Abrashi: Linja ajrore Prishtinë - Beograd, në kohë rekorde

Intervista

Abrashi: Linja ajrore Prishtinë - Beograd, në kohë rekorde

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 18:55
Arban Abrashi

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se nga projektet infrastrukturore, të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, do të krijohet një ndërlidhje më e mirë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, me finalizimin e projekteve hekurudhore, autostradës dhe të tjerave që janë pjesë e marrëveshjes në Uashington, do të krijohen shumë vende të reja të punës dhe mundësi për ndërmarrësit e rinj.

Ministri Abrashi bën të ditur se Autostrada e Paqes, lidhja hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe lidhja hekurudhore Nish-Prishtinë janë projekte që synohen të financohen nga Korporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Abrashi flet edhe për linjën ajrore Prishtinë-Beorgrad, për të cilën, siç thotë, është duke u përpiluar një marrëveshje me kompaninë ajrore Lufthansa.

Sipas tij, kjo linjë ajrore do të nisë në kohë rekorde.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia janë zotuar se do t’i zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara më herët gjatë këtij viti për operacionalizimin e Autostradës së Paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë. Cili është plani për këto?

Arban Abrashi: Qeveria e Kosovës ka paraqitur projekte të ndryshme në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; mes tjerash, edhe këto projektet që kanë qenë të iniciuara më herët si ide në letrën e qëllimit të mirë, të muajit shkurt të këtij viti. Ne kemi paraqitur projekte të mëdha infrastrukturore, që do të bëjnë një ndërlidhje më të mirë në Ballkan, në mënyrë që të krijohen më shumë vende të reja të punës dhe mundësi për ndërmarrësit e rinj dhe njerëzit në Ballkan.

Projektet që kanë kaluar, ato që shihen në publik dhe që kanë kaluar në Shtëpinë e Bardhë, pranë presidentit të SHBA së, Donald Tramp, janë: autostrada Prishtinë-Merdare, ose pjesa e mbetur e autostradës “Ibrahim Rugova”, që ka një gjatësi prej 27 kilometrash. Dhe, nëse kryhen procedurat shpejt, besoj që brenda 12 muajsh përfudnon.

Projekti i dytë ka të bëjë me hekurudhat e mbetura, të parehabilituara, që janë jashtë funksionit - [ajo] Fushë Kosovë-Meradre, e cila ka një gjatësi prej 45 kilometrash. Këtu e kemi lënë të hapur mundësinë, nëse traseja ekzistuese do të jetë apo do të bëhet trase tjetër, pasi që dihet që në pjesën që kalon nëpër Prishtinë, ky rrjet apo kjo rrugë ka pasur ndërhyrje të mëdha. Po ashtu edhe tuneli që është i dëmtuar, merr një kosto të madhe të rehabilitimit. Pra, varësisht nëse është kjo trase apo tjetër, ndryshon edhe kostoja.

Radio Evropa e Lirë: Sa është kostoja e këtyre dy projekteve?

Arban Abrashi: Ne kemi një studim fizibiliteti, të fundit për trasenë ekzistuese, që nënkupton edhe rehabilitimin e tunelit që potencova më lart - përafërsisht kap shumën e rreth 150 milionë eurove.

Ndërsa, për autostradën e mbetur 27 kilometra Prishtinë-Merdare kemi një kosto të përafërt, që është rreth 240 milionë euro.

Radio Evropa e Lirë: Kush do t’i financojë këto projekte?

Arban Abrashi: Janë projekte që synohen të financohen nga Korporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Financiar. Kjo është korporata që ka premtuar financimin e këtyre projekteve. Ajo ka qenë preznete edhe në Shtëpinë e Bardhë, kur janë diskutuar të gjitha këto projekte.

Radio Evropa e Lirë: Përveç këtyre dy projekteve, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik. Çfarë parasheh ky projekt?

Arban Abrashi: Ky është projekti që ne e kemi futur. Mendoj se Kosova dhe Shqipëria do të jenë përfitueset më të mëdha, përkundër asaj që po dëgjoj zëra të paqëndrueshëm, ku thuhet se po i mundësohet dalja Serbisë në det, ku tash Serbia është e lidhur në det përmes Portit të Tivarit në Mal të Zi, por edhe në rrugë të tjera.

Ndërtimi i një hekurudhe nga Prishtina deri në portin e Adriatikut, pra në bregdetin shqiptar, rrit pozitën gjeostrategjike dhe Kosova po bëhet një vend tranzit i mallrave për Ballkan dhe Evropën Qendrore.

Ne, me marrëveshje, jemi pajtuar për një studim fizibiliteti dhe shpresoj të kryhet shpejt, pasi që një delagacion nga SHBA-ja synon të vijë gjatë shtatorit.

Po ashtu, një projekt që nuk po përmendet e që ka peshë të madhe në të bërit biznes në Kosovë dhe në përgjithësi në zhvillimin e vendit, është linja e gazsjellësit. E kemi diskutuar edhe më herët, por është një projekt që ka qenë pjesë e diskutimeve dhe e investimeve të SHBA-së në Kosovë.

Ideja themelore është të ndërtohet gazsjellësi nga Greqia në Kosovë, ndërsa lidhja jonë të bëhet në Shkup.

Radio Evropa e Lirë: Kur mund të futet në operim linja ajrore Prishtinë-Beograd?

Arban Abrashi: Ne po presim të bëjmë një marrëveshje me një nga operatorët që ka shfaqur interesim për këtë linjë ajrore. Zyra jonë ligjore dhe zyra ligjore në Zyrën e Kryeministrit janë duke e përpiluar marrëveshjen. Ne synojmë që në periudhë rekorde, Qeveria e Kosovës të ketë një marrëveshje me kompaninë Lufthansa, e cila do të operojë dhe do ta ketë Prishtinën një prej bazave të saj.

Me të bërit e kësaj marrëveshjeje hapen edhe mundësitë për rifillimin e linjës, e cila është menduar në letrën e qëllimit të mirë në shkurt.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë përftimet që do t’i ketë Kosova nga kjo pikë e marrëveshjes?

Arban Abrashi: Autostrada dhe hekurudhat kanë ndikim të madh në zhvillimin e vendit. Deri më tani, Kosova nuk është e lidhur shumë mirë me rrugët tranzit evropiane, qoftë të hekurudhave, qoftë autostradave. Përmes këtyre dy projekteve dhe atë me Shqipërinë, kjo do të ulë koston e të bërit biznes, ka ndërlidhje më të mirë të njerëzve, krijon mundësi për biznes dhe ndërlidhje më të mirë për biznesin. Dhe, Kosova dhe ndërmarrësit do të dinë ta shfrytëzojnë më mirë këtë mundësi.

Hekurudhat e Kosovës në veri, nën administrimin e Serbisë

Radio Evropa e Lirë: Autoritetet kompetente të hekurudhave në Kosovë kanë deklaruar në vazhdimësi se linja ndërkombëtare hekurudhore që lidh Kosovën me Serbinë, është nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe në Mitrovicë të Veriut. Kjo marrëveshje, a do ta kthejë këtë linjë nën administrimin e Kosovës?

Arban Abrashi: Nuk kemi hyrë në këto detaje, pasi që po flasim për një linjë tjetër prej Prishtinës në Merdare, që është jashtë funksionit. Për pjesën e hekurudhave dhe menaxhimit në veri është e vërtetë që Infrakos [ndërmarrja e hekurudhave] nuk ka pasur qasje. Unë kam kërkuar një raport dhe besoj që këtë problem do ta zgjidhim deri në fund të vitit. Nuk është pjesë e marrëveshjes, është diçka që unë po synoj ta trajtoj dhe të gjej zgjidhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat