Hoti: LDK është përcaktues i Presidentit

Intervista

Hoti: LDK është përcaktues i Presidentit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 30 gusht 2020 Në ora: 07:49
Lidhja Demokratike e Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Hoti, ka thënë se partia e tij është përcaktues i Presidentit, dhe se kushdo që mendon ndryshe, le të zgjedh President të vendit pa LDK-në.

Hoti në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur për mospajtimet brenda koalicionit qeverisës, ku ka thënë se nuk është adekuate që qoftë mospajtimet brenda partiake, qoftë ato në koalicion të adresohen apo të diskutohen në publik përpara se të diskutohen dhe të adresohen brenda mekanizmave formal dhe institucional.

Kurse, sa i përket mocionit të nisur nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti nga radhët e pozitës ka deklaruar se detyrë e opozitës është të shkurtojë jetën e pozitës, gjersa ka theksuar se ky subjekt nuk i ka votat e nevojshme.

Ndërsa, ai në këtë intervistë ka bërë një koment edhe për takimin që pritet të mbahet në Shtëpinë e Bardhë, ku ka theksuar se Qeveria Hoti është e gatshme të përfaqësoj Republikën e Kosovës në takimin e Uashingtonit.

“Qeveria Hoti është e gatshme të përfaqësoj Republikën e Kosovës në takimin e Uashingtonit. Natyrisht se në takimet në Shtëpi të Bardhë, Kosova pret rezultatet më të mira për vendin sepse pikërisht nga Shtëpia e Bardhë ka dalë edhe pavarësia e Kosovës”, u shpreh Hoti, në këtë intervistë mes të tjerave.

“Bota sot”: Në qershor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës e ka votuar me 61 vota pro qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së. Cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të Qeverisë Hoti?

Image
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Hoti.

Visar Hoti: Qeveria Hoti ka filluar punën në një situatë mjaftë sfiduese për vendin kur kemi parasysh faktin se bota është ballafaquar me një pandemi e cila nuk ka pasur precedent në gjeneratat tona. Megjithatë, Qeveritë duhet të tregojnë gatishmëri dhe pjekuri për të menaxhuar në mënyrë adekuate krizat e tilla. Kësaj radhe, përveç krizës shëndetësore që karakterizon globin, kemi të bëjmë edhe me krizë ekonomike. Konsideroj se përkundër masave adekuate, qeveria deri më tani nuk ka gjetur përkrahjen e Kuvendit të Kosovës, jo për arsye të shëndosha, siç është shembulli, me kalimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Përveç këtyre dy temave që sot ballafaqohen krejt vendet e botës, Qeveria Hoti gjatë kësaj periudhe është karakterizuar edhe me një përpjekje dhe sfidë tejet të madhe, të shkaktuar nga Qeveria e kaluar. Kjo krizë reale nga Qeveria e kaluar ka të bëjë me rikuperimin e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët strategjik të Kosovës, raporte këto të cilat u cenuan thelbësisht nga ish-Qeveria.

“Bota sot”: A mendoni se kryeministri Hoti, është një prej shefave të ekzekutivit që ka udhëhequr më së miri me vendin viteve të fundit?

Visar Hoti: Sigurisht se po. Konsideroj se Qeveria Hoti do të kishte mundësinë edhe më shumë të linte gjurmë në zhvillimin e vendit, por ballafaqimi me problemet e cekura më herët, ka zhvendosur fokusin substancialisht nga zhvillimi ekonomik, në menaxhim të efekteve negative të krijuara në ekonomi nga situata e pandemisë.

“Bota sot”: Raportohet për mospajtime ndërmjet partnerëve të koalicionit. A ka të vërteta nga këto raportime, dhe si i keni parë mospajtimet e deritashme?

Visar Hoti: Konsideroj se gjithmonë, jo vetëm në koalicion por edhe brenda grupit të njëjtë partiak ekzistojnë mospajtime, dhe mirë që ekzistojnë, qëndrime të ndryshme për tema të caktuara sepse kjo është vlera kryesore e demokracisë. Megjithatë, nuk është adekuate që qoftë mospajtimet brenda partiake, qoftë ato në koalicion të adresohen apo të diskutohen në publik përpara se të diskutohen dhe të adresohen brenda mekanizmave formal dhe institucional. Megjithatë, përfundimisht nuk ka dëm ndaj vendit nëse ka mospajtime apo qëndrime të ndryshme. Është e shëndetshme për demokracinë përplasja për ide, por jo për populizëm apo pozita të caktuara.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje që disa ditë ka filluar procedurat për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë. Si e keni parë ju këtë nismë të këtij subjekti?

Visar Hoti: Detyrë e opozitës është të shkurtojë jetën e pozitës. Dhe e kundërta. Natyrisht, nuk dua të zgjatem në këtë temë sepse ditën që opozita i ka votat do ta rrëzonte qeverinë, por sigurisht se nuk i kanë.

“Bota sot”: A është e gatshme Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhje të reja?

Visar Hoti: Kosova është duke humbur shumë duke mbajtur zgjedhje gjithmonë në më pak se 3 vjet. Jo vetëm në aspektin e kostos së zgjedhjeve, por edhe duke sinjalizuar shumë destabilitet politik. Është shumë e rëndësishme që sa më shpejt të fillojmë të mësohemi se një mandat Qeverie duhet të shkojë deri në fund. Megjithatë, partitë politike, edhe LDK-ja, janë gjithmonë të gatshme për zgjedhje. Por, mos harroni se Kosova duke mbajtur zgjedhje të shpeshta po dërgon sinjal të keq tek investitorët, mesazhin e destabilitetit politik.

“Bota sot”: Është diskutuar shumë që edhe PDK do të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës. A mund të presim që në të ardhmen të ndodhë një gjë e tillë?

Visar Hoti: Vështirë se mund të jap ndonjë mendim të strukturuar në këtë temë. Kjo sepse raportet ndërmjet partnerëve të koalicioneve në Kosovë vazhdimisht kanë shkuar duke u bërë më komplekse. Në këtë situatë, unë personalisht nuk jam pajtuar që për apetite personale të PDK-së në vitin 2017 është rrëzuar Qeveria e Kryeministrit Mustafa, sigurisht Qeveria me rezultatin më të mirë për ekonominë, por edhe politikën e jashtme të vendit.

“Bota sot”: Tashmë mes subjekteve politike ka filluar një “luftë” për postin e presidentit. A mund ta prishë koalicionin qeverisës ky post?

Visar Hoti: Është e natyrshme që figura të rëndësishme politike synojnë pozitën e presidentit. Por, një gjë dihet: LDK është përcaktues i Presidentit. Kushdo që mendon ndryshe, le të zgjedh President të vendit pa LDK-në. LDK siguron stabilitet institucional në vend, dhe siguron zhvillim, prandaj edhe në këtë temë, ne do të jemi ata që do të sigurohemi që vendi të strukturojë mirë institucionet qendrore, përfshirë edhe Presidentin. Por, kjo temë diskutohet kur të vije koha, pasi që Presidenti aktual ka mandatë deri në vitin 2021.

“Bota sot”: Është konfirmuar se 4 shtatori do të jetë dita kur pritet që në Shtëpinë e Bardhë të takohen delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë. Mendoni se është e gatshme Qeveria Hoti për këtë takim, dhe çfarë pritni nga ky takim?

Visar Hoti: Qeveria Hoti është e gatshme të përfaqësoj Republikën e Kosovës në takimin e Uashingtonit. Natyrisht se në takimet në Shtëpi të Bardhë, Kosova pret rezultatet më të mira për vendin sepse pikërisht nga Shtëpia e Bardhë ka dalë edhe pavarësia e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat