Bajralija: Qeveria nuk deshi që Republika e Kosovës të trajtohet e barabartë me Serbinë

Intervista

Bajralija: Qeveria nuk deshi që Republika e Kosovës të trajtohet e barabartë me Serbinë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 29 korrik 2020 Në ora: 14:26
Arta Bajralija

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arta Bajralija, ka thënë se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe se është e varur në çdo votë e çdo deputetit të Listës Serbe.

Bajralija në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Hoti.

Tjera çështje për të cilat ka folur, deputetja e VV-së është për rifillimin e dialogut Kosovë –Serbi, si dhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje.

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Arta Bajralija: Situata politike në Kosovë ka përmbysur vullnetin politik të qytetarëve. Aktualisht skena politike nuk ka legjitimitet qytetar për të udhëhequr me vendin. Kjo qeveri që është krijuar me pazare është një qeveri koti. Dështimi i tyre është i gjithanshëm e sidomos në menaxhimin e situatës me pandemi.

Gjendja ekonomike në vend është rënduar mjaft nga keqmenaxhimi i tyre këta nuk po arrijnë të implementojnë asnjërën prej pakove edhe pse i ishin lënë të gatshme nga Ministri Bislimi.

Në anën tjetër vazhdojnë bisedimet me palën serbe edhe pse për ta bërë këtë duhet së pari të legjitimohen në zgjedhje demokratike sepse si mund të presim nga një qeveri e tillë jolegjitime e cila për pak pushtet e për interesa të tyre e shkelën vullnetin qytetar të na mbroj interesat e tona sovranitetin dhe integritetin tonë në një proces të tillë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni udhëheqjen e Qeverisë Hoti në 50 ditorin e parë?

Arta Bajralija: Kjo qeveri në formën se si është krijuar, duke pasur për kryenegociator Presidentin Thaçi, për arritje të koalicionit dhe për numra në Kuvend, ka treguar rezultate të para. Nëse ju kujtohet edhe juve, këta në ditën e parë larguan flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga oborri i ndërtesës së qeverisë, për ta rikthyer mandej pas presionit publik. Ndërsa në mbledhjen e parë të qeverisë që mbajtën, Lista serbe ua tha hapur se kjo qeveri është e varur nga votat e tyre. Ndërsa në vendimin e parë po kjo qeveri hoqi dorë nga reciprociteti. Hapi tjetër i ‘rëndësishëm’ si duket ishte heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, si kusht që duhej të plotësohej karshi kërkesave të Serbisë. Në këto 50 ditë qeverisje përkujdesen për të ia lejuar zgjedhjet Serbisë brenda territorit të Republikës.

Kjo qeveri nuk deshi që Republika e Kosovës, të trajtohet e barabartë ndaj Serbisë. Ndër vendimet e para ishte shfuqizimi i reciprocitet, që qeveria Kurti pati vendosur si masë ndaj Serbisë. Dhe sot maunet me mallrat e Serbisë në dokumentet e tyre shtetit tonë nuk i referohen si Republikë por si metohij. Pra, me shfuqizimin e reciprociteti ky kryeministër ja bëri të mundur edhe hyrjen e mallrave serbe edhe mosnjohjen e shtetit tonë si shtet i pavarur.

Kjo qeveri gjithash po tregohet e paaftë në realizimin e pakos emergjente, që pati qenë e dizajnuar nga Ministri z. Bislimi dhe vetëm duhej që ajo të implementohej në linjën e paraparë në mënyrë që të gjithë përfituesit të përfitonin sipas planit të kësaj pako. Duke treguar këtë paaftësi, ne nuk mund të presim që një pako për rimëkëmbje ekonomike mund të rezultojë e suksesshme, dhe se qëllimi i saj do të jetë njëmend rimëkëmbja ekonomike.

“Bota sot”: Cili është plani i LVV-së për ta përshpejtuar shkuarjen në zgjedhje dhe rrëzimin e qeverisë Hoti?

Arta Bajralija: Shkuarja në zgjedhje është e domosdoshme, sepse ne konsiderojmë që kemi një qeveri jo legjitime, pra që nuk përfaqëson vullnetin e popullit të shprehur me 6 tetor 2019. Fakti i dytë që ne mendojmë se duhet të shkojmë në zgjedhje është sepse kjo qeveri nuk i ka votat e mjaftueshme dhe është e varur në çdo votë e çdo deputetit të Listës Serbe, dhe ne e dimë që qeveritë të cilat kanë qenë të varura nga Lista Serbe, në procese të ndryshme i kanë sjellë dëm Republikës së Kosovës.

Duke qenë se kjo qeveri përbrenda vetës i ka dy faktorë atë të jo legjitimiteti dhe atë të Listës serbe, ne mendojmë që sa më shpejt që krijohen kushtet për të shkuar në zgjedhje aq më mirë. Nuk mundemi edhe nuk duhet që t’ia mohojmë vullnetin qytetarëve tanë. Duke qenë se ne patëm një mocionmosbesimi të suksesshëm ndaj Qeverisë Kurti, Lëvizja VETËVENDOSJE!, në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje dhe ne ende kërkojmë rrugë demokratike dhe legjitime që sovranitet të rikthehet te qytetari dhe vullneti i tyre të përcaktojë qeverinë e ardhshme.

“Bota sot”: Çfarë mendoni a u tradhtuar elektorati me prishjen e koalicionit nga LDK-ja, si dhe rrëzimin e Qeverisë Kurti?

Arta Bajralija: Pothuaj se gjatë gjithë karrierës politike LDK, ka paraqitur vetën e saj si parti demokratike, idealiste, shtet formuese, institucionaliste, parti që promovon fjalën e lirë dhe mendimin ndryshe e kështu me radhë. Çfarë vërejmë ndër vite është që këto atributet të vet thurura janë shumë pak pjesë e kësaj partie. Ndoshta kjo ndërlidhet më së miri me rastin e zonjës Vjosa Osmani, njëherit edhe kandidatja për Kryeministre nga radhët e kësaj partie, u përjashtua nga struktura e LDK-së, për faktin që ajo mbajti një qëndrim dhe mendim ndryshe nga një pjesë e anëtarëve tjerë të kësaj partie. Mos të harrojmë që znj. Osmani, në zgjedhjet e fundit kishte mbi 170 mijë vota dhe nuk ka se si të mos ndikojë përjashtimi znj. Osmani në elektoratin e LDK-së.

Përderisa ne kishim një koalicion i cili është ndërtuar në bazë të një marrëveshje politike për qeverisjen e vendit, si dhe diskutimet që janë bërë për harmonizimin e programit qeverisës, mund të them se Qeveria Kurti, poashtu edhe elektorati i LDK-së mund të ndjehen të tradhtuar nga veprimet e partisë së tyre.

“Bota sot”: Si po menaxhohet pandemia në Kosovë?

Arta Bajralija: Ne mund të japim një vlerësim tonin për as i përket menaxhimit të pandemisë, gjë që mendoj se nuk është duke u menaxhuar në nivelin siç ka qenë, por për të qenë të sinqertë ne do i referohemi burimeve të rëndësishme siç është studimi i universitetit Hardvard, që gjatë qeverisë Kurti e rendit Kosovën ndër 10 shtetet me menaxhimin më të mirë të pandemisë në botë. Ndërsa që kur kjo qeveri jolegjitimi ka filluar të menaxhojë me situatën e pandemisë, ka ndodhur e kundërta. Kosova aktualisht renditet në 10 vendet e fundit që po menaxhojnë më se keqi me pandeminë dhe si rezultat ne kemi numër të lartë të infektuarve e gjithashtu edhe numri i personave të vdekur fatkeqësisht po rritet çdo ditë. Një tjetër tregues që shpërfaqë mënyrën se si kjo qeveri po menaxhon pandeminë është edhe kufizimet që i janë vënë shtetit të Kosovës nga shumë vende Evropiane madje edhe shtetet fqinj kanë vendosur masa kufizues për shtetasit e Kosovës.

“Bota sot”: Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka larguar të gjitha barrierat për dialogun me Serbinë, sa do të ketë rezultat pozitiv për Kosovën ky dialog?

Arta Bajralija: Gjëja e parë që dua ta theksoj sa i përket dialogut është se ne po dialogojmë si palë e pabarabartë karshi Serbisë dhe për me keq ne nuk po trajtohemi si viktimë por si agresor. Pra, në fillim të këtij procesi ne kemi ngatërruar rolin e palës dialoguese. Lëshimi që është bërë dhe po bëhet edhe nga qeveria Hoti, është se ky dialog po zhvillohet pa parime dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Në Kuvend të Kosovës, nuk është ardhur asnjë platformë dialoguese për të parë se cilat janë temat që do të bisedohen.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, në vazhdimësi ka theksuar nevojën e rishikimit dhe vlerësimit në Kuvendin e Kosovës, marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani, në mënyrë që të shohim rezultatet e këtyre marrëveshjeve dhe ndikimin që kanë pasur në përmirësimin qoftë të fqinjësisë ndërmjet dy shteteve apo edhe ndikimi i tyre te qytetarët. Pra, nuk është i nevojshëm ky nxitim i kësaj qeverie për të dialoguar pas pasur një skanim të këtyre marrëveshjeve të arritura.

“Bota sot”: A mund të ketë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Arta Bajralija: Ajo që në fakt do duhej të ishte shqetësuese është përmbajtja që do të mund të kishte një marrëveshje e tillë përderisa kemi një ekip të tillë dialogues. Marrëveshje finale nuk do duhej të kishte me shtetin e Serbisë përderisa ajo nuk trajton Republikën e Kosovës si shtet dhe nuk jep përgjegjësi për krimet e luftës që ka bërë, për trupat e pagjetur, për gratë dhe vajzat e dhunuar, për shtëpitë e djegura duke dhënë kështu përgjegjësi për gjenocidin që ka bërë ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Bota sot”: Cili është plani i VV-së nëse udhëheqësit e vendit nënshkruajnë një marrëveshje të dëmshme me Serbinë?

Arta Bajralija: Çdo marrëveshje e rëndësishme ndërkombëtare së pari duhet të kaloj përmes Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të ratifikohet me 2/3 e të gjithë deputetëve. Aktualisht kjo qeveri nuk i ka numrat për të votuar as ligjet më të thjeshta, por në situata të tilla gjendja mund të ndryshojëduke u bërë bashkë përsëri tabori i vjetër politik. Nëse kjo do të ndodhte, ky do të ishte dëmi i dytë që do i bëhej Kosovës.

Në parim një marrëveshje e dëmshme as që do duhej të nënshkruhej e lërë më të sillet në Kuvendin e Republikës për ratifikim. Në rast të një marrëveshje e cila do të rrezikonte sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, do të ndjek të gjitha rrugët demokratike në parandalimin të një marrëveshje të tillë. Ne nuk mund të themi se kemi plan ndaj diçka që nuk është konkret, por se kundërshtimi jonë do të bëhet në mbrojtje të Republikës me çdo mjet demokratik.

“Bota sot”: Tashmë Gjykata Speciale ka filluar punën e saj, është marrë në pyetje edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Si e komentoni këtë?

Arta Bajralija: Qëndrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndaj gjykatës ndërkombëtare është i njohur dhe se kjo ka qenë padrejtësia radhës që iu është bere shtetit të Kosovës dhe luftës së drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së. Si President i vendi, ai do duhej që të përkujdeset për reputacionin e Republikës së Kosovës, dhe këtë më së mirë mund ta kishte bërë në rast se do jepte dorëheqje nga pozita që aktulashit mban.

“Bota sot”: Akuzat ndaj ish luftëtareve të UÇK-së, a mund të ndikojë në njollosjen e imazhit të luftës së pastër për çlirimin e vendit? 

Arta Bajralija: Siç edhe e theksova, lufta e UÇK-së është luftë çlirimtare dhe si e tillë është luftë e pastër, që në synimet e saj ka pasur çlirimin e popullit të saj nga një okupator siç ka qenë Serbia. Dyshimet apo pretendimet e Serbisë si dhe të Gjykatës Speciale nuk mund të njollosin asnjëherë luftën e drejtë për liri të këtij vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat