“Është shumë logjike” që SHBA-ja t’i blejë të gjitha furnizimet me remdesivir - Bota Sot
“Është shumë logjike” që SHBA-ja t’i blejë të gjitha furnizimet me remdesivir

Intervista

“Është shumë logjike” që SHBA-ja t’i blejë të gjitha furnizimet me remdesivir

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 08:23
Profesori i anesteziologjisë, Vladimir Cerny.

Në muajt e fundit është shkruar shumë për remdesivirin, një ilaç antiviral, që duket se ka efekte të dobishme te pacentët me COVID-19, të shtruar në spital në një gjendje më të rëndë. Ky medikament ka përbërë tituj lajmesh sërish së voni, pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se po blinin të gjitha furnizimet në dispozicion për tre muajt e ardhshëm.

Për të mësuar më shumë rreth medikamentit dhe rolit të tij në luftimin e COVID-19, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me dr.Vladimir Cerny, profesor i anesteziologjisë dhe kujdesit intensiv në Universitetin Charles në Republikën Çeke.

Ai aktualisht është pjesë e ekipit të Qeverisë në Pragë për luftimin e COVID-19.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni në termat e laikëve se çfarë është remdesiviri dhe pse është i dobishëm në luftën kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]?

Vladimir Cerny: Në thelb, është shumë i thjeshtë, sepse është një agjent antivirotik. Ai u zhvillua disa vite më parë si një ilaç kundër Ebolës, por, kohëve të fundit, u zbulua se mund të funksionojë edhe kundër COVID-19.

Radio Evropa e Lirë: A janë testuar dhe provuar efektet –që duken të dobishme –kundër COVID-19?

Vladimir Cerny: Jo, ka pasur një provë të rastit, e cila është botuar në një nga revistat më të famshme mjekësore në botë - The New England Journal Of Medicine. Dhe, ata (hulumtuesit) kanë gjetur disa përmirësime të rëndësishme te pacientët me COVID-19, të bazuara në këtë ilaç. Pra, kjo është e vetmja provë që mbështet përdorimin e këtij ilaçi në praktikën klinike.

Radio Evropa e Lirë: A nuk kanë treguar provat tjera rezultate pozitive?

Vladimir Cerny: Jo, le të themi kjo është e vetmja provë klinike, e realizuar si duhet, deri më tani. Nëse keni vetëm një testim, është mirë, por jo mjaftueshëm për të thënë fjalën e fundit për ndonjë lloj medikamenti ose ndonjë lloj ndërhyrjeje mjekësore. Andaj, duhet të presim. Derisa të kemi prova të tjera, duhet të mbështetemi në këtë [të publikuar në The New England Journal Of Medicine].

Radio Evropa e Lirë: Remdesiviri është përdorur te pacientët me COVID-19, në gjendje më të rënduar, në Republikën Çeke. A kanë pasur ato raste përfitime nga ky ilaç?

Vladimir Cerny: Me sa di unë, ka qenë vetëm një pacient që i është dhënë ky ilaç dhe ka mbijetuar. Dy pacientë të tjerë po trajtohen tani, me sa di unë, sepse ne kemi një sistem të centralizuar për shpërndarjen e remdesivirit në Republikën Çeke. Dhe, deri më tani, është vetëm një pacient që ka përfunduar terapinë e tij dhe ka dalë nga spitali.

Radio Evropa e Lirë: Pra, pacientë të tjerë që marrin remdesivir, janë ende në spital. A e dini sa saktësisht?

Vladimir Cerny: Mund t'ju jap numra të saktë më vonë ... por nuk mendoj se është e rëndësishme. Bëhet fjalë për dy ose tre pacientë që aktualisht po vëzhgohen për dhënien e këtij ilaçi. Padyshim që nuk është një numër i madh pacientësh.

Radio Evropa e Lirë: Ditë më parë, SHBA-ja njoftoi se po blinte të gjitha furnizimet me remdesivir për tre muajt e ardhshëm. Marrë parasysh se Amerika është goditur më së rëndi nga koronavirusi, a mund ta kuptoni logjikën prapa këtij vendimi?

Vladimir Cerny: Te jem i sinqertë, unë jam mjaft i njëanshëm. Jam amerikanofil. Kam kaluar disa vite në Amerikë, kam punuar atje shumë vite më parë dhe më pëlqejnë pothuajse të gjitha gjërat e Amerikës.

Pra, jam mjaft i njëanshëm, [por] do të përpiqem të jem i pavarur: Për mua, është shumë logjike për së paku dy arsye. E para është se ka qenë një kompani amerikane që e ka zbuluar dhe zhvilluar këtë ilaç. Kjo është gjëja e parë. E dyta është se Amerika ka aq shumë pacientë që ndoshta janë për këtë terapi.

Dhe, ka edhe një gjë të tretë: Për mua, duket shumë logjike që, nëse ka një numër shumë të kufizuar ilaçesh të disponueshme për pacientë, në radhë të parë të mendoj për familjen dhe vendin tim. E kuptoni?

Radio Evropa e Lirë: Po, pra, sikur Republika Çeke të ishte në pozitë të ngjashme, ku ju do të ishit të vetmit që keni ilaçin, do të kishit qasje të ngjashme?

Vladimir Cerny: Padyshim. Është njësoj sikur të keni një dozë të një ilaçi dhe të keni, në njërën anë, dy anëtarë të familjes të sëmurë dhe, në anën tjetër, të keni dy të huaj me të njëjtat probleme shëndetësore, ku ilaçi mund të ndihmojë gjithashtu. Si do të vendosni?

Radio Evropa e Lirë: Nëse ndodh që vetëm SHBA-ja të ketë qasje në remdesivir për disa muaj, a do të ketë kjo ndikim të madh në luftën kundër pandemisë në botë?

Vladimir Cerny: Nuk e di, sepse, deri më tani, ne kemi vetëm një testim që tregon disa, le të themi, përfitime në disa pacientë. Unë mendoj se është shumë herët që të merret një vendim përfundimtar për efektivitetin e këtij ilaçi. Bazuar në dëshmitë e tanishme, te pacientët e sëmurë nuk ka asnjë ilaç tjetër që është dëshmuar se funksionon në drejtim të provave shkencore.

Radio Evropa e Lirë: Disa kritikë të vendimit të SHBA-së kanë sugjeruar se, nëse remdesiviri mbetet i padisponueshëm për një kohë të gjatë, vendet individuale duhet të lëshojnë të ashtuquajturat "urdhra të licencës së detyrueshme", të cilat do t'iu mundësonin të prodhonin versionin e tyre, pa lejen e mbajtësit të patentës. A mendoni se ky është një sugjerim i arsyeshëm?

Vladimir Cerny: Me sa di unë, patenta është dhënë ose leja për të prodhuar këtë ilaç u është dhënë disa ndërmarrjeve në botë. [Shënim i redaktorit: Gilead, kompania amerikane që prodhon remdesivir, ka njoftuar në maj se ka nënshkruar marrëveshje licencimi me pesë ndërmarrje të tjera. Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, Gilead do t'iu sigurojë këtyre prodhuesve njohuri dhe ekspertizë për t'iu mundësuar prodhimin e remdesivirit dhe shpërndarjen në 127 vende, gjatë muajve të ardhshëm]. Unë mendoj se, nëse këto vende fillojnë ta prodhojnë këtë agjent, do të ketë një sasi të mjaftueshme të këtij ilaçi për pjesën tjetër të botës.

Radio Evropa e Lirë: Disa ekspertë të shëndetit publik kanë shprehur gjithashtu shqetësime se vendimi i SHBA-së për remdesivir është një shenjë ogurzezë e gjërave që do të vijnë. Një akademik australian e përshkroi atë si "një precedent shumë shqetësues", duke thënë "nëse shohim që vaksina vjen nga një kompani amerikane, ka të ngjarë të shohim të njëjtin lloj sjelljeje dhe grumbullim të tyre nga SHBA-ja dhe vendet e tjera të zhvilluara". A mendoni se kjo frikë është e justifikuar?

Vladimir Cerny: Unë vërtet nuk di ta komentoj, sepse fusha ime e ekspertizës është anesteziologjia dhe mjekësia intensive. Nuk ndjehem rehat për të komentuar në fushën e vaksinave dhe të gjitha çështjeve që lidhen me të. Kjo është për epidemiologët. Nga ana tjetër, unë mendoj se mënyra e vetme për të luftuar koronavirusin dhe gjithë pandeminë është vaksina. Kjo është mënyra se si bota mund të luftojë pandeminë. Remdesiviri është vetëm për trajtimin e sëmundjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat