Ekskluzive: Cramon flet për “Bota sot”, kritikon Grenellin për mbështetje të Thaçit, tregon arsyen pse shkoi në Gjykatën Speciale pas intervistimit të Presidentit

Intervista

Ekskluzive: Cramon flet për “Bota sot”, kritikon Grenellin për mbështetje të Thaçit, tregon arsyen pse shkoi në Gjykatën Speciale pas intervistimit të Presidentit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 korrik 2020 Në ora: 10:14
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka konfirmuar në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, se Bashkimi Evropian, është kundër idesë për korrigjimin e kufirit të Kosovës me Serbinë.

Ajo ka thënë se një marrëveshje e “nxituar” mes të dyja vendeve, do të ishte shumë e dëmshme për qytetarët e të dy palëve dhe do të sillte efekt domino në rajon.

Eurodeputetja gjermane, ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe se shpreson që shpejt do të sillet në agjendën e Këshillit e të merret një vendim.

Von Cramon, ka kritikuar edhe ambasadorin amerikan për dialogun Richard Grenell, se ka mbështetur personalisht Presidentin Thaçi në dialog, derisa Kushtetuta thotë se përgjegjësia për dialogun është në duart e Kryeministrit.

Ajo ka folur edhe për vizitën e saj në Gjykatën e Hagës, duke iu kundërpërgjigjur këshilltarëve të presidentit Thaçi dhe zyrtarëve të PDK-së.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Ju keni kundërshtuar rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit. Si e vlerësoni tani punën e kryeministrit Avdullah Hoti?

Viola von Cramon: Para së gjithash, i takon Kuvendit të Kosovës të vendosë se kush do të votojë për kryeministrin e tyre. Por mënyra se si kishte ndodhur procesi u kritikua nga shumë qytetarë të Kosovës që votuan tetorin e kaluar për ndryshime dhe për agjendën e reformave për Kosovën.

Shumë ekspertë juridikë kishin gjithashtu pyetje në lidhje me ligjshmërinë e ndryshimit të qeverisë, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të qartë se ndryshimi i qeverisë ishte i ligjshëm sipas Kushtetutës. Z. Hoti u bë kryeministër në periudhë shumë të vështirë, por unë jam e lumtur që shoh se si është rifilluar dialogu me Serbinë. Sidoqoftë, kriza e kujdesit shëndetësor duket shumë shqetësuese dhe qeveria e tij nuk ishte shumë vendimtare, kështu që ka shumë për t’u diskutuar. Kam besim te punëtorët e sektorit të kujdesit shëndetësor, por atyre u duhet mbështetje nga qeveria për të bërë punën e tyre.

“Bota sot”: Keni kritikuar ambasadorin Richard Grenell, për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Pse?

Cramon: Qasja e tij ishte shumë e përqendruar për të qenë në vëmendje ai  dhe Presidenti i SHBA-së. Nga këndvështrimi im duhet të angazhohemi me sa më shumë aktorë dhe të kemi një kuptim të përbashkët për atë që duam të arrijmë. Ai gjithashtu po mbështeste personalisht Presidentin Thaçi në dialog, ndërsa Kushtetuta është shumë e qartë se përgjegjësia për dialogun është në duart e Kryeministrit.

“Bota sot”: Si mund të arrihet marrëveshja finale mes të dyja vendeve, çka duhet të bëjë Kosova e çka Serbia?

Cramon: Ne kemi nevojë për vullnet politik nga të dy shtetet dhe të dy palët duhet të japin garanci për shembull në lidhje me mbrojtjen e minoriteteve; palët duhet të synojnë një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe në mënyrë ideale ajo do të përfundojë me njohjen e Kosovës. Mund ta imagjinoj që është e rëndësishme të ecim përpara me qasjen hap pas hapi, derisa pasi të kenë rënë dakord për shumicën e pyetjeve teknike, mund të jetë më e lehtë të përpiqen për një marrëveshje përfundimtare, e cila përfshin njohjen e ndërsjellë.

“Bota sot”: A do ta dëmtonte Kosovën një marrëveshje e “nxituar”, e cila do të përfshinte edhe korrigjimin e kufirit me Serbinë?

Cramon: Do të ishte shumë e dëmshme për qytetarët e të dy palëve dhe as nuk do të zgjidhë problemet reale, kështu që unë dekurajoj fuqimisht të gjithë nga kjo marrëveshje. BE-ja nuk e përkrah ndryshimin e kufijve. Kjo mund të jetë precedent, i cili mund të shkaktojë një efekt domino në rajon.

“Bota sot”: A ka konkurrencë SHBA-BE për dialogun Kosovë-Serbi?

Cramon: Aspak, besoj se duhet të ketë vetëm një dialog, i cili duhet të mbështetet nga të dy palët e Atlantikut. Edhe NATO, edhe BE janë partnerë të rëndësishëm në rajon dhe nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë pa asnjërin prej tyre.

“Bota sot”: Çka po ndodhë me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës? Përkundër arritjes së marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e zi që ishte kusht, qytetarët nuk morën liberalizimin. Ku qëndron saktësisht problemi?

Cramon: Në të vërtetë, të gjitha standardet janë përmbushur, kështu qëliberalizimi duhet të ndodhte dy vjet më parë, por Këshilli nuk ka ecur përpara në këtë drejtim, edhe pse vetëm ata mund të vendosin.

“Bota sot”: A do të mund ta fitojë Kosova liberalizimin gjatë presidencës së Gjermanisë në bllok?

Cramon: Kjo varet vetëm nga Këshilli për të vendosur, ata duhet të kishin vendosur dy vjet më parë, shpresoj që gjatë Kryesisë aktuale të Këshillit gjerman do të sillet në agjendë dhe së shpejti do të merret një vendim.

“Bota sot”: Le të flasim pak edhe për vizitën tuaj në Gjykatën Speciale në Hagë. Pse në Kosovë disa e panë si “ndikim” vizitën tuaj në punën e Gjykatës?

Cramon: Ju duhet t'i pyesni ata për këtë. Është një pjesë e rëndësishme e punës sime të di se si funksionojnë institucionet. Unë bëra atë që shumë politikanë kanë bërë më parë. Unë e kam planifikuar këtë udhëtim për një kohë të gjatë, por natyrisht, për shkak të pandemisë nuk kam pasur shans për të udhëtuar më parë. Dhe nëse flisni me ata, të cilët thanë se unë jam duke ndërhyrë, ju gjithashtu mund t’i pyesni se si saktësisht një deputet i parlamentit mund të ketë ndikim në punën e Gjykatës, sepse unë sinqerisht as nuk e kuptoj se çfarë mendojnë ata. Si do t'u tregoja atyre cilat pyetje duhet të bëjë Prokurori?

“Bota sot”: A mund të ketë destabilizim politik në Kosovë, nëse konfirmohet aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi?

Cramon: Vetëm e ardhmja do të tregojë se cili do të jetë vendimi dhe i takon Presidentit Thaçi si do të reagojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat