Deputeti Uka: Qeverisja e mirë e Kurtit nuk u durua nga një pjesë e LDK-së - Bota Sot
Deputeti Uka: Qeverisja e mirë e Kurtit nuk u durua nga një pjesë e LDK-së

Intervista

Deputeti Uka: Qeverisja e mirë e Kurtit nuk u durua nga një pjesë e LDK-së

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 gusht 2020 Në ora: 08:16
Fitim Uka

Në një intervistë për “Bota sot”, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka ka folur në lidhje me gjendjen politike në Kosovë dhe situatën e pandemisë që ka kapluar vendin tonë.

Uka shtoi që kjo qeveri duhet të largohet sa më shpejt tashmë, edhe me mocionin e mosbesimit, në mënyrë që të vije rendi për qytetarët e vendit që ta zgjedhin qeverinë që ata duan dhe për ta kaluar më lehtë këtë pandemi.

Deputeti gjithashtu u shpreh që nuk ka “heshtje” të Kurtit, mirëpo është koha që ai të kthehet në qeveri.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në Kosovë?

Fitim Uka: Realisht, Kosova po ballafaqon një situatë aspak të favorshme. Në njërën anë është çështja e pandemisë, e në anën tjetër kriza humanitare që po ofrohet. Në kulmin e kësaj kemi një qeveri apatike, që nuk vepron dhe iu ikë përgjegjësive. Prandaj, vlerësoj që jemi në një situatë aspak të lakmueshme, që kërkon zgjidhje. Dhe, zgjidhja është e thjeshtë. Kjo qeveri duhet të shkoj në shtëpi.

“Bota sot”: Duke u bazuar në profesionin tuaj, sa e vështirë ka qenë të filloni një rrugëtim krejt ndryshe nga ai qe keni?

Fitim Uka: Nuk ka dyshim që ky lloj tranzicioni ka qenë sfidues për mua. Unë vij nga universiteti i Prishtinës dhe jam psikolog në profesion dhe para dy vitesh as që e kisha menduar që të kyçesha në politikë. E kam menduar përherë, që mënyra më e mirë që të jap kontribut për vendin është që të bëjë më të mirën në fushën time profesionale. Por, kjo është e pamjaftueshme, meqë unë edhe shumë kolegë të tjerë në profesionet e tyre, nuk ia dalin që të bëjnë punën e tyre, për shkak të kapjes që i ka ndodhur secilit segment të jetës profesionale në Kosovë. Prandaj, e vështirë që nga vëmendja e studentëve të kaloj në një ambient që nuk dëgjon, siç është Kuvendi dhe nga njerëz që flasin e komunikojnë mbi bazën e fakteve dhe numrave, të dëgjoj opinione personale që nuk kanë sens.

“Bota sot”: Cila mendon që ishte arsyeja e rrëzimit të qeverisë Kurti?

Fitim Uka: Modeli i qeverisjes së kryeministrit Kurti. Kjo ishte arsyeja kryesore. Një qeverisje kundër krimit dhe korrupsionit, kundër kapjes dhe zhvatjes, që promovon zhvillimin ekonomik, arsimin cilësor dhe meritokracinë, nuk durohet nga të gjitha partitë dhe në veçanti nuk u durua nga një pjesë e LDK-së. Prandaj, bashkëpunimi tashmë i dëshmuar LDK-PDK e ka rrëzuar qeverinë Kurti.

“Bota sot”: Si deputet keni deklaruar shumë herë për situatën aktuale të pandemisë në Kosovë, çfarë bëri qeveria Kurti dhe sa po ia del qeveria Hoti tash?

Fitim Uka: Qeveria Kurti dhe ministri Vitia ishin shembull në menaxhimin e pandemisë, për shkak se zgjodhën që pandeminë ta menaxhojnë me profesionalizëm, bashkëpunim dhe angazhim të sinqertë. Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk e ka as dijen, as kompetencën, as profesionalizmin, e besa as vullnetin për të adresuar mirëfilli pandeminë. Prandaj, ky është dallimi kryesor.

“Bota sot”: Si e komentoni emërimin e Armend Zemaj si ministër të shëndetësisë, pasi që ka pasur reagime në lidhje me këtë?

Fitim Uka: Personalisht, e kam thënë edhe më herët, i vetmi shpjegim logjik për guximin e një juristi që të drejtoj shëndetësinë në kohë pandemie është fakti që duke parë mënyrën e përkryer të menaxhimit nga ministri Vitia e ka menduar që është lehtë. Nuk kam koment tjetër.

“Bota sot”: Ditë më parë, qeveria Hoti shkarkoi edhe bordet e emëruara nga qeveria Kurti, si e komentoni këtë veprim?

Fitim Uka: Një Qeveri që merret me shkarkim bordesh në kohë pandemie dhe në veçanti emërimet politike nëpër borde, është një qeveri që interesin politik e vendos para shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Bota sot”: Gjatë kësaj kohe temë aktuale ka qenë edhe emërimi i Skender Hysenit si koordinator për dialogun Kosovë-Serbi. Çfarë pritni nga ai?

Fitim Uka: Çfarë duhet të pres nga dikush që njihet për një karrierë të dështuar politike. Po të kishte zotësi, kredo, e personalitet të respektuar, ai do të ishte pjesë e zgjedhjeve, do të fitonte mbështetjen e popullit dhe do të përfaqësonte interesat e tyre në bisedime. Por, nga dështimi në zgjedhjet e parafundit, ai mund të jetë koordinator, vetëm në një qeveri ilegale si kjo. Dhe, sigurisht, që kulmi ishte vizita e tij në Uashington, për të folur me telefon me ambasadorin Grenell. Është mirë t’i tregoj dikush që mund të flasë me të edhe nga Kosova me telefon. Të paktën, mos ta shpenzoj shumë buxhetin e shtetit.

“Bota sot”: Së fundi si parti keni iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Hoti, sa mendon do të gjej mbështetje nga deputetët e partive tjera?

Fitim Uka: Është koha e fundit që të reflektojnë të gjithë deputetët. Kjo qeveri pa dije, pa kompetencë po na shpie në katastrofë humanitare. Prandaj, besoj fuqishëm që të gjithë deputetët që ia duan të mirën vendit, do të nënshkruajnë mocionin dhe do ta dërgojnë në shtëpi një qeveri të tillë pa kompetencë.

“Bota sot”: Pse kemi një lloj “heshtje” të Albin Kurtit karshi zhvillimeve të fundit politike në vend?

Fitim Uka: Nuk e di çfarë iu bën të mendoni se veprimi i vazhdueshëm politik i z. Kurti është heshtje. Nëse prisni që ai të sillet ngjashëm si liderët e tjetër të papërgjegjshëm politik, atëherë jeni gabim. Kryeministri Kurti ka qenë dhe vazhdon të jetë i zëshëm përballë keqqeverisjes. Dhe, për dallim prej të gjithë liderëve të tjerë, ofron përherë analizë të mirëfilltë, por edhe propozim për zgjidhje. Meqë për inate politike këta nuk po dëgjojnë, është koha për rikthim të tij në Qeveri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat