Ekskluzive: Flet ish ushtari i UҪK-së, tregon se ҫfarë kishte bërë Thaҫi gjatë luftës dhe kush ishin komandantët e rrejshëm

Intervista

Ekskluzive: Flet ish ushtari i UҪK-së, tregon se ҫfarë kishte bërë Thaҫi gjatë luftës dhe kush ishin komandantët e rrejshëm

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 korrik 2020 Në ora: 08:20
Pamje nga lufta/ Vendim Demaj

Vendim Demaj në marsin e vitit 1998 e kishte lënë punën e tij në arsim për t’iu bashkuar Ushtrisë Ҫirimtare të Kosovës.

Demaj duke dhënë kontribut në Kosovën që po kanosej nga një rrezik i madh në kohën e luftës nga gjenocidi serb, plagoset dy herë. Plaga e parë nuk ia mundi dëshirën dhe vullnetin që të bashkohej në radhët e UҪK-së për të luftuar kundër ҫetnikut serb.

Ai, herën e parë, u plagos më 17 korrik 1998, tek Livadhi i Madh në malet e Jasiqit në Junik të Kosovës, teksa paraprinin drejt kufirit të Shqipërisë dhe ranë në pritë të serbëve militarë, në përpjekje luftarake me ta.

Bashkëluftëtarët e UÇK-së i zbritën në Junik e pas një jave kujdesi mjekësor të atyshëm i kaluan prapë ilegalisht kufinin, qëndroi për një muaj në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Vendim Demaj u rikthye prapë në frontin e luftës. Pas disa muajsh, në nëntor ’98, luftëtari i lirisë, njeriu i sakrificave, Vendim Demaj, plagoset për herë të dytë në male të Junikut. Pas një përkujdesi mjekësor prapë shkon në frontin e luftës derisa në pranverën e vitit 1999 detyrohet të largohet nga përkeqësimi shëndetësor prej plagëve të luftës. Në Tiranë nuk munden t’i kryenin një ndërhyrje kirurgjikale të tilla. Shkoi në spitale të Gjermanisë, po as atje nuk i dhanë garanci plotore, përkundrazi i thanë se i duhej prerë dora e majtë, e plagosur me tre plumba. Edhe kamba e majtë i kishte plagët e pesë plumbave. Vetëm në Londër e kreu operacionin suksesshëm, i shpëtoi dora, doli shëndosh e mirë, atë ditë e sot, përgjithnjë.

Vendim Demaj që sot është nënkryetar në Bashkinë Kamëz në Shqipëri, në një intervistë për “Bota sot” rrëfen pjesëmarrjen e tij në luftën e UҪK-së, flet për komandantët e luftës, Gjykatën Speciale e marrëveshjen për ndarjen e territorit të Kosovës.

Image

“Bota sot”: Kur u bashkuat në radhët e UҪK-së?

Vendim Demaj: Duke qenë se fshati im Papaj në Tropojë, është afër kufirit, unë kisha kontakte me grupe të ndryshme shqiptarësh të Kosovës që kishin filluar të vinin në Shqipëri, kryesisht pas ngjarjeve të 1997, por angazhimi im në radhët e UÇK-së ka filluar në Mars të vitit 1998.

“Bota sot”: Pse e morët një vendim të tillë?

Vendim Demaj: Kuptohet që shqiptarët janë rritur me ndjenjën e dashurisë për Kosovën dhe unë duke pas dhe lidhje gjaku në zonën e Gjakovës, jam rritur duke u ushqyer nga prindërit dhe historia me dashuri për Kosovën dhe nga lajmet që dëgjoja dhe pamjet televizive që shikoja për terrorin dhe represionin e makinerisë ushtarake policore të Serbisë, unë kisha krijuar një urrejtje për regjimin Millosheviçian dhe ndieja dhembshuri për vëllezërit në Kosovë.

“Bota sot”: Si i jeni bashkuar UҪK-së dhe në cilën pjesë keni dhënë kontributin tuaj?

Vendim Demaj: Në dimrin e Marsit 1998 po shoqëroja për tu treguar rrugën një grupi prej 21 vetesh nga Kosova për në kufirin shqiptaro-shqiptar në bjeshkën e quajtur Ujezë dhe sapo arritëm në kufi, unë duhet të kthehesha por aty një ndjenjë e brendshme më tha që të vazhdoja me ta dhe vendosa që të mos kthehesha mbrapa siç e kisha dhe qëllimin, por hyra në Kosovë së bashku me ta.

“Bota sot”: Cilët janë bashkëluftëtarët tuaj me të cilët jeni rreshtuar?

Vendim Demaj: Bashkëpunëtorë ka shumë dhe kryesisht janë komanda drejtuese e shtabit të UÇK-së në Papaj, por kryesorët janë Nasim Haradinaj, Heroi Agim Ramadani i cili ka qenë personi i parë që ka ardh kur jam plagosur në Jasiq, Rrustem Berisha, Brahim Dresha, Naim Haradinaj, Anton Quni, Hysen Berisha, Isa Agushi, heronjt Naim Maloku (MURTAJA) Beg Rizai etj. (ndjes sepse janë shumë emra)

“Bota sot”: Si i vlerësoni akuzat që po bëhen nga Gjykata Speciale ndaj ushtarëve të UҪK-së?

Vendim Demaj: Akuzat që po bëhen ndaj individëve të UÇK-së, kuptohet që kanë prapavijë politike etnike dhe ato burimin e kanë nga Beogradi duke përdorur ndërkombëtar të shitur për të zbehur Lavdinë e UÇK-së, por kjo nuk do të ndodh KURRË, sepse veprimtaria e UÇK-së nuk është e lidhur me individin as me ndonjë grup individësh, sepse ajo ka qenë kryengritje e armatosur e popullit të Kosovës ndaj regjimit fashist të Milosheviçit i cili ka bërë terror, masakra dhe genocid në Kosovë.

“Bota sot”: Sipas juve, a duhet të formohej kjo gjykatë?

Vendim Demaj: Unë e kam thënë disa herë në reagimet e mia që, kjo Gjykatë duhej të funksiononte në Kosovë dhe të mos kishte target vetëm hetimin dhe gjykimin e njëanshëm të shqiptarëve, por të përfshinte të gjitha komunitetet që ka Kosova, sepse dihet botërish me zë dhe figurë që krimet dhe masakrat janë bërë nga serbët dhe bashkëpunëtorët e tyre, prandaj këto hetime të njëanshme janë diskriminuese ndaj shqiptarëve.

“Bota sot”: Si e vlerësoni ju luftën e UҪK-së?

Vendim Demaj: Lufta e UÇK-së ka qenë lufta më e drejtë, më e pastër që ka bërë një popull në shekullin e 20, ka qenë luftë mbrojtëse në mbrojtjen e identitetit, gjuhës, flamurit dhe atdheut, prandaj lufta e UÇK-së nuk gjykohet, nuk njolloset as nuk zbehet nga askush, pa marrë parasysh se cili individ mund të jetë, sepse luftën e UÇK-së e ka çertifikuar NATO, aleanca më e madhe ushtarake e globit ku zëdhënësi i saj i kohës Jamie Shea, e ka quajtur ushtria këmbësore e NATO-së në Kosovë, luftën e UÇK-së e ka çertifikuar si të drejtë dhe të pastër Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me njohjen e Pavarësisë dhe Shtetit të Kosovës, prandaj lufta UÇK-së është LAVDIA më e madhe që i ka ndodh KOMBIT SHQIPTAR që nga koha e Skenderbeut.

“Bota sot”: Sipas jush kush janë më meritorët për lirinë e Kosovës?

Vendim Demaj: Merita kryesore që jo vetëm ka ndërgjegjësuar popullin e Kosovës se me pacifizëm nuk vjen Liria, por ka ndërgjegjësuar kancelaritë perëndimore për të mos lejuar spastrim etnik në Kosovë është UÇK-ja, pastaj merita për çlirimin e Kosovës dihet që është e Amerikës dhe Britanisë së Madhe, sepse këto kanë qenë promotorët kryesor dhe të palëkundur për të bindur aleatët e NATO-s që nuk duhet lejuar spastrim etnik në KOSOVË dhe pa këto liria e Kosovës ose do ishte e largët dhe shumë e dhimbshme ose do ishte e cunguar.

“Bota sot”: Shumë herë vihet në dyshim lufta e disa komandantëve të luftës që pretendojnë se ishin në frontin e parë. Cili është opinioni i juaj për këtë?

Vendim Demaj: Në luftën e Kosovës ka pasur 2 kategori Komandantësh, disa që ishin vërtet komandantë me shpirt dhe zemër, që ishin në vijën e frontit dhe hanin bukë me domate në dorë njësoj si çdo ushtar, dhe një pjesë tjetër e Komandosëve që thirreshin dhe urdhëronin nga hotelet e Laprakës dhe bregdeti i Durrësit ku çuditërisht, fatkeqësisht ata që sot rrehin gjoksin më shumë duke u thirrur në emër të UÇK-së si pronarë të saj, si lirisjellës, dhe që kanë pushtuar çdo media, çdo televizion me propagandën e tyre si "shpëtimtarët" e kombit janë këta komandosët matrapaz që përveç se kanë abuzuar, vjedhur, shpërdoruar milionat e Markave DM të mërgatës shqiptare, kurrë nuk e kanë jetuar vijën e frontit dhe nuk njohin as fishkëlimën e plumbit, dhe rasti konkret që e ka pohuar disa herë me zë dhe figurë është i z Thaçi, i cili e ka pohuar përballë gazetarëve të BBC dhe EuroNews që ai ska qenë KURRË në frontet e luftës së UÇK-së, ndërsa sot ky aktor sharlatan për interes dhe justifikime personale viktimizohet duke u thirrur në emër të saj dhe mundohet të përdor UÇK-në si mburojë mbrojtëse. Edhe kjo taktikë është për të ardhur keq sepse politika e Kosovës është në unison me politikën denigruese të Beogradit, sepse njësoj siç thotë Beogradi që në Gjykatën Speciale po gjykohet UÇK-ja, ashtu e thonë edhe shërbëtorët dhe të kapurit e Hashimit në Prishtinë, por populli dhe opinioni e di që hetimet, gjykimet dhe përgjegjësia janë individuale.

“Bota sot”: U përmend një marrëveshje e fshehur për ndarjen e Kosovës, nga Thaҫi, Rama e Vuҫiҫ. Sipas juve, sa mund të ketë ekzistuar një marrëveshje e tillë?

Vendim Demaj: Kur ish Presidenti, Kryeministri Sali Berisha ka nxjerrë këtë lajm duke ju referuan një media Austriake, shumë nga opinioni publik është habitur, por dihet që koha është pastruesi më i mirë i çdo mjegulle, dhe sa më shumë kalonin ditët ky pazar i kësaj treshes anti-Kosovë vinte dhe qartësohej, saqë për këdo që njef sadopak tregtinë apo di të bëj pazar, dihet që askush nuk të jep diçka pa marrë diçka tjetër në këmbim, dhe kjo ka qenë teoria që e nxori lakuriq argatin e Serbisë, Hashim Thaçin i cili me këmbëngulje dhe nervozitet pretendonte që do i merrte Serbisë Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanovcin duke mos i dhënë asgjë Serbisë në këmbim. Tashmë është e kristalt si drita e diellit që Edvin Rama dhe Hashim Thaçi kanë qenë argatët e Vuçiçit dhe duke abuzuar në emër të Amerikës kishin nxjerr kufijtë e Kosovës në pazarin e Marksisti të Globalizimit SOROS, por ishte këmbëngulja e Kryeministrit Haradinaj që sensibilizoi faktorin ndërkombëtar dhe e bllokoi me përkrahjen e Gjermanisë. Ishte ky pazar, kjo tradhëti Kombëtare që Hashim Thaçi rrëzoi 2 qeveri, ishte ky turravrap i tij që ai të shkonte në Shtëpinë e Bardhë dhe të nënshkruante marrëveshjen e tradhëtisë, dhe më pas të kurorëzohej me çmimin Nobel për paqe, sepse ky Esat Pasha mendonte që kështu do të shmangej llogaridhënies përpara drejtësisë.

“Bota sot”: Ju jeni plagosur dy herë gjatë luftës në Kosovë, a është sot kjo Kosova për të cilën keni bërë aq shumë sakrifica?

Vendim Demaj: Është e vërtet që jam plagosur 2 herë dhe pavarësisht zhgënjimeve që shof në Kosovë, unë jam i lumtur dhe krenar që Kosova sot nuk është e robëruar, por pritshmëritë e mia nuk i shof ashtu siç i mendoja, sepse sot Kosova përveç gjendjes së vështirë ekonomike është një në rrëmujë dhe anarki politike ku ndryshe voto populli dhe ndryshe vendosin "bimbashët" të sundojnë, pra është për të ardhur keq që udhëheqësit politik të Kosovës kanë huazuar dhe përvetësuar cilësitë më të liga të politikës së Tiranës, ku askush nuk penalizohet dhe nuk mban përgjegjësi për ato që bën, por drejtësia e zhdrejtë realizo planin e saj duke goditur dhe dënuar të dobtin, fukaranë dhe ata që nuk kanë mbështetje politike, dhe është turp kur shiko ish luftëtarë të UÇK-së në kushte mjerimi jetese, ndërsa komandosët dhe familjarët e tyre jetojnë në kushte aristokracie. Përtej këtyre unë jam shpresë plotë që populli i Kosovës do të marr në dorë fatet e veta dhe siç ka thënë Presidenti i Pavarësisë së Kosovës George W.Bush, enough is enough. Ju faleminderit për intervistën. Zoti e bekoft dhe e ruajt nga tradhtarët Kosovën dhe Kombin Shqiptar.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat