Helmimi sociopsikologjik i fëmijërisë së hershme

Intervista

Helmimi sociopsikologjik i fëmijërisë së hershme

Nga: Prof. Dr. Teuta Bicaj Më: 16 shtator 2020 Në ora: 13:20
Lekë Imeraj

Z. Imeraj, ju në librat tuaj, vazhdimisht i keni kushtuar nje vëmendje të veçantë rëndësisë së fëmijërisë së hershme, si udhërrëfyese për jetën e njeriut të ardhshëm. Parimisht keni theksuar se: Kush dhunohet, do të dhunojë. A mendoni se të rinjtë e sotëm, i referohem atyre që janë dhunues, janë të tillë si pasojë e një fëmijërie të helmuar psikologjikisht, me konflikte dhe dhunë?

Përgjigje: Unë jam shumë i interesuar për ecurinë e adoleshentëve dhe kjo më shtyn që të jem vazhdimisht në kontakt, në forma të ndryshme, me shumë prej tyre, veçanërisht me ata që shfaqin prirje rebelimi. Shumica e dhunuesve, që në fëmijërinë e tyre të hershme, kanë përjetuar dhunë, nga prindërit, nga njerkët, nga gjyshërit, nga vëllezëria e rritur, nga më të fortët e klasës dhe rrugës. Një pjesë e tyre, fatkeqësisht, nuk dihet numri i saktë, kanë përjetuar edhe dhunë seksuale, deri në përdhunim. Çdo lloj dhune, që përjeton njeriu në fëmijërinë e tij të hershme, nuk kalon pa lënë gjurmë në mekamnizmin e tij të ndjenjave. Gjurmët mund të dremisin por, nuk shuhen. Nëse njeriu përjeton përseri situata të dhunshme, ato zgjohen dhe njeriu rebelon, dhunon. 

Jam e interesuar të di, ku jeni takuar me këta të rinj që shfaqin prirje kriminalite? Në mjedise familjare, në mjedise publike? ...

Përgjigje: Unë kam qenë dhe jam vazhdimisht në kontakt me të rinj të tillë. Unë kam përjetuar jetën e tyre në burgje, kam qënë shpesh i ftuar në shkolla, ndjek rregullisht median mbi ngjarje dhe trauma të fëmijve, njoh shumë personalisht nga të tillë. Pra, nëse e ndien dhe e ndjek këtë dhimbje, ajo të çon vetë tek „viktima“.

Këto trauma që ju përmendët, të përjetuara në fëmijërinë e hershme, e kanë dëmtuar mekanizmin e ndjenjave tek ata?

Përgjigje: Natyrisht që mekanizmi i ndjenjave tek ata është i dëmtuar por, kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë më ndjenja. Tek fëmijët e dhunuar, krijohen automatikisht “mekanizmat mbrojtës“. Ata komunikojnë keq me të tjerët, ashpër, indiferent, mosbesues. Ndaj ngacmuesve të jashtëm, për gjëra fare të rëndomta ata reagojnë ashpër, me tërbim, urrejtje dhe mosbindje. Ata nuk kanë besim tek askush dhe, madje urrejnë edhe veten e tyre. Kritika për ata, edhe kur është e butë dhe shumë e arsyeshme, i kalon menjëherë në pozicion mbrojtje. Nga përvoja e hidhur nga fëmijëria, ata e kanë humbur besimin tek të tjerët, por dhe as nuk kanë arritur ta ndërtojnë atë tek vetëvetja.

Më konkretisht: Çfarë ka ndodhur në mekanizmin e ndjenjave të tyre?

Përgjigje: Në mekanizmin e tyre të ndjenjave mungon ajo që quhet “busulla e të orientuarit social!“ Njeriu, gjenetikisht, është i programuar si qenie sociale por, të sjellurit social, mësohet në jetë. Njerëz me një përvojë kaq të hidhur në femijërinë e tyre, nuk kanë pasur kurrë rastin që ta mësojnë këtë gjë. Atyre u ka munguar mundësia që të mësojnë besimin, dashurinë, bashkëdhimbjen, bashkëdashurinë, bashkëgëzimin, solidaritetin, humanizmin e të tjera. Ata nuk janë pranuar dhe as dashuruar kurrë, nga askush, ashtu siç kanë qenë. Ata nuk kanë dëgjuar nga askush se “Ti je i vlefshëm dhe i dashur, kështu siç je, të duam shumë!“; “Ti je i guximshëm dhe i mirë!“; “Të lumtë, e ke berë shumë mirë!“ e të tjera. Tek ata nuk ka arritur të zhvillohet ndjenja e të besuarit tek të tjerët për faktin, se të tjerët, nuk u kanë besuar kurrë atyre. Ka humbur aftësia e të ndërtuarit të besimit reciprok.

Ky dëmtim kaq i rëndë në mekanizmin e tyre të ndjenjave, a është e mundur që të riparohet, dhe nëse po, si?

Përgjigje: Natyrisht që është e mundshme të riparohet, nëse jo qind për qind, të paktën në një masë të konsiderueshme. Nëse jo të gjithë, shumica mund të rikthehen në jetën sociale normale. Kjo arrihet vetëm me një program të posaçëm të cilin duhet ta bëjnë njerëzit e specializuar dhe zbatojnë njerëz profesionistë. Qëllimi kryesor duhet të jetë që: Të rinjtë problematikë, kandidatë për rrugën e kriminalitetit, të shpëtohen nga rruga e krimit dhe të mos dënohen. Çdo dënim penal, sado i lehtë që të jetë ai, në fund fare është një pengesë për hapësirat e së ardhmes së tyre. Ne nuk e dimë se çfarë gjenialiteti fshihet tek ata “të paudhë“. Atyre u duhet mësuar mënyra e të reaguarit normal në rastet e ngacmimeve të vogla. U duhet mësuar se, nga konfliktet e mundshme me të tjerët, dështimet në shkollë, papunësia, prishja e një lidhjeje, nuk duhet ta humbin kurajon për jetën, dhe se nuk do të braktisen nga të tjerët. U duhet sqaruar se traumat e tyre nga fëmijëria kanë qenë vetëm një pjesë e jetës së tyre, dhe jo gjithë jeta, dhe se ato janë të mundshme për t’u shëruar dhe harruar. Mbi të gjitha atyre u duhet mësuar që ta duan dhe pranojnë vetveten, ashtu siç janë. U duhet bërë e qartë, se rruga për tek të tjerët, fillon nga rruga për tek vetvetja.

Ju po më thonit: “U duhet sqaruar se traumat e tyre nga fëmijëria ishin vetëm një pjesë e jetës së tyre”. Besoj se ju i referoheni figurës së psikologut si një figurë që mund të ndihmojë në këtë drejtim apo jo ?

Përgjigje: Ne vijmë nga një regjim ku gjithҫka e vendoste politika dhe jo specialisti, jo shkenca. Kështu nuk ecet më. Shoqëria jonë e desocializuar, nuk mund të socializohet me ideologji dhe urdhëra. Duhet psikologu, madje urgjent, në familje, në shkolla, në punë, shoqëri dhe kudo, ku bashkohen më shumë se dy njerëz bashkë. Fëmija nuk edukohet dhe as shpëtohet me hajmali hoxhallarësh dhe fretërish. Duhet shkenca, psikologjia dhe psilkologu.

Çfarë metode mund të përdoret për t’i rizgjuar një njeriu ndjenjat pozitive, besimin tek të tjerët dhe vetvetja, të cilat ai i ka kaluar në gjendje dremitjeje?

Përgjigje: Ndrydhja e ndjenjave tek njeriu vjen gjithmonë nga faktorët traumatikë të jashtëm. Nga faktorë të tillë, tek njeriu, krijohet “bllokuesi social“. Ky bllokues nuk mendohet i përhershëm. Gjëja e parë që duhet bërë është, ndarja e viktimës nga dhunuesi/it, dhe vendosja e tij në një mjedis paqësor dhe të besueshëm. Një mjedis i tillë, ne na ka munguar gjithmonë. Fëmijët tonë, rriten në mjedise brutale. Por, edhe nëse mund të gjejmë një mjedis paqësor, nuk duhet menduar se u zgjidh gjithçka. Kohëzgjatja e efektit të traumave tek individët është e ndryshme, është shumë individuale. Duhet që nga specialistët të hartohet dhe zbatohet me korrektësinë më të madhe “programi kundër helmimit psikik dhe shpirtëror“. Kjo gjë u duhet besuar vetëm specialistëve.

Pra, tek mekanizmi i ndjenjave të fëmijës së traumatizuar, krijohet një diferencë e madhe midis ndjenjave pozitive dhe atyre negative. Si mund të shpjegohet kjo diferencë?

Përgjigje: E para, dua të theksoj, se ndjenjat, nuk klasifikohen në negative dhe pozitive, sepse nuk janë të tilla. Ndjenjat janë ndjenja. Njeriu nuk është i pajisur nga natyra me ndjenja të tepërta dhe as të dëmshme. Kur ndjenjat kalojnë masën pra, dalin jashtë kontrollit, të gjitha bëhen të dëmshme, madje dhe të rrezikshme. Edhe ndjenja e dashurisë kur del jashtë kontrollit mund ta çojë njeriun deri në vetëvrasje. Me anë të një terapie intensive, shumë të specializuar, dhe që zbatohet nga njerëz të kualifi kuar, mund të arrihet që viktima, madje shumë shpejt, të fillojë të mendojë për të kaluarën e vet të dhunshme. Ajo (viktima) fillon të mendojë shkaqet që e çuan në rrugën e dhunës. Krimi nuk është kurrë fillimi i rrugës kriminale por, pikarritje e një zhvillimi të gjatë. Pikërisht këtë zhvillim të gjatë duhet të kuptojë viktima, dhe nëse nuk arrin që ta kuptojë vetë, i duhet bërë e qartë. Nëse ai arrin ta kuptojë vetë këtë, duhet menduar se ka arritur shumë.

Të gjitha këto që thatë ju, në themel tregojnë për një vetëdije të munguar apo të kufizuar tek fëmijët. Cilët janë faktorët kryesorë që e kushtëzojnë zhvillimin e vetëdijes tek fëmijët?

Përgjigje: Eshtë e drejtë ajo që thatë. Në raste të tilla kemi të bëjmë me një vetëdije të pazhvilluar dhe me një njeri “kopje“ e dikujt (nuk i dihet se e kujt), aspak origjinal. Faktorët janë të shumtë, por unë do të theksoj pesë më kryesorët: Edukimi i ndrydhur, seksualiteti i heshtur, mjedisi i helmuar, bllokimi i iniciativës, frika nga marrëdhëniet me të tjerët. Sado që flitet për rrezikun e edukimit autoritar, pra, edukimit të ndrydhur, duket se nuk kuptohet, as nga prindërit, as nga mësuesit dhe nga askush. Këtij rreziku nuk i shpëton dot askush. Thuajse të gjithë të rriturit, pavarësisht nga lidhja dhe funksioni që kanë me fëmijët, janë më të gatshëm t’i qortojnë dhe ndëshkojnë ata se sa t’i lavdërojnë. Kështu fëmijët mund të mendohen “lule nën gur“. Dhe kjo nuk kalon pa gjurmë në shpirtin e fëmijës. Të rriturit nuk e kuptojnë se një mënyrë e tillë e të edukuarit dëmton rëndë vetëdijen e fëmijës.

Ju përmendët më lart “seksualitetin e heshtur“. Çfarë pasojash mund të sjell tek të rinjtë heshtja seksuale dhe sa duhet të dinë ata për një gjë të tillë?

Përgjigje: Të rinjtë e sotëm po priren gjithnjë e më shumë nga tendenca e lidhjeve ndërgjinore çka sjell kontakte seksuale të dëshiruara ose jo. Skenaret e seksit, fëmijët, gjithnjë e më fëmijë, i kanë në kokë. Një gjë të tillë ne nuk e ndalim dot. Kontakti me botën pornografike është shumë i madh. Ka dhe një problem tjetër madhor që i shtynë fëmijët drejt seksit të parakohshëm dhe të pakontrolluar. Eshtë seksi si mall, si drogë, si kompensues i dashurisë së munguar, si qetësues dhe vlerë shpirtërore, si ngushëllim për shpirtrat e lënduar dhe të humbur. Pjekuria fizike është aty por, jo vetëdija, jo logjika. Pastaj shpirti plagoset dhe dhimbja e kësaj plage mund ta ndjek fëmijën për një periudhë të gjatë të jetës së vet. E vetmja rrugë e sigurt shpëtimi, është të folurit hapur me fëmijët, për seksin dhe problemet seksuale. Kjo duhet bërë në familje dhe shkollë. Një fëmijë seksualisht i ditur, është në masën më të madhe të mundëshme i garantuar nga rreziku seksual. Ai nuk vrapon pas pornove dhe joshjeve të gabuara seksuale. Kurrsesi nuk duhet të mendojmë që të thajmë detin por, t’u mësojmë fëmijëve notin. Deti nuk thahet, noti mësohet, gjithkush e mëson. Duhet thyer me çdo kusht, menjëherë dhe sa më parë tabuja seksuale. Ndryshe nuk bëhet.

Si i mendoni marrëdhëniet e sotshme mësues-nxënës?

Përgjigje: Për këtë vihen re dy anët e medaljes: Nga njëra anë, këto marrëdhënie janë dëmtuar, mungon respekti dhe besimi reciprok. Nga ana tjetër janë bërë më të lirshme. Në këtë situatë duhet që personaliteti i mësuesit të jetë më i qëndrueshëm. Ka mësues që nuk i mendojnë fëmijet subjekt, i mendojnë fëmijë dhe i trajtojnë si të tillë. Shumë mësues duket sikur janë të lodhur shumë, madje nuk e dashurojnë më profesionin e tyre. Mendoj se mësues të tillë kanë probleme me vetveten. Atyre u mungon aftësia e të përshtaturit me të renë, ata nuk janë në gjendje të diferencojnë fëmijët e sotëm me ata të djeshmit. Dhe më keq akoma, mësuesit nuk bëjnë përpjekje për vetëkualfikimin e tyre. Eshtë tragjike por, unë njoh shumë mësues dhe mësuese të cilët nuk kanë biblioteka personale në shtëpi, madje asnjë lloj libri, me përjashtim të atyre mësimor.

Si e mendoni rolin e familjes së sotme në lidhje me aftësitë edukuese të fëmijëve?

Përgjigje: Ky rol duket se është dobësuar shumë. Familja klasike, me të dy prindërit, po zvogëlohet gjithnjë e më shumë, kështu që barra e rëndë e edukimit ka mbetur në njërën apo tjetrën dorë. Po përjetojnë konflikte të mëdha dhe vështirë se ka një vesh të hapur, në familje, për ndjenjat dhe interesat e fëmijëve. Kontaktet sociale brenda familjes kufizohen gjithnjë e më shumë. Mungon mjedisi, koha dhe mundësitë ekonomike që fëmijët të mund të përjetojnë diçka të këndshme, jashtë mureve të shtëpisë, bashkë me prindërit e tyre. Ata e vuajnë shumë diferencën me bashkëmoshatarët e tyre të klasës apo lagjes. Një problem tjetër madhor është niveli i ulët kulturor i shumë familjeve, sidomos të atyre që kanë zbritur nga zonat malore në qytet. Integrimi i tyre dhe i fëmijëve të tyre me jetën dhe kulturën e qytetit është shumë i vështirë, madje mund të mendohet edhe i pamundur. Nëse arrihet përshtatja, duhet menduar sukses i madh. Sot vihet re kudo të qenët e një gjenerate të rriturish, të cilët, me sa duket kanë pësuar një dëmtim të rëndë në mekanizmin e ndjenjave të tyre, duke krijuar kështu një mjedis social me ndotje të madhe psiqike dhe një shpirt të helmuar.

Çfarë mund të bëjë shkolla për ta mënjanuar këtë rrezik tek fëmijët?

Përgjigje: Ky problem është botërisht i njohur. Në Amerikë dhe shumë vende të tjera, janë krijuar shkolla të veçanta, me programe të veçanta për të zbutur rrezikun e kësaj dukurie. Në sistemin tonë arsimor duhet të ndryshojë diçka dhe madje shpejt. Sot, në kushtet e një ndotjeje të madhe të mjedisit social, nuk duhet të bëhet fjalë vetëm për dhënie diturishë në shkolla por, njëkohësisht, dhe me shumë përparësi, u duhet mësuar fëmijëve arti i komunikimit dhe aftësia për zgjidhjen e konflikteve. Marrëdhënjet me të tjerët janë po aq të rëndësishme sa dhe nota e mirë në lëndët mësimore. Fëmijët nuk i izolojmë dot nga mjedisi social helmues por, duke i “vaksinuar“ në shkollë, do të ulim në një përqindje të madhe rrezikun e helmimit nga ky mjedis. Ky nuk është problem që zgjidhet vetëm nga mësuesit, sado të ndërgjegjshëm dhe të aftë që mund të jenë ata. Një gjë të tllë duhet ta zgjidhë shteti. Kjo nuk duhet menduar se vetë mësuesit nuk duhet të bëjnë asgjë. Një mësues i aftë dhe i vetëdijshëm gjithmonë e gjen kohën dhe mënyrën për të depërtuar në shpirtin e lënduar të një nxënësi.

Pyetje: Së fundmi, ju lutem cili është mesazhi për lexuesit?

Përgjigje: Mesazhi im është ky: Mos i dhunoni fëmijët! Mos i ideologjizoni ata! Mos e ndyni psikikën e tyre dhe mos e helmoni shpirtin e tyre! Dhimbja e tyre jemi ne, e ardhmja e tyre jemi ne dhe ata jane e ardhmja e kombit, jo ne.

Z. Imeraj, Ju falënderoj për bashkebisedimin mjaft interesant dhe të dobishëm për punën që duhet bërë me fëmijët tanë, që duhet të bëjmë për të ardhmen e fëmijëve tanë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat