Batusha: “Do t’a shkurtojmë jetën e qeverisë koti”

Intervista

Batusha: “Do t’a shkurtojmë jetën e qeverisë koti”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 korrik 2020 Në ora: 21:02
Agon Batusha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Agon Batusha në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka treguar sfidat dhe përgjegjësit e reja si deputet për herë të parë në Kuvendin e Kosovës, ku thotë se nga një i ri i pasionuar në politikbërje, është shndërruar në politikbërës të pasionuar.

Teksa thotë se qeveria Kurti kishte “gjemba” në rrugën e saj të veprimit, Batusha thekson se ajo qeveri ka marrë vendime që ndikojnë në mënyrë të tërthortë dhe direkte në përditshmërinë e qytetarëve, ndërsa qeverinë Hoti e sheh të ndikuar nga presidenti Thaçi, si në krijimin e saj, ashtu edhe në funksion.

Deputeti Batusha mendon se Grenell nuk ishte mirë i informuar për historikun e raporteve ndër-fqinjësorë me Serbinë, teksa thotë se SHBA-të kanë qenë, janë dhe do jenë aleatët dhe partnerët tanë ndër kryesorët.

“Bota Sot”: z. Batusha, është hera e parë për ju si deputet në Kuvendin e Kosovës. Cilat janë sfidat dhe si ndiheni sa i përket përgjegjësisë?

Agon Batusha: Të marrësh përgjegjësi është sfidë në vete. Kur kjo përgjegjësi burim ka votën e qytetarëve atëherë përgjegjësia rritet, sepse qytetarët kanë besim se ne do zgjidhim problemet me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë. Nga një i ri i pasionuar në politikbërje, jam shndërruar në politikbërës të pasionuar. Secili hap është sfidues, por pasi që përballesh me sfida të reja, ato që ke kaluar të duken minore në krahasim me sfidën e re që përballesh. Kjo është përvoja që një i ri krijon gjatë të bërit politikë. Përvojë që me përkushtim mundohem t`a kthej në dobi të gjithëqytetarëve, sidomos në dobi të të tashmes dhe të ardhmes, të bashkëmoshatarëve dhe fëmijëve që ende nuk kanë hyrë në atë fazë të jetës ku do përballen me përgjegjësitë që ju takojnë dhe ku dora e shtetit do duhet të jetë lehtësuese në rrugëtimin e tyre për të ndërtuar një jetë sa më të mirë për veten dhe familjen e tyre.

“Bota Sot”: Cilat mendoni se ishin vendimet më të mira të qeverisë Kurti?

Agon Batusha: Çdo politikë që ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë, natyrisht që është politikë apo vendim i mirë. Konsideroj që qeveria e udhëhequr nga Kryeministri z. Kurti, pavarësisht më sfidat e shumta që është përballur, me rrugën përplot gropa e gjemba, ka marrë vendime që ndikojnë në mënyrë të tërthortë dhe direkte në përditshmërinë e qytetarëve tanë. Përballja me pandeminë, COVID-19, është një histori suksesi jo vetëm për ne në Kosovë, por e pranuar nga shumë organizata e shtete duke na marrë shembull për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë, ani pse sistemi ynë shëndetësorë nuk ishte gati për përballimin me një situate të tillë.

Përgjysmimi i pagave për Kryeministrin e kabinetin qeveritar ishte po ashtu një nga vendimet e marra gjatë qeverisjes si dhe zvogëlimi në minimum i shpenzimeve të tjera. Përfundimisht u dëshmua se në Republikën e Kosovës mund të qeveriset me nder dhe dinjitet.

Shkarkimi i Bordeve të ndërmarrjeve publike, është një ndër vendimet që ka ngjallur shpresë tek qytetarët, e rrjedhimisht ka rikthyer besueshmërinë në institucione sepse ka ndalur kulturën e pandëshkueshmërisë, dëshmuam që publikja ka rëndësi sepse është e të gjithëve, e jo e klaneve familjare e grupacioneve politike. Treguam se qytetarët e varfër dhe ata që janë pothuajse të varfër kanë rëndësi për shtetin. Ju rikthyem shtetin tek ta, duke ju zgjatur dorën e ndihmës, mbështetjes dhe do rikthehemi për të ju dhënë mbështetjen për rimëkëmbjen socio-ekonomike të tyren. Mbi gjitha qytetarët tanë nuk janë vetëm numër për statistika, për vota, apo të trajtohen si skllevër, por janë shtylla e shtetit dhe janë vlerë për shoqërinë.

“Bota Sot”: Si e komentoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi pro dekretit të presidentit Thaci dhe i dha dritë të gjelbër formimit të qeverisë Hoti?

Agon Batusha: Gjykata po dëshmon që nuk është e pavarur në veprimet dhe vendimet e veta. Kjo është shqetësuese për rendin demokratik në shtetin tonë, zatën gjitha institucionet janë të kapura nga grupet para-politike dhe në shumë raste edhe nga parti e individ politik. Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Nuk mund të ketë shtet normal, pra demokratik nëse institucionet nuk janë të pavarura në punën e tyre dhe nuk luajnë rolin që Kushtetuta ju ka atribuar e që është “Kontroll dhe Balancë”.

“Bota Sot”: A mendoni se kishte dhe ka ndikim presidenti Thaçi në qeverinë Hoti?

Agon Batusha: Patjetër që po. Thaçi është bërë si konfederata, me ç’rast Thaçi është udhëheqësi i saj, ndërsa Mustafa, Veseli, Haradinaj e Limaj sillen si udhëheqësit regjional që i përgjigjen udhëheqësit të tyre. Pra, nuk kam pasur asnjëherë iluzion për këtë fakt. Por, vetëm sa u binda edhe më shumë që këtyre ju ka pëlcitur delli i marres. E kur delli i marres pëlcet – thotë populli – atëherë gjithçka mund të pritet nga ta.

Fjalimi i z. Haxhi Shala në Kuvend, ditën kur u votua qeveria Hoti, është rastësi e naivitetit politik të tij, por që shpërfaq sheshazi ndikimin e Thaçit në formimin e vendimmarrjen e qeverisë Koti.

“Bota Sot”: Si e vlerësoni rolin e të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Grenell për dialogun Kosovë-Serbi?

Agon Batusha: Aleancën me SHBA-të duhet t`a kthejmë në partneritet strategjik me interes dypalësh. SHBA-të kanë qenë, janë dhe do jenë aleatët dhe partnerët tanë ndër kryesorët. z. Grenell me aq sa kam vërejtur, nuk ka qenë mirë i informuar për të kaluarën e Kosovës dhe raportet ndër-fqinjësorë të Kosovës me Serbinë. Mirëpo marrëveshjet e ngutshme që përcillen me mungesë të theksuar të transparencës, pa konsensus të brendshëm politik, pa përfshirjen e subjektit fitues të zgjedhjeve në këtë proces, shtoja kësaj mungesën e adresimit të shqetësimeve për moszbatim të marrëveshjeve paraprake dhe mungesën totale të vullnetit të palës serbe për gjetjen dhe kthimin e eshtrave të të vrarëve e të zhdukurve, nuk do të jenë të zbatueshme dhe natyrisht që legjitimiteti i marrëveshjes eventuale do ishte pothuajse zero. E një marrëveshje të tillë nuk e dëshiron askush nga partnerët tanë strategjikë dhe përbën një shembull të rrezikshëm në raportet ndërmjet shteteve sidomos në Ballkan. Kosova është vonë, por meqë jemi vonë nuk bën assesi të ngutemi. Gjithsesi ritheksojë që Lëvizja VETËVENDOSJE! është pro dialogut të mirëfilltë mes dy shteteve tona, pra Kosovës dhe Serbisë, në raporte të barabarta dhe me vullnetin e zgjidhjes së problemeve tona që ndikojnë përditshmërinë e qytetarëve në dy anët e kufirit, pa cenuar territorin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Bota Sot”: Cili është mendimi juaj rreth aktakuzave të ngritura nga prokurori i Gjykatës Speciale për presidentin Thaçi dhe ish kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin?

Agon Batusha: Qëndrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është i qartë, konsistent dhe i pandryshueshëm. Gjykata Speciale nuk është dashur të votohet, por u votua me shantazhe, pazare dhe kërcënime, pavarësisht që interesi shtetëror e kombëtarë po cenoheshin hapur. Vlen të theksohet që kjo Gjykatë u risoll në votim pasi për të parën herë kishte dështuar.  Madje me atë votim u ndryshua edhe rendi Kushtetues dhe Juridik i Republikës së Kosovës. Ata që kanë menduar që Kosovës t’ja sjellin Gjykatën e vetë të shpëtojnë kanë gabuar dyfish. Por kjo që ndodhi me Gjykatën Speciale këto ditë ashtu siç kemi deklaruar është pasojë e re e një gabimi të vjetër. Ritheksoj që kjo Gjykatë është padrejtësi për shqiptarët, cenon imazhin e shtetit dhe kombit tonë në arenën ndërkombëtare.

“Bota Sot”: A ishte i drejtë vendimi i kryeministrit Hoti që të mos shkojë në Washington në takim me përfaqësuesit e Serbisë?

Agon Batusha: Qysh në fillim z. Hoti nuk është dashur të niset për në Washington. Kjo qeveri ilegali dhe ilegjitime nuk mund të dialogojë në emër të Kosovës e as të sjelli ndonjë marrëveshje eventuale. Nuk mund të ketë asnjë negociatë e dialog të suksesshëm pa zgjedhjet të reja e qeveri legjitime. Këto lëvizje janë orvatje të kota vetëm sa për të marrë kohë.

“Bota Sot”: A mendoni se do jeni opozitë e fortë dhe e zëshme në Kuvend?

Agon Batusha: Fatkeqësisht ne jemi edhe qeverisja edhe opozita më e mirë në vend. Të dyja këto i bëjmë më mirë se secili subjekt tjetër. Jemi opozitë, por jo për shumë gjatë. Do veprojmë si opozitë e do mendojmë si qeveri. Karriget e uzurpuara nga PLAN-istat duke luftuar vullnetin demokratik të qytetarëve është mirë t`i lirojnë sa më shpejtë sepse dëmi për Kosovën rritet për çdo ditë sa ata janë në ato pozita vendimmarrëse. Sa më shpejtë aq më mirë për ta. Sa më vonë, aq më shumë do humbasin.

“Bota Sot”: Cilat do të jenë veprimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Kundër qeverisë Hoti, për ta arritur paralajmërimin për zgjedhje të reja?

Agon Batusha: Veprimet tona do jenë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet që ka Republika jonë. Do përdorim mjetet ligjore, demokratike e qytetare për të shkurtuar jetën qeverisë koti dhe për t`ia rikthyer institucioneve legjitimitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat