Deputeti i LVV-së: Kosova është e gatshme për marrëveshje me Serbinë, por jo me Qeveri ilegale - Bota Sot
Deputeti i LVV-së: Kosova është e gatshme për marrëveshje me Serbinë, por jo me Qeveri ilegale

Intervista

Deputeti i LVV-së: Kosova është e gatshme për marrëveshje me Serbinë, por jo me Qeveri ilegale

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 korrik 2020 Në ora: 08:02
Albin Kurti dhe Dimal Basha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka folur për situatën politike në vend, për dialogun me Serbinë, si dhe për menaxhimin e pandemisë në vend.

Deputeti Basha ka thënë se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti nuk ka legjitimitet.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, për të cilën është shprehur se vetëm kur ajo përfaqësohet me një Qeveri legjitime dhe legale që trajtohet si palë e barabartë në tryezë.

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Dimal Basha: Situata politike dhe ajo ekonomike është shumë e vështirë, dhe fakti që ne jemi vendi më i varfër dhe me i izoluar në Europë, besoj janë indikatorë të mjaftueshëm që flasin për gjendjen tonë, dhe nuk duhet harruar se krejt kjo si pasojë e krimit, korrupsionit dhe keqqeverisjeve të njëpasnjëshme për mbi 20 vite ku protagoniste kryesore janë PDK, LDK, AAK dhe Nisma. Tjetra, vendi është në krizë marrë parasysh edhe ngjarjet e fundit, por edhe faktin që kemi një Qeveri minorene dhe ilegale që nuk ka numrat për të kaluar asnjë projektligj.

“Bota sot”: Është paraparë që më 27 qershor të mbahej takimi në Uashington, a ka mandat Qeveria e Kosovës të zhvilloj bisedime me Serbinë?

Dimal Basha:  E para, ky takim fillimisht dështoi, tani për arsye te ditura. E dyta, ka rendësi të ceket se kjo Qeveri nuk ka mandat për me përfaqësu vendin. Kryeministri nuk ka legjitimitet pasiqë as që ka qenë kandidat për postin që e mban, dhe nuk ka legalitet sepse dy vota përcaktuese i ka ilegale, njërën përmes trysnisë, e tjetrën e kemi deputetin që sipas Kushtetutës nuk ka mandat për shkak të një dënimi me burg për një vit e tre muaj nga Gjykata. Pra, me gjithë thyerjet politike dhe ngjarjet që tanimë po na mbulojnë, mendoj se tanimë është e patjetërsueshme që të kemi një përfaqësim unifikues, por ky unitet rrjedh nga një Qeveri me legalitet dhe legjitimitet të plotë, që mund të vije vetëm nga zgjedhjet e reja ku vendos sovrani e jo pazaret politike. 

Bota sot”: Cili është mendimi juaj, a është Kosova e gatshme për një marrëveshje finale me Serbinë,  kur ende krimet e luftës nuk janë zbardhur dhe Serbia nuk ka kërkuar falje?

Dimal Basha: Kosova qëndron e gatshme, por duhet kuptuar se vetëm kur ajo përfaqësohet me një Qeveri legjitime dhe legale që trajtohet si palë e barabartë në tryezë.

Bota sot”: Grenell ka deklaruar se ka ekzistuar një ide e tillë, por cili është mendimi juaj a mund të jetë ende “gjallë”  ndarje e Kosovës?

Dimal Basha: Vet emisari i presidentit Trump, Grenell, ka ndryshuar qëndrim në këtë pikë. Nuk ka shumë kohë që ambasadori Grenell thoshte se nuk ka dëgjuar për ndonjë ide për shkëmbimin e territoreve, kurse para pak ditësh në Fox Neës deklaroi se e kishte dëgjuar një ide të tillë, por që kishte qenë nga John Bolton, ish këshilltari për siguri i Presidentit Trump. Megjithatë, në vlerësojmë interesimin e SHBA-ve, por Kosova si delegacion me një Qeveri legjitime duhet të insistoj të mbroj interesat e vendit, dhe jo të Grenellit, por edhe askujt tjetër.

“Bota sot”: Cili është plani i VV-së nëse udhëheqësit e vendit nënshkruajnë një marrëveshje të dëmshme me Serbinë?

Dimal Basha: Çfarëdo marrëveshje e dëmshme do të kundërshtohet, por e njëjta përgjigje do të vijë edhe nga vet qytetaret.

“Bota sot”: Cili është mendimi ju për Qeverinë Hoti?

Dimal Basha: Është Qeveri ilegale dhe jo legjitime. Nëse këta e mendojnë ndryshe, atëherë duhet të kthehemi tek sovrani të maten, përndryshe çdo qëndrim apo përfaqësim i tyre është tradhti me elektoratin, nga edhe buron edhe Kuvendi, por edhe vet Qeveria.

 “Bota sot”: A është dashur të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, kur zgjedhjet në dy komuna në venin tonë nuk janë lejuar të mbahen për shkak të pandemisë?

Dimal Basha: Kjo pyetje duhet të ju drejtohet qeverisë, e cila ka një standard për Serbinë, kurse një tjetër për votuesit në Kosovë. Pra, duhet pyetur nëse e kanë më të rëndësishme akomodimin e votave të Vuqiçit, se sa të qytetareve të këtij vendi.

“Bota sot”: Çfarë mendoni a u tradhtuar elektorati me prishjen e koalicionit nga LDK-ja, si dhe rrëzimin e Qeverisë Kurti?

Dimal Basha: Nuk ka emër tjetër pos “tradhti,” sepse ne kemi dhënë një premtim para tyre dhe tani që LDK ka vendosur t’i tradhtoj ata, duhet që të kthehemi prap për të marrë mandatin për rrugëtimin që këta kanë zgjedhur. Përndryshe, cili është qëllimi i premtimeve që i japim gjatë fushatës, përpos gënjeshtra dhe tjetërsim i vullnetit të tyre.

“Bota sot”: Në kohë pandemie u rrëzua Qeveria Kurti, çfarë mendoni për këtë çështje?

Dimal Basha: Po besoj fakti që është rrëzuar në kohë pandemie flet shumë për papërgjegjësinë totale të kësaj qeverie ilegale që e ka kthyer vendin në status-quon e mëhershme, diçka që sovrani ka votuar ndryshe. Në vende tjera qeveritë e rrëzuara kanë marrë mandatë të plotë nga parlamentet për të kaluar krizën, kurse këta kanë zgjedhur të marrin mandatin një Qeverie në mes të pandemisë. Kjo besoj nuk kërkon më shumë debat dhe është absolutisht e turpshme dhe do të mbetet njollë e zezë në historinë e këtij Kuvendi.

“Bota sot”: Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë nënshkruar peticionin e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje ku kërkohen zgjedhjet, çfarë pritni nga mbledhja e këtyre nënshkrimeve?

Dimal Basha: Siç edhe e thash më lart, kërkojmë qe te kthehemi tek sovrani për të pasur një Qeveri legale dhe legjitime, dhe besojmë se peticioni është vullneti i popullit, i cili fatkeqësisht nuk i ka Gjykatat që të rrezojnë Qeveri, siç bëjnë përfaqësuesit e tyre pa asnjë fije turpi.

 “Bota sot”: Si e shihni menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Hoti?

Dimal Basha: Po besoj vet fakti që iu ka dal nga dora tregon qe kjo Qeveri nuk e ka as edhe idenë se si të menaxhoj, dhe prandaj kthimi në zgjedhje nënkupton edhe dalje nga kriza e pandemisë duke marrë parasysh qe kjo Qeveri ilegale do të jetë një dëm i madh edhe për shëndetin publik.

“Bota sot”: Ju vini nga Ferizaji, si e shihni udhëheqjen e qytetit tuaj?

Dimal Basha: Udhëheqja ne qytetin e Ferizajt përmbledhtë më së miri me shkatërrimin e qytetit nga ndërtimet e egra, derisa pushteti i PDK-se punon për të akomoduar ata në këtë denigrim urbanistik. Kjo po vazhdon edhe sot dhe qytetari I Ferizajt vazhdon të vuaj keqqeverisjen e PDK-së, e cila prioritet ka “mafinë e betonit” që është përgjegjëse kryesore për betonizimin e qytetit.

“Bota sot”: Ju keni bërë një fushatë për pirjen e duhanit në qytetin tuaj, sa ka qenë i suksesshëm?

Dimal Basha: Fushata ka qenë e suksesshme, si dhe pritja e qytetareve ka qenë shumë e mirë, mirëpo Qeveria lokale në Ferizaj ka refuzuar ta implementoj Ligjin. Edhe pas premtimeve, Inspektorati me Kryetarin e PDK-se kanë refuzuar të implementojnë Ligjin për Ndalimin e Duhanit sepse kanë frikë të qeverisin dhe me më zell akomodojnë ata që thyejnë ligjin, se ata që kërkojnë ta respektojnë atë. Kjo përveç që është turp dhe papërgjegjësi, është edhe vepër penale, sepse siç e dimë, mos-veprimi për implementimin e Ligjit është vepër penale ne vete. Kjo besoj e shpjegon keqqeverisjen tekstual të fjalës.

“Bota sot”: Ju keni njoftuar se do të përballni me Mustafë Grainca në Gjykatë, çfarë pritni nga kjo çështje?

Dimal Basha: Kjo padi është bërë për të me frikësuar pasi që kam kundërshtuar ashpër denigrimin urbanistik që i është bërë qytetit të Ferizajt. Zotëriu në fjale është një ish zëvendësministër, apo një nga 83 zëvendësministrat në Qeverinë e papërgjegjshme Haradinaj, dhe gjithashtu ka qenë këshilltar I Kryetarit të Komunës Agim ALiu, që e dëshmon lidhjen e tij me pushtetin. Kjo padi nuk me frikëson por vetëm më jep vullnet që të vazhdoj tutje kundër kriminalzimit të qytetit, dhe nuk pres të ketë epilog tjetër përveç se të përfundoj si një tentim i dështuar frikësimi, dhe uroj që në të ardhmen Gjykata të trajtoj rastet e atyre që e kriminalizojnë qytetin me ndërtime të egra, e a jo ne që i kundërshtojmë ato.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat