“LDK është e gatshme për zgjedhje në Kosovë kurdo që shpallen”

Intervista

“LDK është e gatshme për zgjedhje në Kosovë kurdo që shpallen”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 gusht 2020 Në ora: 10:14
LDK

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe njëherit kryetari i degës së LDK-së në Drenas, Bedri Nika, ka thënë se partia e tij po shënon rritje dhe po fuqizohet çdo ditë e më shumë.

Ai në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se ata që kërkojnë përçarje në Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë parti.

Nika e ka vlerësuar lartë Qeverinë Hoti, kurse, rreth mënyrës së menaxhimit të pandemisë Covid+19, ai po ashtu ka thënë se kryeministri Hoti dhe ministri Zemaj janë duke e bërë të pamundurën që situata të mos eskalojë.

Zyrtari i LDK-së në këtë intervistë ka folur edhe për mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën nismë ka thënë se është vështir që të realizohet, përderisa e konsideron si të nisur në një kohë të gabuar.

Kryetari i degës së LDK-së në Drenas, në këtë intervistë, ka folur edhe për takimin e Uashingtonit që do të mbahet më 4 shtator, kritikat e opozitës drejt Qeverisë Hoti, dhe kërkesën për zgjedhje të reja.

“Bota sot”: z. Nika, më 4 shtator është konfirmuar se në Uashington do të ballafaqohen Kosova dhe Serbia. Pjesë e këtij takimi raportohet se mund të jetë edhe presidenti Trump. Cilat janë pritjet tuaj për këtë takim që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë?

Bedri Nika: Në fillim me duhet të theksoj se Republika e Kosova është tashmë në rrugë të mbarë drejt finalizimit të dialogut Kosovë-Serbi, me arritjen e kësaj zgjidhje përfundimtare të çështjes Kosovë-Serbi, Kosova do të dëshmojë së është shtet serioze dhe e gatshme drejt integrimit në familjen e madhe evropiane dhe më pranë integrimit në familjen euroatlantike. E, për të ecur të sigurt në këtë rrugë, të gjithë jemi të vetëdijshëm që kemi nevojë për diplomacinë amerikane, dhe për rolin dhe udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump në këtë proces. Unë kam besim në sinqeritetin Presidentit Trump, dhe ekipit e tij që do ta luajnë një rol pozitiv në favor të Kosovës, dhe nuk mund të jetë ndryshe sepse sponsori i pavarësisë sonë është vetë Amerika. Prandaj, rezultati i dialogut; është njohja reciproke, duke potencuar se nuk ka kuptim asnjë marrëveshje, e cila nuk siguron njohje reciproke.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen e vendit, dhe punën e deritanishme të kryeministrit Avdullah Hoti?

Bedri Nika: Qeverisja e LDK-së do të mbahet mend. Kryeministri Hoti për dy vite qeverisje ka arritur ta stabilizoj gjendjen ekonomike në Kosovë dhe ka rritur buxhetin e shtetit në dy miliardë euro. Kosova ka arritur të ketë stabilizim ekonomik dhe perspektivë për zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë. Për shkak të rritjes ekonomike, Kosova sivjet del nga grupi i vendeve të pazhvilluara, dhe kalon në grupin e vendeve në zhvillim me të ardhura mesatare. Ambienti për biznes po përmirësohet vazhdimisht. Raporti i Bankës Botërore për ambientin për biznes e rendit Kosovën ndër vendet e para sa i përket fillimit të bizneseve. Më 2016 proceduat e pagesës së taksave janë përmirësuar dukshëm duke e renditur Kosovën 34 vende më lartë se një vit më parë, ndërkaq për tregtinë përtej kufijve Kosova ka përmirësuar rangimin ndërkombëtar për 8 vende. Qeveria e Kosovës ka marrë shpërblimin si më reformatorja në mesin e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndim. Financat publike janë stabilizuar si asnjëherë më parë. Disiplina fiskale po jep rezultate. Organizatat buxhetore zbatojnë buxhetin duke ditur se çdo shifër në tabelat buxhetore të aprovuara në Kuvend është ligj dhe mos respektim i çdo shifre është shkelje e ligjit. Programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar po shkon shumë mirë dhe janë përmbushur të gjitha kriteret strukturore dhe targetet e të hyrave dhe shpenzimeve. Janë realizuar kursime të konsiderueshme në zëra jo produktiv të buxhetit. Kjo ka dhënë sinjal tek investitorët potencial dhe vendet partnere të Kosovës për qëndrueshmërinë buxhetore të Kosovës.

“Bota sot”: Kosova dhe e gjithë bota muajve të fundit është ballafaquar me pandeminë Covid-19. Mendoni se ka bërë më të mirën e mundshme qeverisja aktuale?

Bedri Nika: Menaxhimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, Qeverisja Hoti dhe Ministri Zemaj po bëjnë të pamundurën që situata të mos eskalojë. Autoritete relevant janë angazhuar që të shtohen kapacitetet spitalore – shtimi i shtretërve – dhe po punojnë akoma për të rritur kapacitetet testuese. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, janë ndarë mjetet financiare për qytetarët dhe bizneset, që janë paraparë në Pakon Emergjente Fiskale.

Image
Bedri Nika

“Bota sot”: Partitë e koalicionit, por edhe opozita në vazhdimësi kanë drejtuar kritika në drejtim të ekzekutivit, sidomos për qasjen e kryeministrit Hoti ndaj dialogut Kosovë – Serbi dhe menaxhimin e pandemisë. Si i keni parë këto kritika?

Bedri Nika: Në vlerësimin tim, qeverisja e LDK-së ka qenë ndër më të suksesshmet. Kjo për shumë arsye, por mbi të gjitha, e bazoj këtë vlerësim në faktin se në radhët e Qeverisë Hoti ka më shumë përkushtim e disiplinë, ka më shumë mirëkuptim dhe këmbëngulje, ka më shumë përgjegjshmëri e organizim, po ka gjithashtu edhe më shumë thjeshtësi e modesti.

Për t’ju thënë të vërtetën, unë nuk vërejta ndonjë kritikë thelbësore nga opozitë, por ajo që pashë ishin vetëm sulme politike dhe tifozëri partiake, pa ndonjë propozim konkret se si të ecim përpara.

Kur opozita kritikon, zhurmat dhe britmat në studion e televizionit dhe në kuvend duhet të shoqërohen me një plan apo propozim konkret se çfarë veprimesh duhet të ndërmerren. Nuk i kam parë në vitet e fundit këto sjellje, kështu që nuk dua të komentoj kritikën bosh, dhe të pabazuar që mund të bëhet nga aktorë të ndryshëm politik, dhe në fund të fundit jo të rëndësishme për situatën në të cilën gjendemi tani, sepse komenti im do të rezultonte bosh, gjithashtu.

Për të ecur të sigurt në dialogun Kosovë-Serbi, të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për veprimet që duhet të ndërmarrim, natyrisht jo në mënyrë të njëanshme, as me presione e bojkote, por me një bashkëpunim luajal e konstruktiv. Populli ynë dhe populli serb presin nga politika që të jetojnë më mirë, të ndihen më të sigurt e të integruar, dhe është detyrim i të gjithëve në përmbushja e këtyre aspiratave. Skena politike në Kosovë duhet të jetë unike. Ne nuk kemi më kohë për të humbur, por duhet të ecim me ritmin e hapave të Bashkimit Evropian e të NATO-s. Krizat politike, veçse na e zgjasin këtë rrugë e natyrisht ndikojnë edhe në të ardhmen e Kosovës, e cila ndodhet pranë aktit përfundimtar e të shumëpritur të arritjes së marrëveshjes, si një proces që do legjitimojë zgjuarsinë e Kosovës për të ndërtuar një shtet të pavarur dhe demokratik, që respekton pakicat e të denjë për të qenë pjesë e familjes evropiane.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. E konsideroni këtë iniciativë, dhe sa mendoni se do të ketë sukses?

Bedri Nika:
Nisma e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, për ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti, është vështirë e realizueshme sepse t’ju them të drejtën vetë LVV-ja dhe PDK-ja nga brenda besojnë në LDK-në, por që nuk deklarohen. Opozita beson 100% në LDK-në sepse e njohin shumë mirë LDK-në, pasi që të dy palët kanë punuar me LDK-në dhe ju frikësohen sukseseve të saj.

Ekuacion i thjeshtë. Sa herë që Vetëvendosje në koordinim me Beogradin aktivizojnë mocionin e mosbesimit ndaj LDK-së, mu në atë moment, besimi në LDK automatikisht rritet.

Mocioni i mosbesimit nuk është një veprim i duhur në këtë kohë që gjendet Kosova.

Opozita e konsideron si një sjellje të duhur, por një shprehje amerikane thotë; “The right thing at the wrong time is the wrong thing” – “Gjëja e duhur në kohën e gabuar është gjë e gabuar”

“Bota sot”: A besoni se LDK është e gatshme për zgjedhje të reja?

Bedri Nika: LDK është e gatshme për zgjedhje në Kosovë kurdo që shpallen.

“Bota sot”: Ka shumë zëra se LDK-ja edhe mund të përçahet? A ka rritje në Lidhjen Demokratike të Kosovës? Cila është e vërteta?

Bedri Nika: Ata që kërkojnë përçarjen e LDK-së, mund të them që nuk kemi asgjë të përbashkët me ta. Unë mund të ju siguroj që LDK-ja po fuqizohet çdo ditë e më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat