër, unë besoj që kontribut mund të japim edhe pa qenë drejtpërdrejtë të kyçur në politikë, si edhe e kam bërë këta muajt e kaluar, pavarësisht faktit se nuk mbaja ndonjë post publik.  Pra, unë jam i gatshëm t’i përgjigjem ftesave për kontribut, sa herë që është nevoja, edhe pse nuk mbajë ndonjë post publik. 

“Bota sot”: A do t’iu shohim përsëri në skenën politike?

Korab Sejdiu: Ashtu si edhe thash, kur do që krijohen rrethanat që kontributi im të ketë rezultat të përgjithshëm pozitiv, natyrisht që e shqyrtoj rikyqjen direkte në politikë.  Thënë atë, një herë për një herë, nuk kam ndonjë plan konkret për kthim aktiv në politikë.  Dhe e theksoj prapë, që unë nuk jam tërësisht jashtë skenës politike, por thjeshtë, i kontribuoj asaj tërthorazi kur do që ftohem.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj rreth shkarkimit të Vjosa Osmanit nga LDK-ja nga Këshilli i Përgjithshëm i asaj partie?

Korab Sejdiu: Nuk e di sa mund ta marr lejen që të vlerësoj veprimet e një partie politike, pjesë e të cilës nuk jam.  Mirëpo, nëse flas si një qytetar, largimi i znj. Osmani-Sadriu nga postet kyqe të partisë ka lënë një shije të hidhur tek shumica e qytetarëve, përfshirë këtu edhe votuesit e LDK-së.  Një person, që ka sjellur LDK-në në prag të fitores në zgjedhje dhe ka kontribuar dukshëm në rritjen e partisë, nuk besoj se ka merituar një tretman të tillë vetëm pse i ka qëndruar besnike asaj që i ka premtuar elektoratit.  Tek e fundit, vlerësimi i vetëm që ka ndonjë vlerë në një demokraci, është vlerësimi i qytetarit si sovran. 

“Bota sot”: A do t’i bashkoheshit një partie të re nga Vjosa Osmani?

Korab Sejdiu: Si edhe thashë më parë, nuk është se kam ndonjë plan konkret për kyçje në politikë.  Rrjedhimisht, nuk kam planifikuar e as diskutuar mundësinë e kyçjes në ndonjë parti, përfshirë edhe një parti eventuale të Kryeparlamentares.  Aktualisht jam duke iu rikthyer profesionit dhe kam mendjen mjaft larg politikës. 

“Bota sot”: Si i shini aktakuzat kundër presidentit Thaçi dhe ish kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, nga Gjykata Speciale?

Korab Sejdiu: Çka është më e rëndësishmja, ne si popull duhet të bëjmë çmos që aktakuza e ngritur ndaj Presidentit Thaçi dhe z. Veseli të trajtohet si individuale dhe në asnjë rrethanë të mos dëmtojë luftën e lavdishme të UCK-së dhe shqiptarëve të Kosovës.  Duhet të kontribuojmë që të eliminojmë çdo tentativë që të barazohet viktima me agresorin.  Thënë atë, ne natyrisht që do të ndjejmë pasojat e një aktakuze të tillë sepse në këto rrethana, është e pamundur që Presidenti Thaçi të ushtrojë më funksionin që mbanë.  Mbajtja e postit jo vetëm që do ta bënte Presidentin jofunksional, por njëheri, do të dëmtonte institucionet e vendit dhe vet Kosovën, karshi raporteve tona ndërkombëtare.  Prandaj, pavarësisht prezumimit të pafajësisë për personat e akuzuar, në aspekt politik dhe diplomatik, këto janë rrethana të reja dhe të rënda, dhe duhet të trajtohen me shumë kujdes.  

“Bota sot”: Pse mendoni se aktakuza u publikua pak ditë para takimit në SHBA dhe a mendoni se kryeministri Hoti do të duhej të shkonte atje, pavarësisht se presidenti Thaçi konfirmoi se nuk do të shkojë?

Korab Sejdiu: Në fakt, aktakuza nuk është publikuar ende; vetëm një njoftim lidhur me aktakuzën është bërë publik.  Dhe thënë të drejtën, nuk dua të spekuloj lidhur me qëllimet e publikimit të njoftimit në këtë kohë.  Por është më se e qartë që publikimi i njoftimit ka krijuar rrethana të reja, dhe ishte veprim i duhur që Presidenti Thaçi dhe KM Hoti nuk shkuan në takim në SHBA.  E them këtë sepse para vazhdimit të bisedimeve me Serbinë, kemi nevojë për një unifikim të qëndrimeve jo vetëm në Kosovë, por si shqiptarë në përgjithësi.  Poashtu, është e domosdoshme që të mos kemi bisedime paralele në SHBA dhe BE, sepse kjo vetëm se shkon në dëm të Kosovës.  Dhe njëheri, kemi nevojë për përfaqësim legjitim në këto bisedime, që mendoj se aktualisht nuk e kemi nga kjo qeveri, që e thashë edhe më herët, është e varur nga Lista Serbe dhe ka si opozitë dy parti të mëdha shqiptare, pra pothuajse mbi gjysmën e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvend.  Do te jetë problem shumë i madh që të kemi përfaqësim legjitim në bisedime me Serbinë, pa pasur rifreskim të skenës politike, si pasojë e rrethanave të reja të krijuara nga ngjarjet që kanë ndodhë në skenën politike këta muajt e fundit.  Vetëm atëherë do te kemi mundësi të ballafaqohemi me Serbinë si palë e barabartë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat