Avokati nga Shqipëria: Shkëmbimi i territoreve ka vdekur për këtë arsye - Albin Kurti bëri gjest historik

Intervista

Avokati nga Shqipëria: Shkëmbimi i territoreve ka vdekur për këtë arsye - Albin Kurti bëri gjest historik

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 14 gusht 2020 Në ora: 19:42
Spartak Ngjela, foto ilustrim nga "Bota sot"

Në një intervistë për gazetën kombëtare “Bota sot”, avokati nga Shqipëria, Spartak Ngjela, ka komentuar zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Ai konsideron se çdo qeveri e cila nuk angazhohet për bashkimin kombëtar, nuk ka asnjë vlerë historike dhe mendon se qeveritë e fundit në Kosovë i janë trembur Beogradit në këtë çështje.

Duke folur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe emisarin e SHBA-ve, Richard Grenell, Ngjela ka thënë se nuk pret asgjë prej këtij të fundit, e as prej dialogut në përgjithësi, duke e konsideruar si një dredhi serbe për t’i marrë kohë Kosovës.

Avokati Ngjela ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë ka vdekur, e për të njëjtin mendon se ka qenë projekt serbo-rus.

Ai ka vlerësuar ish kryeministrin Kurti për angazhimin e tij në çështjen kombëtare, teksa ka thënë se ka bërë një gjest historik kur iu tha gjithë kundërshtarëve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve që, vlera jonë e madhe dhe historike është flamuri i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Bota sot”: Z. Ngjela, si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë me qeverinë Hoti?

Spartak Ngjela: Duhet të jemi të qartë për një gjë: asnjë qeveri që do të vijë në Kosovë dhe nuk do ta prekë realisht çështjen kombëtare shqiptare, nuk do të këtë asnjë vlerë historike; prandaj, edhe për këtë qeveri, pyetja ime e parë duhet të jetë kjo: çfarë optike ka kryeministri Hoti për çështjen kombëtare? Por ja që unë, deri tani, nuk di se çfarë të them, se nuk e kam dëgjuar të flasë për këtë çështje. Në një kohë që nëse një kryeministër në Kosovë i shmanget kësaj çështjeje, ai nuk luan për interesin shqiptar në Kosovë. Por, ajo që kam vënë re është fakti real se, me përjashtim të dy kryeministrave, që erdhën njëri pas tjetrit në këta dy vjetët e fundit: kryeministri Haradinaj dhe Kryeministri Kurti, kurrë nuk e kam dëgjuar një kryeministër të Kosovës që të ketë një program gjithëkombëtar. Atëherë? Asgjë. Mendoj se kanë qenë të trembur nga Beogradi. Gjë kjo e cila kuptohet se nuk është në favorin tonë.

A jemi në gjendje ne shqiptarët që të mendojmë sot se për Kosovën është bërë një ndërhyrje ndërkombëtare ku ka marrë pjesë i gjithë Perëndimi, kurse ne, sot në lidershipët tanë, në Tiranë dhe në Prishtinë, flasim përçart dhe pa asnjë theks kombëtar e patriotik?

A jemi në gjendje ne shqiptarët që ta mendojmë realisht historinë tonë dhe ta dimë se vetëm pas dyqind vjetësh, në vitin 1999, arritëm ta kishin të gjithë Perëndimin e lartë në favor të çështjes kombëtare shqiptare?

A nuk jem në gjendje ne shqiptarët që të arsyetojmë se, pikërisht për këtë, dhe sidomos që aktualisht ka një interes të madh të Shteteve të Bashkuara dhe të Gjermanisë për nxjerrjen në një histori të re të botës shqiptare në Ballkanin perëndimor, të fillojmë dhe të mendojmë doktrinalisht dhe politikisht për bashkimin tonë kombëtar?

Vërtet mendoni se këta lidershipe shqiptarësh që janë sot në Prishtinë dhe në Tiranë, janë duke luajtur për çështjen kombëtare shqiptare? Jo, unë të paktën, nuk e shoh fare as në horizont këtë, e jo më në një fakt të afërt real.

E pra, kjo është gjendja që konstatoj unë, prandaj nuk di se çfarë të mund të them për qeverinë Hoti, me përjashtim të faktit që, vetë kryeministri Hoti, i ka folur presidentit të Serbisë, një terroristi antishqiptar, serbisht, a thua se ishte kryeministri i një krahine autonome të Serbisë!!! Ja vetëm këtë di.

“Bota sot”: Po gjendjen politike në Shqipëri?

Spartak Ngjela: Gjendja politike në Shqipëri është në një mediokritet që po e servir për çdo ditë kryeministri aktual, Rama, me gjithë ministrat e tij. E gjithë politika shqiptare sot mund të përmblidhet me frazën latine: verba, preter verba nihil – fjalë, e përveç fjalëve asgjë.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për listat e hapura në Shqipëri?

Spartak Ngjela: Kjo është një ndërmarrje pozitive, sepse, deri tani, shqiptarët kanë 12 vjet që nuk e dinë se për cilin individ po votojnë. Ka qenë një kryetar partie, i cili që nga viti 2008, e në çdo proces elektoral, u ka thënë shqiptarëve: hani këtë supë! Se kjo është supa ime, dhe unë jam seleksionuesi absolut i atyre që ju duhet të sillni në Parlament. Por, tani ndryshoi gjithçka.

Megjithatë, duhet të përmendim këtu se Shqipëria ndërkohë ka katër vjet që ka hyrë në një reformë antikorrupsion, në të tre pushtetet kushtetues: në pushtetin legjislativ, në pushtetin ekzekutiv dhe në pushtetin gjyqësor. Tani kjo goditje ligjore antikorrupsion ka hyrë në një fazë konkrete: pasi janë përjashtuar për korrupsion rreth 60 përqind të gjyqtarëve dhe prokurorëve; dhe, pasi ka filluar edhe goditja në pronësinë e paligjshme të krimit të organizuar, shpejt pritet të fillojë kontrolli dhe goditja kundrejt regjistrit të lartë të politikës, nën procedurën e rreptë ligjore të strukturës institucionale, tashmë të formuar dhe që quhet SPAK.

Në funksion të kësaj reforme, na duhet të themi se, ashtu si do të shkojë situata antikrim në Shqipëri, as Berisha, as Rama, as Basha dhe as Meta, nuk besoj se do të kenë mundësi të kandidojnë në zgjedhjet e vitit 2021, sepse duhet të jene nën akuzë për pronësinë e paligjshme që kanë në disponim. Ne sot në Shqipëri vetëm këtë shpresë kemi, dhe do ta realizojmë se e ka marrë në dorë politika amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian. Por, më duhet të arsyetoj se, pas pastrimit antikorrupsin në Tiranë, kjo valë do të kalojë edhe në Prishtinë. Të dy shtetet shqiptare janë të pushtuara nga liderë të korruptuar që, si të tillë, po luajnë edhe kundër interesit kombëtar. Por janë të identifikuar, dhe jam i bindur kur them se do të likuidohen.

“Bota sot”: A mendoni se ideja e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi ka vdekur dhe kush mendoni se qëndron prapa kësaj ideje?

Spartak Ngjela: Po, ky turp kombëtar, tani ka vdekur; sepse liderët patriotë të Kosovës e denoncuan realisht dhe i trembën të shiturit e Kosovës, por edhe këta të Shqipërisë. Shkëmbimi i territoreve ka qenë një ndërmarrje e servirur ethshëm nga politika ruse, dhe, nga i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror, në Tiranë dhe në Prishtinë, u bë me të.

Në analizë të këtij fakti të njohur, si ndërmarrje ruse dhe serbe, më duhet të arsyetoj se gjithçka ishte e përqendruar te Mitrovica; dhe, për faktin që tani kjo është e dokumentuar, na duhet të themi se ajo ka qenë skema për të shpërbërë çështjen e Kosovës. Ata që e strukturuan kanë dashur që, duke investuar me intensitet të lartë në Mitrovicë, ta detyronin Kosovën që, ashtu siç do ta linin, të shkonte drejt falimentimit historik. Duhet të theksojmë një gjë: frika më e madhe e politikës aktuale serbe dhe ruse është pikërisht bashkimi kombëtar Shqipëri - Kosovë. Ata janë koshientë se, pas këtij bashkimi, fillon një proces zinxhir për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare të ish Jugosllavisë, të cilat tani banohen nga shqiptarët etnikë.

Prandaj kjo është arsyeja që vijimisht, si serbët edhe rusët, ngrenë si një çështje akute “Shqipërinë e Madhe që po rilind”. Dhe jo pa qëllim, sepse ky term ka qenë term i fashizmit, dhe këtë duan ta evokojnë si rikthim të Shqipërisë në përiudhën e Luftës së Dytë Botërore. Përveç kësaj, duke e ditur se një nga arsyet pse Perëndimi ishte kundër çështjes shqiptare në vitin 1912 - që ishte islamizmi shqiptar që ata e quanin si turqizëm ballkanik – po shohim që, edhe sot, ata po kësaj burie po i bien. Po ta shohësh me vëmendje, edhe sot, me hoxhallarë, e me të shitur nga gazetaria, madje edh nga bota akademikë, në Shqipëri dhe në Kosovë; të gjithë bashkë janë ngritur si zëra kundër Perëndimit, madje, edhe kundër heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. A i keni dëgjuar? Të gjithë të paguar nga Beogradi dhe nga Moska janë. Por asgjë nuk mund të bëjnë dot, se janë vox clamantis in deserto – zë në shkretëtirë. Kjo sepse, politika amerikane, që e ka situatën ne dorë në Shqipëri dhe në Kosovë, qesh me ta, sepse e di edhe pagesën e renegatëve shqiptarë, por di ndërkaq edhe faktin historik se islamizmi shqiptar është i vetmi islamizëm në botë që ka aspiracion perëndimor, dhe fenë e ka në funksion të atdheut, dhe jo të kundërtën. Por edhe ne, të gjithë bashkë, duhet ta ruajmë këtë risi kombëtare që na i ka blatuar Rilindia Kombëtare, edhe në Kosovë por edhe në Shqipëri. Sepse kundër kësaj po paguajnë serbët dhe rusët.

“Bota sot”: Çka pritni nga dialogu Kosovë-Serbi dhe përfshirjen e emisarit të SHBA-ve në këtë proces, Richard Grenell?

Spartak Ngjela: Asgjë nuk pres. Kuptohet, ky dialog, kështu siç po duket, është një dredhi bizantine serbe për të fituar kohë dhe për të bllokuar Kosovën në zhvillimin e saj. I vetmi presion që i bën rusët dhe serbët, që atyre t’u vijë festoja vërdallë, është fakti i doktrinës së bashkimit kombëtar shqiptar. Dhe pastaj, brenda kësaj, edhe armatosja e Shqipërisë dhe e Kosovës. Ne duhet të jemi të aftë që ta arsyetojmë politikën shqiptare brenda arsyes së re historike. Cila është arsyeja e re historike për shqiptarët? Kjo është fermentimi i botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe interesi i madh amerikan në këtë botë. Pikërisht te kjo arsye duhet të mbështetet edhe patriotizmi shqiptar, edhe luftimi ashpërsisht i të shiturve që, për fat të keq, janë në drejtimin e lidershipeve tanë, edhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Duhet të jemi të qartë që të gjithë: mbijetesa jonë e gjatë pesëqind vjeçare, që na shpëtoi nga shfarosja osmano-sllavo-greke, e ka sjellë historinë në një pikë me kulm, e cila është në favorin tonë. Ne duhet të jemi në sulm me arsyen tonë kombëtare dhe duhet të ndalojmë agresionin sllav, i cili ka njëzet vjet që po dëshiron që, antishqiptarizmin në Shqipëri e sidomos në Kosovë, ta kthejë në një sistem funksionues.

“Bota sot”: A mendoni se do të ketë sukses Skender Hyseni në rolin e tij të ri si koordinator i dialogut?

Spartak Ngjela: Nuk di se çfarë të them në këto momente; por unë personalisht nuk kam fare dyshim te patriotizmi i tij, se e kam ndjekur si ministër të Jashtëm të Kosovës. Dhe prandaj mendoj se gjithçka do të jetë pozitive në përfshirjen e tij në këtë post të ri.

“Bota sot”: Si i komentoni aktakuzat nga prokurori i Gjykatës Speciale për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin?

Spartak Ngjela: Mendoj se është një politikë e hollë dhe që vjen nga politikat e mëdha, të cilat janë me shqiptarët. Mendimi im është se gjithçka e ngritur kundër Thaçit e ka shkakun te vetë Thaçi. Ky duhej ta kishte kuptuar se, pika e Ballkanit Perëndimor është një çështje shumë e mprehtë dhe shumë e rrezikshme për politikanët që nuk kanë busull orientimi, në njohjen e historisë së Ballkanit dhe në historinë e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, po kuptohet se këta nuk po dinë gjithashtu as të arsyetojnë që, konflikti amerikano - rus, nuk është vullnet i vogël i një politikani, por thjesht histori e një interesi të lartë, i cili sot në Amerikë, për fatin tonë, quhet edhe interes i lartë amerikan. Pse, me Thaçin do të mundej FBI dhe CIA, në lidhje me interesin kombëtar amerikan për Ballkanin Perëndimor dhe botën shqiptare në këtë zonë! Ky duket se ka qenë naiviteti politik i Thaçit, dhe unë mendoj se ata që e kanë nisur akuzën kundër tij, do ta çojnë deri në fund. Gjithsesi Thaçi po vepron drejt kur mbron UÇK -në, edhe pse kjo e tmerron presidentin e Serbisë, Vuçiç. Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet mbrojtur, se janë mijëra dëshmorë të saj që kanë derdhur gjak për çështjen shqiptare; dhe jo vetëm kaq, por ekzistenca e saj, i hapi rrugën politikës amerikane për të arsyetuar kudo llojin e konfliktit shqiptaro - serb në Kosovë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverinë Kurti, e cila zgjati pak muaj dhe u rrëzua nga mocioni i nisur nga partneri qeverisës, LDK?

Spartak Ngjela: Sigurisht unë nuk kam pse t’i hyj këtu diferencës që kam në lidhje me tregun, me ekonominë dhe me konceptin e së drejtës, të cilat nuk i kam të barabarta me konceptin e Albin Kurtit. Por patriotizmin e tij kryeministror dhe doktrinën e tij për bashkimin kombëtar e kam mbështetur dhe do ta mbështet, sepse ajo është substanca apo thelbi i historisë sonë Kombëtare. Ai bëri një gjest historik, që e ka pas frikë ta bëjë ndonjë tjetër: iu tha gjithë kundërshtarëve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve që, vlera jonë e madhe dhe historike është flamuri i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Bota sot”: A mendoni se PDK-ja duhet të përfshihet në qeverinë Hoti dhe çka pritni nga ky veprim?

Spartak Ngjela: Nuk di se çfarë të them, sepse politika shqiptare edhe në Tiranë edhe në Prishtinë është infantile. Tani është fenomen negativ politik fakti që, një lider, pasi i ka thënë popullit se sa i madh është negativiteti i një lideri tjetër që është kundërshtar i tij; vjen e bashkohet me të si pa gjë të keq, dhe madje, pa dhënë asnjë lloj arsyetimi. Kjo do të thotë se, ky lider, përbuz popullin e vet. Por, ju thashë, ky lloj infantilizmi politik, madje edhe me ligësi, është ende fenomen në politikën shqiptare.

“Bota sot”: Kush mendoni se duhet të bëhet president i ardhshëm i Kosovës, nëse ky aktual, Thaçi, jep dorëheqje për shkak të Gjykatës Speciale?

Spartak Ngjela: Respekt maksimal kam për zonjën Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës. Por vetëm kaq, sepse do të ishte pretenciozitet i madh nga ana ime po të shkoja edhe më tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat