Deputetja e LVV-së: Qeveria Hoti u krijua për t’iu përgjigjur Presidentit

Intervista

Deputetja e LVV-së: Qeveria Hoti u krijua për t’iu përgjigjur Presidentit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 korrik 2020 Në ora: 09:00
Yllza Hoti dhe Albin Kurti

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputetja nga radhët e LVV-së, Yllza Hoti foli për situatën politike në Kosovë dhe për gjendjen e krijuar nga pandemia.

Hoti shprehët që keqmenaxhimi i qeverisë Hoti ka krijuar një situatë tejet shqetësuese për qytetarin duke përfshirë këtu përhapjen e madhe të COVID-19.

Deputetja tha se është e dëmshme për ekonominë e Kosovës mosardhja e diasporës, pasi kjo gjithmonë ka ndikuar në rritje të madhe të aktivitetit ekonomik në Kosovë, përmes shpenzimeve të tyre gjatë muajve të verës dhe mosardhja e tyre do të ndikojë negativisht për Kosovën.

Në fund Hoti e pyetur se cili do të jetë hapi i radhës i LVV-së, ajo u shpreh që zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për shtetin tonë, dhe mënyra e vetme për rikthimin e funksionimit të demokracisë.

“Bota Sot”: Si e shihni situatën politike në Kosovë?

Yllza Hoti: Situata politike në Kosovë nuk është aspak stabile, duke filluar nga fakti që e kemi një qeveri jo-legjitime dhe që nuk e ka mbështetjen popullore e deri tek krijimi i kësaj qeverie me shumë shkelje kushtetuese e ligjore. Ky është problem shumë shqetësues, sidomos sepse keq-menaxhimi i kësaj qeverie ilegale po ndikon drejtpërdrejt tek qytetarët dhe mirëqenia e tyre. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë përmes keq-menaxhimit të gjendjes së krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19, kjo qeveri nuk e ka prioritet interesin dhe të mirën e qytetarëve. Kjo qeveri është krijuar për t’iu përgjigjur presidentit, dhe si e tillë nuk ka si ta ketë prioritet qytetarin.

“Bota Sot”: Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka larguar të gjitha barrierat për të rifilluar dialogun me Serbinë, sa do të ketë rezultat pozitiv për Kosovën ky dialog?

Yllza Hoti: Është e vërtetë se z. Hoti ka larguar të gjitha barrierat për të rifilluar dialogun me Serbinë, mirëpo me ato vendime, ose thënë më mirë lëshime, ai e ka dëmtuar pozitën negociatore të Kosovës. Përderisa Kosovës i është kërkuar heqja e reciprocitetit, apo parimit të barazisë me Serbinë, Serbisë i është kërkuar vetëm ndalimi i fushatës së mosnjohjes së Kosovës. Por përderisa Kosova ka hequr dorë nga shtetësia e saj me heqjen e reciprocitetit, Serbia ka vazhduar falënderimet për shtetet që nuk kanë njohur Republikën e Kosovës. Pra, që nga fillimi, kërkesat që po i bëhen Kosovës janë shumë më të dëmshme për vendin tonë sesa për palën tjetër, gjë që nuk jep sinjal të mirë se rezultati i dialogut do të jetë i mirë për Kosovën. Kjo qeveri nuk ka legjitimet, kësisoj ajo nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në dialog, aq më tepër të sjellë ndonjë marrëveshja të dëmshme.

“Bota Sot”: Nga Gjykata Speciale është lëshuar aktakuzë për Presidentin e vendit dhe kreun e PDK-së, duke anuluar kështu takimin në Uashington, si i shihni këto këto akuza pikërisht në kohën kur do të ndodhej ky takim?

Yllza Hoti: “Nuk e di a është ashtu, por, e di që lufta çlirimtare e UÇK-së, është luftë e drejtë është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët e invalidët e UÇK-së edhe politikisht, edhe historikisht janë në të drejtën e tyre. Unë besoj në pafajësinë e UÇK-së, dhe mendoj që Kosova është dashur qysh moti ta ketë gjyqësinë e vet të pavarur e të paanshme që të hetojë, gjykojë, dënojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes”, ka thënë Kurti, citon deputetja fjalë e tij.

“Bota Sot”: Ju personalisht keni deklaruar shumë shpesh për gjendjen ekonomike të Kosovës, çfarë po bëhet në këtë aspekt në vendin tonë a janë duhura sipas jush vendimet që Qeveri Hoti?

Yllza Hoti: Ekonomia e Kosovës është në një periudhë të ndjeshme për shkak të ndikimit negativ që ka pasur pandemia COVID-19 në uljen e aktivitetit ekonomik. Një gjë e tillë është pritur dhe ka ndodhur në shumicën e vendeve të botës që janë prekur nga pandemia, dhe pikërisht për këtë arsye është dizajnuar pakoja fiskale emergjente nga Ministri i Financave të Qeverisë Kurti. Qeveria e re jo vetëm që nuk po vazhdon me implementimin e masave të parapara nga kjo pako, mirëpo deri tash nuk kanë paraqitur në Kuvend asnjë detaj rreth pakos së rimëkëmbjes ekonomike, e cila do të duhej t’i ndihmonte financiarisht sektorin privat të Kosovës dhe kështu do ta stimulonte aktivitetin ekonomik.

Kjo mungesë e transparencës së Qeverisë duket sikur të jetë e qëllimshme, ashtu që rimëkëmbja ekonomike të përdoret si arsyetim për ndryshimin e linjave buxhetore edhe në pjesë tjera të buxhetit, që s’kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë ose me ballafaqimin me pandeminë përgjithësisht. Kjo është papërgjegjësi e madhe, sepse situata është e paparashikueshme dhe prioritet i qeverisë duhet të jetë ballafaqimi me pandeminë dhe pasojat e saj, qoftë në aspektin ekonomik por edhe në aspekte tjera.

Sa i përket tërheqjes së Trustit, ky vendim jo vetëm që është marrë pa një analizë të mirëfilltë rreth pasojave që mund të ketë në ekonominë e vendit, por të njëjtën kohë e dërgon mesazhin që qeveria është e gatshme të sakrifikojë stabilitetin afatgjatë të përfitimeve te mjeteve të fondit (që ndikon direkt tek qytetari), për një përfitim afatshkurtër që jo doemos do të jetë i suksesshëm, e që mund të ketë ndikim në rritjen e borxhit publik në një ritëm të shpejtë e të panevojshëm.

“Bota Sot”: A mund të jetë në dëm të ekonomisë së Kosovës mosardhja e diasporës në Kosovë?

Yllza Hoti: Mosardhja e diasporës në Kosovë, sidomos tash gjatë muajve të verës, patjetër që do të ketë ndikim negativ në ekonominë e Kosovës. Përveç dërgesës së remitancave, që janë burim i të ardhurave për shumë familje në Kosovë, diaspora gjithmonë ka ndikuar në rritje të madhe të aktivitetit ekonomik në Kosovë përmes shpenzimeve të tyre gjatë muajve të verës. Edhe për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë, pritet të ketë zvogëlim të shpenzimeve të tyre gjatë qëndrimit në Kosovë, kryesisht për shkak të moslejimit të mbajtjes së shumë aktiviteteve si pasojë e rrezikut nga pandemia COVID-19. Fatmirësisht, në bazë të të dhënave për muajt Mars, Prill dhe Maj të vitit 2020, dërgesat apo remitancat nga diaspora janë më të larta se në periudhën e njëjtë në vitin 2019, gjë që është shpresëdhënëse për muajt në vijim.

“Bota Sot”: Sa ishte legjitime formimi i Qeverisë Hoti duke rrëzuar Qeverin Kurti vetëm pas një kohe të shkurtur qeverisje?

Yllza Hoti: Mënyra e krijimit të Qeverisë Hoti dhe vetë kjo Qeveri është jo-legjitime për disa arsye, ndër të cilat arsyeja më evidente është mënyra e krijimit të votave të nevojshme për ta votuar këtë qeveri – ku njëri nga 61 deputetët votues ishte i dënuar me aktgjykim për vepër penale, gjë që në rrethana normale e bën të pavlefshëm mandatin e tij si deputet, ndërsa një deputet tjetër ka qenë i ndikuar drejtpërdrejt nga Presidenti i vendit për të votuar për këtë qeveri, veprim i cili është antikushtetues.

Përveç jo-legjitimitetit të kësaj qeverie, zëvendësimi i Qeverisë Kurti me një qeveri të tillë është gjithashtu shkelje e madhe e vullnetit të popullit që u dëshmua me 6 Tetor.

“Bota Sot”: Cili është plani i LVV-së për ta përshpejtuar shkuarjen në zgjedhje dhe rrëzimin e qeverisë Hoti?

Yllza Hoti: Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke vazhduar me mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin Duam Zgjedhje, peticion ky i cili ua ofron qytetarëve të Kosovës një platformë për ta shprehur pakënaqësinë e tyre me gjendjen politike të krijuar që nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për shtetin tonë, dhe mënyra e vetme për rikthimin e funksionimit të demokracisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat