Tomë Gashi: Kadri Veseli mund të ketë informacione për rastin e Astrit Deharit

Intervista

Tomë Gashi: Kadri Veseli mund të ketë informacione për rastin e Astrit Deharit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 tetor 2020 Në ora: 12:10
Tomë Gashi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “ Bota sot”, avokati Tomë Gashi ka thënë se rasti i Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ka qenë një vrasje.

Sipas tij, një rast aq i trishtueshëm dhe i rëndë sa që truri i njerëzve normal, nuk mund as ta imagjinoj se gjëra të tilla mund ti bëjnë shqiptarët, shqiptareve për shkaqe politike.

Avokati Gashi ka folur edhe për disa gjëra që janë mbajtur të fshehta deri më tani, në burgun e Prizrenit, pikërisht në qelinë ku kishte qëndruar Astrit Dehar

Gashi ka folur edhe për zhvillimet politike në vend, ku kritikon qeverinë Hoti për veprimet e saj, e gjithashtu edhe Gjykatën Speciale.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Çfarë po ndodh me rastin “Dehari”?

Tomë Gashi: Rasti i vrasjes se Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është rasti më i dhimbshëm, që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës. Është një rast aq i trishtueshëm dhe i rëndë sa që truri i njerëzve normal, nuk mund as ta imagjinoj se gjëra të tilla mund ti bëjnë shqiptarët, shqiptareve për shkaqe politike, sepse Astrit Dehari është vrarë në burg në tentativë që nga ai të nxjerrin deklarata vetë-inkriminuese, si dhe mllefi i atyre që janë kundër LVV-se, e që dëshironin me mish, e me shpirt ta involvonin në rastin e gjuajtjes me granatahedhës Albin Kurtin dhe zyrtarë tjerë të lartë të LVV-se, që të mund ta shpallnin LVV organizatë terroriste, t’ia ndalonin punën LVV-së, dhe ti akuzonin për veprime kinse terroriste Albin Kurtin dhe të tjerët. Të gjithë njerëzit e ndershëm posaçërisht pas publikimit të ekspertizës së pavarur të Dr. Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj e kanë ditur se Astrit Dehari është vetëvrarë dhe nuk kanë pasur kurrfarë dilemash për këtë. Por posaçërisht pas marrjes se ekspertizës nga Instituti Zviceran i Mjekësisë Ligjore në Lozanë ishte e qartë si kristali se Astrit Dehari është vrarë, ekspertiza zvicerane në tërësi eliminojë edhe mundësinë teorike të vetëvrasjes, dhe përmes gjurmëve të ADN-së u vërtetua edhe pjesëmarrja e personave të tretë. Ekspertet zviceran konstatuan këto fakte në aspektin mjekësor, ndërsa në aspektin juridik, kjo i bijë vrasje dhe askush nuk mund të ketë dilema të tjera. Tanimë për dy ditë në Prishtinë qëndruan ekspertet e mjekësisë ligjore të cilët u ftuan nga Prokurori i shtetit z.Aleksander Lumezi dhe fillimisht njoftmi i Prokurorisë Speciale, e cila tani me e ka rastin, ishte se ekspertet zviceran do të japin sqarime të caktuara, por në esencë doli e kundërta, ata kërkuan sqarime nga Institucionet tona, duke përfshirë ekspertë tanë të mjekësisë ligjore, ekspertë të Forenzikes dhe ekspert të lëmive të tjera, ku po ashtu u konstatua se ka mungesë të theksuar të grumbullimit të provave dhe një mori provash fare nuk ishin marrë nga hetuesit dhe ekspertet vendorë, për arsyeje të panjohura. Tani ata-ekspertet zviceran do ta dërgojnë edhe një raport shtesë për këtë çështje.

“Bota sot”: Ku kanë qenë këta dëshmitarë të rinjë deri më tani, që nuk kanë folur për rastin “ Dehari”?

Tomë Gashi: Sigurisht që përveç dëshmitarëve që i njohim dhe që janë marrë në pyetje ka edhe dëshmitarë të tjerë të cilët kanë njohuri për rastin e vrasjes së Astrit Deharit dhe Prokuroria Speciale e Kosovës ka informata se dëshmitarë të tjerë janë lajmëruar. Madje njëri prej të cilëve thotë se ka dëgjuar, britma dhe kërkesa të Astrit Deharit për ndihmë në ditën e vrasjes së tij, por se kjo nuk i është lejuar nga një gardian në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me emrin Daut Kastrati. Është lajmëruar edhe një avokat i cili thotë se në ditën kritike kur është vrarë Astrit Dehari ka qenë për vizitë tek një klient i tij në QPP në Prizren dhe situata ka qenë kaotike. Ndërsa sipas tij, kjo ka ndodhur paradite, gjë që është shumë e jashtëzakonshme dhe ai sigurisht që do ti jap sqarime prokurorisë, ngase me lejen e tij unë e kam njoftuar prokurorinë që ta intervistojë. Por është e çuditshme se si Prokuroria Speciale, nuk ka guxuar as ti shkojë ndërmend, e leje ma ta intervistojë Kadri Veselin, ish- Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, dhe ish Kryetarin e SHIK-ut, i cili në një televizion ka deklaruar haptazi që Astrit Dehari është vrarë. Sigurisht që unë besoj që Kadri Veseli mund të jetë njeri prej personave më të informuar në Kosovë, për shumë çështje, kështu që edhe ai do të mund të ndihmonte me njohurit e tij që i ka në lidhje me hetimin e rastit të vrasjes së Astrit Deharit.Po ashtu edhe Hashim Thaçi në një televizion ka dhënë deklarata kontraverze për rastin e vrasjes së Astrit Deharit, duke thënë po ashtu një debat televiziv: “ se Astrit Dehari është vrarë, pastaj ka vdekur “ dhe prapë se prapë PSRK as që ka guxuar ta fto Thaçin e të jep sqarime, respektivisht ti ndihmojnë Prokurorisë me informatat e tyre, që i ka si zyrtari më i lartë shtetëror lidhur me rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Prokurorisë Speciale i kemi kërkuar që ta marrë në pyetje edhe ish -prokurorin, tani në pension Sylë Hoxha, por as këtë gjë nuk e kanë bërë.

“Bota sot”: Çfarë të reja ka nga ekspertiza zvicerane?

Tomë Gashi: Ekspertet zviceran pas qëndrimit dy ditor në Kosovë do të përpilojnë një raport shtesë pas marrjes së sqarimeve nga Institucionet tona, ndërsa ata së bashku me mua, me prokurorin e rastit, gjyqtarin hetues, dhe tjerët kemi qenë në Burgun e Prizrenit ku e kemi parë qelinë ku ka qëndruar Astrit Dehari për 78 ditë, dhe ku asnjëherë nuk është marrë në pyetje zyrtarisht. Po ashtu kemi parë edhe disa dyer për të cilat nuk është ditur më herët që e lidhin Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me stacionin policor, e të cilat janë mbajtur të fshehta nga zyrtaret e burgut, në intervistimet e tyre të vitit 2016.

“Bota sot”: Cili është epilogu tragjik i rastit “Dehari” sipas jush?

Tome Gashi: Rasti i vrasjes se Astrit Deharit si epilog duhet të ketë gjetjen e vrasësve të tij, akuzimin e përgjegjësve për shtytje në vrasje, dhe akuzimin e atyre që e kanë mbajtur për rreth 4 vite të fshehur. vrasjen e Astrit Deharit.

“Bota sot”: Ndërrojmë temë dhe dalim në skenën politike në vend. Si i shihni zhvillimet e fundit, gjegjësisht takimet e liderëve politik?

Tomë Gashi: Pas rrëzimit të Qeverisë më të mirë që Kosova ka pasur që nga viti 1999 e deri më sot-Qeverisë së Albin Kurtit, tani kjo qeveri e Kosovës është qeveri e pazareve të partive të cilat u ndjenë të rrezikuara nga puna e drejtë e Albin Kurtit. Këta janë aty për pazare të tyre, duke e shantazhuar për poste njeri -tjetrin, duke i grindur për çdo gjë, rreth përfitimeve të veta, dhe duke e lënë Kosovën thjeshtë të shkatërrohet, thuajse ata nuk janë pjesë e vendit, ku edhe ata vetë jetojnë.

“Bota sot”: Çfarë po ndodh me koalicionin sipas jush dhe a mendoni se ka përçarje në koalicion?

Tomë Gashi: Koalicioni është i brishtë, më tepër është duke punuar që ti bëjë favore Serbisë edhe përmes marrëveshjes që ata e quajnë historike në Uashington, e që në esencë ishte histerike dhe shumë e dëmshme për ne. Ju po e vëreni që brenda vetëm dy ditësh në dy raste u vodhën miliona e miliona euro, të buxhetit të Kosovës dhe askush nga zyrtarët e lartë shtetëror asnjë përgjegjësi nuk e dha, madje ata vazhdojnë punën sikur të mos kishte ndodhur asgjë, dhe thjesht nuk shqetësohen fare për shkak se ata e dinë se ne nuk kemi prokurori të fuqishme që do ti hetonte të gjithë ata që mund të jenë përgjegjës, deri tek zyrtarët më të lartë shtetëror. Dhe për këtë arsyeje tani është bërë edhe pak sa qesharake thënja e kryeministrit Hoti një ditë para se të vidhet thesari me mbi 2.1 milion euro, se "ende nuk keni parë asgjë" dhe të nesërmen pamë edhe grabitje të kasafortës 300 kg të AVUK.

“Bota sot”: Kush i vodhi 2 milion euro? Dhe si është e mundur të ndodh një vjedhje e tillë dhe një shumë aq e madhe, nga thesari i shtetit?

Tomë Gashi: Sigurisht që hetimin e vjedhjes marramendëse prej 2.1 milion nuk mund ta bëjë askush vetë, por ka ndërlidhje me zyrtarë të lartë shtetëror. Por këtë duhet ta thotë Prokuroria, por sido që të jetë përgjegjësia është e tyre, sepse këta zyrtarët e "vockël" duhet të jenë nën kontroll , të zyrtarëve të mëdhenj të tyre.

“Bota sot”: Si i shihni zhvillimet e fundit të Speciales në raport me Thaçin dhe Veselin?

Tomë Gashi: Gjykata Speciale është një monstrum të cilën e ka krijuar vetë Thaçi, dhe i cili monstrum po i hakmerret me ngritje të akuzës edhe kundër tij. Gjykata Speciale po ashtu është një prej temave më të rënda që Kosova, në kuptimin se tanimë veç i kemi 3 ushtarë të UÇK-së të arrestuar në burg në Hagë, dhe nuk kemi e as që do ta kemi atje kurrë asnjë serb. Ndërsa deklarata kinse patriotike por në esencë shumë e dëmshme se Gjykata Speciale do ta pastrojë Luftën e pastër të UCK-së, po na njollosë të gjithëve që jemi shqiptarë. Po na njollos kombin shqiptar, dhe po i njollos edhe ata që thirrën në luftë, edhe ata që kanë pasur benefite për mbi 20 vite për shkak të luftës, sepse kauzat e Gjykatës Speciale janë tepër të rënda për një popull të vuajtur, si ne shqiptarët, si dhe për një shtet të ri siç është Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat