Deputeti i Kosovës: Vetëvendosje është bindshëm subjekti i parë në Kosovë, Qeverinë e kemi ilegale

Intervista

Deputeti i Kosovës: Vetëvendosje është bindshëm subjekti i parë në Kosovë, Qeverinë e kemi ilegale

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 shtator 2020 Në ora: 18:21
Lëvizja Vetëvendosje

Në një intervistë për “Bota sot”, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni ka komentuar situatën aktuale në Kosovë.

Hyseni u shpreh që Kosova është në një gjendje me një qeverisje jo legjitime dhe president që lufton e pretendon të zhbëjë veprimet e tij të mëparshme.

Duke vazhduar Hyseni përmend edhe takimin në Uashington në të cilën e quan listë të zotimeve e jo marrëveshje ndërkombëtare, duke i sjellë kështu dëme Kosovës.

Tutje Hyseni përmend edhe gjendjen e krijuar nga pandemia duke e cilësuar aspak të menaxhueshme nga qeveria Hoti, ai shton që procesi i licencimit të laboratorëve privatë për testime ishte kryevepër që vetëm një qeverisje koti mund të bëjë.

I pyetur për mocionin që kanë iniciuar Hyseni u shpreh që pavarësisht deklarimeve se subjekti kuazi opozitar PDK po vazhdon të bëjë, deri më tani nuk kemi nënshkrimet e deputetëve të tjerë.

Image
Alban Hyseni

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në Kosovë?

Alban Hyseni: Aktualisht jemi në një gjendje ku Kosova është me qeverisje jo legjitime dhe jo legale. Në anën tjetër, ndikimet politike dhe tejkalimet e kompetencave kushtetuese nga shumë akterë të cilët mbajnë pozicione udhëheqëse e drejtuese nuk ka qenë asnjëherë më i madh. Qeveria aktuale ka dy vota (nga gjithsej 61 sa ka në total e që i duhen për të kaluar në kuvend) që janë të kontestueshme, ku njëra prej tyre është e jashtëligjshme sepse deputeti nga komuniteti jo shumicë, z. Arifi është i dënuar më aktgjykim të plotfuqishëm, ndërsa vota tjetër, nga z. Shala është votë e ndikuar nga Presidenti dhe kryetari i AAK-së është ndikim në zhvillimet politike përtej kompetencës së përcaktuar kushtetuese për presidentin. Kosova pra është në një situatë ku kemi qeverisje jolegjitime dhe ilegale si dhe president që lufton e pretendon të zhbëjë veprimet e tij të mëparshme.

“Bota sot”: Çfarë mendoni për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, a ishte në dëm të Kosovës?

Alban Hyseni: Dokumenti i nënshkruar në Uashington, i cili në disa raste po promovohet si marrëveshje e në disa si listë e zotimeve, nuk paraqet marrëveshje ndërkombëtare. Ajo më shumë është zotim individual i dy palëve pranë një pale të tretë. Përmes këtyre zotimeve z. Hoti e suspendoi shtetësinë e Kosovës për plotë një vet; i dha të drejtë Serbisë të përfshihet në resurset vendore, përkatësisht Ujmanit; i dha të drejtë Serbisë të vendosë për linjat rrugore dhe hekurudhore brenda Kosovës në mënyrë që ajo të dale në det në Shqipëri; e mohoi pikën kufitare me Serbinë në Merdare si ndërshtetërore, e bëri Serbinë pjesë të çështjeve energjike të Kosovës; ia legjitimoi Serbisë hegjemoninë në Ballkan përmes pranimit të zonës së Novi Sadit; dhe duke ia hapur derën e Shtëpisë së Bardhë Serbisë, derë kjo tradicionalisht e hapur vetëm për Shqiptarët, dëmtoi rëndë relacionin tonë strategjik me ShBA-në pasi tash e tutje, me hapjen e zyrës së DFC në Beograd, dhe vetëm në Beograd, Serbia është shndërruar në qendër ekonomike regjionale për kompanitë amerikane.

“Bota sot”: A do të jetë kërkesa e radhës e delegacionit të Kosovës njohja reciproke?

Alban Hyseni: Do të ishte mirë të tregohej se cila është kërkesa e vetme që kanë bërë në takimin e fundit në Uashington. Asnjë kërkesë të vetme nuk e kanë bërë atje, asnjë pikë në dokumentin e nënshkruar nuk e kanë ndryshuar, hequr ose shtuar. Se dialogu po zhvillohet për njohje na është thënë që nga 2011-ta. Në vend të njohjes, deri sot na sollën vetëm kompromise të dëmshme për Kosovën. Emëruesi i përbashkët i të gjitha qeverive të më hershme që kanë udhëhequr me Dialogut e që kanë thënë se po sjellin njohjen është mungesa e listës së kërkesave ndaj Serbisë, Platformës së Dialogut të votuar nga shumica e kualifikuar në Kuvend dhe ekipit negociator legjitim. Pra, nuk e besoj që kjo përbërje që nuk ka bazën e përfaqësimit nga kuvendit, që nuk e ka të aprovuar ekipin dhe platformën nga kuvendi do të jetë në gjendje të garantojë njohjen e plotë të Serbisë.

“Bota sot”: Si e komentoni shfrytëzimin e liqenit të Ujmanit edhe nga shteti i Serbisë?

Alban Hyseni: Është për të ardhur keq që në seancën e plenare, ku z.Hoti ishte i ftuar për raportim pranë deputetëve dhe kuvendit të Kosovës bënte ngatërresa duke menduar se liqeni i Ujmanit është i krahasueshëm dhe i njëjtë me atë të Shkodrës dhe Ohrit. I pari është liqen artificial i cili ekziston për nevoja të Kosovës sepse Kosova e ka ndërtuar atë me paratë e saj, kurse dy të tjerët janë liqene natyrore të cilat kanë ekzistuar aty para se shtetet të cilat kufizohen me to të jenë formuar në radhë të parë. Ky dallim është i pakapërcyeshëm. Por jo edhe për z. Hoti i cili është i gatshëm t’i trajtojë ata njësoj e rrjedhimisht të zbatojë edhe konventa ndërkombëtare të cilat janë të pazbatueshme për cështjen e Liqenit të Ujmanit. Liqeni i Ujmanit është i rëndësisë esenciale për Republikën tonë. Ai përbën 70% të totali të pelgjeneve tona ujore, derisa Kosova është vendi më i varfër për nga resurset ujore në Evropë. Dhe ky resurs, sipas zotimve të Hotit, do të ndahet për përdorim të përbashkët me Serbinë e cila asnje cent nuk e ka dhënë për këtë liqene, e që do ta përdorë për herë të parë që nga ndërtimi i këtij liqeni. Liqeni i Ujmanit është 100% i Kosovës. Çdo ndarje e tij, qoftë edhe për përdorim të përbashkët është në dëm të pakthyeshëm për Kosovën. Për më tepër, futja e duarve në pasurinë e vendit nga ana e shtetit serb, është hapja e një dere shumë të rrezikshme për të ardhmen e bisedimeve. Nuk është dashur në asnjë formë të lejohet hapja e një teme të tillë ku shteti serb lejohet të hap tema të atilla që kanë të bëjnë me pasurinë dhe resurset e vendit.

“Bota sot”: Në anën tjetër, si e shihni menaxhimin e qeverisë Hoti me luftën kundër pandemisë,a është koha që të lirohen masat?

Alban Hyseni: Koha kur jolegjitimët e morën qeverisjen përmes një procesi të kontestuar e jo legal, numri i rasteve ishte në minimum. Skandalet me të cilat është përcjellur menaxhimi i pandemisë si dhe gabimet e papërgjegjësia e vartësve të marionetës që po udhëheq kryeministrinë janë të shumta. Numri i rasteve shënoi ngritje enorme e po ashtu edhe numri i rasteve të vdekjeve- për vetëm 100 ditë në Kosovë janë shënuar mbi 13,000 të infektuar dhe mbi 600 raste fatkeqe. Të shumta ishin rastet kur dyshohej për dështime të sistemit të oksigjenimit. Të shumta ishin rastet kur pacientët e shtrirë në institucionet shëndetësore ishin në limitin e kapaciteteve. Të shumta ishin rastet kur testi për virus ishte privilegj e jo nevojë. Të shumta ishin dhe janë rastet kur familjarët e të pacientëve duhet të kujdesen vet për familjarët e tyre e pasi qëndrojnë me ta duhet prap të dalin jashtë, duke rrezikuar vetën fillimisht e të tjerët më pas. E për fund, na ruajtën kurorën. Procesi i licencimit të laboratorëve privatë për testime ishte kryevepër që vetëm një qeverisje koti mund të bëjë. Ende nuk kemi marrë qasje në dosjet dhe dokumentacionin e plotë të aplikacioneve dhe procesit të licencimit, pavarësisht që ka një kohë të gjatë që kemi bërë një kërkesë të tillë. Sa i përket masave, ju e dini që masat janë liruar kohë më parë. Tani kemi restaurante që funksionojnë por deri para pak kohësh jo edhe kopshtet për fëmijë. Kemi kafiteri që punojnë për një kohë të gjatë, por jo edhe bibliotekat. Janë veprime jo edhe aq të menduara, jo të logjikshme, e në shumë raste edhe të gabuara. Edhe nëse vendosin të lehtësojnë masat, nuk e besoj që e kanë dijen, guximin e qëllimin që këto veprime të jenë në të mirë të qytetarëve.

“Bota sot”: Kohëve të fundit është diskutuar edhe posti i presidentit, a do të duhej Thaçi të vepronte sikur Haradinaj të jepte dorëheqje para se të shkonte në Hagë?

Alban Hyseni: Në kushte normale, përfshirja e një personi publik e me një pozicion të tillë si puna e presidentit, kryeministrit ose të ngjashme do të duhej të nxiste reagim edhe nga personi që bartë atë përgjegjësi. Mirëpo, ju e dini që tek ne, në pak raste kemi hasur dhe kemi pasur zyrtarë të lartë që veprojnë kështu. Unë nuk mund të komentojë veprimet e z. Thaçi, unë vetëm mund të ritheksojë qëndrimin se Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte i vetmi subjekt politik, përfaqësuesit e së cilës nuk e kanë votuar krijimin e Gjykatës Speciale. Tani po i shohim edhe pasojat e kësaj gjykate, për të cilat, qysh në kohën e krijimit/votimit të saj ne e kemi pasur parasysh dhe kemi paralajmëruar për to.

“Bota sot”: Sipas jush kush nëse presidenti Thaçi jep dorëheqje cili mund të jetë presidenti adekuat që mund të sjellë ndryshime për vendin?

Alban Hyseni: Presidenti ka afatin dhe mandatin e tij. Në rast se ai duhet dhe detyrohet të jap dorëheqje, atëherë ne kemi aktin më të lartë në vend Kushtetutën që ka paraparë dhe rregulluar këtë situatë.

“Bota sot”: Javën e kaluar është organizuar një aksion nga policia të cilët mbyllen lokalë ilegale në fshatin Karaçevë pas një viti hetim, a do të duhej që ky aksion të mirrej më herët pasi veçse kanë qenë në njohuri policia për ushtrimin e veprimtarive ilegale?

Alban Hyseni: Çështja e veprimtarive ilegale nuk është prezente vetëm në Karaçevë dhe nuk është se informacionet për këto veprimtari nuk i kanë pasur më parë institucionet. Dukuritë e tilla ilegale, ku ka përfshirje të krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit etj., janë veprimtari ilegale që kërkojnë analizë paraprake, hulumtim e metodikë kriminalistike që sigurojnë se kurdo që goditet një situatë dhe veprimtari e ngjashme atëherë të goditet aty ku është e domosdoshme, pra në kokë. Në aksionin e Karacevës, Policia e Kosovës ka bërë punën e saj, mirëpo nëse analizojmë veprimet dhe rezultatet e kuptojmë menjëherë që nuk është arritur ajo që është dashur. Nuk kemi asnjë pronar të kazinove të arrestuar, nuk kemi sasi të mëdha të parave të konfiskuara, sasive të narkotikëve, dukurisë së trafikimit e të ngjashme. Siç ka thënë edhe Kryetari i vet Gjykatës Themelore në Gjilan, gjatë këtij aksioni nuk janë arrestuar akterët kryesorë të krimit, por vetëm ata që kanë qëlluar rastësisht aty. Koka e krimit dhe veprimit ilegal është në Prishtinë, manifestimi në Karaçevë, ndërsa goditja do të duhej të bëhej edhe në Prishtinë e jo vetëm në Karaçevë.

“Bota sot”: Ju si VV keni iniciuar një mocion për rrëzimin e qeverisë, çfarë ka ndodhur deri tani me nënshkrimet?

Alban Hyseni: Pavarësisht deklarimeve se subjekti kuazi opozitar PDK po vazhdon të bëjë, deri më tani nuk kemi nënshkrimet e deputetëve të tjerë. Kjo tregon edhe më shumë për situatën në të cilën jemi. Lëvizja VETËVENDOSJE! është bindshëm subjekti i parë në Kosovë. Sipas të gjitha sondazheve, ne do të jemi shumë larg nga i dyti e shumë afër krijimit të institucioneve pa përkrahje nga subjektet e tjera. Në anën tjetër, ne e kemi edhe raportin nga departamenti i shtetit amerikan ku qeveria Kurti përmendet për masat e saj kundër krimit të organizuar e korrupsionit si dhe pamundësimit të jetësimit ose institucionalizimit të këtyre masave për shkak të rrëzimit të qeverisë. Kjo flet shumë. Këtu edhe e kanë problemin kasta e vjetër politike e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat