Për “Bota Sot” flet Agim Aliu, kryetar i Ferizajt, demanton akuzat e opozitës në Ferizaj dhe konfirmon kandidimin edhe për një mandat tjetër

Intervista

Për “Bota Sot” flet Agim Aliu, kryetar i Ferizajt, demanton akuzat e opozitës në Ferizaj dhe konfirmon kandidimin edhe për një mandat tjetër

Nga: Faton Mehmeti Më: 14 gusht 2020 Në ora: 08:59
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu dhe gazetari i “Bota Sot” Faton Mehmeti

Kryetari i Komunës së Ferizajit, Agim Aliu në një intervistë për gazetën "Bota sot" ka treguar gjendjen në qytetin që ai udhëheq, pas pandemisë me COVID-19.

Sipas tij, Ferizaji është një ndër komunat më të prekura ekonomikisht nga COVID-19, teksa nuk pret rimëkëmbje ekonomike për një kohë të gjatë.

Shkak për këtë, Aliu e thekson edhe mungesën e diasporës në këtë vit. Tutje Aliu ka konfirmuar se do të kandidojë prapë për të parin e Komunës në zgjedhjet e ardhshme.

“Bota Sot”: Faleminderit z.kryetar për kohën tuaj për këtë intervistë. Natyrisht pyetja e parë ka të bëjë me situatën aktuale Covid 19. Si po e përjeton situatën aktuale me pandeminë komuna e Ferizajt?

Agim Aliu: Faleminderit edhe juve për mundësinë, dhe gjithë lexuesve të gazetës kombëtare “ Bota Sot”. Sa i përket situatës me pandemi, as komuna e Ferizajt nuk bën ndonjë përjashtim, ashtu sikurse s’ka bërë askush brenda globit. Jemi munduar me të gjitha mjetet, me të gjitha resurset që mund t’i kemi në dispozicion të sigurojmë përballje e cila është e suksesshme dhe efektive në kuptim të realizimit të qëllimeve dhe synimeve karshi situatës me Covid 19.Tashmë ka pesë muaj që ekziston Shtabi Emergjent i komunës së Ferizajt, në kuadër të së cilës janë të gjitha institucionet shëndetësore të të gjitha niveleve. Këtu bën pjesë edhe aspekti sigurisë i policisë i të gjitha niveleve, si dhe administrata komunale ku përfshihen inspektorët. Jemi munduar të veprojmë si Shtab me vendime unike, përgjegjësit kanë qenë të përbashkëta dhe me reagim unik. Duhet theksuar se kemi qenë mbështetës të policisë s Kosovës , ju kemi gjendur atyre sipas mundësive tona komunale, kryesisht në dezinfektim të hapësirave. Gjithashtu komuna ka ofruar edhe veturat e saja në shërbim të policisë. Kemi furnizuar spitalet me pajiset e nevojshme për të përballuar sa më lehtë këtë situatë të pandemisë, edhe pse disa nuk kanë qenë përgjegjësi e komunës.

“Bota Sot”: A mund të na thoni, sa është dëmi ekonomik që i ka sjellë komunës së Ferizaj situata aktuale pandemisë?

Agim Aliu : dëmi është ende i pakalkuluar, pasi çdo ditë e re edhe dëmet janë po ashtu sa më të mëdha. Dëmi mund të jetë i parikuperushëm në një situatë goxha të largët, për shkak se humbjet janë shumë të mëdha. Ferizaj është i dëmtuar, pasi paraqet epiqendrën e saj, është taksapaguesi i dytë në nivel vendi, prandaj edhe ndjeshmëria ekonomike është mjaft e madhe. Duke qenë se kemi pasur edhe mungesë të diasporës, bilancet nuk mund të jenë të mira, dhe nuk kemi pritshmëri që të kemi të hyra të mjaftueshme.

“Bota Sot”: z. Kryetar, GAP-i ka bërë një raport për komunën e Ferizajt, të cilit i referohet edhe opozita, ku theksohet se ndër 38 projektet kapitale që i keni premtuar gjatë fushatës, deri më tani janë realizuar vetëm 14, a mendoni se për periudhën që ka mbetur të mandati tuaj mund t’i realizoni të gjitha premtimet. Dhe si do i përgjigjeni opozitës në Ferizaj, e cila thekson se disa nga projektet që i keni realizuar siç janë : palestrat sportive, çerdhet , janë projektet të nisura në kohën e pushteti të kaluara. Si i përgjigjeni të gjitha këtyre akuzave?

Agim Aliu : Raporti i Gapi-it ka disa pasaktësi. Jam në realizim të më shumë projekteve se sa kam premtuar, mundohem të bëj më shumë se sa kam premtuar në harmoni me nevojat e reja që dalin për të qenë në shërbim të qytetarëve. Po marr shembull, kam premtuar dy shkolla, ndërsa tani në procedurë të ndërtimit janë pesë shkolla.

“Bota Sot”: Me mbështetjen e Qeverisë?

Agim Aliu: Janë me ndihmë të qeverisë, të donatorëve të ndryshëm, konkretisht të BE, pasi njëra ndër shkollat do të filloj ndërtimit është projekt i BE. Po ashtu çerdhet, asnjë nuk ka filluar 19 nëntorit 2017, ku unë skam qenë kryetar. Edhe palestrat sportive janë future në projekt nga viti 2018 e tutje.

“Bota Sot”: Do të thotë opozita s’po e thotë të vërtetën?

Agim Aliu: Une s’po dua të bëj kualifikime të tilla, por realiteti është ky që po them. Por palestrat sportive kanë filluar nga viti 2018. Kam fituar një projekt nga Qeveria për çerdhen, ku do të jetë më e madhja në Ferizaj, ku do të ndërtohet tek lokacioni i EuroGoma, ka edhe shumë projekte që do të jenë në shërbim të qytetarëve të Komunës së Ferizajt.

“Bota Sot”: z. Kryetar, kryeprojekti juaj ka qenë “ Bashkimi i qytetit”, një projekt që sipas publikimeve kap shifrën 6 milion euro. Derisa në anën tjetër kemi fshatra që përballën më gjëra elementare. P.sh fshati Kosinë ka problem kryesor kundërmimin e erërave të kanalizimit, pastaj banorët ne fshatin Bablak ankohen se nuk është i pijshëm uji. Ka pasur ankesa nga qytetarët për këtë.

Agim Aliu: Projekti “ Bashkimi i qyteti” është projekt është i financuar 100 % nga qeveria, është projekt i parë në Kosovë i kësaj natyre. Kjo s’do të thotë se paratë i kemi marrë nga projektet tjera dhe I kemi investuar në këtë projekt. Fshati Kosinë është specifik, pasi rënia do një projekt të veçantë, shembull fshati Tërrn, ku kemi zgjidhur problemin e vërshimeve atje, megjithatë kompetencë për këtë është “ Bifurkacioni” për mirëmbajtjen e kanalizimeve. Ne edhe jemi gjobitur nga ministria, duke dashur që tu dalim qytetarëve në ndihmë atje.

“Bota Sot”: Edhe pyetja e fundit, si e shihni të ardhmen, mendoni të përqendroheni në pushtetin qendror apo lokal. Ka shumë zëra se Agim Aliu po bën projekte kapitale për të fituar peshë në qendër, konkretisht në strukturat e larta të PDK-së.

Agim Aliu: Unë kam qenë dhe jam në qendër, por jam kthyer në Ferizaj, pasi ishte kërkesë e qytetarëve. Komoditetin personal e kam pasur si deputet, por jam kthyer për t’i shërbyer qytetarëve si kryetar komune. Dua të shpaguaj besimin e qytetarëve me punë. Për aq sa do më mbështesin qytetarët do të jem në shërbim të tyre.

“Bota Sot”: Pra po e konfirmoni se do të kandidoheni përsipër kryetar të Ferizajt?

Agim Aliu : Sigurisht se po.

“Bota Sot”: Faleminderit për intervistë.

Agim Aliu : Faleminderit juve “ Bota Sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat