Ali Ibër Nezaj i Lidhjes së Prizrenit, që nuk e bënë “hero i popullit”, por tani ngrihet dhe në shtatore në Shqipëri e në Kosovë

Intervista

Ali Ibër Nezaj i Lidhjes së Prizrenit, që nuk e bënë “hero i popullit”, por tani ngrihet dhe në shtatore në Shqipëri e në Kosovë

Nga: Ramiz Lushaj Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 17:01
Ftesa

-Intervistë me skulptorin Isa Baliaj, Mjeshtër i Madh, autor i shtatores së Ali Ibër Nezaj, që do të vendoset me 14 Nëntor 2020 edhe në vendlindjen e tij, në Tropojë, dhënë gazetarit Ramiz Lushaj-

-Si u njohët me figurën e patriotit Ali Ibër Neza, për të realizuar shtatoren e tij në bronx?

-Po, kjo është një ndër veprat më të dashura të krijimtarisë time. Arsyet janë disa. Figura e këtij strategu dhe atdhetari është frymëzuese, si nga veprimtaria e tij, ashtu dhe nga paraqitja fizike.

Rëndësi të madhe ka fakti se unë, shumë herët, si fëmijë dëgjoja në odat e burrave këngë dhe histori të ndryshme.

Unë në mendjen time e kisha ndërtuar këtë figurë, dhe erdhi dita ta realizoj.

Ju e dini që në vitin 1978 iu dha titulli “Hero i Popullit”, Sulejman Vokshit, Abdyl Frashërit dhe Mic Sokolit, por u përjashtua nga ky titull Ali Ibër Nezaj për arsye se ishte arratisë një pasardhës i tij. Pra, si i thoshin atëherit, kjo “ja prishi biografinë…”! Sa e pakuptimtë! Unë vërtetë e ndjeva fyerjen që iu bë këtij burri të shquar. Në të gjitha këngët ishin bashkë dhe i ndanë… Kujtojmë këngën: Mic Sokoli po pisket /Ali Ibres po i thërret /etj etj.

Por, ja, vjen dita e vlerësimit. E vendosi shtatoren e tij qyteti i Gjakovës në vitin 2012 dhe tani po e vendosë edhe Malësia e Gjakovës në qytetin tonë me kontributin e Familjes Nezaj. Kjo të bën krenar, jo veç mua si autor, por dhe familjen e krahinën e tij, Kombin tonë, i jep vlerë qytetit tonë që vazhdimisht po ndryshon pamjen e vet për mirë.

- Si ju çuan këto njohje të hershme tek frymëzimi për veprën tuaj skulpturale!

-Pavarësisht nga njohuritë që po them se i mora nga populli, unë jam angazhuar edhe kohëplotë edhe në ngritjen e Muzeut Historik të Rrethit, që renditej në muzetë më të mirë të kombit. Atë e ngritëm duke ndejtur netë pa gjumë dhe vërtet doli i shkëlqyer si aranxhim dhe për vlerat artistike e historike. Ai qe dhe si një shkollë për ne. Historianët e nderuar Elez Qerimi, Dodë Progni e Sherif Basha gërmuan arkivat, realizimin e periudhave e bënë piktorët Hajdar Danjolli, Nazmi Hoxha e Adullah Gjongeci. Unë ndiqja punimet në gur e dru dhe e realizova fasadën e Muzeut në bronx. Dola pak nga pyetja juaj, por për figurën e Ali Ibër Nezës aty u fol shumë dhe vërtetë kishte çka të flitej…

Rreth vitit 1980 unë duke pa bosh një shatërvan në mes dy Komiteteve të atëhershme, siç thirreshen atëherë, bana një bocet me një shqiponjë (shpend) me krahë të hapur dhe dy buste të Ali Ibres e të Mic Sokolit, që për mendimin tim ishte dhe një simbolikë e bukur e dy fiseve që gjithmonë kanë qënë të lidhura me njëri-tjetrin.

Unë kam njohur dhe kam patur miqësi të mirë me shkrimtarin Sulejman Krasniqi dhe kur po shkruante romanin Mic Sokoli shkoi në arkivat austriake. -U habita,- më tha ai,- sa shumë herë më dilte emri i Ali Ibrës e nganjëherë dhe përshkrimi fizik i tij, si veshja elegante në tirq, mitan e jelek e një burrë i paraqitshëm, i zgjuar si një diplomat.

-Për veprën tuaj për Ali Ibër Nezaj a kishit për bazë ndonjë foto apo krijim të maparshëm?

-Foto të patriotit Ali Ibër Nezaj nuk kishte, ashtu sikurse as bashkëluftëtarët e tij, por kur u ngrit Muzeu Historik i Rrethit të Tropojës, u krijua një portret sipas përshkrimeve dhe e realizoi një vizatim Abdullah Cangonji, një piktor që kishte eksperiencë në realizime të tilla.

Kur e realizova shtatoren më sollën një figurë në pikturë, nuk di nga kush, që dukej se është bazuar tek ajo e Muzeut. Unë iu qëndrova besnik këtyre dy varianteve, por njoha dhe shumë pasardhës të tij, që të kujtojnë se është i atij fisi, i asaj rrace të fisme, që përgjithësisht janë të pashëm.

-Ju, si autor, si e ndjeni veten kur sheh realizimet e tua, veprat e tua, në sheshe a lulishte…?

-Kjo, mbi të gjitha më jep kënaqësi, pa e fshehë dhe krenarinë, aq më shumë kur për to mbahet qëndrim pozitiv i opinionit.

Për mua vendosja në bronx e një vepre, edhe si kjo e Ali Ibër Nezaj, është vlerësim, një vlerësim i madh. Ajo nuk mbetet më e imja.

Për këtë shtatore të Ali Ibër Nezajt u interesua Bashkia e Tropojës dhe personalisht kryetari i saj, z. Rexhë Byberaj, si dhe urbanistët, ndërtuesit e gjithë stafi që u morë me këto punime me cilësi shembullore.

-Deshëm të dinim se me kë e realizuat në piedestal shtatoren e Ali Ibër Nezajt për ta vendosur në Tropojë, në vendlindjen e tij?

-Veprën skulpturore e realizova me djalin tim, Kushtrimin, që e ndoqi në çdo detaj deri në përfundimin e saj në bronx. Sheshin e përshtati vëllai im arkitekt, Artan Baliaj dhe djali i tij, Genti, që më duket një zgjidhje mjaft e mirë e funksionale. Punimet në gurë i realizoi Besnik Prela. Janë dhe shumë të tjerë që meritojnë të falenderohen për kontributet e dhëna.

Por fjalët më të mira i kam për iniciatorët për këtë shtatore, për Familjen e Ali Ibër Nezajt, që e bënë këtë investim serioz. Përshtypjet më të mira, që organizoi kryerjen e të gjitha punëve, e që meriton shumë mirënjohje, është Granit Nezaj, djali nga Shipshani, që vendosi dhe e realizoi katragjyshin e tij duke i ba nder edhe Tropojës, edhe mbarë vendit. Me seriozitetin dhe vendosmërinë e tij dola në konkluzion që gjithmonë Malësia jonë nuk mbetet pa djemë që punojnë e kontribuojnë për vendlindjen e vet. Prandaj, për Granitin kam falenderim të veçantë, si dhe Familjen Nezaj, që i dhanë ndihmë në këtë realizim që do të mbetet në shekuj.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat