Jusuf Buxhovi tregon si duhet të themelohet Asociacioni, ‘godet’ rëndë politikanët e Kosovës

Intervista

Jusuf Buxhovi tregon si duhet të themelohet Asociacioni, ‘godet’ rëndë politikanët e Kosovës

Nga: P.R Më: 19 tetor 2020 Në ora: 20:03
Jusuf Buxhovi

Gjatë javës së kaluar, Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Kosovë deklaroi se nuk do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa përfshirjen e Asociacionit të Komunave serbe.

“Nëse nuk ka vullnet për marrëveshje, nuk do të ketë marrëveshje. Nëse nuk ka marrëveshje nuk ka normalizim e nuk do të ketë marrëveshje pa asociacion. Ne nuk kërkojmë ta rihapin tekstin, por vetëm të implementojnë atë çka është nënshkruar. Gjithçka çka është dakorduar, duhet të implementohet”, tha Lajçak.

E në Serbi Lajçak shkoi edhe më larg. Ai kërkoi që Kosova ta ndryshojë Kushtetutën e vendit, në mënyrë që të mundësohet formimi i Asociacionit të Komunave serbe.

“Dhe askush nuk tha që ishte e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibla. Nëse biem dakord për çështje serioze, atëherë sigurisht që duhet të pasqyrohet në Kushtetutë”, deklaroi Lajçak midis Beogradi.

Lidhur me atë se a duhet të formohet Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur historiani i njohur, Jusuf Buxhovi.

Sipas tij, Asociacioni është çështje kushtetuese dhe duhet të themelohet pa kompetenca ekzekutive.

Historiani Jusuf Buxhovi, vlerëson se Lajçaku nuk i ka krijuar problemet me të cilat sot po ballafaqohet Kosova në raport me Beogradin, por politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës që kanë hyrë në pazare të ndryshme me Serbinë në dëm të sovranitetit të Kosovës! Buxhovi, thekson se Kushtetuta nuk është Bibel, e as të anatemohen ata që kërkojnë ndryshimin e saj, por duhet që të respektohen procedurat demokratike-parlamentare që e mundësojnë atë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Kosovë deklaroi se nuk do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa përfshirjen e Asociacionit të Komunave serbe. “Nëse nuk ka vullnet për marrëveshje, nuk do të ketë marrëveshje. Nëse nuk ka marrëveshje nuk ka normalizim e nuk do të ketë marrëveshje pa asociacion”. Si e shihni ju këtë?

Buxhovi: Asociacioni i komunave është çështje kushtetuese. Është futur në saje të kompromiseve të Pakos së Ahtisarit. Kjo as që duhet të diskutohet, pos të zbatohet. Nga viti 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës (GJND), shpalljen e pavarësisë e ka deklaruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, është deshtë që Kosova, t’i përmbush edhe obligimet kushtetuese. Pra, është deshtë që çështjen e asociacionit ta trajtojë me prioritet dhe ta themelojë siç shkruan në kushtetutë – pa kompetenca ekzekutive. Po qe se kjo do të bëhej, e është dashtë bërë, atëherë sot nuk do t’i kishim problemet që i kemi dhe as nuk do të kishim debatet “e nxehta”, rreth atyre që u thanë nga Lajçaku dhe të tjerat që pritet të thuhen edhe më tutje për t’u thurur gjithfarë teori “konspirative” që gjoja Kosovës po i vinë nga jashtë dhe të ngjashme me të cilat fajtorët e kësaj gjendje, ata që nënshkruan marrëveshjet e vitit 2013 dhe2015, hudhin topin gjetiu dhe madje kthehen edhe në “gardien” të sovranitetit të Kosovës, kur dihet se atë e kanë rrezikuar dhe po e rrezikojnë nga të gjitha anët, veprim ky, që për fat të keq, u ratifikuan edhe në Parlamentin e Kosovës! Është e çuditshme se diskursi i “rrezikimit të sovranitetit nga jashtë”, vazhdon të mbllaçitet nga pjesa më e madhe e klasës politike si dhe mediumet, që madje edhe bëjnë sondazhe “të armiqësisë”, ndërkohë që harrohet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shumë nga nenet e këtyre marrëveshjeve i shpalli antikushtetuese, me çka çështja është deshtë të kthehet te pika zero dhe nënshkruesit të vihen para përgjegjësisë politike dhe juridike. Ndaj, nuk është e habitshme, që të tillët, kanë vazhduar me avazin e prapaskenave në dëm të sovranitetit të shtetit të Kosovës, që e pamë gjatë këtyre dy-tri viteve të fundit, që për pikënisje kishte veprimet antikushtetuese të Presidentit të Kosovës, po edhe përkrahësve të tij të shumtë nga radhët e politikanjve të korruptuar dhe të shantazhuar në forma të ndryshme, të cilave iu desh edhe ndërhyrja ndërkombëtare (ajo amerikane) që të ndërpriten.

“Bota sot”: Lajçaku tha se ne nuk kërkojmë ta rihapin tekstin, por vetëm të implementojnë atë çka është nënshkruar. Gjithçka çka është dakorduar, duhet të implementohet”.Mos do të thotë kjo që të implementohen marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, që Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese?

Jusuf Buxhovi: Lajçaku nuk tha ndonjë të pavërtetë dhe nuk shpifi gjë. Përkundrazi, tha se duhet të implementohen ato që janë nënshkruar dhe ratifikuar në Parlamentin e Kosovës. Dhe, kur shikohet teksti i nënshkruar, theksohet edhe çështja e implementimit juridik të marrëveshjeve, që është fare e natyrshme. Por, implementimi juridik, që ka të bëjë pakon e infrastrukturës juridike që kërkon statusi i asociacionit siç e parasheh kushtetua e Kosovës, ka munguar dhe mungon. Me sa di, Qeveria e Kosovës dhe komisionet parlamentare, përkundër ndonjë deklarimi se po punojnë diçka, ende nuk kanë dalë me versionin zyrtar të statusit të asociacionit para Kuvendit të Kosovës me çka do t’i hapeshin dyert themelimit të asociacionit. Me këtë veprim, shteti i Kosovës do të përmbushte obligimet kushtetuese dhe do të krijonte rrethana normale për integrimin e pakicës serbe në sistemin juridik dhe kushtetues të Kosovës. Në vend të kësaj, ne kemi lojërat politike si dhe prapaskenat e ndryshme në relacionet Prishtinë-Beograd, që një detyrim kushtetues e kanë kthyer në objekt të manipulimeve dhe pazareve politike, që si u pa në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, Serbisë i mundësuan implikim të drejtpërdrejt politik në çështjet e sovranitetit të vendit. Andaj, Lajçaku i është referuar këtyre marrëveshjeve të ratifikuara në Parlamentin e Kosovës. Natyrisht se ai këtë e ka bërë, ngaqë nuk ka marrë përgjigjen e duhur se pjesët e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetutës janë shpallur antikushtetuese dhe as që i është parashtruar teksti i ndonjë statusi të asociacionit që është dashtë të hartohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Bota sot”: E në Serbi Lajçak shkoi edhe më larg. Ai kërkoi që Kosova ta ndryshojë Kushtetutën e vendit, në mënyrë që të mundësohet formimi i Asociacionit të Komunave serbe. “Dhe askush nuk tha që ishte e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibla. Nëse biem dakord për çështje serioze, atëherë sigurisht që duhet të pasqyrohet në Kushtetutë”. Si e shihni ju këtë dhe a përbën kjo një rrezik për Kosovën?

Buxhovi: Ato që deklaroi Lajçak në Beograd, u interpretuan në mënyra të ndryshme në Prishtinë dhe në Beograd, të shumtën si “fajësime” dhe “shfajësime”, gjë që doli se shumë nga ato deklarata nuk ishin autentike, por pjesë e opinioneve të arrnuara. Sidoqoftë, harrohet ose anashkalohet qëllimisht fakti se ai iu referua marrëveshjeve të nënshkruara, të ratifikuara nga parlamenti i Kosovës me dy të tretat e votave, gjë që Kosovën e fut në obligim ndërkombëtar. Natyrisht, se rrugëdalje nga ky qorrsokak i krijuar nga politikanët tanë dhe assesi nga Lajçak dhe të tjerë që edhe mund të kenë pretendime të ndryshme politike kur hyhet në pazare të tilla, duhet kërkuar tek interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, meqë ajo kudo është gardiane e kushtetutshmërisë. Kosova mundet dhe duhet ta përdor këtë argument, siç do ta përdorte çdo shtet tjetër sovran kur ballafaqohet me situatat e ngjashme. Por, siç po shihet, te ne, ata që kanë sjellë këtë gjendje, për t’i ikur përgjegjësisë, ose që t’u mbesin besnik pazareve të ndryshme në dëm të shtetit, përpiqen që të krijojnë mjegull politike dhe mediale!

A duhet të formohet Asociacioni dhe te ndryshohet Kushtetuta?

Buxhovi: Asociacioni është obligim kushtetues dhe duhet të themelohet sa më parë, siç theksova, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, pra pa kompetenca ekzekutive. Ky obligim nuk duhet të jetë çështje e bisedimeve ose marrëveshjeve politike me Beogradin ose me faktorin ndërkombëtar, meqë del nga kornizat kushtetuese, siç ndodhi në të vërtetë. Ndërsa, sa i përket ndryshimit të kushtetutës, ose ndryshimeve kushtetuese, ato janë të mundshme dhe të natyrshme. Pra, nuk është kurrfarë gabimi të thuhet se Kushtetua nuk është Bibël. Madje, Kosova, ka nevojë për disa ndryshime kushtetuese që erdhën si kompromise të pavarësisë, që do t’i ndihmonin demokratizimit të vendit si dhe forcimit të sovranitetit shtetëror. Por, ndryshimet e kushtetutës duhet t’u nënshtrohen procedurave demokratike-parlamentare, që në rastin e Kosovës, kërkojnë konsensusin e dyfishtë: atë të dy të tretave të votave dhe konsensusin e pakicave, po ashtu me dy të tretat, që praktikisht, në këto rrethana është i pamundshëm. Edhe përkundër këtyre rrethanave, kërkesat për ndryshime kushtetuese nuk duhet anatemuar e as përjashtuar, ngaqë ato janë e drejtë demokratike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat